Përfundoi eksperimenti hermetik i Molikom Zeqos.Nga Dr. Mujë Bucpapaj – 

 

 

Moikom Zeqo, një përfaqësues i shquar i brezit të poetëve të viteve 1970 u nda nje vit me pare nga jeta. Ai eksperimentoi në stilin e hermetizmit, me një varg poezish të publikuara në shtypin e kohës, por edhe shumë të tjerave të mbetura në dorëshkrim. Prirjet e tij për një poezi të mbyllur dhe hermetike u bënë të dukshme sidomos me librin e dytë “Qyteti Feniks” (Tiranë, 1971), ku ai konsolidon stilin e tij si një poet më një profil të veçantë.

Zeqo, ashtu si edhe grupi tjetër i poetëve të brezit të tij, provokoi sistemin e ngurtë të realizmit socialist, duke shkruar me një gjuhë të pastruar nga ngarkesat e tepërta të rregullave të metrikës klasike, duke i dhënë vargut të lirë një errësim, por edhe larmi më të madhe shprehje, deri në kombinime të reja kuptimore, e shpesh abstrakte.

Poezia “Në muajin e pyjeve”(“Nëntori” 1971), merr frymëzimin nga një nismë partizane, gati ordinere e kohës së aksioneve të tipit komunist, siç thirrej muaji i pyjeve apo siç e kishin emërtuar në atë kohë dhjetorin, për të shkruar një verision hermetiko-futurist të idesë së pyllëzimit.

Një nga poezitë më të bukura të Moikomit në atë periudhë, arrin që përmes një loje fjalësh, të ndërtojë raporte kuptimore të çuditshme, përmes metaforash dyfishe apo trefishe që e bëjnë poezinë e tij një kombinim abstrak interesant. Ai na jep në mënyrën e tij imazhin e procesit rutinë të mbjelljes së ulinjve, duke e metaforizuar atë në trajta të skajshme si: “Muzgu i kripës, akustika e kaltër, flokë të ndridhshme nimfash” etj, metafora, që sjellin përfytyrime të reja dhe mundësi më të mëdha shprehëse.

Ne mbillnim ullinj
Fiksonim stinën në muzgun e kripës ndanë arkitekturave
prej koraleve të shpellave të detit
Plot akustikë të kaltër legjendash dhe rreze si
flokë të dridhshme nimfash.

Zeqo ishte i ndikuar në fazën e parë të krijimtarisë së tij nga poetët hermetikë italianë si Salvadore Kuazimodo, Ungareti apo Montale. Librat e këtyre poetëve të shquar italianë nuk qarkullonin në Shqipëri, por në mjediset e elitave letrare të Tiranës, poezitë e tyre qarkullonin të shkruar me shkrim dore. Po kështu Martin Camaj kishte përkthyer poezi të Ungaretit dhe poetëve të tjerë hermetikë italianë.
Camaj, me ndërmjetësimin e Ernest Koliqit kishte ndjekur leksionet e Ungaretit në Romë, në vitet 1956-1958, duke e njohur edhe përsonalisht poetin e madh dhe njëkohësisht përfituar nga teknika e tij.

Krahas Zeoqs, në fillim të viteve 1970 një numër poetësh shqiptarë në Prishtinë, ishin të apasionuar pas hermetizmit si Teki Dervishi, Beqir Musliu, Musa Ramadani etj. Ata shkruanin dhe botonin këto poezi në shtypin e Prishtinës, kështu që mund të lexoheshin në biblioteken kombëtare në Tiranë, kuptohet vetëm me autorizime të veçanta nga regjimi.

Sigurisht që M.Zeqo jetonte një një tjetër kohë nga ajo që kishte çuar Kuazimodon drejt hermetizmit. Është e qartë totalitarizmi komunist dhe shtrëngesat politike ndaj lirisë së krijimit ishin të dukshme, por prirja e Mokomit për hermetizmin, mendoj se ka ardhur jo si një reagim kundër totalitarizmit, por si një risi e krijimit, si ndjenjë individuale për të pasuruar shprehjen poetike kombëtare, të ngurtësuar dhe të zhveshur nga metafora, siç thotë prof. Agim Vinca, deri në trajtën e shndërrimit të saj në pllakatë politike.

Njëriu në socializëm merret me plot lumturi dhe shkëlqim revolucionar, por në fakt ai ishte një njeri i vetmuar, i standardizuar, pa mendim dhe jetë personale, individuale. Njeriu i ri ishte vetëm një mekanizëm në trajtën e robotit, ndërsa dialektika revulucionare e jetës ishte një parullë,një sllogan i kohës,ndërsa zemra e tij ishte një gërmadhe e fundosur nga shtypja, varfëria dhe liria e munguar shprehëse.

Ja poezia “Në muajin e pyjeve“ e Moikom Zeqos

Ne mbillnim ullinj
Fiksonim stinën në muzgun e kripës ndanë arkitekturave
prej koraleve të shpellave të detit
Plot akustikë të kaltër legjendash dhe rreze si
flokë të dridhshme nimfash,
Kur në horizont mbi gjeografinë e kuqe të muzgut befas
hëna u shfaq,
Sahara e saj e rrumbullakët, e bardhë

Ne atëherë menduam:
Sikurt të mbjellim dhe hënën,
Të shkunden nga hëna çdo mëngjes katarakte petalesh
Si nga një ishull fluturues i pranverës
Dhe kostelacione ullinjsh, të kaltër.

Zeqo është një poet autentik dhe përvoja hermetike e Kuazimodos, mendoj se i ka shërbyer për të akumuluar një përvojë formaliste, vetjake me shumë origjinalitet shqiptar, sido që fryma e poezive të tij, të kujton Kuazimodon e hershëm apo krijimtarinë e fazës së parë të tij (vitet 1930) që kritikët e gjejnë deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Kuazimodo siç dihet botoi më 1930, përmbledhja e parë me poezi “Ujëra dhe toka” (“Acque e terre”), dhe vëllimin e dytë “Oboe e mbytur” (“Oboe sommerso”, 1932).

“Duke lënë mënjanë avanguardat e fillimit të shekullit XX, klima e viteve tridhjetë në Itali pasqyron një situatë historike të mbyllur, në të cilën hapësira që i lihet shkrimtarit bëhet zbrazëti, vetmi, mungesë. Edhe duke mos i lënë pas dore prirjet origjinale të më modernëve ndërmjet shkrimtarëve tanë – Jahier, Ungareti,Montale,- Kuazimodo i hershëm, ai i vëllimit “Ujëra dhe Toka”, rishfaq ende ndikime paskoliane, danunciane: por zëri i tij autentik tashmë akumulon përvoja ekzistenciale vetjake në një gjuhë plotësisht të ndërgjegjshme për mundësitë e veta shprehëse.”

Ashtu si edhe poetëtë e tjerë të brezit të tij që i kam analiziuar në këtë kapitull, Moikomi nuk imiton, nuk kopjon, por merr nga Kuazimodo përfytyrimet e skajshme, mitin e mbylljes së fjalës, ndjenjën ekstreme të jetës dhe të metafizikës së saj.
Moikomi merr nga Kuazimoda gjithashtu “projektin e shndërrimit të njeriut,” të “ndërgjegjësimit gjuhësor” dhe “përsosjes formale”, gjithë “projektimin e një njerëzimi të ardhshëm”.

Ja disa poezi hermetike të Moikom Zeqos:

***
Kumbulla e ringjallur
Plot kokrra nën muzgje.

Ajër blu.

Si ta vesh këtë kostum të gjelbër
Plot kopsa të kuqe ?
Të vij tek Ju

“Miscellanea”, Po aty faqe 135
1971

***
Me kafkën time në duar
Jam munduar të kuptoj jetën
Bile edhe vdekjen.

E di se fytyra do të shfytyrohet
Veç kafka do të mbetet e pandryshueshme.

Mos vallë mbas shekujsh
Do të rishfaqet prapë
Fytyra ime mbi kafkë?

Fytyra ime, rinore e gjallë
Me pavdeksinë në ballë ?
1971
“Miscellanea”, f.137

 

Nga Moikom Zeqo kemi zgjedhur “Mjeshtri plak i agrumeve“

Po shuhej nata e jugut
Mbi kopshtet e agrumeve
Dhe ylli i Afërditës premtonte mot të mirë,
kur mjeshtri plak u ngrit me një shkop mes sukave,
në kopshtet
nën një vello vezullonjëse të ngrirë.
Dhe vesa brymëzohej nga drita blu e hënës
U ngrit
(i kumbonte një thirrje thellë në gji!)
Për të parë çdo bimë dhe pemë që i mbolli vetë, u kujdes dhe i shartoi
Gjithë jetën e tij
Për të thithur dritën e hënës dhe të yjeve
Mes mjegullës së hollë që tretej thellë në det,
ndërsa agimi i fundit
për atë që lindëte
një zjarr i ëmbël fluturak mbi breg.
Se ç‘ndjente një thirrje që e ftonte me ngulm
Dhe ndonëse ishte plak shumë plaku ngrit ai.
Mes agrumeve plot vesë veç atje e kuptoi
Ish thirrja e kopshteve
E jetës së tij.
E kuptoi ngriti duart dhe e mbajti në një degë,
(sikur i zgjati dorën dikush që ta mbante)
Dhe u rrëzua ngadalë i mbushur me diell,
Ku pranvera mes luleve
Si në ëndërr përrallte.
U përkulën limontë, nërënxat, greifrutet,
porsi diej të vegjël nga qielli i gjelbër, i gjetheve
u përkulën mbi mjeshtrin dhe në gji e futi
e mbështollën me fëshfëritjen e pafund
të këngëve.

Një tjetër poezi e Moikom Zeqos e kritikuar për modernizëm, antropomorfizëm dhe modernizëm është ajo me tittull “VENDLINDJA E NËNËS” e botuar më 1972.

Vendlindja e nënës
Me drurët popullorë të mollëve
Mbi ditët prej rrënje

Sa shumë mollë!

Por unë kaloj përmes degëve
I shqetësuar nga një kërkim i cuditshëm
Gjer në peizazhet e para të fillimit
Të mollëve të pambjella.

Dhe në pullaze rri
Zogu i blertë i mesditës
Si një faun i vogël gati i padukshëm,

Zog fluturo
Gjer tek feminia e mollëve
Mos vallë dhe nëna
Lindi prej rrënjëve të tyre?

Se nga cdo kokërr mollë e carë
Dalin kodrat dhe lumi
Një vajzë e vogël me një shamizë gjetheje
Hirushja e dytë e përrallave të harruara.

Lopa e dobët me lekurën e muzgut
I jep qumështin e nënës së saj të vdekur
Dhe një maçok plak
I ruan lulet prej leckash
Të fantazisë së mbyllur nga braktisja.

Vajzë jetime
E rritur në shtëpinë e botës
Me nallane druri në borën e ndjenjave
Me fustan hëne të trishtuar vjen

Takon vetën time fëmijë
Të rritur ndryshe
Dhe ka ndrojtje prej saj
Por kjo vajzë e vogël
Është nëna ime

Bijë e mollëve
Në fundin e stinëve që ikën
Dhe fillimin tim të luleve.

Këta drunj popullorë
I dhanë mollë dikur
Asaj vajze të uritur

Dhe e mësuan të shndërronte
Erërat dhe borën në mollë të kuqe gëzimi.

Vendlinjda e nënës
Lëviz në moshën e saj
Prej bime dhe njeriu.

O, degë të rënduara të kujtesës
Nëna ime brenda mollëve.

Poezia e Moikom Zeqos “Vargje për currilat”

Në brigjet kodrinore plot makje të Currilave
I vetëm shkoj në plazh ku shkuma me dritë mbushet
I shqetësuar
Nga malli i ujrave dhe viseve
Ku dielli avullon nga vetja rrezet,
Muzgjet.

Pranë brigjeve në ujë gërmadhat e kështjellës,
(Ky gji ka qenë qytezë dhe mol i Skënderbeut),
Të moçme zhurmojnë
Në thellësi legjendash,
Plot fosile lavdish dhe alga
Në themelet.

Mbi kodra juga fryn ndaj dallgët po gëzohen,
Unë ndjej në kaltërsi si klith
Vjeshta detare
Mbi zallet që me shkumë
Dhe leshterikë mbulohen.

O thirrje e fëmijërisë që më grish pareshtur,
Në ngrohtësinë e kaltër të ditëve të qershorit,
Dikur këtu i ri në det
Duke u hedhur
Emrin tim kam dëgjuar
Në kampionatet e notit.

Tani është vjeshtë. S’ka njerëz në plazh.
Dhe çadrat mes valëve sit ë shkreta duken.
Sezoni i notit ka mbaruar. Në ajër
Të mbushur nga kripa,
Ngrihen muzgjet.

Të përshëndes o det që më zhurmon në vargje,
Ju brigje ku peshkova çdo agim me grep,
Ju kodra argjilore të lulëzuara
Nga makjet,
Ju ujra ku vozita me rrema edhe vel!

Po iki. Jam ngarkuar me dashurinë dhe mallin,
Që më jep gjithmonë kjo kripë e bardhë, e dhëmshur,
Po mbart këtë pejsazh, që fëshfërin nga dielli,
Këto vargje si një bardi përjetshëm, i detit.

Një tjetër poezi nga Moikom Zeqo

U montuan asfalteve llampat neon
Furça dhëmbësh gjigande.

Sa dhëmbë yjesh tek goja e natës
Si t’i pastrojmë me paste drite.

1971

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here