NË LYON, QYTETIN E DRITAVE DHE KRYEQYTETIN GASTRONOMIK TË FRANCËS.  Nga Mentor HOXHA

 

Lioni është ndër metropolet më të rëndësishme dhe më të njohura në Francë, në Europë dhe në botë. Është qyteti i tretë më i madh pas Parisit dhe Marsejës dhe zona e dytë më e madhe urbane e Francës. Në periudhën midis dy Luftërave Botërore, Lioni ka qenë ndër qendrat franceze më të frekuentuara nga emigrantët politikë shqiptarë. Ndër ta spikasin Sokrat Nushi me tre fëmijët e tij, Gogo, Kozma dhe Ksenofon Nushi. Edhe sot, Lioni është qyteti francez me numrin më të madh të azilantëve nga Shqipëria dhe Kosova. Në Universitetin e Lionit kanë studiuar disa nga figurat më të njohura politike, diplomatike dhe akademike në historinë e shtetit shqiptar, si Dr. Ymer Dishnica, Kahreman Ylli etj. Shqiptarët e Lionit dhanë një kontribut të madh edhe për çështjen shqiptare. Kur Italia fashiste po përgatitej të pushtonte Shqipërinë më 7 prill 1939, të gjithë shqiptarët e Lionit organizuan protesta të shumta dhe të fuqishme kundër agresionit fashist. Jehonën e këtyre protestave e përshkruan edhe gazeta e njohur franceze “Le Temps” (12 prill 1939). Lioni ka luajtur një rol të madh në zhvillimin fetar dhe politik të Evropës përgjatë shumë shekujve. Qyteti i Lionit u themelua nga romakët në shekullin e Parë para Krishtit. Fillimisht u njoh si Lugdunum dhe gjatë Perandorisë Romake ka qenë kryeqyteti i Gauls. Kryepeshkopi i qytetit u emërua Kryepeshkop i Gauls dhe disa papë të njohur u kurorëzuan këtu. Në Mesjetë u bë kryeqendra e panaireve dhe lulëzoi në Lion tregtia e erëzave dhe e mëndafshit. Nga Rilindja e deri në fund të shekullit të XIX-të ishte një nga qendrat kryesore financiare në Europë. Lioni ka një trashëgimi arkitekturore të jashtëzakonshme. Ajo daton rreth 2.000 vjet më parë. Qyteti është shpallur vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Distrikti i “La Confluence” ka përqafuar avangardën arkitekturore mahnitëse moderne. Lioni ka shumë muzeume, ndërtesa historike dhe vende të bukura turistike, ku veçohen; Bazilika Notre-Dame de Fourvière dhe Katedralja e Lionit, Teatri Galo-Romak, Lagjia mesjetare Vieux Lyon, Pallati Saint Pierre ose Bashkia e qytetit, Opera Nouvel, Sheshi Bellecour, Kopshti i Grande Cote, Hotel De Ville, vendi des Tarreaux, Parc de la Tête d’Or, Croix – Rousse etj. Lioni ka shumë hapësira të gjelbra, madje edhe në zemër të qytetit, të tilla si Parc de la Tête d’Or. Parc de la Tête d’Or është mushkëria e Lionit dhe është një nga parqet më të mëdha urbane në Francë. Ka një sipërfaqe prej 105 hektarë. Lioni është qyteti i dytë në Europë, pas Berlinit për numrin e madh afreskeve, të cilat  gjenden në të gjithë qendrën e qytetit (Croix–Rousse, Quais de Saône) në distriktin États-Unis (lagja e 8-të). Ky është vendi i Muzeut Urban Tony–Garnier, një vend i hapur me më shumë se 20 afreske të mëdha në stile shumë të ndryshme. Ndër muzeumet për tu vizituar janë: Muzeu i vëllezërve Lumiere, Muzeu i Arteve të Bukura, Muzeu i Artit Modern, Muzeu i Qytetërimit Galo-Romak, Muzeu i Pëlhurave, Muzeu Toni Garnier, Muzeu i Historisë së Natyrës, Muze de Confluence etj. Lioni organizon evenimente të shumta kulturore dhe festivale kombëtare e ndërkombëtare duke përfshirë Biennale de la Danse (festivali bienal i kërcimit), Biennale d’Art Contemporain (festivali bienal i arteve bashkëkohore), les Nuits Sonores (festival i muzikës elektronike), Lumière Cinema Festival (Festivalin e Kinemasë Lumiere), Quais du Polar (festivali fantastik) dhe Fête des Lumières (Festivali i Dritave). Opera e Lionit është vlerësuar ndërkombëtarisht. Qyteti i Lyonit është vlerësuar si kryeqyteti gastronomik i Francës. Ai njihet gjithashtu për Festivalin e përvitshshëm të Dritave (Fête des Lumières). Është shtëpia e pionierëve të kinemasë, vëllezërve Auguste dhe Louis Lumière që konsiderohen si regjisorët e parë të filmit në botë. Qyteti i Lyonit përfshihet në Rajonin Rhone-Alpes (Rhone-Alpes-Auvergne) dhe shtrihet në bashkimin e lumenjve Rhône dhe Saone. Ka një sipërfaqe 47.87 km2 dhe një popullsi prej 506.615 banorë (2.18 milion në konglomeratin urban). Kryetar i Bashkisë së Lionit është Grégory Doucet. Banorët e famshëm të Lionit janë: vëllezërit Auguste (1862-1954) dhe Louis Lumière dhe (1864-1948, regjisorë dhe industrialistë), Antoine de Saint-Exupéry (1900-1944, shkrimtar, aviator dhe poet), Maurice Jarre 1924-2009, kompozitor dhe dirigjent), Paul Bocuse (1926-), një kolos në qarqet gastronomike të Lionit, futbollistët Bernard Lacombe (1952), golashënuesi më i mirë i ligës franceze i të gjitha kohërave, Youri Djorkaeff (1968-), Juninho Pernambucano (1975-), Éric Abidal (1979), Karim Benzema (1987-) etj.

Justin Godart, lionezi që kontribuoi shumë për çështjen shqiptare

Në Lion kanë lindur disa nga personalitetet më të rëndësishme të historisë franceze. Në Lion ka lindur edhe senatori dhe politikani i shquar, Justin Godart (1871 -1956), i cilësuar si një nga figurat më të shquara të Republikës së Tretë Franceze. Ai ka qenë Zv/Ministër i Luftës gjatë Luftës së Parë Botërore, Ministër i Shëndetit Publik (3 qeshor -18 dhjetor 1932), deputet (20 maj 1906 – 4 qershor 1926), Ministër i Punës, Higjenës, Asistencës dhe  Mirëqenies Sociale (14 qershor 1924-17 prill 1925), Nën Sekretar i Shtetit për Shërbimin Shëndetësor Ushtarak (1915-1918), Kryetar i Komunës së Lionit (3 shtator 1944-18 maj 1945), senator i Rhone (16 maj 1926-10 korrik 1940), themelues i Ligës Botërore kundër kancerit, si dhe President i Komisionit Ndërkombëtar të hetimit në Ballkan për Fondin Carnegie më 1913. Emrin e tij e mbajnë disa rrugë dhe sheshe në Lyon. Godard ishte një nga mbrojtësit më të shquar të çështjes kombëtare shqiptare. Ai ishte i pari që themeloi Misionin Arkeologjik Francez në Shqipëri, vuri në krye të arkeologun e shquar nga Franca, Leon Rey, si dhe hodhi bazat e para të lidhjes kulturore shqiptaro-franceze. Godart i vizitoi viset shqiptare më 1821, 1922, 1923, 1937 dhe 1951 dhe shkroi e botoi më pas në Francë në frëngjisht dy ditare për Shqipërinë. “Ditarët shqiptarë” (mars 1921 -dhjetor 1951) të tij janë përkthyer nga frëngjishtja në shqip nga Asti Papa dhe janë botuar nga Sh. Botuese Dituria. Në vitet ’30-të, Godart u dekorua nga shteti shqiptar me Kordonin e madh të Urdhërit të Skënderbeut.

LYONI, KËSHTJELLA E PUSHTUAR NGA SHQIPTARËT NË EURO 2016

Qyteti i Lyonit u bë shumë i dashur për shqiptarët gjatë Kampionatit Europian të Futbollit 2016 që u zhvillua në Francë. Ndeshja e tretë e Shqipërisë kundër Rumanisë u zhvillua në Stade de Lyon më 19 qershor 2016. Këtë ndeshje e ndoqën nga stadiumi i Lionit rreth 20 mijë tifozë shqiptarë, ndërkohë mijra të tjerë vërshuan në rrugët e Lionit me flamuj kuq e zi dhe veshje kombëtare shqiptare. Bukurinë ia shtuan më shumë Lionit bukuroshet shqiptare, të cilat zunë faqet e para të media-ve franceze dhe botërore.

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here