( Shek. VII para Kishtit)
191
Fronzbukuruara, Afërditë e pavdekshme,
bijë e Zeusit , intrigante, të përshpirtem,
me pikëllim, Zonjushë dhe me vuajtje
mos ma mundo zemrën.
Por pranë meje eja, edhe pse asnjëherë tjetër
duke dëgjuar së largu lutjen time
nuk më dëgjove me dashamirësi, tashmë duke lënë
pallatin e babait erdhe këtu,
pasi mprehe karocën e florinjtë.
Dhe harabelë të bukur, të shpejtë të sollën,
duke rrahur krahët e tyre të dendur
në tokën e zezë prej qiellit
duke çarë lartësitë
dhe erdhën shpejt, kurse ti, e lumtur,
me buzëqeshje në formë pavdekësie
çfarë pësova sërish më pyete
cili është shkaku i rithirrjes sate,
dhe para së gjithash zemra jote e marrë
çfarë dëshiron me afsh të bind sërish
në joshjen e dashurisë sate ( të ngatërrohet) ?
Sapfo, cila të torturon ?
Madje edhe nëse të largohet, së shpejti do të vijë pranë teje
dhe nëse nuk i pranon dhuratat, do të të japë ajo
dhe nëse ajo nuk të dashuron, së shpejti do të të dojë
madje edhe nëse ti nuk e dëshiron.
Eja pranë meje tani dhe shpëtomë
prej shqetësimeve torturuese dhe sa të dëshiron zemra
bëji të realizohen dhe ti vetë
(eja dhe) bëhu aleatja ime.
192
Nga Kreta eja këtu në këtë tempull të papërlyer,
ku është kopshti yt i bukur me mollë
dhe ku mbi altarë
digjet temjani.
Këtu gurgullin, midis degëve të mollës,
uji i freskët dhe vendi nga trëndafilët
është hijezuar i gjithë dhe prej fëshfërimës së gjetheve
nën to rrëshqet gjumi.
Madje edhe një lëndinë këtu, ku kullosin kuajt,
me lulet e pranverës lulëzon
dhe frymërat e erës fryjnë ëmbëlsisht…
Këtu pra, ti Qipridë, merr edhe ti kurora
në festën tonë, hidh qetësisht nektar
në gotat e florinjta
dhe qerasi këta miqtë këtu
të tutë dhe të mitë, miqtë tanë.
193
Jepni, ti Qipridë dhe ju Nimfa,
i paprekur të vijë im vëlla
dhe gjithshka dëshiron zemra e tij
të plotësohen të gjitha.
194
Qiprida qoftë edhe Dhoriha të të gjejë
ende më të ashpër dhe të mos krenohet më
duke thënë se ai erdhi për herë të dytë
në dashurinë e dëshiruar.
195
Disa thonë se kalorësit, ndërsa të tjerët këmbësorët,
marinarët disa të tjerë thonë se janë
stolia më e bukur
mbi tokën e zezë unë them se është ai
që gjithkush e do më shumë.
Kjo është shumë e lehtë ta ndjejnë të gjithë
për shembull Elena që të gjithë njerëzit
në bukuri i kaloi,
burrin e saj, të parin ndërmjet të parëve,
e braktisi dhe me anije
shkoi në Trojë
pa u interesuar aspak
as për të bijën
as për prindërit e saj të dashur.
…………………………………………..
Do të doja që ecjen e saj të adhuruar
dhe rrezëllimin e saj dritor
pamjen e saj të shoh, sesa armët
e Lidëve dhe këmbësorët me të gjitha armët
duke u hedhur në betejë.
196
Do të dëshiroja të më shfaqet pranë meje,
në kohën kur lutem. Irë e respektuar,
pamja jote e hareshme
ajo për të cilën u përgjëruan mbretërit Atreidë
kur pas sukseseve të tyre të shumtë
së pari në Trojë, por edhe në det,
morën prej andej rrugën e kthimit
dhe nuk mundën të mbërrijnë,
para se të vinin dhe të të përgjëroheshin ty dhe Zeusit
dhe Thionit njeriut të dashur
kështu tashmë ndihmoi edhe mua,
që jam e raskapitur, siç po mësohesh me këtë gjë.
197
Por si përballë meje të shoh
më duket se as Ermioni
nuk ishte si ti dhe i papërshtatshëm
nuk është me flokëverdhën
Elenin që të të ngjaj.
198
I barabartë me Zotin më duket se është
ai burrë që qëndron përballë teje
dhe dëgjon nga afër
ty që flet ëmbëlsisht
dhe buzëqesh kënaqësisht kjo gjë
tallazit zemrën time brenda kraharorit
se kur të vështroj fare pak, zëri im
ndërpritet në buzë tërësisht,
gjuha ime ndalon në heshtje
një flakë e hollë më depërton në çast
lëkurën time, sytë nuk më shohin më,
ndërsa veshët më oshëtijnë
një djersë e hollë më lan dhe një frikë
më depërton të tërën, bëhem më e blertë
sesa blerimi dhe më duket
se dhe pakëz akoma dhe do jap shpirt
Por e gjithë ia vlen sikush ta guxojë,
se edhe të varfërin…
200
Yjet përrreth hënës së bukur
fshehin në çast pamjen e tyre dritore,
çdo herë që ajo hënëzon e plotë
mbi tokë.
201
këmbët e saj
i mbulon një pallto e meshintë
vepër e bukur Lidike*
* E qytetit të Lidias në Azinë e Vogël (shën. i përkth.)
202
Edhe tek ato zemra ishte e ftohtë
kurse flatrat të rëna.
203
Hektori dhe shokët sjellin Andromakën
vezulluese të brishtë nga Thiva e Shenjtë
dhe Pllaqinë të pasurën duke lundruar me anije
në detin e kripur shumë byzylykë të florinjtë,
rroba të kuqe të lehta pendë dhe lodra me lajle e lule
dhe sasi të shumta kupash të argjendta dhe fildish po aq.
Kështu tha ai dhe direkt u hodh përpjetë
babai i dashur dhe lajmi u përhap
tek shoqëria e gjerë dhe mbërriti tek miqtë.
Atëhere fëmijtë e Ilut u mprehën si mushka
tek karrocat rrotahijshme dhe aty lart edhe njerëzit
u ngjitën të gjithë, gra dhe vajza
së bashku me çekanët e tyre të butë përveç Priamopullëve.
………………………………………………………………..
Dhe u trazuan së bashku drubalsami gjethe kasie* temjan
dhe thirrën të gëzuara gratë më të moshuara.
Dhe burrat kënduan këngë zëçjerrë,
duke ftuar Apollonin, zotin harkgjatë,
me lirën e bukur – dhe si zota adhuruan
Hektorin dhe Andromakën.
* bimë mjekësore (shën . përkth.)
204
Dhe Erosi zemrën ma tallaziti
si era që vrrullon
mbi lisa sipër në mal.
205
Erdhe pasi unë të kërkoja
dhe ma freskove zemrën
që digjej nga dëshira.
206
Qysh herët, Atthida ime, unë të dashuroja
qysh atëhere që më dukeshe vashëz e vogël dhe e pakëndshme.
207
Kush është me të vërtetë i bukur, është i bukur
vetëm në pamje
por ai që është i mirë, do bëhet i drejtë dhe
i mirë.
208
Nuk e di përse rend dy janë qëllimet e mia.
209
Duket se nuk e prek qiellin e lartë.
210
Të zbresë nga qielli
dhe të veshë pelerinën e kuqe.
211
Pasi të jeshë e vdekur, atëhere askush asnjëherë
nuk do të të kujtojë, por as edhe në të ardhmen,
se meqë nuk merr pjesë në rrotën e Pierias *,
edhe pse do të kthehesh në pallatin e Ferrit,
do jesh e parëndësishme midis të vdekurve të parëndësishëm,
duke fluturuar herë këtu e herë aty.
* ‘’Rrota e Pierias’’- ishin dhuratat e Musonëve, pasi kjo krahinë cilësohet atdheu i Orfeut dhe i Musonëve.(shën. i përkth.)
213
Vuri kurorat e adhuruara, Dika, në flokët e tua,
lëvizi lehtë me duart e tua të buta
bishtat e gjetheve të glikanxos * se ata
janë lulëristolisur dhe Haritet ** fatbardha
e kthejnë gjetkë fytyrën e tyre
drejt atyre që nuk vënë kurorë.
* bimë me frut.( shën. i përkth.)
** Haritet janë të bijat e Zeusit dhe Irës.(shën. i përkth.)
214
Mnisidhiqi* është më e bukur
se e buta Jirinno.*
*Emra vajzash të shoqërisë së poetes.(shën. i përkth)
215
Kurrë, Irini, nuk kam takuar
grua më të dëmshme se ti.
216
Sinqerisht kërkoj të kisha vdekur
ajo e braktisi duke derdhur lotë të shumtë
Dhe ky këtu më tha:
‘’mjerë për ne, Sapfo, me këto që pësuam
këtu në të vërtetë pa dashur po të lë’’.
Dhe unë iu përgjigja:
‘’Rrugë e mbarë të qoftë dhe të mos më harrosh,
ti e di se sa fort u lidhëm’’.
218
Tani e veçuar është midis grave
të Lidias, si hënëza unazëtrëndafiltë,
kur në ikjen e diellit i mbulon të gjithë yjtë
dritën e përhap përmbi detin
e kripur dhe përmbi arat
me shumë lulëri
dhe vesa e bukur është e shpalosur
trëndafilët kanë lulëzuar dhe marajet
e butë dhe zymbyli luleplot.
221
Nënë e ëmbël, indin të godas
në vegjë nuk kam fuqi,
më ka nënështruar dashuria e djaloshit,
që më dërgoi Afërdita e ndjeshme.
223
Afërditë, që i risjell
të gjitha ato që mëngjesi dritëdhënës shpërndan,
sjell delen, sjell dhinë
dhe fëmijën e vogël e sjell tek nëna.
224
Ashtu si mollën e ëmbël që kuqëlon
në cepin e degës më të lartë,
mbledhësit e mollëve e harruan, por
nuk e kanë harruar, nuk mundin
të arrijnë atje lart.
225
Ashtu si barinjtë atje lart në male
me këmbët e tyre të rënda shkelin Zymbylin
dhe përzhitet në baltë lulja e purpurtë.
226
Dallohet si këngëtari Lesbiot
midis të huajve.
227
E pra vajzë do të jem ende ?
228
Shtatë pash mbulojnë këmbët e portierit
me pesë lëkurë demash bënë sandalet e tij
dhjetë këpucarë u lodhën për t’i punuar.
229
Lart në strehë,
Hyjni, mbrojtëse të martesës,
më ngrini, mjeshtra
Hyjni.
Hyn dhëndërri ndoshta Marsi vetë,
akoma më shtatlartë se një burrë i madh.
230
– Virgjëria ime, virgjëri, ku po shkon dhe më lë ?
– Nuk do të vij sërish pranë teje, nuk do të vij më.
231
Hijeshinë tënde, dhëndërr i dashur, me çfarë ta krahasoj ?
Më ngjan jashtëzakonisht shumë me filizin e njomë.
232
Unë nuk e kam brenda vetes zemëratën smirëzezë,
por shpirtin tim e mbaj të qetë.
233
Meqë je miku im (të them)
një grua më të re të zgjedhësh,
sepse unë në vitet që do të vijnë
nuk do të mund të shkoj me ty.
234
( Shoh) vajzën e freskët
lule duke mbledhur.
235
Para pakëz edhe Mëngjezi faqeartë.
236
Ku e gjen të shlodhesh
në gjokset e mikeshave të freskëta.
237
- Nëqoftëse më ke harruar
- cilin burrë tjetër
më të mirë se unë dashuron ?
238
- Sërish dashuria, që trupin marramend, po më trondit
ajo e ëmbëlhidhura, zvarraniku i pamposhtur.
- Atthidë, është tepër shqetësuese për ty
të interesohesh për mua, ndërsa ti fluturon në Andromedë.
239
Unë kam një vajzë të bukur, fytyra e saj
lule e artë, të dashurën time Kleida
atë nuk do ta ndërroja as me të gjithë Lidian
as me të dashurën…
240
Andromeda bëri një shkëmbim të bukur.
243
(a) Diçka desha të të them,
por më pengon turpi.
(b) Nëqoftëse do dëshiroje të ndriturat dhe të bukurat
dhe gjuha jote nuk përdridhet për të thënë diçka të keqe,
atëhere turpi nuk do të t’i mbulojë sytë,
por lirshëm do t’i thoshje ato që dëshiron të thuash.
244
– Qitheria, i freskëti Adhon po vdes
cili është detyrimi ynë ?
– Gjokset tuaj goditni, ju vajza,
tunikat tuaja i grisni.
245
(a) Dhe e kisha mbushur shtambën
me përzierje ambrozie *
shtambën e mori Hermesi
dhe qerasi perënditë.
(b) Dhe atëherë të gjithë zotat
ngritën gotat,
bënë ceremoni dhe i uruan
dhëndërrit të gjitha mirësitë.
*Ushqim i perëndive të lashta greke.(shën. i përkth.)
246
Dhe mbinë qiqra të arta
përmbi hapësirën e brigjeve.
247
Si shumë e frynë Gorgonë.
248
Them ende se dikush tjetër
do na kujtojë në të ardhmen.
249
Pasuria pa virtyt fqinji im është e dëmshme
ndërsa kombinimi i të dyjave sjell lumturi.
250
Vërtet nuk është e drejtë që në shtëpinë e poetëve
të dëgjohet të qarët, këto gjëra tek ne nuk duhen.
251
Gjumi i zi natën pushton sytë.
252
E plotë po ngrihej hëna
ndërsa ato qëndruan si përreth altarit.
253
Së bijës së Poliananaktës
përshëndetjet e mia të shumta.
254
I donte fëmijët më tepër se Jellonë.
260
Rrudheshin nga frika si zogjtë,
kur befas u shfaq e shpejta shqiponjë.
261
(a) Dikur Kretaset ashtu ritmikisht
me këmbët e tyre të buta e hiqnin vallen
përreth altarit të hijshëm,
(b) Duke shkelur lulërinë e butë të blerishtes.
262
Edhe krahëprerë shkoj si i biri tek e ëma.
468
Ka perënduar hëna, perëndoi edhe Shenjëza
është mesnatë, ora ka kaluar
ndërsa unë fle fill e vetme.