Të flasësh për krijimtarinë e një shkrimareje si Kristina Demiri Dojçe duhen studime të tëra, analiza të imëta e të holla, të kaluara në një sitë të imët gjykimi dhe analize, por këtu, në këtë shkrim, unë do të cek vetëm disa gjëra që lidhen me prozën e saj, e cila, e them që në krye të herës, është një prozë me sens të fortë komunikues dhe emocional.
Kristina Demiri Dojçe, shkrimtarja shqiptare me banim në Selanik të Greqisë, ku jeton prej njëzet e pesë vjetësh, qoftë në librin me tregime, qoftë në dy romanet e saj, na sjell një prozë të ngjeshur e të shkruar me një stil vështrimi në thellësi, plot ndjesi dhe emocion. “Prekjet” që Kristina i bën realitetit shqiptar janë prekje në një truall që ajo e njeh mirë, duke fokusuar në gamën tematike dhe ideoemocionale kohën e një brezi të keqkuptuar, ku traditat, zakonet, kodet psikike dhe morale, tabutë dhe klishetë kanë një fytyrë tipike ballkanike.
Në përmbledhjen e parë me tregime “Unë mbretëresha e Trojes”, autorja shpalos raporte personale dhe ndërpersonale me kujtesën, duke nxjerrë në pah një përbashkësi vlerash të cilave ajo iu referohet poetikisht dhe semantikisht. Tregimet e saj janë spontane dhe të shtruara, pa sajime dhe artikulime të sforcuara, pa retorikë dhe klithje; ku sundon ngrohtësia dhe lirizmi i detajit të hollë, përshkrimet e imëta, të cilat shkrihen në botën e brendshme të personazheve, që janë thuajse gjithnjë në lypje të imazheve të së kaluarës dhe në përpjekje për t’u identifikuar në lidhje me emocionin që buron prej saj.
Në librin e saj të dytë me tregime “Aroma dehëse e jargavanit”, autorja e thellon orvajtjen e vështrimit në thellësi, duke tentuar të bëj një eksplorim në botën e ndjenjave “delikate” dhe emocionit “delikat”, që konturohen në një reliev të thyer rrëfimtar.Ky libër është një udhëtim i shkrimtares në kohën e shpirtit dhe na sjell sjell copëra kujtese, malli, idili, marrëdhëniesh njerëzore, pa filtra paragjykimi dhe pa maska, derdhur në një rrëfim të ngjeshur e mjeshtëror, ku sundon përshkrimi i gjallë, personazhe që të mbeten në mendje dhe gjendje analize e psikoanalize, përmes labirintheve dhe “sekreteve” të një narracioni të beftë. Zënë vend në këto tregime aspekte të përditshmërisë sonë, me ballafaqimin e njeriut disi të vetmuar bashkëkohor me vetveten dhe të tjerët, me mungesat, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të gjallë dhe mjaft të latuar në sensin semantik dhe stilistik, me një sintaksë të zhdërvjellët dhe filmike, cilësi këto që duhet thënë se e bëjnë prozën e Kristinës të lexohet me endje dhe kureshtje, duke u pasprirë ky lexim me një kohë tjetër shqyrtimi dhe reflektimi.
Në romanin e saj “Fal dashuri”, Kristina na përcjellë ajzergun e një jete plot trazime, ku dhimbja ndërkallet me shpresën dhe realiteti i dhënë në gjithë thellësinë e tij, të ngjet me një triller plot befasime.
Lufta për jetën dhe dashurinë njerëzore është tema e këtij romani, ku ngjarjet e subjketit, të fragmentizuara hap pas hapi e faqe pas faqeje, të çojnë në kthina të panjohura të kujtesës së autores, e cila njëherësh është dhe protagonistja e romanit.
Në sprovën e saj kurajoze për të na dëshmuar një realitet që nuk është aspak poetik, përkundrazi është ankthioz, lexuesi gjen megjithatë një frymë të përndezur lirizmi dhe poetike, që autorja na i sjell me anë të një rrëfimi të “situr” hollë, ku shpalosen të ndodhurat e saj në kohë dhe të cilat i lidh filli magjik i dashurisë.
Të falësh dashuri, edhe kur brenda teje “fati” të ka falur dhimbje, dhimbje fizike e shpirtërore, edhe kur e rrethuar nga stresi, ngutja gjer në alarm, që të dikton një sëmundje e rëndë, ora duket sikur shkon në të kundërt të akrepave të saj, kjo është vetëterapia e Kristinës në rrugën drejt shërimit dhe shpresës.
“Fal dashuri” është një roman i shkruar me nerv, me një stil të zhdërvjellët, ku përzihet lirizmi me dramën e protagonistes, me një gjuhë të latuar dhe plot mesazhe të thella filozofike, etike, njerëzore dhe estetike.
Heroina e romanit nuk na përcjellë një dramë sentimentale e melankolike të vuajtjes dhe rënkimit, por një sagë qëndrese, që merr kuptim në udhëtimin e saj drejt vetvetes, drejt kujtesës, drejt historisë së saj dhe të brezit të saj, në raport me kohën dhe bashkëkohësin.
Romani përshkohet nga një narracion i beftë, i çliruar nga proliksiteti, nga rëndomësirat, nga truket dhe recetat, nga moralizimet dhe shtampat agjustive, me të cilat është mbushur dëng romani shqiptar, edhe pse jetojmë në një epokë të çlirimit të madh të estetikës nga jashtëestetika.
Aftësia e pazakontë e autores për të rrëfyer përfundimet e vëzhgimeve, soditjeve, përsiatjeve të mjediseve, njerëzve, ndodhive, por mbi të gjitha të thellësive të trazuara të unit dhe të kohës, vijnë e përcillen me një intenstitet të lartë në romanin e fundit të Krsitinës “Përballë një kërcënimi”. Në qendër të rrëfimit është jeta e një gazetari investigues, që ngrihet kundër mekanizmave diabolikë të lidhjes së pushtetit dhe politikës me krimin, duke dëshmuar një rezistencë aktive ndaj çdo forme të shpërdorimit dhe tjetërsimit të lirisë.
Tonaliteti lirik, vëzhgimi i hollë, i ndjeshëm, i imët në përshkrime, thellësisht realiste dhe transhendente, duket se janë produkte të një shpirti të ushqyer me dashurinë e madhe për jetën, me frymëzime nga lufta për të triumfuar mbi të keqen, mbi rënien dhe zvetënimin, mbi fatin që duket si fatalitet, por që heroi i romanit, e çliron nga çdo dozë pesimizmi dhe fataliteti.
Psikanaliza e fakteve, detajeve, gjendjeve të trajtuara me aq realzëm, me nota lirike dhe poetike, kapërcimi i çdo kornize trajtimi bardhë e zi të situatave narrative, të gjitha këto e cilësi të tjera të procedimit estetik të tregimtares, e bëjnë romanin e saj aq të gjallë dhe komunikuese në vetëdijen e lexuesit të çdo moshe.
Kristina shkruan lehtë, sikur hedh me një dorë të shpejtë shenja mbi tealajo; ajo di të zgjedhë e të selektojë me kamerën e saj vëzhguese, prej shkrimtareje shijehollë, të veçantat e produktit artistik, duke ia nënshtruar ato një analize të imët, tekstore e nëntekstore, të drejtpërdrejtë dhe poetike.
Romani, i përshkruar nga nota të forta realiste, sjell dramën e fortë të këtij tranzicioni të pafund shqiptar, ku përpjekjet e misionarëve të mediave dhe shtypit të lirë përballen me ingranzahet më djallëzore të pushtetit politik, në tentaivën e tij për të ruajtur strukturat në hije të oligarkisë së lidhur me fije të padukshme me botën e krimit dhe mafies.
Ajo nuk kërkon të bëjë “filozofira të mëdha”, me të cilat janë mbushur dëng mjaft autorë e që shpesh, ngaqë bëhen për t’u dukur, kthehen në shtampa deklarative dhe ilustrative; ajo është një rrëfimtare e sinqertë, e ngrohtë, spontane, me gjithëfarë ritmesh e ngjyrash jete e ku rrinë në bashkëjetesë të plotë elementët klasikë e modernë, duke na përvijuar trajta dhe peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe përditshmërisë.
Kur lexon romanin “Përballë një këcënimi” të shkrimtares Kristina Demiri Dojçe, lexuesi ndjen thellësi, ngrohtësi, realizëm, fiksion, trill, rezistencë, shpresë dhe kupton se ka të bëjë ë me një autore që ka një përvojë të thellë jetësore, çfarë kërkon ta përpunojë në filtrin e saj estetik, me një qartësi dhe thjeshtësi tronditëse, gjë që mendoj se është edhe ana më e veçnatë e vlerave të këtij romani dhe gjithë krijimtarisë së saj në gjininë e prozës.