LE TË VESOJNË VITET MALL E DASHURI. Poezi nga Pajtim Xhelo

 

 

DO NDIHEMI SI QERSHI NË LULËZIM

 

 

 

( Shoqeve e shokëve të mi të fakultetit, me rastin e takimit pas gati

50 vitesh , takim që do të bëhet në Vlorë, më 26 korrik 2021)

 

 

 

 

Ka ndalur koha dhe përtej errësirës,

Trishtim nga syt’ e përlotur po më hedh,

Ndjej si drithërojnë fijet e mëshirës,

Dhe dhëmbja e shpirtit natës zë e bredh.

 

Ca fjalë qortimi dhe një psherëtimë,

Me flladin e psmesnatës më dërgon,

Seç ndjeva në trup e shpirt një fshikullimë,

Mos bota është zgjuar dhe po dëgjon?

 

” Të kujtohen ato vitet studentore,

Kur me përbuzje më shpërfillnit ju mua?

Vdisja inatit kur më linit pas dore,

Sa keq u ndjeva, se emri mu harrua.

 

Kur ju shihja horizonteve pa cak,

Reze drite mbi një det me dashuri,

Tretesha në vrer me mllef dhe me merak,

Ju jetonit, unë ndjeja pleqëri.

 

Dikur ikët, fluturuat në shtegtime,

Rrugëtuat nëpër lodhje pambarim,

Ju shihja që larg në gaz e hidhërime,

Dhe më trokiste një i egër cëmbim.

 

Kur më rëndojnë, unë i lë pas vitet,

Kurrë s’jam ndalur në këtë Gjithësi,

Si hije pleqëria shpesh më avitet,

Kur kam lindur, as kur do vdes nuk e di.

 

Më thanë se do takoheni pas vitesh,

Do mblidheni në Vlorë, këtu, te ti,

Kam frikë se kur t’i shohësh do tronditesh,

Të thinjur, të krrusur, vyshkur, pa rini.

 

Ndaj u ndala, shkela ligjin dhe zakonin,

Të të pyes në më keni frikë mua,

Ata studentët dikur as që mendonin,

Se nër vite mund të bëj me ta ç’të dua”.

 

Heshti koha dhe kur yjet u rrëzuan,

Përmes lotësh argjëndore psherëtiu,

Veç mëshira dhe trishtimi më verbuan,

Dhe dëgjova zërin tim që bubulliu :

 

“Mos derdh lotë për ne ti kohë bredhare,

Pa besë, inatçore, ishe dhe je,

Më mirë thinjosh në pleqëri krenare,

Se pa moshë, i pandalur, pa Atdhe.

 

Ke të drejtë, jemi plakur, jemi zbardhur,

Veç shpirtin e ruajtëm si në rini,

Kur agu i fundit për ne të ket’ zbardhur,

Shpirti do jetë student me siguri”.

 

Pa u largua dikur koha zuzare,

Errësirës, yllësive, nëpër re,

Me kohën, dhe vitet i harrova fare,

Ky takim do jetë një rinim për ne.

 

Do na duket ky takim si një pranverë,

Do ndihemi si qershi në lulëzim,

Pa do gëzojmë dhe takime të tjerë,

Ejani miq, po ju pret qyteti im.

 

18 korrik 2021

 

 

 

 

LE TË VESOJNË VITET MALL E DASHURI

 

( Për shoqet dhe shokët e viteve studentore, pas ndarjes nga takimi i

26 dhe 27 korrikut 2021)

 

Në sytë tuaj dashuria dhe malli,

Në buzë fjala e ëmbël si burim,

Mbase në mendim rrinte brenga dhe halli,

Në supe rëndonte jeta kalërim.

 

Rrinte , e heshtur, dëshira e pashuar,

Për ato vite që mbetën një Bekim,

Stinët studentore, peng i shenjtëruar,

Nga gjumi duhet t’i zgjonte ky takim.

 

Veç një çast hutim, si det para stuhisë,

Drojtja pështolli shpirtin e përgjëruar,

Mos zbritur kishte lodhja e pleqërisë?

Mos rinia si ëndër qe mjegulluar?

 

Më dhëmbi ky çast, më vuri në merak,

Keq u ndjeva, i vetmuar, i trishtuar,

Veç si ujrat që vërshojnë pakngapak,

Nisën këngën zogjtë duke cicëruar.

 

Nuk flinte shpirti dhe malli ndezur qe,

Fryu flladi i rinisë së vonuar,

Dhe në qiell nuk notonte asnjë re,

S’po më zinin sytë asnjë të motuar.

 

Ju pyeta pa zë: ” vitet ku i çuat ,

Si atëhere flisni e qeshni papushim,

Mos dhe kohën, diku, rrugës e harruat,

Ju pengonte në tuajin kalërim?”

 

Pa dy ditë për ne zjarri nuk u shua,

Edhe flakët ndezën një shpresë të re,

Dhe lodhja e rrugëtimit u harrua…

Në Qiellin e Shtatë u ngjitëm ne.

 

Miqtë e mi, djem e vajza ikët sot,

Se çdo ardhje , për dreq, e ka një largim,

Veç vitet e mbetur s’do na ndajnë dot,

Sërish do jemi, si zogjtë në shtegtim.

 

S’di të them, qe më i fortë zjarr’ i mbetur,

A i pashuar do jetë zjarr’ i ri,

Veç brengë e merak tani janë tretur,

Vitet do vesojnë mall e dashuri.

 

Shëndet e mirësi për vitet e tjerë,

Në qiellin e jetës veç kaltërsi,

Në shpirt e në zemër të keni përherë,

Mjaltin studentor që morëm në rini!

 

28 KORRIK 2021

 

ZESHKANIA FIGALI

 

Eh, ç’faj kish vajza që ishte zeshkane,

S’i pat vjedhur rrezet diellit plak,

Në jug, ku qe lindur ajo asgane,

Yll’i ditës të nxinte pakngapak.

 

Të gjithë djemtë i thoshin ” mulate”,

Si shigjeta binin mbi ne dy sy,

Dukej sikur të pyesnin : ” Ej, ç’pate? ”

Dhe zjarrin të ndezur linin aty.

 

Rrëzonin ata sy dy vetëtima,

Në shpirt na plagosnin mua dhe ty,

Ikte heshtur ajo, po shakullima

E dy ortekëve mbetej aty.

 

I thoshim mulate, shpesh dhe zeshkane,

Edhe pse emrin e kish Figali ,

Vajzat jugore, lindur asaj ane,

Duken xixëllonja çdo Maj të ri.

 

Pa kur na afrohej vajza krenare,

Si verë na dehte, rrinim pa fjalë,

Nuk qe çapkëne, nuk qe lozonjare,

Pa rrugës nuk fliste me asnjë djalë.

 

Të ndezur gjithë, si mbrëmje behari,

Guximin na i nxiste dhe rinia,

Sa qasej ajo, si ngricë janari,,

Pështjellohej dhe tkurrej djalëria.

 

Dhe u befasuam kur erdh shtatori,

Shkoi para nesh me një bard verior,

S’kish dyshim, që zeshkanen na i mori,

Bjondi sykaltër me të vu kurorë.

 

Pat vjedhur diellin, nuk qe mulate,

Kripa e Jonit i dha hijeshi,

Erdhi dhe iku, xixëllonjë nate,

Mbet si ëndër zeshkania Figali.

 

Sytë e djalit në ngjyrën e Jonit

I qeshnin zeshkanes plot hijeshi,

Po ju pyes : Ju do ta dashuronit,

Mulaten që kish emrin Figali?

 

8 gusht

 

NUK KËPUTET VEÇ NJË HERË QERSHIA

 

Dua të besoj, po zemra nuk pranon,

Ti thua o mik ke dashur veç një herë?

Na vjen çdo vit pranvera dhe nuk harron,

Burbuqe, lule dhe nektar të na bjerë.

 

Piqen qershitë dhe bliri lulëzon,

Mbi buzët e vashës qeshet një petale,

Mbetet dimrit ndjenj’ e vjetër dhe harron,

Endet shpirti në liri, në det’ e male.

 

Pa i skuqen faqkat vashëzës së njomë,

Dhe nga sytë shigjeton flakë tinzare ,

Gush’ e gjokse zën i dridhen si bjeronjë,

Hej ju djem, pse s’i shuani këto zjarre?

 

Bekuar qofsh pranverë, gjakun na zgjon,

Bashkë me ëndrrat kalëron dhe një shpresë,

Nga gurra e zemrës lëng tjetër buron,

Mos e lini dashurinë të na presë.

 

Se lulet që çeli jeta këtë vit,

Ngjajnë me lulet e viteve të tjerë,

Veç vashëza e njomëz tani u rrit,

Këput qershinë, në tokë të mos bjerë.

 

Më gënjen miku im, eh, nuk të besoj,

Vetëm një herë u këputkan qershitë?

Po vajza që të thotë : ” Po lulëzoj!”,

Mos duhet ta lësh të vyshket pa u rritë?

 

Mos më thuaj asgjë, se nuk të besoj,

Zemra tradhëton dhe shpirti rebelohet,

Dashurinë e vjetër nuk e harroj,

Po kur gonxhja çel, e reja zë afrohet!

 

Pajtim Xhelo, 11 gusht 2021,

 

 

KA EDHE TORTA PA QERSHI

 

Seç mu zemërua një mike e vjetër,

Tha : ” Po ne që s’jemi vashëza tani?”,

Mikja ime, ka dhe një pranverë tjetër,

Të ndez, të djeg si torfë, në qetësi.

 

Quhet vjesht’ e artë, pjek frutat në pemë,

Ka dhe torta që pëlqehen pa qershi,

Kur gjethet të shkunden, mbrëmjeve të flemë,

Flakëz do na sjellë mëngjesi i ri.

 

Kush tha që ne të dashurojmë harruam?

Gjaku e shpiti për ne janë të dy ,

Nëse në pranverë nxituam, vrapuam,

Tani kalërojmë me galop aty.

 

Veç ndjenjat tona nuk janë zjarre kashte,

As shi behari që tokën s’e freskon,

Të drithërojnë gjatë, si dhëmbje ashte,

Fisnikëri thinjoshe që të rinon.

 

Pra mos u mërzit mikja ime e mirë,

Ne vashëza dhe djem nuk jemi vërtetë,

Veç agimet na gjejnë të përtërirë,

Edhe pse sa shkelëm në vjeshtën e tretë.

 

Stinët që kaluan i rrëmbeu era,

Bashkë me to edhe gjithë dashuritë,

Vjeshta bujare sjell bukuri të tjera,

Ylber për dashurinë dhe miqësitë.

 

Pajtim Xhelo, 11 gusht 2021

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here