KJO DITË
Kjo ditë
shtatore e rrëzuar
hija e saj e kërrusur
zëri i saj i syrgjyrosur
pamja e saj e zbehtë
kjo ditë
një ditë
do t’i heqë rrobat e vjetra.
NË PËRNDJEKJE
Dita
na sheh në pyje
nata
i fsheh rrugët në flokët e saj
yjet
i kanë mbyllur sytë.
TROKITJE
Shpesh
trokitje
-brenda!
Rrallë
trokitje
-jashtë
në mua!
Nga unë
zogu i frikësuar
lart ka fluturuar!
HIJA IME
A je hija ime
në këtë rrugë?
A je hija ime
në këtë shkallë?
A je hija ime
në këtë rreth?
A je hija ime
në këtë kurthë?
SHI
Çdo ditë
bie shi
lot dhe gjak
i zi
-mërzi !
nga bjeshkët e dhembjeve
burojnë lumenj pikëllim
takohen në udhëtim
në drithëtirë
shikimet e ngrirë
bie shi
lot dhe gjak
gjelbrimi në zi
-mërzi!
KLITHMA E AGUT
Pagjumësi e zogjve të ditës
e zbrazët
foleja e etjes së gjelbrimit
gurët
edhe
pemët
e përshëndesin agun e plagosur
krahët e thyer
të shikimeve të yjeve
jehona ishull i pabanuar
i klithjeve të agut.
VRULL I RI
Kosovë hej
ti e di se asgjë
s’mund të fitojmë pa betejë!
THIRRJE E KOSOVËS
Më në fund
erdhi edhe koha
flakë për flakë
zjarr për zjarr
kohë për kohë
jetë për jetë
vdekje për vdekje!
LOTI I KOSOVES
Syri i Kosovës kontinent
loti i Kosovës oqean
shikimi i saj plot varre dëshmorësh tanë
rrudhat në ballë
vullkane të zgjuar
gjaku u Kosovës
në dammarët e shekujve.
ZËRI ME KRAHË
Zë loti në ditë
zë varri në natë
zë guri në kullë
zë me krahë
zë me dritë
zë pranvere në udhëtim
zë përmendore në ndërtim.
HYRJE NË METAFORË
1.(Bardh)
Me sy
me duar
dita e zgjuar
larg
nata e fjetur
hijet e thyera
në tokë
dhe në qiell
rrugë rrezesh
edhe
ura stinësh
rojë
një zog
pikturës me sy gjelbrimi.
2.(Gjelbër)
Në të
flasin
sytë e Kosovës
dje
mërgimi
varr u shekujve tanë
rruga
edhe
në brendësi të gurit
ashti i Kosovës
tunel i ri
në qiell me krahë
stinën e pestë
e mundon etja
larg burimi
retë
vishen
me petk shikimi.
3.(Kaft)
Këta sy
në det
dhe në qiell
i numërojnë
anijet e fundosura ilire
në shikimet e romakëve
varrit të Teutës sonë
në shpellë
çdo natë
i afrohen yjet
e qiellit të mbyllur
në çati
valon
flamuri i gjakut tonë
banorët e qiellit
shpesh
me të flasin.
4.(Kaltër)
Edhe
brendësinë
e ka të ndritur
rrallë
edhe
të pikëlluar
një zog bonjak
dikush e nxori
nga Drini i Bardhë
kafazi i hapur
era
i përplas dyert e gjelbrimit
gjethet e agullimës
shpatë flake me krahë
-vezullon në sy qielli
kjo ditë
kurorë kaltërsie
në kokë të metaforës.
5.(Kuq)
Metafora
në vargun tim
-nuse kosove në qiell
në brendësi
valle flake
-rrugë zjarri
në të
Drini i shen rrugën
dhe hijen e vet
aty
bën dritë
fanari i gjakut të kosovës.
6.(Verdh)
Zogjtë
me sy tanë
lot pikëllimi
shumë gjethe
ditë tona të vyshkura
i varros era
syçkat e dashurisë
në ballë të Kosovës
shesh i qiellit
Drini dhe vjeshta
nën ura të njëjta
kalojnë të përqafuar
hija e kontinentit
dhe planeti yjor
në sytë e zogjve tanë.
7.(Zi)
Sytë
dhe pema e shikimit
në terrinë
hija
e Alpeve tona
lahet ne Dri
zogjtë
foletë e tyre
në lisa gjelbrimi
u marrin erë
gjetheve të ditës
i mundon etja e gjelbrimit
yjet
e ngacëmojnë terrin
kjo zbret me parashutë.
LIRIA E VONUAR
Dritaret e qiellit
nesër do të hapen
agimi
i fshin
sytë e përgjakur
gjelbrimi
me krahë të hapur
në etje
tallazitje e lirisë
po del nga rrethi
pritja e bardhë
dridhet
në tokë
dhe në qiell
liria e vonuar në udhëtim
ne të mos vonohemi në liri!
NË
Në etje
shikimi
i ngurosur
në përshendetje
erëmimi
i ngjyrosur.
I nderuari Muje Buçpapaj ,
Po jua dergoj per Revisten Tuaj disa poezi .
Nese Ju duhet fotografia e ime dhe disa shenime te mija i keni ne : Nacional,nr.11 te 21 qershor – 5 korrik 2009,faqe 15.
Te fala,respekt dhe pune te mbare Muhamed Kerveshi