BUJANA MALAJ NJË POETE E LIRIZMIT NATYROR . Nga  Dr. Mujë Buçpapaj

 

 

Bujana Malaj është një poete e cila i shtohet radhës së poetëve të famshëm të Tropojës. Këta poetë si A. Papleka, S.Buçpapaj, H.Aliaj, S.Sherifi etj, kanë vendosur qysh prej viteve 1970 një standard të lartë, të një niveli ndërkombëtar artistik, të njohur nga kritika vendase si “Shkolla poetike e Tropojës”, por kjo nuk i ka penguar brezat e mëvonshëm për të sjellë kontributin e tyre original në forcimin e kësaj shkolle, sipas një spektri të shumanshëm estetik, stilistik.

Imazhet humane në poezinë e Bujana Malajt janë të jashtëzakonshme. Në shumë poezi të këtij libri kemi restaurimin e motiveve mistike të foklorit verior dhe plot të panjohura të tjera befasuese që shoqërojnë ligjërimin e saj poetik si zanat, shitimi prej zanave, hakmarrja e tyre etj.

Stili rebel i jetës i Bujana Malajt, dhe poezia e saj e mbushur me metafora, simbole e hiperbola, por edhe satirë dhe situate komike, struktura e sintetizuar, vargu klithës, subjekti thellësisht i lirë poetik, perceptimi poetik dhe shpirti i saj poetik,  ngjajnë me një copë shkëmbi të Tropojës. Këto bëjnë atë një individualitet  në mozaikun poetik të Tropojës.

 

Vokali i saj poetik vjen në një moshë relativisht të pjekur njerëzore dhe  ngjan me  një shpërthim individual i cili ka gjetur momentin e vet për t’u shfaqur duke qënë, padyshim,  deshmi e talentit të saj natyror, bazuar në intuitën e fortë poetike dhe njerëzore.

Kujtimet e femijërisë, të fshtatit të famshëm prej ka marrë edhe emrin,  të shkollës, fjalët e nënës, babait, shoqeve, rritja dhe shkruaja nuse dhe pastaj bërja nënë diku larg vendlindjes,  malli për vendlindjen etj, kanë qënë një shtysë  për Bujanën, për të nisur  një rrugë të re poetike.

 

Ata që janë marrë  për studimin e “Shkollës poetike të Tropojës”, shprehen për një qasje të kësaj poezie ndaj natyrës dhe trashëgimisë kulturore të kësaj treve, duke gjetur atje një burim të pashtershëm frymëzimi dhe ndikimi tek të gjithë autorët e kësaj sholle. Këtë gjë ka bërë në mënyrën e saj edhe Bujana duke sjellë një përvojë të re dhe një  konceptim të ri të harmonizimit të njeriut me këtë kulturë të qendrueshme që është sa vendore aq edhe universale.

 

 

Poezia e Bujanës  nuk mund të përfytyrohet  pa konceptet e saj malsore  për lirinë individuale e cila mendoj se ka qënë shpesh për të një pëngesë, në sistemin monist ku ajo  ka kaluar një pjesë të rinisë së saj, duke qënë anëtare e një familje me taban të fortë demokratik, antikomunist.

 

I kam lexuar gjithmonë me vemendje poezitë e Bujanës. Një pjesë i kam botuar edhe në gazetën letrare “Nacional”. Duke i parë poezitë e saj nga pikëpamja formale, kam konstatuar përdorimin prej saj të një figuracioni të pasur me metafora, simbole, hipërbola, kam vërejtur një strukture poetike të  çlirët si dhe të plot veçorive të strofës rimës, ritmit etj.

 

Mund të them se Bujana është e shkëputur nga ndikimet e tjera, duke krijuar një poezi origjinale, të shkruar me mall dhe dhimbje në stilin e saj dhe me leksikun e saj dhe kjo e bën librin të thjeshtë për t’u lexuar dhe shumë frymëzues.

 

 

Bujana është treguar skurpuloze   në aspekt të përzgjedhjes së fjalëve shprehjeve poetike që burojnë kryesisht nga treva e pasur e Tropojës, ato kanë  një harmonizim  të mirë mes subjektit poetik dhe objektit poetik. Poezitë e saj  ngjajnë të freskëta dhe origjinale me një tematikë  të zgjeruar dhe me një strukturë poetike të lirë dhe shpesh të çrregullt.

Bujana duke jetuar prej shumë vitesh jashtë vendit, i ka dhënë mundësi për të parë jetën shqiptare me mall por edhe me një ftohtësi origjinale dhe profetike.

Kjo shprehet në poezinë e Buajnës qoftë si mendim poetik, por edhe si formë dhe refleksion poetik.

Poetesha  synon që brenda një strukture të shkujdesur simbolesh, metaforash dhe imazhesh, të shpërndara nëpër poezi, të krijojë një unitet dhe lidhje mes pjesëve të poezisë. Pasi vetë letërsia në fund të fundit është metaforike dhe simbolike.

 

Kultura jetësore dhe leximet në gjuhë të huaj, i kanë  dhënë asaj mundësinë që të përdorë një teknikë të qartë stilistike dhe realizuar një   zgjerim të sferës poetike sido që shtysa poetike vjen gjithnjë nga vendlindja e saj  Bujani, lumi Valbona dhe Alpet shqiptare.

 

Liria njerëzore, humanizmi dhe pamja e brendshme e jetës, pra kuptimi ndijor si destinacion poetik dhe gjak ripërtëritës i kësaj poezie, janë elementë të rëndësishëm të  poezisë së saj.

 

Bujana Malaj mendoj se është  është një poete e lirizmit natyror, burimor dhe kjo e bën poezinë e saj  aq sa origjinale edhe të gjithëkoshme.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here