Iris Halili: “Lideri nuk lind…bëhet”. NGA: FRANK SHKRELI

Kohë më parë, studiuesja dhe autorja Iris Halili pati mirësinë të më dërgonte librin e saj të fundit, “Lideri nuk lind…Bëhet”. Është një libër doracak për të gjithë ata lexues që duan të kuptojnë më mirë “tiparet dhe cilësitë e lindura apo të fituara të liderëve.”Duke patur parasysh historinë e liderëve modernë shqiptarë –as të lindur as të bërë do të thoja unë — të këtyre 30- viteve tranzicion të pa fund si dhe zhvillimet e ditëve të fundit në skenën politike të Tiranës- vendosa që kësaj radhe të luaj rolin e promotorit të promovimit të librit, “Lideri nuk lind… bëhet”, që organizohet në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare Vatra në Nju Jork, të dielën që vjen. Këtë po e bëj, me qëllim, para promovimit formal në vatër, për një publicitet sa më të madh për këtë vepër të rëndësishme përball aktualitetit politik në trojet shqiptare, me shpresën që promovimi i këtij libri të tërheq vëmendjen sa më të madhe nga lexuesit e interesuar, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, por jo vetëm. Në të vërtetë janë vet “liderët” negativë politikë aktualë në trojet shqiptare ose idivdidë që aspirojnë që një ditë të jenë “liderë” të mirë e frymëzues e me karakter — ata që, vërtetë, do të përfitonin më së shumti nga leximi i këtij libri.
Sepse, sipas autores Halili, “Liderët negativë kanë një aftësi mahnitëse për të ushqyer një vërbëri apo apati kolektive dhe janë pikërisht këto të dyja, apo dhe vetëm njëra prej tyre që i shërbejnë jetëgjatësisë së tyre në pushtet.”U garantoj se nëqoftëse dëshironi të jeni vërtetë liderë të mirë e frymëzues, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme, ky libër ofron shembuj e analiza, opinione e thënie nga personalitete botërore që do t’u frymëzojnë që të bëheni liderë të mirë e frymëzues dhe jo negativë ose siç i quan studiuesja Halili, “toksikë”, si diktatori komunist Enver Hoxha. Apo edhe më mirë, të bëheni liderë, shembulli i të cilëve duhet imituar, siç është Nënë Tereza. (Autorja shpjegon gjithashtu se pse përdor termin “lider” dhe “lidership” dhe jo “udhëheqës” dhe “udhëheqje” – si dikur “nën udhëheqjen e partisë”, “udhëheqsi i lavdishëm”, etj ).
Por është një libër që përqendrohet gjithashtu edhe në marrëdhëniet e liderve dhe ndjekësve të tyre, si një temë kryesore, “pasi janë ata që fuqizojnë dhe shfuqizojnë liderët”. Libri ka një mesazh të thjesht por të rëndësishëm për politikën aktuale të botës shqiptare – mbushur plot e përplot me liderë të këqij – por dhe për shqiptarët ndjekës të politikanëve, në përgjithësi – liderëve të paaftë e të korruptuar – e që na kujtojnë edhe fjalët e filozofit francez Joseph de Maistre, i cili është shprehur në vitin 1811 se, “Toute nation a le gouvernement qu’elle merite”, (" Every nation has the government it deserves.") Secili komb ka qeverinë që meriton! Me këtë libër, Iris Halili, sikur u thotë shqiptarëve, ndjekësve të këtyre liderëve të paaftë e të korruptuar të këtyre 30-viteve post-komunizëm — që para se të ankohen për liderët e këqij që ata i ndjekin me sy mbyllur – së pari shikoni veten në pasqyrë, sepse, “Nuk ka lider pa ndjekës” dhe “Nuk mund të ketë lider të mirë me ndjekës të këqij apo anasjelltas. ”Në këtë dinamikë marrëdhëniesh, sipas autores Iris Halili, është vetë kultura që përfaqësojnë liderët dhe ndjekësit, që luan rolin kryesor dhe është faktori qëndrestar, që më në fund, vendos se “lideri i suksesshëm nuk lind por bëhet”, sepse “ndershmëria, karakteri, dëshira apo empatia, janë cilësi që kultivohen dhe (njëherazi) përcaktojnë fatin e vet liderit apo të ndjekësve të tij.”
Gazeta Dielli — organ i Federatës PanShqiptare Vatra në Nju Jork – boton njoftimin se në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në Neë York, ditën e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11pm, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet”, i autores Iris Halili. Në njoftim thuhet se libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”.
Libri më i fundit i Iris Halilit, “Lideri nuk lind…bëhet”, dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë
liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës, shkruan gazeta Dielli. Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja përcjell tiparet e liderve që kanë bërë histori, si për mirë ashtu edhe për keq, si dhe shpjegon se si modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive, që ata kanë drejtuar.
Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur, në
shtypin e trojeve shqiptare dhe atë të diasporës, për artikujt e saj për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin politik e shoqëror. Autorja ka qenë prej 10
vjetesh pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranës; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami, Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.
Gazeta Dielli njofton se në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës. Promovimi do të moderohet nga gazetarja Marjana Bulku, përfundon njoftimi i gazetës Dielli për promovimin e librit “Lideri nuk lind…bëhet”, të autores shqiptaro-amerikane, Iris Halili.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here