Për librin poetik të Milazim Krasniqit, “Dritë në kujtime”. Nga Artesa OSMANAJ

Kujtimi si dhuratë apo plagë e pashëruar

“Me një figuracion të pasur, shumëngjyrësh, lirizmi i hollë herë- herë i mprehtë e vë në sikamë edhe ndonjë dukuri negative . Poeti pas disa vëllimeve jo të shumta me poezi arrin një përparim në ide me disa elemente novatore, krijon një identitet të fortë poetik. Mu për këtë arsye poezia e tij u përkthye në disa gjuhë.”

Boshti ideor i katër cikleve të librit “Dritë në kujtime” i autorit Milazim Krasniqit, bosht që rri si bazament, shkon kah dy linja, një kohë të ikur që ka lënë gjurmë fëmijëria dhe përvoja në linjën urbane dhe filozofike. Duke qenë përfaqësues i viteve të 80-dhjeta , autori fillon si premetues në poezi dhe më vonë në prozë, sidomos në publicistikë. Në linjën e fëmijërisë dhembja është lajmotiv i shumë poezive . Dikush do të pyeste po cila dhembje? Ka shumë dhembje, por dhembja ndaj vrasjes shpirtërore, ndaj njeriut të pafajshëm dhe dhembja ndaj kohës së ikur janë ego të kujtimit të autorit.
Kujtimi nostalgjik për fëmijërinë mbetet ego e etur e poetit, ndonëse ajo ka ikur, s’mund ta ndryshojë. Heroi lirik rri si në pezull në mes të ikurës dhe së ardhmes. Drita më e çiltër , më e pastër e kujtimeve të tij vezullon në vjershën “Nuri i fshehtë” ku ajo është bartëse e idesë. Vargjet metaforike bashkë me idenë metaforike na japin një fakt se mësonjëtorja në një kohë të largët, të rëndë edhe pse ne enterier nuk ngjallte dritë , në shpirtin e fatosave ishte diell që ngohte. Përmes fjalëve, numra, tabela, harta e botës, mësuesi, heori lirik është në qendër ku elementi autobiografik del në sipërfaqe. Kjo lidhje e fëmijërisë me një ego të fshehtë që lidhet me dritën, shkollën, mësuesin, dijen, janë mozaik ideor i dritës së kujtimit. Porosia e kësaj poezie është e kthjellët dhe del në sipërfaqe të idesë heroit lirik që i bënte dritë edhe hëna në qiell dhe sikur bota ishte futur në shpirtin e autorit. Nëse do t’i bënim pyetje cila botë , prapë përgjigjja do të mbetet e hapur, bota që na rrethon, bota e dritës ajo e përparimit apo bota e rëndë në shpinë e ngarkuar. Ky nuri i fshehtë do të shpërthejë te djaloshi. Veta e parë e heroit lirik është e pranishme në shumë poezi te këtij vëllimi. Fëmijëria, kjo dhuratë e çmuar e jetës, është bosht tematik i tyre, ku autori sikur ka një nostalgji të thellë që i vlon në gji e ikura aq e ëmbël, aq e shtrenjtë. Vallë kush mund ta kthejë atë ? Askush , vec kujtimet na qëndrojnë në mendje si drita që nuk shuhen kurrë . Në horizontin e thellë të shpirtit të autorit, si nga miniera shpërthen poezia “Vrasja e mësuesit”, poezi e cila është rrëfim historik, epik, por edhe legjendar. Përmes metaforës, epitetit simbolit lexuesi ndien dhembje dhe krenari se në një kohë të rëndë, stinë me bore, vritet pishtari i dijes, mësuesi Sefë. Sikur as notat nuk i nevojiteshin më askujt pas vrasjes së tij ku thotë-

“Në fund të fundit ç’na duhen notat kur na e vranë mësuesin”

Vargu i lirë por subtil është dominant i këtij vëllimi. Edhe pse i mungon muzikaliteti , vargu sikur bëhet edhe më i fuqishëm përmes ndjeshmërisë dhe petkut të pasur figurativ. Në kuadrin e poezisë si biografi defilon një fëmijëri, një plagë e pashuar, siç thotë autori në një rast ku përmes formës së kujtimit na paraqitet një një peizazh i brendshëm shpirtëror. Autori ka jetuar në një fëmijëri të rëndë plumb, në kohën stinës së armëve, ku kjo hetohet te vjershat “Vrasja e mësuesit”, “Frymë e zënë”, “Frikë prej njeriu”, “Takimi me vdekjen” etj. Nga fëmijëria autori vjen kah vetvetja tashmë në përditshmërinë e sotme të ndryshuar. Dhe kthimi kah vetja është kthim kah realiteti . Poezi që të terhekë të bë për vete është poezia “Kalors i vetmuar” ashtu siç quhet cikli i dytë i këtij vëllimi. Kalorësin e vetmuar mund ta kuptojmë edhe si simbol, metaforë, që reziston ndaj asaj që sikur i zihej prita nga ogurkëqinjtë. Ai kalorës sikur edhe në përditshmërinë e sotme bashkëjeton me vrapin maraton të poetit. Duke iu kthyer vetvetes autori e do jetën si dhuratë dhe asaj i jep kuptim vetëm ndryshimi dhe lartësimi,pra poeti i kërkon majat e lartësisë. Krahas kthimit kah vet vetja, urbanja është e pranishme në disa vjersha. Shumë nga poezitë e Krasniqit kanë një veçanti, një lirizëm subjektiv. Ai merret edhe me poezinë si frymëzim, si krijesë naive, e cila vjen në çdo kohë, pa e pyetur askënd. Krasniqi në mënyrë të tërthortë na jep kohën e diktaturës që e përjetoi ai dhe brezi i tij, e kjo hetohet në cikin e fundit, “Fëmijët e diktaurës”. Metrika e ndërtimit poetik i ik konvencave tradicionale dhe poeti i thur dhe i ndërton në mënyrë më të lehtë pa i u përmbajtë ndonjë rregulle tradicionale të metrikës.
Me një figuracion të pasur, shumëngjyrësh, lirizmi i hollë herë- herë i mprehtë e vë në sikamë edhe ndonjë dukuri negative . Poeti pas disa vëllimeve jo të shumta me poezi arrin një përparim në ide me disa elemente novatore, krijon një identitet të fortë poetik. Mu për këtë arsye poezia e tij u përkthye në disa gjuhë.

*Autorja është studente për master në letërsi, në Uiversitetin e Prishtinës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here