RUZHDI KADIA: Ju tregoj Tropojen e viteve 1960 Nga Zyra Ahmetaj

Mësuesi ynë i nderuar dhe shumë i dashur, ai që i mban mend emrat e të gjithë nxënësve të tij në B. Curr dhe sidomos në Zogaj, që interesohet përsëri për ta dhe jetën e tyre, që don ti takojë përsëri ata, Ruzhdi Kadia nga Shkodra, u kthye në Zogaj dhe B. Curr më 24 gusht 2021, pas 54
vitesh që është larguar për të dhënë mësim në vende dhe shkolla të tjera, ku e ka lyp nevoja.
Me këtë rast, të këtij xhesti kaq fisnik që rrallë kush e bën dhe gjithë kësaj sakrifice të tij, mendova ti bëj këtë intervistë:

-JU lutem mësues i nderuar, na u prezantoni pak për gjithë ata që do ta ndjekin këtë intervistë që po ua kerkon një nxënëse e juaja, jo gazetare dhe as profesioniste për këtë praktikë!

Ruzhdiu:
-Ndjehem shumë i nderuar nga kjo intervistë si dhe nga gjithë emocionet e bukura që përjetova në vizitën time në Zogaj dhe B. Curr, më 24 gusht 2021.
Jam Ruzhdi Kadia, lindur më 7.3.1945, në Lagjen Tepe(10 Korriku), në Qytetin e Shkodrës, në një familje të vyer dhe zejtarë profesioniste . Baba jëm ka kën bashkë me axhen, rrobaqepës i njoftun në Shkodër. Kështu ne 4 fëmijët e tij; tre djem dhe një vajzë, kemi patur fatin të jetojmë në kushte normale për atë kohë. Prind’rit tanë ishin arsimdashës dhe na drejtuan , të gjithë fëmij’ve, të vazhdojmë arsimimin 7 vjeçar, siç ishte në atë kohë.
Unë pasi mbarova shtatvjeçaren në Shkollën “10 Vjetori i Partisë”, në lagjen Ajasëm, vazhdova Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka”, të cilën e mbarova në vitin 1963.

Pyetja:
-Pasi mbaruat Shkollën Pedagogjike, ku keni punuar për herë të parë në misionin aq fisnik të mësuesit? Si e pritët emërimin në Tropojë dhe përshtypjet tuaja për ato vite.

-Sapo mbarova studimet dhe mora diplomën në vitin 1963, më caktuan të jipja mësim në Shkollën 11 vjeçare “Qemal Stafa”, në B. Curr.
Emnimin larg shtëpisë dhe në një vend me klimë ma t’ashpër, e prita mirë, pa asnji mëdyshje për t’ardh’ këtu. Ne, plejada, nga të parat e mësuesve, kemi kën me ideale mëm’dhetare, të shpërndarjes së dritës së ditunisë, kudo kite nevojë për kontributin tonë.
Përshtypjet e mia nga përvoja e m’simdhënjes në atë shkollë kan kën shumë të mira. Ne banonim në një shtëpi njëkatshe me dy dhoma dhe një kuzhinë, në të cilën jetonim 10 arsimtar. Kolektivi i arsimtarëve në atë shkollë dhe në konvikt ku jetonin fëmijët që vazhdonin shkollën, ishin persona të rrallë për nga mikpritja dhe bashkpunimi. Ishin mësues të devotshëm, të rregullt dhe të sakrificës. Drejtor ka kën Hasan Neza. Nëndrejtor, Mehmet Ymeri, ndërsa, mësues kan kën Kadri Basha, Ndue Gjoka , Fari Doçi, Xhavit Drishti, Tofik Hasani, Skender Haveri, Xhevat Oruçi, Sami Bushati, Viktor Gjoka, Skender Gjylbegu, Man Kerrnaja, Tonin Çapaliku, Bukurie Neza, Kudrete Lezha dhe Elez Gashi ishte nëndrejtor; kujdestar për konviktin. Nji burrë zotni edhe ky. Edhe nxansit që kishin ardhun aty nga t’ana fshatnat e rrethit si dhe të qytetit, ishin fëmijë të mirë, të zgjuet që e merrnin fjalën sapo e thoshe. Ata ishin korrekt dhe kishin një vullnet të madh për të mësua. Ndër nxansit e dalluem kan kën Aferdita Sinamati, vajza e Kryetarit të Degës Ushtarake në B. Curr, Valentina Firaj . Qamil Sadikaj, Xhemajl Hysenlekaj. Mira Hysenlekaj, Kolë Progni, Mehmet Elezi, Sadri Isufi, e tjerë. Këta nxans ishin edhe nga të shkollës së mesme që ju jepja ndonjiherë mësim lëndën e Kimisë. Ndërsa për vështirësitë e lëvizjes për tu kthye në shtëpi në momente pushimesh, mund të them që kan kën shumë të mëdha. At’herë lëviznim nëpër Va Spac. Dimrat ishin të rand, jo si tani. Autobusët ishin prodhim i NSHRAK-ut Shkodër, të modifikuar dhe rruga në kushte normale zgjaste 10 orë për të shkuar dhe 10 orë për tu kthye. Për ikyt gja po ju diftoj nji ngjarje që më ndodhi në vitin 1965 kur po kthehesha nga pushimet dimnore, në janar për të ardhë në shkollë:
-U nisëm me autobus prej Shkodret. Kite ra borë edhe në Shkodër dhe vazhdote të binte. Erdhme gjer në Pac të Bytyçit duke e ça autobusi, rrugën me mjaft vështirësi dhe aty mbetëm. Nuk mund të lëvizte më andej. U detyrume të flinim në shtëpinë ku flëjshin arsimtar’t jabanxhi të shkollës së Pacit. Të nesërmen, prap ite rruga e mbushun me borë dhe u detyrume të shkojmë në kamb(këmbë) gjer në Zogaj. Nuk e linim peng për asnji arësye paraqitjen në kohë, në shkollë dhe vazhdimin e m’simit rregullisht. Shpesh ndodhte edhe të mos kite autobus për të shkua në Shkodër dhe mbeteshim pa shkua(shkuar). Edhe nxansit vinin për rrëhe që ua hapnin prind’rit, apo familjarë të fuqishëm.

Pyetja:
-Pas dy vjetëve që dhat mësim në B. Curr, ju emëruan mësues në Zogaj. Si e pritët emërimin tani, krejt në një fshat të Tropojës? Na trego për kushtet e jetesës dhe të klasës ku do të jepnit mësim!

-Emërimin në Zogaj e kam pritur krejt i qetë. Shokët e mi të B. Currit, më folne fjal’t ma të mira për ik’to katunde. Ndoshta kisha edhe atë parandjenjën, se do ta kaloja mirë; aq mirë sa nuk do ti harroja kurrë ato vite m’simdhanje.
Sa për kushtet kur diftoj sot, duket e pabesueshme.
Nuk kishin një vend ku të strehohesha. Kuadrot e Zogaje më ftuan bujarisht, dy tre veta që të shkoja në shtëpitë e tyne. Shkolla qe një vend ku i kishin mbajtun bagëtinë, aty në qënder. Shtrojen e kite me dhe, murin me gurë dhe ka kën e mlume(mbuluar) me kashtë. Kur bite shi na binte brënda. Nuk kishte dritare, veç frengji të vogla dhe detyroheshim me e ndez llamben e vajgurit për të par’ dhe zhvillua mësimin. Në atë “banesë” ndejta edhe vetë dhe nuk shkova te kerkush, duke qëndrua edhe ma afër klasës; pa iu ba barrë ndokujt.

Pyetja
-Na trego pak, se si i kujtoni ju nxënësit tuaj, komunitetin aty si dhe mardhënjet mësues-nxënës në ato vite!

-Kam kën shumë i përkushtuem në punën tëme si mësues dhe do të thosha që ndjehesha disi si prind ndaj atyne vogëlushëve që vinin në atë shkollë. Shkollën e lyejtëm me gelqere. At’ vit filloi mësimi në tetvjeçare, në atë fshat; në klasën e pestë. Me ikyt rast i kam dhan të gjitha landët e m’simit të asaj klase.
Kudo kam dhanë mësim kam dhan landën e Kimisë dhe Biologjisë. Në ndonji rast i zëvendësoshe edhe në landët e tjera ndonji mësues që mungote.
Zgjohesha heret, bahesha gati për vete, duke u paraqit para nxansve të mi me dinjitet, i rregullt, i lam, i hekurosun dhe a e din se si i hekurosja pantallonat, kur nuk kite as rrymë elektrike dhe as hekur me prush apo mjete të tjera?!
Pantallonat i vendosja të palosun, poshtë dyshekut që të “hekuroseshin”, nga pesha e dyshekut.
Në dimen e ndizja stufën ma heret se të vinin fëmij’t, që të ngrohesh sadopak ambjneti. Ata nuk e dinin se kush e ka ndezë zjarrin. Një dit’ u ngrita pak ma vonë dhe kite ra dielli. Kështu e ndeza stufën kur nxansit po vinin në shkollë. Kur më pan, u habitën se si mësuesi e bëka ikyt punë, për ditë. Përveç që u çuditën, më shihnin sikur donin të më falenderonin.
Për mua ite e natyrshme kjo përkujdesje.
Në vitet që kam dhanë mësim unë, kan kën mësues Ibrahim Hajdarmataj, drejtor Pjetër Kuka dhe Ibrahim Osmani, me të cilët e kalonim shumë mirë. Ma von’ ka ardh mësues, Xhevdet Shima, Mus Saraçini dhe Fiqirete Sadiku prej Shkodret.
Nxansit kan kën shumë të mirë, korrekt dhe të etun për dije. Ata vinin disa nga cepat e fshatnave, të Mahallës së Epër, apo të Kepenekut që veriu ju binte në fytyrë dhe vinin të skuqun nga hundët dhe fytyra, me ato trasta të linjta me libra, bojë dhe fletore. Ata visheshin thjeshtë me rroba të leshta, shpesh me opinga të shqyera që më banin të kujtoj “Lulin e Vocërr” të Migjenit. Shpesh ju derdhesh shishja e bojës dhe ju baheshin librat, fletoret dhe trasta e librave me bojë. Ju prishesh nganjiherë maja e penës dhe jo vetëm që nuk kerkonin të rrinin pa ba detyrat në klasë, por ndjeheshin ngushtë; u dukej vetja si të papërgjegjshëm, në faj, pse ju kishin ndodhë ato incidente. Unë i merrsha me të mirë, tregohesha i duruem siç ishin edhe ata.
Edhe në shtëpitë e tyne mësonin me kandil apo llome, që kishin një llome krejt familja e çfar të bëhesh më përpara me të?! Ata, të mirët e mësuesit, i sfidonin mangësitë ekonomike dhe vinin ngahera të pregatitun. Ata kishin dhe detyra të tjera, në shtëpitë e tyne. Sapo shkonin nga shkolla dhe hanin drekën do të banin ndonjë punë në fshat, do të mblidhnin bag’tinë, do të mbushnin ujë në krua, do të bartnin drutë e prera nga baballarët e tyne dhe ti stivosnin në kuzhinë, do të shkonin dhe të mbanin kandilin, kur i milnin bagëtinë, pasi binte errësina, etj etj. Disa ishin më të shkathtë e disa më të ndrojtun, por të gjithë kan kën fëmijë të mirë, të dashtun dhe të respektueshëm. Disa e kuptonin mësimin si ua shpjegojshe dhe ndjehesha me fat me nxansit e mi. Nga nxanësit më të mirë i kam patun, Nurie Hysenaj, Xhevahire Ahmetaj, Halim Hysenlekaj etj.
Ndërsa për komunitetin e Zogaje dhe të Kepenekut, nuk mund ti gjej fjalët për të tregua për ta. Ata kan kën bujar, pun’tor, të lidhun me njani tjetrin dhe shumë fisnik. Në atë zonë kan kën blegtor të mirë si dhe bletrritës që e kishin pasion ikyt gja. Mjalti i Zogaje ka kën dhe asht me za në të taan vendin tonë.

Pyetja:
-Kur u larguat nga Zogajt dhe ku keni dhënë mësim në vitet tjera?

-Në Shkollën e Zogajve kam dhanë mësim dy vite 1965-66 dhe !966-67, pastaj më caktune:
– Në Dukagjin, Breg Lumi,
-Në zonën e Dajçit, Bregu i Bunes.
-Në Muriqan, Ana e Malit:
-Në Postribë, qendër; Ura e Mesit.
– Në shkollën Teknologjike në qytet.
-Në Shkollën “Jordan Misja”, në qytet.
-Në shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja etj,
Kudo kam dhanë mësim jam nda i nderum, por të paharrume kan kën ato vite në Tropojë. Ndoshta edhe se kan kën në ato kushte të v’shtira dhe i kapercyme së bashku me dashni të madhe dhe me korrektesë po ashtu të madhe e në kësi kushtesh njerzit lidhen veç ma shumë me njani tjetrin.
Po të diftoj nji rast qi i takova dy nxansa të mit që ju kisha dhan mësim në B. Curr dhe që ishin prej Kepeneku:
-Në vitin 1973, te Instituti dyvjeçar në Shkoder, ishe tuj kalu vet, më ndalin dy burra të rinj dhe më pyetne: -A po na njef?
Unë u zuna pak ngusht, se edhe pse më ngjasonin me nxansa të mitë, prap nuk po i njifshe vet. Njani prej tyne më thot: -A të kujton gja shprehja “Top Rrumullak”?
-Uuuuu, po ti Xhemal Hysenleka, kanke, i thash dhe ju hodha në qafë. Edhe tjetri qe Qamil Sadikaj. Mu kënaq shpirti qi i takova e u çmalla boll me ta.

Pyetja:
-Si e kan përjetuar familjarët tuaj gjithë këtë dashuri për nxënësit tuaj?
Si ju lindi ideja të ktheheshit tani në Tropojë?

-Unë, tan kto vite i kam patun në mendje dhe zemër nxansat e mi të B. Currit dhe të Zogaje. Ka kën andrra ime ti gjej, të di për ta, si jan, ku jan dhe si ju ka ecë jeta? Ikyt gja e kan dit’ edhe familja jëme që ma besoni, se edhe ata ju kan dasht juve, bashkë me mua. Tani që u përhap edhe interneti u ba ma e lehtë me u informua për ju dhe me ju takua; cilin të mundesha dhe ta gjeja kur të vija në Tropojë.

Pyetja:
-Më kë u lidhët në fillim dhe a po i gjenit virtualisht nxënësit tuaj?

-Në fillim kam komunikua me mikun tëm Ibrahim Hajdarmataj. Ai më ka tregua për sa dite për nxansat tanë.
Përmes internetit u lidha me disa nga nxansat e mi, por më ka ndodh që të lidhem veç ma shumë me familjar të tyne, se ata, shumë prej tyne, nuk ishin kan përdorues të fejsbukut, ku i kam gjetë vëlleznit apo motrat e tyne, siç asht edhe rasti jot që nxanse direkt e kam patur motrën tuej, Xhevahiren. Ju jam mirënjohës ju që nuk ju kam patur nxans dhe keni kan në fillore, por prap më mbanit mend!

Pyetja:
– Na tregoni pak, ju lutem, për herën e parë që keni ardhur në B. Curr dhe si ju shkoi udhëtimi?

-Radhën e parë kam ardhun në vitin 2018, bashk’ me grun tëme, djalin, nusen e djalit dhe dy mesat.
Erdhme nëpër Vas Pac që t’shkojshim ma përpara nëpër Kepenek dhe në shkollë, në Zogaj. Rruga qe e lodhshme sidomos për grun, se atë e zuni makina dhe vuajti shumë, por nuk tha hiç që ç’bana që erdha. E kite me qef atë vizitë. Kur mbrrime në Kam e fillume me shkua për Kepenek, kite kën rruga skandal, me gropa të mdhaja dhe nuk mund t’kalote makina jonë që ite e ulët dhe na kshillune që të shkojm për B. Curr, se nuk mund të udhëtonim në ikyt rrugë. U detyrume me shkua në B. Curr. Aty i takume do prej shok’ve të mi edhe pak nxansa t’mit, por veç që shkela në at’ qytet ku kam dhan m’sim për her’ t’par u ndjeva shumë i lumtun.
U kthyme me nji merak; që nuk mundem me shkua në Zogaj.
E ikyt merak e hoqa ikyt radh’.

Pyetja:
-Tani na tregoni pak, ju lutem mësues, si ju shkoi vizita e kësaj radhe? A u lodhët shumë, pasi jeni kthyer brenda ditës dhe a u plotësuan pritshmëritë tuaja për këto takime në Zogaj dhe në B. Curr?
-Si ju diftova më mbeti pa ralizua deshira për t’ardh në Zogaj e k’shtu e patme në plan për t’ardh prap k’nej. Nuk mundme të vijmë në 2019-en, se nuk po na pëputhesh koha e pushimit të djalit që ky më ka sjell me makinën e vet, me mundësinë e nuses, se fëmijët ishin të lirë në verë, kur do të vinim. Na pengoi edhe kjo pandemi që na mbajti ngujua gati dy vjet.
Ikyt radh’ u kordinume që të vinim me djalin, nusen e tij dhe mbesën time, vajzën e tyne. Grun tëme e lash pa marr’ prej se e mundote makina, edhe pse i mbeti shumë merak. Djali kite vetëm një ditë leje, se e ka nji punë që nuk ka ditë pushimi fikse. Në fakt na u ba puna që erdhme vetëm me djalin tëm.
Erdhme nëpër Kukës. Kisha komunikua me Ibrahimin, nxansat e mi, Sadik Lajthiza dhe Gani At’hemaj dhe më thane që do të më dilnin përpara dhe të më merrnin për Zogaj.
U befasume me djalin, kur na dulne në Qaf Prush përpara me dy foristrada. Ite një gja shumë e madhe si me kën tuj prit ndonji delegacion qeveritar. U takume me shumë mall me ta. Më ran’ edhe lotët nga gjithë kjo pritje me dashuni dhe nga malli i grumulluem prej tan k’tyne viteve. Nxansat e mi kishin kalua mbi moshën 65 vjeç, ishin ba gjyshër, por shpirtin e bukur të bytyçasit e kin trashgua prej prin’dve të tyne. Kaluam afër shkollës që sapo u ndërtua në vitin e dytë të punës tëme në Zogaj dhe ajo ite rrënua. U përmallova kur e pash, por në kodrën e vogël, në Lagjen Hajdarmataj, aty pranë ite ndërtua shkolla e re; një ndërtesë e bukur dykatshe me një oborr të bollshëm. Hyme n’të dhe e vizitova në çdo klasë dhe ambjent. U k’naqa që e kishin ndërtua të bukur dhe mësuesit me nxënësit i kishin pasurua klasat me kabinete, bibliotekë dhe pamje të ngjarjeve historike të zonës, të fotografuara dhe të vëna në mur’.
U knaqme me gjithçka pam. Shkume te klubi në qënder dhe pim kafe e nga nji pije freskuse. Ne, me djalin do të vinim në B. Curr, nëpër Kosovë dhe të vazhdonim takimin edhe në qytet. Kështu ju kerkume leje të largohem, por nuk u ba pun’ me nxansin tëm Sadik Lajthiza, mbasi na mbajti pothuaj me zor, duke na çua në shpi të tij dhe duke na kthye një drekë bujare me tana të mirat e traditës së Bytyçit dhe mu kujtune bujaria e viteve kur jepsha m’sim aty.
Sadiku, nuk më përcolli si të tjerët që u ndame me dhimbje dhe të rrite vet atje pas punëve të veta në shtëpi, por erdhi dhe më shoqnoi, të vija në B. Curr. Ndodhi që sapo mbrritem në Xhuxh të Zogaje, u takume me drejtorin e Shkollës Bujar Hajdarmataj që sapo u kthye prej B Curri dhe u gzume që u pam’, mbasi do të na mbetesh shumë merak. Unë kisha kujtimet ma të mira për prindrit e tij dhe axhen e tij që ka kën hero i punës, duke punua me vullnet të madh pa patur mund’sin’ të ecin si të tjerët.
Sadiku na solli te lokali i djemve të tij, ku më kite than në telefon që për aty ti njoftoja nxansit me të cil’t flitsha që të takohemi në B. Curr, pasi më kite than Sadiku që do të më sillte aty. Edhe në B. Curr u takume me disa prej nxansve të mi. Më ndodhi që edhe në takime në Zogaj dhe B. Curr të takoja nxansit që kan kën më t’vegjël si Fatmir Muhametaj, vëllezen dhe motra të nxansave të mi. Edhe ti na gëzove kur erdhe, duke i kalua tan ato vështirsina prej rrugve t’pa përshtatshme.
Te lokali i djemve të Sadikut rastisi një burrë i mirë që më njifte, Avni Malaj që kur e mori vesh se kishim ardh’ prej Shkodret veç për tu takua me shokët dhe nxansat e mi të viteve 63-67, iu duk gja e rrallë dhe tha që kafet i keni prej mejet.
Ndejtme gjat në atë klub me djem aq të mirë dhe të dashtun që kishin ardhë aty veç të takoheshin me mua, mësuesin e babës së vet dhe kujtume ato vite të punës time si dhe msova për gjendjen e tanishme të shumë prej nxansve të mi. Me at’ rast i kujtume me respekt edhe msuesit që kishin ndrrua jetë.
Dëshira juaj ite të shkonim në Valbonë dhe të darkonim, duke u knaq së bashku, por nuk kishim kohë ma shum’, mbasi na duhesh të kthehemi, se djali kite pun’ të nesërmen.
Më pyetët se a u realizuan pritshmëritë e mia:
-Kur u nisa me ardh isha i vetdijshëm, se nuk do ti gjeja të gjithë nxansit e mi, shkolla gjithashtu ite prish, një pjes’ e familjeve ishin largua prej Zogaje dhe B, Currit, një pjesë ishin në stane, por takimi im me atë pritje madhështore, me aq dashuni, bujari dhe nderim, i kaloi tana pritshmëritë e mia dhe qe një ditë nga ma të bukurat dhe emocionueset e jetës tëme.

Pyetja:
-Pasi u kthyet në shtëpi, a vazhdoi interesimi i nxënësve tuaj për udhëtimin që brënda ditës ishte aq rrugë e gjatë dhe do të ju mundonte?

-Jo vetëm për rrugëtimin dhe se si i gjeta në shtëpi, por më kan marr disa herë dhe kemi një komunikim të vazhdueshëm.

Pyetja:
– A do të ktheheni përsëri këtu, mësues i dashur?

-Dëshira jëme asht të vi prap dhe veç me ma shum’ dëshirë, por tani jam pak i moshuem dhe ikto viruse e çka po di un’ sa na len Zoti, por nji gja po ju them:Përveç djalit që m’shoqnoi edhe djali tjetër që e kam në Austri, më ka than që kur t’vijn me pushime ka qef me ardhun në Tropojë me mua dhe ti vizitojnë kta njerëz kaq të mirë.
U ndame me premtimin se do të shihemi prap dhe radhë të tjera më me nge dhe do ti shijojmë veç ma shum’ ato takime.

-Faleminderit shumë për vizitën tuaj dhe intervisten që më dhat mësues i dashur dhe kaq i devotshëm për gjithë jetën tuaj, Ruzhdi Kadia!
Ju paçim me jetë dhe shëndet!
Mirupafshim përsëri me vizita të tjera, po me kaq shumë dashuri dhe nderim!
B. Curr më 1 shtator 2021.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here