IMAZHI GRI
Në kohë qeni shalova atin e erërave
i lot më piku te Guri i gjakut
I lashë shënden Vilajetit të zymtë të Kapos
Dritë hyjnore: në kujtesë Naimi, Fishta, Kuteli
Në korin e vdektarëve
Në shkallë të fundit të Hotel Dajtit
Mekshi i Thethit pëllet në ditë.
Zogun e Kombit përgjak
Në kohë qeni
Te bunkeri i nëndheshëm para shtatores së turpit,
Derdh ujë një fëmijë dhe gjuan Zotin me bukë
Atdheut i munguaka dhe buzëqeshja
KOMETË E HARRUAR
Gjinthjë e më pak i ngjaj vetës,
Dje e varrosëm poetin Jamarber Markon,
Tirana e zbrazur dhe më behej se,
nje peshkaqen kerkonte gjahun e vet
I huaj jam gjithnjë e më shumë,
Me kockë e mish më kaperdinë zbraztësia,
E kerkoj gurin tim dhe ik,
nga Uji i Madh qe rrah brigjet e mia
Nuk besoja se kaq shume vetmi,
Tjerret metropoleve shqiptare,
Ku ndonje mbret i minjve,
Hedh dhe duçin e fundit të cigarës
Duhet ikur duhet ikur miku im,
Para se t’me zërë nata e thikave
Në Lesbos tek kerkoja Safon,
Kokën e poetit te panjohur nga Australia,
Në qiellin grek e pashe si fluturonte
Kometë e harruar nga koha e Homerit
(Lesbos, 8/09/2010)
SHKODRA
Tek zgjohet me e pa Shkodrën
Brithyeme e zdeshun mavi
Me mbajtë qiellin n’shuplakë
Lejlekut me ia tregue folenë
I gozhduem andrrës me vrapue
Me u ngjitë n’maje të Nemunave
Thekshëm vajit me ia thanë
Gjaku i zi ngujueka trimninë
Veten e tradhtuem apo Besa na la
Nga fuqi e verbët dyert ciasin
Nuk dukemi se terron nën çati
Mallkim Zoti apo i djallit
Tej Ujanës me i ra Drinisë
Frymë me marrë mes mureve varreve
Te Guri i Shpuem me dhanë shpirt
Shkodra qenka ajo Zonja
Që më ka pasë folë baba, e be bante:
Iliria e rrenueme ja shfaqet
I madhi Zot!
(Shkodër, 2003)
HARTA E GRISUR
Kujdes se minjtë grimcojnë hartën
e të qenit tonë
Breznitë ku mësonin si të ecet lashtësisë
Deri ku shtrihet atDheu e sa dete e lagin
Në fund të horizontit ngrin fryma
Në një cung ulur vërej para Kullës
Ku bie guri e ku fluturon zogu im
Shalues të ri një kalë kërkon
Gryka e vdekjes nuk kapërcehet
Nën krahë engjëlli udhëtim ëndërrues
Dherave lë nga një gur varri
Në shkreptina humb
Buzë Ujit të Madh shfaqet vdekja
Në rroba të zeza
Arbëria m’i ngjante një deleje të zgjebosur
Gardhiqeve lëkurë linte e ndrite pikagjaku
Ulërinte kopeja e ujqve të tërbuar
Vetëtimë shpatash këtejeandej Murit
Binin Majët e Sulit e lotonin selvitë
Me kokën e Ali Pashës në shuplakë
Hapet harta e grisur e atDheut
(Pargë, 1986)
IMAZH PIKËLLUES
Bashkim Kuçukut
Kur nëna i vdes çamit
Erërat prajnë dallgët
Prajnë telefonat kujet
troku diku në balada
Perënditë majave të Sulit
Veshur në të bardha
flasin përmes lëvizjeve
Çamit kur i vdes nëna
Harrimi ku fillon e
ku Çamëria
Nga thellësitë zgjohet deti
me një shall blu
ngjitet zbathur te perënditë
Një degë ulliri
sa çil e mbyll sytë
fsheh imazhin pikëllues
Bukuri që të bën të qash
Shkurt, 2005
SYTË DET I HAPTË
Isha një shqiponjë
nën krah të mi
Kosova frymonte
Ia ruaja Qiellin
dhe Tokën e Ujin
Isha një shqiponjë
Nën krah të mi
nuk lëvizte
as gjarpri
Sytë i kisha det të haptë
(Himare, 2009)
BALADË PËR NJERIUN E VOGËL
Klyshi dot të bëhet Qen
Mjerë kudra që e lindi.
Do qelbët dhe Piramidja
Nga lulimi i kungujve
Ruena Zot nga Bastardhët
që Marrëshojnë
(Ulpianë, 2010)
Shënim: Për mua është nder në këtë qendër të qytetërimit (Venedik, 16.04.2011). Të ju flas në gjuhën e të parëve të mi, në ilirishtën e vjetër; dua të nderoj lashësinë time; të Shën Albanit, të Nikita Dardanit, të Nënës Terezë, të Konstantinit e të viktimave që i morri gjenocidi serb po ashtu, dëshiroj të them se ne nuk jemi turkoshok, i takojmë identitetit evropian, në ndërtimin e të cilit kemi dhënë figura të shquara të qytetërimit.