Betonimi i heshtjes. Tregim nga Adem Nimani

Grremçi po mendonte seriozisht, se heshtja njëqindvjeçare për çnjerëzimin e tri vashave që kishte ndodhur para një shekulli, duhet të shkrihet në beton, në një monument unik, pa kurrfarë mbishkrimi. Me siguri, sekretin e kanë ditur edhe shumë njerëz të tjerë, por kanë heshtur gjithë jetën e tyre. Xhafos, për çnjerëzimin barabar të tri vashave i kishte treguar i ati, i cili asokohe kishte qenë në moshën dymbëdhjetëvjeçare. Grremçi këtë e kuptoi shumë vonë, për herë të parë nga goja e Xhafos, kur të dy kishin mbushur nga shtatë dekada jetë.
***
Xhafo nuk ishte si djemtë e tjerë të Mahos. Me pamje e me shtat malësori ua kalonte të gjithë meshkujve të familjes. Bile gjatë shërbimit ushtarak ishte pjesëtar i gardës së presidentit të shtetit. Megjithëse ishte rritur në një familje me dyzetë anëtarë, edhe ky fliste pak, ashtu si të tjerët. Askush nuk kishte pandehur, se ai me dy fjalë, do të thyente heshtjen shekullore për atë që kishte ndodhur në familjen e gjyshit të tij, Mahos, para një shekulli.
Për dyzet vjet, duke punuar më sharrë në krah në malet e Gjermanisë, kishte ëndërruar ndërtimin e një monumenti për të nderuar katër burrat e vrarë në odë dhe… Kishte përsiatur shumë herë edhe çka do të shkruante në ballë të monumentit përkujtimor. As që kishte imagjinuar se pjesa e tokës ku ishin themelet e odës së vjetër, që i kishte rënë hise Tahit, mund të bëhej pengesë për ngritjen e memorialit.
Sapo u pensionua, u kthye në vendlindje. Nuk kalonte ditë pa shkuar andej kah shtogu në drejtim të livadheve. Një ditë hapi bisedën edhe me djalin e axhës, Lanin, por ai e priti këtë iniciativë me gjakftohtësi. Nuk i tha asgjë Xhafos, por dukej sikur nuk ishte dakord për të gërmuar më thellë mbi ato plagë. Xhafo thirri edhe Grremçin që jetonte e punonte në qytet. Ftoi për të biseduar edhe nipin e Tahos, Nakun, që e kishte më afër. Edhe ai e kishte pritur me ngazëllim idenë e Xhafos për ngritjen e monumentit.
U takuan së bashku Xhafo, Grremçi, Naku dhe i vëllai i tij Kanxhi. Takimet e bisedat i bënin në livadh. Shihej se Lani ngurronte të thoshte diçka, por përherë dëgjonte nga afër krejt çka flitej.
Një ditë, të gjithë së bashku vizituan disa punëtori betoni. Panë, analizuan e krahasuan mostra të ndryshme përmendoresh, lapidarësh e pllakash përkujtimore. Xhafo kishte shije të veçantë për pamjen e monumentit dhe ai duhej të ishte krejt unik. Duke parë dëshirën e tij, Grremçi mendonte për një projekt krejt i ri. Edhe përgjegjësinë për vizatimin e projektit e mori mbi vete. Jo që dinte ta bënte vet, por atë do ta vizatonin dy fëmijët e tij që kishin mbaruar fakultetin e arkitekturës.
Të gjithë u pajtuan me këtë ide!
Grremçi ua shpjegoi arkitektëve anën ideore dhe përmbajtjesore të projektit. Pas disa ditësh projekti u pa në letër. Projekti i vizatuar i pëlqeu shumë Xhafos. Të dy, biseduan për shumë hollësi, duke mos harruar edhe evitimin e çdo pengese që mund të shfaqej gjatë ndërtimit. Mbeti vetëm caktimi i ditës së fillimit të punimeve.
Krejt në heshtje, mu në prag të fillimit të ndërtimit, gjatë bisedës, Grremçi e kishte pyetur Xhafon, a mos mund të bëhet problem puna e pronësisë së tokës ku gjenden themelet e odës?
Xhafo, me të parën i kishte thënë prerë, se këtë nuk e beson kurrë. Nuk e di kush mund të vë në dyshim ngritjen e monumentit, kishte thënë ai?! Që kur kishte fol Xhafo për monumentin, nipi i Tahit, Naku , iniciativën e kishte pritur me ngazëllim dhe kishte premtuar ndihmë të pakursyer. Pas të gjitha përgatitjeve, askujt më nuk i vete mendja për ndonjë pengesë, e më së paku Xhafos e Grremçit.
Derisa Grremçi ishte i bindur se monumenti do të ndërtohet, nuk vonoi dhe shkroi një artikull të gjatë në gazetë. Publikimi i lajmit kishte zgjuar interesimin dhe kureshtjen e shumë anëtarëve të familjes, që jetonin në të katër anët e botës.
Shyti me të shoqen, në skaj të botës, sapo kishte lexuar fjalën monument e kishte fiksuar në mendje e tij të ndërtuar atje mbi themelet e odës së moçme të shtogu. Nga ai çast e mendonte vetëm ditën kur do ta prekte monumentin me dorë aty truallin e moçëm të vendlindjes.
Dukej sikur puna kishte filluar mirë, por një zot e di se ku, Naku, një ditë kishte ndërruar mendje.
Xhafo e Naku takoheshin më shpesh pasi edhe shtëpitë i kishin më afër. Duke biseduar me Xhafon, ai i kishte thënë se toka ku ishte oda dikur… është në hisen e tij.
Xhafo e kishte shikuar drejt në sy dhe ia kishte prerë me një fjalë.
– Çka është për ty kjo fjala hise, Nak?!
– Kur të ndërtohet monumenti, aty mund të vijnë njerëz nga të gjitha anët për ta vizituar dhe duhet edhe rrugë nëpër tokën e time, kishte thënë ai!
Xhafo nuk kishte fol më!
Kishin kaluar disa muaj që nuk ishin takuar Grremçi e Xhafo. Pritej vetëm fillimi i punimeve. Pa pritur gjatë, nipi e kishte thirr dajën.
Me dy fjalë gjithçka ishte kuptuar.
Monumenti nuk do të ndërtohej aty.
Grremçit, vetëm iu kishin kujtuar fjalët që ia kishte thënë Xhafos, për tokën që ishte në hisen e Nakut?!
Të dy ishin prekur në shpirt. Sapo ishte përmendur hisja, Xhafos iu kishte shuar ëndrra e jetës.
Xhafo e Grremçi, ishin prekur shumë nga dështimi i iniciativës. Kjo sikur ua kishte rrënuar edhe dashurinë mes tyre. Më nuk ecnin krah për krah si dikur. Një ditë pranvere, kur gjelbërimi kishte hijeshuar fushat e malet, ata të dy, njëri pas tjetrit kishin mësyrë drejt livadhit. Rruga dhiare qonte andej kah shtogu, ku ishin themelet e odës që ruante kujtimin e rëndë…
Xhafo kishte ndalur hapin! Pa kthyer kokën mbrapa, kishte filluar të fliste…
… Po dajë, po! Atë natë, i vranë katër burra dhe i ç n j e r ë z u a n edhe t r i v a s h a…!
Grremçi, në të parën herë, këto fjalë nuk i kuptoi fare! Pasi ishte disa hapa pas, iu afrua edhe pak Xhafos.
Po nipçe, i ç n j e r ë z u a n! Jo një, por tri…! I vranë katër burra e…
Vetëm kur Xhafo përsëriti për të tretën herë të njëjtat fjalë, Grremçi u ndal. I dukej që prapë nuk ka kuptuar mirë çka tha Xhafo.
***
Grremçi mbeti shumë net pa gjumë. Fjalët e Xhafos i përsëriti në heshtje me qindra herë.
Këto fjalë ai po i dëgjonte e kuptonte për herë të parë në jetë, pasi kishte mbushur shtatë dekada. E torturoi veten me pyetje të tjera pafund.
Filloi të konstruktonte çdo bisedë që kishte pasur me pleqtë që moti kishin vdekur. Kujtonte shumë inserte që ia kishte treguar gjyshja Rehanie për tri vashat dhe si vdiqën ato, pa thënë asnjë fjalë për ngjarjen e zezë. As e ëma e Grremçit e as dajat e tij, nuk kishin thyer heshtjen për një shekull.
Xhafo më nuk thirri askënd!
Grremçin më nuk e mundonte mos ndërtimi i monumentit, por fjalët që ia tha Xhafo, të cilat nuk i kishte pritur kurrë!
Ato pak fjalë të Xhafos, nuk zbërthyen gjithë enigmën e krimit. Grremçi, serish në rradaken e tij vazhdoi të bluante edhe detajet e më të imta të pamjes së monumentit të ngrirë në beton, aty mbi themelet e odës.
Monumenti do duhej të kishte shtatë shtylla betoni e jo katra, foli vet me veti me zë. Ku do të kishte mbetur pjesa e padëgjuar e krimit? Projekti nuk ishte i kompletuar, prandaj dështoi! Kishte menduar gjatë edhe për fjalët që do të skaliteshin në ballë të monumentit, por që tash ato nuk vlenin fare për të.
As që i shkoi mendja për lajmin që e kishte publikuar në gazetë bashkë me vizatimin e memorialit. Grremçi bluante edhe shumë detaje të rëndësishme të cilat nuk ishin paraparë në vizatim. Shumë herë i shkoi mendja, së mos Xhafo nuk ka rrëfyer edhe diçka tjetër për krimin që kishte ndodhur para njëqind vjetësh, por e mban sekret akoma? Vet me veti tha, se edhe po të ndërtohet monumenti, nuk duhet shkruar asgjë në ballë të tij. Asnjë hakmarrje nuk e shëron krimin që ka ndodhur.
Heshtja kishte qenë vetëdënim, por askush nuk ishte përpjekur ta zbërthente enigmën. Grremçi mendonte, se asnjë hakmarrje nuk shëron plagët shpirtërore të tri vashave, që vdiqën pak ditë pas çnjerëzimit barbar!
Heshtja duhet të mbetet vetëm kujtim i betonuar në monument.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here