NJË PËRKUJTIMORE KUSHTUAR KLERIKËVE GAZULLORË GJATË SHEKUJVE.Nga Frank Shkreli

“Një komb që nuk nderon heronjtë e vet, do të zhduket” (Abraham Linkolni)

Jo më shumë se pas nja dy javësh nga inaugurimi në Lezhë i bustit të Mons. Dr. Zef Oroshit, klerikut të njohur, atdhetarit dhe anti-komunistit të shquar të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë javë merr jetë një vepër tjetër përkujtimore me shumë rëndësi, jo vetëm për hapësirat e veriut të Shqipërisë, por edhe për historinë dhe trojet e mbarë Kombit.

Koordinatori dhe realizuesi i kësaj vepre përkujtimore — ashtu siç ishte edhe për bustin kushtuar Mon Zef Oroshit — është i njëjti, ai i palodhëshmi, kleriku i njohur tanimë për vepra tilla të mëdha fetaro-atdhetare, Dom Nikë Ukgjini — Frank Shkreli: Lezha legjendare nderon Monsinjor Dr. Zef Oroshin | Gazeta Telegraf –

Kësaj radhe, fjala është për një përkujtimore që Dom Nika me bashkpuntorët e tij entuziastë e atdhetarë, të njëjtit mendim e qëllim — por edhe të vendosur për të realizuar qëllimet e tyre për vepra të mëdha, përballë të gjitha vështirsive në të cilat kanë ndeshur gjatë procesit — ia arrijtën, më në fund, ta përfundonin dhe të inaugurojnë me 30-dhjetor, 2021, veprën e tyre të dytë, të madhe — në fshatin Dajç të Zadrimës, Bashkia Lezhë: “Përkujtimoren Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve”.

Po kush janë klerikët gazullorë dhe cili ishte roli i tyre në historinë e Kombit shqiptar. Roli i klerikëve katolikë të fisit gazullor gjatë shekujve, bazuar në trinomin – “Për Zot, Për Atme e Përparim” – fillon me figurat e rëndësishme të Kombit që nga koha e Kryetrimit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Duke filluar nga personalitetet e hershme të këtij fisi, si Gjon e Pal Gazulli — diplomatë dhe besnikë të Skënderbeut — e deri te Gjon Gazulli i kohërave “moderne”, i varur nga mbreti Zog në vitin 1927, e tek gjuhëtari i njohur Dom Nikollë Gazulli, i pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, në famullinë e Shkrelit, në vitin 1946.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Dioqeza e Sapës dhe Bashkia Lezhë, zbulimi i Përkujtimorës do të zhvilohet të ënjtën më 30 dhjetor, 2021 në Qendër të fshatir Dajç – Zadrimë në ora 11:00 para dite. Në njoftim thuhet tekstualisht, se “Përkujtimorja në Dajç të Zadrimës”, është një monument jo vetëm dajçasor por mbarëkombëtar që simbolizon njerëzit më të shquar të Shqipërisë në shekuj, siç ishin vëllëzërit klerikë në kohën e Skënderbeut, Gjon Gazulli (1400-1465), astronom, fizikan, matematicien dhe shkencëtar i famshëm evropian. Pal Gazulli, (1405-1470), diplomat, dijetar i shquar, themelues i Bibliotekës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm), dhe i disa biblioteketave në Padova të Italisë”.

Ndër priftërinjët gazullorë të tjerë, të kësaj familjeje nga më të vjetrat dhe më fisnike të Shqipërisë, e njohur dhe kontribuese në historinë dhe kulturën shqiptare ndër shekuj, përfshihen edhe klerikët katolikë, të persekutuarit e shekullit XX, si Gjon Gazulli i ri, (1893-1927) — deputet në qeverinë e Nolit, bashkpuntor me Ernest Koliqin, Avni Rrustemin, Luigj Gurakuqin e Hasan Prishtinën – por të cilin e vari regjimi zogist në Shkodër. Dhe më në fund edhe Dom Nikollë Gazullin, albanologun e njohur (1895- 1946), vëllai i Gjonit, që u varë nga regjimi zogist – e ky Dom Nikolla i shekullit XX u vra nga forcat e ndjekjes komuniste në Shkrel të Malësisë së Madhe, në vitin 1946.

Dom Nikë Ukgjini, ideatori dhe koordinuesi i ndërtimit të “Përkujtimores Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve”
Dy prej klerikëve gazullorë, Dom Gjon Gazulli dhe Dom Nikollë Gazulli – njëri u varur nga Ahmet Zogu, e tjetri i vrarë nga Enver Hoxha – Kur politikanët e sotëm shqiptarë nuk çajnë kokën për rigjallërimin e këtyre figurave – të jeni të sigurt se një shtet dhe një komb që nuk kujton figurat historike të identitetit kombëtar, do të zhduket!

Porosia e jugosllavëve për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën: lani hesapet me klerin katolik shqiptar

Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) u var nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët, për të ashtuquajturin, “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ai, që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputet i opozitës kundër Ahmet Zogut. Dom Gjon Gazulli u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, dhe se kishte prerë telin e telefonit!? U dënua me varje nga regjimi i Zogut. Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës. Insistimi i Dom Gjon Gaullit për të dënuar dhe kundërshtuar regjimin zogist pati pasoja. Më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, Dom Gjoni u dënua me vdekje dhe u varë më 5 mars 1927, në Shkodër. Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) u varë nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ekzekutimin e tij e ka përshkruar në një intervistë me revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, oficeri i ngarkuar me varjen e dom Gjonit, Xhemal Dibra – transmetuar nga Radio Vatikani, marrë nga shkrimi i Daniel Gazullit një pasardhës i familjes Gazulli, botuar në “albemigrant”: Daniel Gazulli: Martiri i Atdheut – Dom Gjon Gazulli | EuroEmigrant (wordpress.com)

.
Dom Nikollë Gazulli, “ma i dijshmi…”, në foto me Prekë Calin, trimin e maleve tona, të dy i ka vrarë regjimi komunist i Enver Hoxhës

20-vjetë më vonë, një pasardhës tjetër i familjes Gazulli, Dom Nikollë Gazulli i ri, “Ma i dijshmi që ka pasë ndonjiherë Biblioteka Françeskane”, (sipas At Zef Pllumit, O.F.M) – (në foto me Trimin e Maleve Prekë Calin) – të dy të pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Por, Daniel Gazulli –1944-2012, edhe ky i trungut të familjes së famshme Gazulli, në artikullin, “Gjuhëtari Dom Nikollë Gazulli”, botuar në portalin “Radi and Radi”, shkruan se, paraadhësi i tij, “Dom Nikolla nuk zmbrapsej prej thirrjes së Atdheut në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit të kombit, prej ankesimit fashist apo atij sllavo-komunist të Beogradit”. Ai shton se me 9 prill, 1939, Ditën e Pashkëve, në Kishë të Rrjollit, gjatë predikimit Dom Nikollë Gazulli iu drejuar besimtarëve: ‘Mos i lëshoni armët! Këta pushtuesit italianë, skotë e mbrapshtë si janë, duen me na shkombtarizue. Prandaj, si dikurë bijtë e Kastriotit, t’i bajmë ballë pushtimit fashist.” Të njëjtat fjalë, sipas autorit Daniel Gazulli, “Dom Nikollë Gazulli ua tha malësorëve të Shkrelit me 1945, kur Shqipnia faktikisht ishte këthyer në një republikë të shtatë jugosllave: lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue pa gjak në dorë të shkjaut, në emën të ideologjisë së tyne çnjerëzore komuniste. Pra, o burra, armët për syni”, citohet të ketë bërë thirrje Dom Nikolla.

I varën, i vranë, i mohuan dhe i harruan këta burra të fisit e të rrënjve të thella të trungut Gazulli — ndër më fisnikët e kombit — gazullorët e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar, të cilët gjatë shekujve i kanë dhënë aq shumë, jo vetëm Kombit shqiptar, në fushë të ndryshme të shkencës e diplomacisë, por edhe qytetërimit evropian. Të vrarë, fizikisht, nga regjimet zogiste e komunisto-enveriste, për hir të miqësisë së regjimeve të tyre me Beogradin sllav dhe me qëllim për të çuar në vend amanetin e jugosllavëve, “lani hesapet me klerin katolik shqiptar”. Të mbuluar me “pllakën e rëndë të harresës” për dekada e shekuj, madje deri në ditët e sotëme – ndërtimi i përkujtimores kushtuar, “Klerikëve gazullorë gjatë shekujve”, e lëviz sadopak pllakën e rëndë të harresës ndaj tyre duke kujtuar jo vetëm sakrificën, por edhe kontributin e tyre ndër shekuj, për kombin e vet dhe më gjerë, për qytetërimin evropian. Kjo është meritë e realizuesve të kësaj vepre të madhe, në krye me koordinatorin Dom Nikë Ukgjinin,që duhet të jenë krenarë pasi ia dolën të mbulojnë shpenzimet, krejtësisht, me fonde private, pa asnjë ndihmë nga qeveria shqiptare. Si të tillë, planifikuesit dhe realizuesit e Përkujtimores Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve — një ndërmarrje kjo sa madhështore aq edhe patriotiko-fetare — meritojnë mirënjohjen dhe falënderimet e të gjithë shqiptarëve vullnetmirë kudo që janë në botë, për këtë vepër të madhe kombëtare, në kujtim të familjes Gazulli – njërës prej familjeve më të njohura të fisit iliro-arbëror!U lumtë!

Frank Shkreli

“Përkujtimorja Kushtuar Klerikëve Gazullorë gjatë Shekujve”, në fshatin Dajç, Zadrimë, Bashkia Lezhë – vepra të tilla na bëjnë krenarë të jemi shqiptarë!

Dom Gjon Gazulli, astronom dhe diplomat, njihet edhe si “i pari humanist shqiptar” – njëri prej figurave më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV.

Palë Gazulli, Diplomat dhe bashkpuntor besnik i Gjergj Kastriotit – Skenderbe

Foto nga punimet në Monumentin e gazullorve ne Dajç të Zadrimës, që do të përurohet me 30 dhjetor, 2021, që përkon edhe me 75-vjetorin e pushkatimit të albanologut të njohur të Dom Nikollë Gazullit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
KLERIKËT GAZULLORË GJATË SHEKUJVE:
MATIA 1404, GJONI I 1465, PALI I 1470, ANDREA I 1450,
IMZOT GJONI II 1753, NIKOLLA I 1640, MARINI 1640, PALI II 1703, ABAT ANDREA II 1813,
MEHILLI 1819, SHTJEFNI 1850, SIMONI 1864,
ZEFI 1872, GJON III 1893 – 1927, NIKOLLA II 1894-1946, JAKU 1913-1971

Dom Nikë Ukgjini me grupin e tij të bashkpuntorëve në fillim të punimeve për ngritjen e Përkujtimores kushtuar gazullorëve ndër shekuj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here