FERIK FERRA, NJË POET QË I JEP NGJYRA TË REJA TRADITËS. Nga PROF. DR. KLARA KODRA

Poezia e viteve të fundit është një kaleidoskop individualitetesh krijuese të larmishme që priren nga modernizmi, pasmodernizmi ose realizmi.
Ferrik Ferra ndryshon nga poetët e sotëm modernistë ose pasmodernistë. Ai është nga ata poetë që i kanë rrënjët thellë në tradita dhe përpiqen ta zhvillojnë atë në mënyra të reja. Jo te tradita e poezisë popullore, megjithëse ajo ndikoi gjatë mbi poezinë e kultivuar shqiptare, po te një traditë më elitare, ajo që lëvroi forma të vështira dhe tej mase të disiplinuara si sonete, tepër i përhapur në letërsi si letërsia italiane, franceze dhe angleze, i rrallë në letërsinë shqiptare, çka nuk e pengoi të arrinte kulme estetike. E lëvruar së pari në letërsinë e vjetër shqiptare nga poetë arbëreshë si Keta dhe Variboba, kjo formë do të arrinte zhvillimin e vet më të madh te poetë si Serembeja dhe Mjeda, i pari një romantik që iu kthye paradoksalisht kësaj forme, ndofta për të organizuar vrullin e frymëzimit, i dyti një ithtar i përkushtuar i formës në kuptimin e literalitetit.
Sonetet e Mjedës kanë lënë gjurmë ndikimi krijues në 85 sonetet e Ferik Ferrës, që shënojnë një rrugë poetike, rrokin një problematikë të gjerë historike, sociale dhe filozofike, shkrijnë mjeshtërisht analizë dhe sintezë, paraqesin skema të ndryshme rimash, duke pranuar madje edhe asonancën dhe pothuajse të gjithë e arrijnë kërkimin e idesë poetike në vargun e fundit që vjen si goditje, shpërthim, lartësim.
Zgjedhja e sonetit, kësaj forme të lashtë, nuk e pakëson aktualitetin e vargjeve të Ferrës që prekin probleme nevralgjike të kohës së sotme dhe me disiplinën e vet të rreptë nuk ia shuan poetit zjarrin e frymëzimit.
Ferra di të evokojë drama të lashta si në vjershën “Tetë gjeneralët” për tetë martirët e kohës së Skënderbeut që sfiduan Sulltanin, po edhe të trajtojë drama të fuqishme të sotme si te vjersha rrëqethëse “Ambëlsia e vdekjes në Reçak” ku viktimat nuk janë si te vjersha tjetër burra trima e të regjur që flijohen me vetëdije, po qenie të pafajshme, gra dhe fëmijë.
A ka gjë më tronditëse se ai dialog hijesh në sonetin e dytë që megjithatë kalon nga patosi tragjik në patosin heroik dhe himnizimin e fitores në vargun e fundit “për ata që janë mbi ne s’do të ketë ma ferr!”
Krahas soneteve dramatike ka sonete lirike, sonete përshkruese, sonete që portretizojnë qytete si “Venediku”, “New York”, “Vjeshtë në Tiranë”, sonete që portretizojnë figura të ndryshme legjendare, letrare, historike, aktuale.
Helena e Trojës portretizohet si heroinë dashurie (“ma n’krahë t’Paridit s’do t’mbështillet trupi im… dhimbja s’ka fund”), tepër e ndryshme nga bukuroshja e pandjeshme e pikturuar nga Konica te sonete “Helena e Trojës” që nuk shqetësohet nga drama që ka shkaktuar.
Këto sonete marrin ngjyrë nga një figuracion i larmishëm ku spikasin metaforat, veçanërisht metaforat elitare dygjymtyrëshe, “mëndafshi i duarve”, “sermi i shiut”, “brilanti i tingujve”, po edhe epitetet që janë, herë herë befasuese si epiteti në togfjalëshin “diell i vështirë”, epitet ambivalent a polivalent, herë marrin formën e kompozitave për të cilësuar sende si valën apo qytete (Lissusin, Lezhën) shtatkaltër, buzëmshehun edhe sinestezitë ose anaforat (këto të fundit goditje në zemrën e lexuesit që mund të përshkojnë një vjershë të tërë si “Liri”, “Kombi”, “Tingëllimi gri”).
Ferik Ferra është në mënyrë të veçantë poet i metaforës siç shfaqet edhe në vëllimet e tij të tjera, vazhdimësi i së cilave është ky vëllim i fundit, i metaforës emër dhe i metaforës folje, i metaforës përshkruese dhe i metaforës sintetizuese (të kujtojmë “lundricën ardiane” që “heshtjen ia përkëdhel natës”, “vringëllimat që copëtojnë diellin”, “djepat që përkundin vdekjen”, “rrugët” që lidhen me gardhe argjenti, “qelq i shpirtit” që “thyhet”, “karfica ari në “mishin e dhembjes”) (metaforë elitare dhe tronditëse) dhe, mbi të gjitha, metafora që krijon figurën e natës e cila “mbush xhepin me kokrra yjesh si një mama e dhemshur që bëhet gati t’u japë dhurata fëmijëve.
Nata është simbol polivalent në poezinë e Ferrës dhe në disa raste identifikohet me natyrën mbrojtëse dhe qetësuese, jo me terrin dhe negativitetin. Të gjitha këto metafora dëshmojnë për një fantazi të harlisur, po nuk bëhen qëllim në vetvete, nuk e spostojnë mesazhin. Janë krijesa të frymëzimit, jo të ndërtuara në tavolinë.
Vihet re çuditërisht një ekuilibër estetik në rrugëtimin e gjatë që u dha jetë soneteve të këtij vëllimi dhe që nis në vitet pesëdhjetë-gjashtëdhjetë për t’u shtrirë në shekullin e ri. Sonetet e rinisë spikasin për pjekuri të parakohshme, sonetet e moshës së vonë për zjarr rinor; si të parat ashtu edhe të dytat për një prirje drejt formës së përsosur.
Ferik Ferra është një poet elitar, po elitarizmi i tij nuk merr as fytyrën e hermetizmit, as atë të pashermetizmit.
Fizionomia e poezisë së tij është më tepër klasike. Mos vallë poeti, pas gati një shekull, ringjall neoklasicizmin e viteve tridhjetë?
Në të vërtetë, në këto sonete ka diçka nga neoklasicizmi që autori e ka thithur nga Mjeda, nga romantika ose bota ideo-emocionale romantika e përjetshme që synon drejt një ideali, nga realizmi i vrazhdë dhe tronditës i ditëve tona.
Këto tingëllima kanë diçka të mermertë, shkëlqimin e butë të mermerit dhe …. ftohtësinë e tij?
Aspak, se mermeri pastaj gjallërohet nga lulet e lirizmit që mbijnë rrëzë tij.
E lashta dhe modernia qëndrojnë pranë e pranë.
Ferik Ferra është një individualitet krijues i papërsëritshëm që i ngjan vetëm vetvetes. Sonetet e këtij vëllimi paraqesin një nga metamorfozat e tij.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here