ILIAZ BOBAJ: PARTITE EPIGRAME

1.
ÇELËSI I DRITËS

Bukuria është lulja,
dashuria është drita që bie mbi të,
e bën më të bukur, më të dëlirë.
Po çelësin e dritës e ka vet njeriu,
shpesherë e fik, e lë në errësirë.

2.
VUAJTJET

Vuajmë në jetë, se e tillë është jeta.
Kur vet gabojmë
dhe vetes ia shtojmë vuajtjet,
i meritojmë ato që heqim.
Kurse të tjerët…ah, të tjerët!
Të tjerët s’na lënë të qetë as të vdesim.

3.
SHPIRTI I NJERIUT

Kur ushqehet me urrejtje, brenda kraharorit,
tkurret, kthehet në një copëz nate të zezë.
Kur ushqehet me dashuri, madhështohet,
e fut të gjithë botën brenda vetes së vet.

4.
PËR DISA MIQ

Për poezinë që më kushtoi një mik i mirë,
ca miq poetë, larg saj qëndruan.
O miqtë e mi, kam veç një këshillë:
unë rroj me lavdinë time, jo me lavdinë tuaj,
por ju mos e lini shpirtin t’jua përmbytin shirat.
Edhe po të ma falnit të gjithë lavdinë tuaj,
do ta hidhja të gjithë tek hedhurinat.

5.
ME MASKË

Unë me maskë, ti me maskë.
Ai, ajo, po me maskë.
Ne, ju, ata, ato,
prapë me maskë, domosdo.
Seç është prishur terezia:
prapa maskës njerëzia.

6.
MBYTJA

Anglezët thonë: ‘’Në gotën e uiskit,
mbyten më shumë njerëz, sesa në det’’.
Këta, dihet, janë ata, mjeranët.
Tek ne disa mbyten në gotën e rakisë,
të tjerët në detin e fjalës…

7.
NJERËZIT E LIRË

Thonë se sot njeriu jeton i lirë
dhe njerëzit jetojnë në qetësi.
Po e vërteta është krejt ndryshe,
të gjithë e dinë:
sot jetojnë njerëzit e lirë pa liri.

8.
DIPLOMA E SHEROS

Sheros, pastrueses së pularisë,
i erdhi diplomë nderi për poezi.
E reklamoi menjëherë në facebook:
‘’Poete e madhe, yll i kësaj bote’’.
Në fund firma dhe vula.
E kish firmosur stallieri i lopëve.

9.
VARFËRIMI

Varfërohen shumë njerëz, varfërohen nga xhepi
dhe bëhen njësh me varfërinë.
Por…sa më tepër varfërohen nga xhepi,
aq më shumë i duan partitë?!

10.
PËR MIKUN

Thonë, kur humbet një mik, mbetesh më i varfër,
kjo thënie e artë vjen nga koha e parë.
Por kjo vlen kur humbet një mik të vërtetë,
jo kur humbet ndonjë pseudo mik brashnjar.
Në këtë rast je më i pasur se më parë.

11.
KRITIKA

Kritikon dikë, të humbet nga sytë,
ashtu pa u ndjerë, si hije është zhdukur.
Kritikon partitë, pushtetin,
të fshihen gjysma e miqve të facebookut.

12.
VOTA

Mos e shit votën, o njeri mjeran,
vota është liria jote, forcë e së vërtetës.
Kur e shet votën, bëhesh skllav
dhe mbetesh skllav për jetë të jetës.

13.
PARTITË

Thuhet se partitë janë pronë e popullit,
kjo thënie është si përrallat që thotë Zefi,
partitë janë prona të kryetarëve,
që bëjnë me to si t’iu dojë qejfi.
Dhe ata, servilët e partive, heshtin.

14.
LISTAT PËR DEPUTET

Shikoni listat dhe gjykoni vetë.
Ata që s’janë në lista,
e kritikojnë kryepartiakun me rrënjë e degë,
ata që janë në lista, e mburrin.
Shihni sa hipokrit bëhet burri !

15.
PESHQIT

-Po i zënë në rjetë peshqit e mëdhenj,-
thërret drejtësia, sa tundet bota.
-Rjeta po mbushet me peshq,- tha Faruku,-
po deri tani ka zënë vetëm cironka,
nga ato që bëhen ‘’kokë turku’’.

16.
ZEMRA

Ca njerëz kanë zemër të vogël, të vogël,
sa s’mund të futin as veten brenda.
Dhe ne themi:-Sa e vogël është bota!
Ca njerëz kanë zemër të madhe, të madhe,
sa mund ta futin të gjithë botën brenda.
Dhe ne themi:- Sa e madhe është zemra!

17.
VENDI YNË

Thonë se vendi ynë është në demokraci,
kjo thënie nuk është aspak e vërtetë.
Me siguri, vendi ynë është në mbretëri,
përderisa kemi në krye të njëjtat fytyra,
këtu e tridhjetë vjet.
Madje, disa, karrige s’kanë lëshuar,
janë ngulur aty që nga shekulli i kaluar.

18.
KOHË PANDEMIE

Ca në heshtje bëjnë punën,
të tjerë reklamojnë gunën.

19.
BASHKËKOHORE

I bëri propozimin për martesë:
-E dashur, të dua aq shumë,
sa po të jap një thes me lekë…!
Ajo i mori lekët dhe qeshi:
-Edhe unë të dua, ja, kaq… sa thesi!

20.
PROFETËT

Tani s’do t’ia dijë kush për engjëj e profetë,
kush vjen në krye,
profet quan veten e vet.
Pas tij, turma e verbër, duartroket…

21.
SI IA NDALËN REVANIN

Hipi majë kalit dhe nuk zbriti më,
u detyruan ta vrasin.
Po edhe i vrarë u mbërthye mbi shaloren e kalit.
Në fund u detyruan ta vrasin edhe kalin.
Vetëm atëhere ia ndalën revanin.

22.
KOHA E KËLYSHËVE

Ka ikur me kohë koha e ish-ëve,
tani ka ardhur koha e këlyshëve.

23.
SHOQATA PATRIOTIKE NË MËRGIM

U krijua edhe një shoqatë e re me patriotë,
dita e përurimit u festua.
Por krerët në këtë festë u zunë për një post,
në ditën e përurimit,
shoqata u shkatërrua.

24.
LIRIA

Liria është njëshi,
të tjerat janë si zerot pas tij me radhë.
Kur të marrin lirinë, të marrin njëshin,
të mbeten ca zero, pa asnjë vlerë.
Ato të kthejnë në njeri të mjerë.

25.
ME ZEMËR

Të gjithë thonë se të flasin me zemër,
por e vërteta është krejt tjetër:
me zemër flasin vetëm ata që duhen,
për aq kohë sa duhen.
Dhe nëna gjithë jetën.

26.
KUSH VJEN I PARI

Rreth vetes mbledh servilë e frikacakë,
kur del në krye i paafti në pushtet.
Se frikacakët s’guxojnë ta ngrejnë kokën lart,
servilët e mbajnë mbi shpinë plot një jetë.
Me këta lolo, mbretëron i qetë.

27.
NJERËZIT BOSH

Ca njerëz bosh, sa marrin një post,
hiqen të rëndë, sa s’i mban dheu,
mundohen të bëhen sa më të dukshëm,
si gjeli kur hipën mbi një tog plehu.
Kur këndojnë të fryrë aty ndaj mëngjesit,
i dëgjojnë vetëm pulat e qymezit.

28.
NDARJET

Ca ndarje janë të domosdoshme, patjetër,
ashtu si ndarjet me stinën e vjetër.

29.
MË MIRË…

Për veten time parapëlqej njerëzit e çiltër,
me ta merrem vesh lehtësisht.
Nëse kjo do të ishte e pamundur,
do pranoja më mirë dy armiq,
sesa një mik hipokrit.

30.
NUK DUA…

Nuk dua të jem si një kokërr arrë aq e fortë,
sa t’i thyej edhe dhëmbët më të fuqishëm.
Por nuk dua të jem si një arrë aq e butë,
sa të më thyejnë edhe dhëmbët e krimbur.

31.
AFËR DHE LARG

Me njerëzit e zakonshëm, mund të rrish pranë,
le të jenë të çdo lloj natyre,
Me hipokritët qëndro larg, sa më larg,
as ajrin mos e thith afër tyre…

32.
KLASIFIKIMI

Kanë ndryshuar raportet për skllavërinë,
në kohën tonë ekziston ky rregull:
Janë pakësuar dukshëm skllevërit e lirisë,
janë shtuar dukshëm skllevërit e lekut.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here