Pasi bënë betimin: “Në emër të atit të birit dhe të shpirtit shenjtë nga lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit”, të gjithë pjestarët e “Urdhërit Kalorës Dragua”, qëndruan ashtu siç ishin, rreth tryezës së rrumbullaktë e dukeshin, sikur ende luteshin pa zë, gjer më në fund heshtjen e theu drejtuesi i Kuvendit, Gjon Kastrioti I.
– Vëllëzër! E thirrëm këtë Kuvend të “Urdhërit Kalorësi Dragua” për të folur mbi gjendjen e krijuar në vëllezërit tanë të krishterë, këtu në Arbëri e ngado që jetojnë vëllezërit tanë të një gjaku dhe të një Besimi që pas luftës së Maricës dhe të mendojmë me gjakftohtësi për të dalë nga ku jemi futur prej rrethanave në të cilat ndodhemi…
– Flisni ju, o prijës mendjendritur! – U kthye Gjon (Theodhor) Muzhaqi II.
– Siç e dimë, Kuvendi, përbëhet vetëm me kalorës arbër, vetëm 12 princër e kanë fituar e këta janë 12 shtyllat e Besimit tonë të ndritur, jemi 12 dragonj të Shenjtorit tonë Gjon Paqësorit (Araniti), që rrjedh nga trungu i gjakut të fisit tim dhe tuajit, – foli ai me solemnitet dhe qëndroi duke vështruar të gjithë me radhë dhe përsëri vazhdoi:
– Ju e dini që Krishterimi erdhi tek ne, nga apostujt e Jezu Krishtit, por ishte Roma ajo që nuk e pranoi këtë dhe apostulli Pal ishte i pari shenjtor që e burgosi Roma, ish ajo kohë, kur shumë të krishterë nga viset përtej detit vinin në Durrës për t’i shpëtuar giotinës të Selisë së Shenjtë, por edhe ne kemi shumë martirë të krishtërimit, si; Shën Asti i Durrësit, Shën Therini i Butrintit, Shën Donati, Shën Naumit dhe shenjtori ynë Gjon Paqësori, që u vetflijua për të bashkuar të ndarjet e Krishtërimit, Fesë Ortodokse dhe Katolike për të qënë bashkë si të Krishterë dhe si arbër, si vëllezër. Ai ka qënë frymëzues jo vetëm për arbrit, por për mbarë Europën, si një shembull shenjtërie në përpjekjet për ndryshimin e rolit të kishës, e cila u kurorëzua më vonë me krijimin e “Beslidhjes së Re”, ku në fillim, për t’i shpëtuar forcimit dhe kundërveprimit të saj, Papa Aleksandri III e pranoi, por të gjitha këto kanë qënë lojrat e Romës për të ruajtur e zgjatur sundimin mbi kishat tona dhe më gjerë, në vëllezërit tanë të hershëm, me prejardhje ilire.
Kjo u rrëfye qartazi në kohën e Charles II Anzhu, i cili mori mbështetjen e gjithë princërve arbnorë për të shkrirë kufinjtë mes kishave deri në Konstadinopojë, por, Mihali VIII Paleologu, me Papën Gregori X, lidhëm marrëveshje nga ana tjetër gjoja për bashkimin e kishave, vetëm e vetëm të mos i jepte mbështetje Karlit II dhe arbërve, a mbase kjo ishte lojë e Anzhuinëve për ta pasur përsëri nën sundim Arbërinë, se kurrë nuk na mbrojtën nga masakrat serbe…
Jemi të përzgjedhurit e Perëndisë, jemi raca e parë që zbriti në tokë dhe apostujt kot nuk e përzgjodhën për të përqafuar Krishtërimin, si Besim të kulluar të njerëzimit, Besim, që të bën zot, në trojet ku na ka ngulur Perëndia, se vetë apostujt, ishin bij të racës sonë hyjnore…
Duke qënë njerëz të Perëndisë, përherë i kemi pritur të huajt si vëllezër dhe u kemi dhënë Besën, përherë na kanë pranuar në fillim si vëllezër duke marrë Besimin tonë e dhënë Besën, por më pas ata harruan Besën dhe përdorën Pabesinë për të ngënë me lugë në sofrën tonë e ne vetëm të ngjyejmë kafshata e pse jemi në trojet tona, por trojet tona me male të lartë dhe me pyje të shumta janë streha dhe mburoja jonë, tempujt e të parëve tanë, majë malet janë bekimi ynë, asgjë s’na rrëzon përveçse tradhëtitë dhe pabesitë e atij që pranuam në vatër, se na ka ndodhur si bilbilit me qyqen, ku bilbili ndërton vetë folenë, lëshon vezët, i ngroh ato, qyqja vjen nga larg, lëshon vezën tek foleja e tij, ku ngrohen bashkë me tjerat dhe kur dalin zogjtë, i qyqes është më i madh dhe i hedh nga foleja, ose u çukit kokën zogjve të bilbilit dhe i ha…
-Janë fjalë me vend, o prijës mendjendritur, të gjitha ato që thoni, në lidhje me Shenjtorin tonë, Gjon Paqësorin, im atë më ka treguar për David Aranitin, patrik e kryegjeneral, i ushtrisë Bizantine në kohën kur Perandor ishte Vasil i II, i cili kishte vëlla Asotin, patriark në shërbim të Romës dhe Gjonin zotërues të shumë trevave të Arbërisë deri në Ohër e Shkup.
Kur erdhi mbreti bullgar, Samuel, ua mori të gjitha zotërimet dhe kryeqendrën, Durrësin, por Davidi, e pse humbet zotërimet në Arbëri, vazhdoi të ishte sundimtar në Selanik e përtej, ndërsa Gjonin e zuri rob dhe e burgosi në bodrumet e kështjellës së Durrësit, ku vajza e tij, Kosara, u dashurua dhe detyroi të atin të martohej me Gjonin, por ai vuri kusht të rimerrte gjithë zotërimet që kishte pasur, por në fakt, ai kurrë nuk u bë burrë i saj, se në mendjen e tij ishte dëbimi i bullgarëve dhe rimarrja e gjithë Arbërisë, ndaj e priti me kënaqësi kërkesën e të vëllait për tu bashkuar me Bizantin, kundër bullgarëve, por në fillim me anë të një letre morën kryeqendrën, Durrësin, në shkëmbim të disa titujve dhënë Zotit të Durrësit, Krislit e më pas luftimet zgjatën disa vjet, por përherë me fitoret e Bizantit gjer në fund vdes mbreti bullgar dhe vendin e zë djali i tij, por me pabesi e vret nipi i mbretit Samuel, Ivan Vladimiri dhe për të pasur të lehtë ripushtimin lidhet fshehtas me Kozarën, vajzën e mbretit Samuel, për të thirrur në bisedime Gjon Paqësorin në Ohër, por ai kurrë s’pranon të bashkëpunojë, atëherë, Ivan Vladimiri nxjerr shpatën t’i presë kokën, por shpata nuk e pret dot se ishte i shenjë.
Shoqëruesit e tij u gatitën për të kundërsulmuar, por Gjon Araniti, nxjerr kryqin dhe e puth (këtë kryq që kemi ne sot këtu) duke i dhënë shpatën e tij kundërshtarit për hir të paqes mes popujve, mes 2 degëve të krishtërimit. E kështu ra shenjtori ynë Gjon Araniti, që populli e quan, Gjon Paqësori dhe varrimi i tij u bë në Krajë, ku kishte kështjellën dhe manastirin e tij dhe pasi u rimor Durrësi, eshtrat e tij u rivarrosën atje nën kujdesin e Teodor Engjëll Komnenit, pjesë e fisit Araniti…
Ai vjen edhe sot i gjallë mes nesh e na thotë, se kërkohet të sakrifikojmë veten për të siguruar paqen, ashtu siç thotë Krishti në ungjill: “Lum paqebërësit, se do të quhen bij Perëndie.” ndaj dhe ne të gjithë këtu thirremi me një emrër: Gjon, e secili përfaqëson fisin e tij të ndritur arb, se shentori Gjon është Jezu Krishtit ynë… por ajo që doja nga ju, kryezot, është të më sqarosh, sesi më tingëlloi ajo që thatë “Rridhte nga trungu i gjakut të fisit tim dhe tujit”, – tha më pas, Gjon Araniti, pinjoll i këtij fisi të madh.
– Trim i Aranitasve! Ashtu siç e thatë edhe ju për Teodor Engjëll Komneni, pjesë e trungut
të fisit Araniti, edhe ne, Kastriotët dhe Topiajt jemi degëzimet e para të fisit Araniti, ndërsa fiset tjera në Arbëri, janë degëzimet të mëvonëshme që mbajnë mbiemra të ndryshëm, sipas emrave të zotërimeve të tyre, por edhe disa mbiemra njëherësh, ashtu siç thërriteni edhe ju, Aranitasit, apo edhe ne, Kastriotët, ngaqë zotërimet tona kanë pësuar ndryshime, aqsa herë vinin dhe iknin pushtuesit…
Konstadin Kastrioti, babai im, ruante dokumenta të hershme mbi prejardhjen e fisit, si dhe mbi shenjtërinë e besimit tonë qysh nga lashtësia dhe, pak para se të vritej nga Venetiku, si heretik, më dorëzoi një arkë hekuri, ku mbrenda saj ndodhet një arkë tjetër prej druri, mbi kapakun e së cilës është gëdhendur ylli i Davidit, ku ruhen shumë gjëra të rëndësishme dhe të shenjta që më porositi, ta fshihja larg prej kështjellës së Kaninës, për ta ruajtur nga grabitjet, të cilës nuk i dihej fati, se në dorë të kujt do të binte, ku prej vitesh David Araniti e kishte marrë nga Selaniku dhe ruhej në Durrës, dhe, aty kam lexuar, se të gjithë ne e kemi prejardhjen prej fisit të hershëm, Arinistoe, pasardhës të Taulantëve, të cilët kanë pasur zotërimet e tyre Arbërinë e sotme dhe kanë jetuar që përpara epokës heleniste dhe romake, ku zotërimet e tyre shtriheshin prej Petrelës, Dumresë, Gllavenicës deri në Vlorë, lart në Kaninë dhe Jeriko e për t’i mbrojtur këto zotërime, fisi ynë, ka luftuar për t’i rimarrë dhe për t’i i lënë trashëgim brez pas brezi.
Ju e thatë saktë historinë e Gjon Paqësorit, por dua të shtoj, se Gjoni u vra dhe s’la trashëgimtarë, edhe Asoti që u përkushtua Krishtërimit nuk u martua kurrë, Davidi la pas Konstadinin që ndoqi gjurmët e të atit dhe u bë një strateg dhe kryegjeneral i ushtrisë së Bizantit e për të mos e zgjatur historinë, se jemi mbledhur për të folur për gjëra tjera, vijmë në kohën e kalimit nga “Principatë e Arbërisë” në “Mbretëri e Arbërisë”, ku Aleks Araniti, para se të vijë mbreti anzhu Karli I, pa ikur Bizanti, për të dalë përpara copëtimit të zotërimeve të fisit Araniti, i cili kishte gjithë Arbërinë nën zotërim, se tashmë e dimë, që me gjithë se mbreti Anzhu Karli I deklaroi në fillim që s’do prekeshin këto zotërime si në kohën e Bizantit, ai bëri shumë shpronësime duke ua dhënë pronarëve të rinj, kushërinjve tanë të largët, por edhe të huajve, me qëllim që ata të fuqishmit të dobësoheshin dhe të dobtit të shpërbleheshin për t’i pasur mbështetje për të na vënë përballë njëri – tjetrit e, u bënë luftra gjer i fituan, ndaj ai bëri testamentin për të ndarë zotërimet mes tre bijve të tij. Djalit të madh, Tanushit i dha Durrësin dhe shtoi flotën detare me anije dhe topa, e rrallë për kohën, ndaj u quajtën Topiaj, djalit të dytë, Komnenit, stërgjyshit tim i dha kastrot rrëzë maleve dhe u quajtëm Kastriotë, ku gjyshi im zotëronte shumë kështjella, të Krujës, të Kaninës, Lezhës, Matit, Petrelës, Xinës… po thuaj të gjitha kështjellat rrëzë maleve, por në të njëjtën kohë kishim bashkëpunim me pjesën tjetër të fisit e sa herë e kërkonte nevoja, bashkonim forcat, por përballja më e madhe ka qënë me detin, ku miqtë tanë përtej detit fshehtas na shkaktonin dëme të mëdha me sulme të befasishme dhe djegje anijesh…
Djalit të vogël, stërgjyshit tënd, me të cilin qëndroi edhe vetë Aleksi, i dha kështjellën e Golemit dhe të dy anët e grykës së lumit Shkumbin, deri në Ohër e Shkup, përfshirë këtu edhe zonën e Çermenikës, e kështu ju, që në atë kohë mbajtët mbiemrin e trungut të fisit, por ngaqë edhe ju zotëronit flotë detare në Golem, thirreshit jovetëm Araniti, por edhe Topiajt, edhe Golemi…
– Kjo është e vërtetë, – u hodh e tha Gjon Gropa, – të njëjtën gjë më ka thënë edhe im atë, se të gjithë ne kemi lidhje gjaku, por duke qënë përherë nën shtypjen e të huajve, nuk jemi marrë aq sa duhet me rrënjët, se, po nuk njohëm rrënjët, padashjen tonë do t’i shkulim ato dhe degët tona do të thahen…
Ajo është e vërtetë, se mbreti Karl I, në atë kohë nga gjithë zotërimet e shumta që kishte fisi ynë, jovetëm që i mori, por ua fali serbëve duke na dhënë vetëm dy fshatra të varfëra në largësi të Ohrit, kështu fisi ynë, në bashkëpunim me Muzhakajt, Blinishtët, Skurrajt dhe Jonimët u bashkuan në luftë kundër serbëve, por dhe me princër tjerë që ua kishte falur mbreti pronat, rimorëm zotërimet tona duke e ngushtuar mbretërinë anzhuine të Arbërit vetëm në Durrës, Vlorë dhe Kaninë.
– Të gjithë pushtuesit, – foli sërish Gjon Araniti, – siç e thatë edhe ju, në fillim kanë ardhur si vëllezër, kanë mbështetur edhe Besimin tonë, më pas u ulën në fron dhe, ashtu siç e kemi zakon ne, arbërit, për të respektuar mikun, por nga froni na komandojnë siç duan ata dhe me të drejtë ne s’mund të pranojmë të na cënohet nderi dhe prona e jemi kundërvënë duke vrarë përsëri njëri – tjetrin, se disa ishin me Bizantin, disa me Venedikun, disa me Romën e disa me Napolin, apo me serbët e osmanllinjtë, tashme së fundmi.
Përherë të huajt i kanë fituar besimtarët e tyre duke i ndihmuar në luftë me kundërshtarët e tyre, por kur e shikonin që fuqizoheshin, fshehtësisht dhe tinëzisht, i shkatërronin edhe ata. Kam dalë në një përfundim, mbase është shpejt ta them, por edhe ndryshimi i zotërimit tonë nga të huajt, ka një dorë që e drejton, e pse ata që vijnë duken si armiqtë e atyre që ikin, por ata asnjëherë nuk i prishën marrdhëniet me njëri – tjetrin, të humbur përherë kemi qënë ne, jemi vrarë për të mbrojtur trojet tona dhe jemi varfëruar nga ata që kanë ndihmuar…
-Me vrasjen e Aleksandrit, me të cilin kisha marrëdhënie shumë të mira, ai s’pengonte të kryenin ritet e Besimit tonë, ndryshe nga ç’bëri Dushani në trevat e Dardanisë, vëllai prej babe i Aleksandrit, i ndihmuar nga Venediku, zunë rob babain tim dhe e burgosën në bodrumet e kështjellës së Kaninës gjer të ndërronte Besimin dhe të bëhej vasal i Venedikut, por babai im ka qënë i lidhur ngushtësisht me Lëvizjen e Gjon Uiklifit në Universitetin e Oksfordit, nga ku shkëmbenin mendime dhe eksperienca në Akademinë e Durrësit, të cilat atëherë mbështeteshin edhe nga Papa, mirëpo siç e dimë më vonë, Papa i dënoi si heretikë, se binin në kundërshtim me interest e tij, kështu edhe babai im u dënua si heretik dhe i preu kokën, duke ua dorëzuar kështjellën Aranitsasve, ndërsa unë që zotëroja disa kështjella, me kryeqendër Krujën, m’i morën forcërisht duke më dhanë dy fshatra në zonën e Matit; Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm… Sot, falë disa prej jush dhe bijve të mi, unë jam bërë edhe një herë zot i viseve të mia, ndaj o Princ i Gropajve, ashtu si ti, edhe unë e kam pasur fatin, por edhe shumë tjerë princër arbnorë dhe ky fat do përsëritet vazhdimisht nëse ne nuk do të jemi të bashkuar…
Sot ka ardhur koha të japim dorën njëri – tjetrit edhe me vllaznit tjerë që të huajt kanë bërë të armiqësohemi, se unë e dija që Aranitët janë gjaku im, ndaj dhe nuk e sulmova Kaninën për ta rimarrë, për të vënë në vend nderin e gjakut të babait, aty përsëri rrjedh nga damari i heshëm i fisit të parë Araniti. Sot duhet t’i sheshojmë këto armiqësi të dhuruara nga të huajt e të bëhemi bashkë kundër kuçedrës osmane, e cila zmbrapset vetëm me dragonj e ju jeni pjesë e “Urdhërit Kalorësit Dragua” e kështu ne kemi në dorë fatet e Besimit tonë të ndritur, Besimit të shenjtit tonë, Gjon Paqësorit, i cili udhëhiqej nga “Shkrimi i Shenjtë”, ndaj ai që do të shpëtojë gjallë nga kjo luftë e madhe, duhet të shkojë të takojë Gjon Purvin, dhe atje do të marrë udhëzime se si do të veprohet në të ardhmen, Zoti qoftë me ne dhe shpëtofshim të gjithë, por do jetë dasmë e madhe e dasma kërkon mish… – Tha dhe mori kryqin e drunjtë të sjellë nga Gjon Topiaj, të cilët ruanin me kohë eshtrat e Gjon Paqësorit në manastirin e Elbasanit dhe e puthi.
– Bëre mirë që i the këto fjalë, o kryetrim, se edhe me fisin tonë ju jeni përballur të shtyrë nga anzhuitët, por siç e thashë, kështu kanë lozur me fatet tona ata që padrejtësisht vijnë e bëhen zotër e ne detyrohemi për mbjetesë të mbetemi vasalë të tyre, por si përherë secili që erdhi në këto troje, jovetëm përkrahën Besimin, na bënë edhe krushq, por nga ana tjetër na ropën lëkurën duke na rrëmbyer pasuritë tona. Fisi im, Araniti, ka pasur përherë nën zotërim Durrësin dhe sigurisht ata kishin interesat e tyre për të krijuar mundësi më të mëdha, por brenda këtyre mundësive, punoheshin pabesitë prej tyre dhe ajo më e rënda ishte, armiqësia mes njëri – tjetrit, ne duhet të kuptojmë, se në kohën, kur dikush të dhuron diçka që s’i përket atij, të ka futur në armiqësi me atë që e ka pasur më parë. Kështu gjatë kohës që do merresh me “armikun” ai shpall fitoren, të ka nënshtruar edhe ty, edhe atë… përherë kjo gjë ka ndodhur me ne, marrin pasurinë, ua japin tjerëve, ne sulemi t’ua rrëmbejmë atyre, dhuruesit bëjnë kërdinë, ata përdorin si qenin hajduti, kur shkon të vjedhë tufën, i hedh një kockë mish tutje dhe qeni shkon pas kockës, ai vjedh tufën. Unë japë Besën, që për paqen mes njëri – tjetrit jam gati të vdes, cili do vëllanë, është vëllai im, cili sulmon vëllanë tim, është dhe armiku im!
– Doja të flisja edhe unë për përballjet mes njëri – tjetrit, – u ngrit e foli Gjon Ballsha, por e shikoj që nuk kanë më vlerë, se tani e kuptojmë se çfarë është luajtur dhe luhet me ne, ndaj bashkohem mendimit tuaj për t’i vënë gjoksin turqve sëbashku, pa menduar se dikush do na ndihmojë, por ne duhet të ofrojmë Besim për të qënë bashkë me vëllezrit tanë të krishterë, kundër pushtuesve osmanë. Këtu bashkohen interesat e të gjithëve, ndaj mendoj që përpjekjet për tu lidhur me fqinjët dhe vëllezërit e krishterë nuk duhet t’i ndalim, sidomos me despotin Lazar të Serbisë, i cili ka nëpër damarë gjak të racës sonë dhe është vjerri iMiloshit dhe i Vuk Brankoviçit…
– Keni të drejtë Gjon Balsha, por le të hedhim një vështrim të kaluarës më të afërt për
të qënë më të kthellët në vendimet që do të marrim për të përballuar situatën e krijuar pas luftës së Maricës e sidomos këto 7 vitet e fundit, ku sa ditët vijnë, ne, si princër, po shkojmë drejt rrënimit dhe populli drejt mjerimit.
Të gjithë ju, keni marrë letër nga Papa për një kryqëzatë krishtere kundër turqve osmanllinj, por unë i tremben së kaluarës, se qysh me krijimin e “Mbretërisë së Arbërit”, si vazhdonjëse e “Perincipatës së Arbërit”, por më e vogël në troje, me mbret Karl I Anzhu, i cili kurrë nuk e luajti rolin e një mbreti, u dha nga Papa Gjoni XXII, për ta pasur Arbërinë si mburojë në brigjet e Adriatikut, se kurrë s’i doli në mbrojte Arbërisë, përkundrazi vendosi aq shumë taksa, saqë shumë fisnikë u ngritën kundër sundimit të tij dhe disa nga këta fisnikë i zuri rob dhe i dërgoi në Napoli, u mori zotërimet dhe ua dha atyre që u bënë aleatë me të dhe i ktheu kundërshtarë të Aranitasve, Topiajve, Kastriotëve, Muzakajve…
Kjo mbretëri kurrë nuk funksionoi si e tillë, ndaj dhe fisi jonë i Topiajve, Kastriotëve dhe Aranitëve… shpesh herë ngritëm krye, herë duke i marrë zotërimet dhe herë duke na i pushtuar këto zotërime… veç të përmend, se kur vendin e mbretit Karl I Anzhu e zuri i biri, Aleksandri, duke parë masakrat e serbëve popullsisë arbnore të krishtere, njofton Papa Gjonin XXII dhe i kërkoi të ndërmerreshin masa për një kryqëzatë krishtere kundër serbëve. Papa u dërgon letër gjithë princërve arbnorë që të merreshin me organizimin e kryqëzatës, ku do të merrte pjesë edhe Hungaria, Bullgaria, Sllovenia, ashtu siç ka bërë edhe tani Papa me ne, ku pricërit arbnorë u përgatitën me forca e mjete të shumta, por historia ka treguar, se përherë mbetëm të vetëm përballë barbarëve serbë. Vetëm shembullin e Oroshit të përmendim, që mbreti Anzhu, në vend të mbështeste luftën tonë arbnore, lidhi marrëveshje dhe krushqi me të duke i dhënë pushtet pa kufi mbi ne. Ashtu si 4 kryqëzatat që u nisën për të mbrojtur krishterët arbnorë dhe përfunduan në marrëveshje me serbët, kurrë s’besoj në do të organizohen kryqëzata të tilla për të na mbrojtur ne, se fati ka dashur që ne të jemi në pragun mes Lindjes dhe Perëndimit, ku kanë interes të kalojnë të gjithë dhe të gjithë na shkelin e ne rënkojmë… lindja na do të shfarosur të shpëtojë nga taksat për të kaluar në Perëndim dhe Perëndimi na do të gjallë e me shpirt, pa forcë pushteti për të na pasur vetëm si forcë krahu për tu mbrojtur nga Lindja e nën maskën e mbrojtjes që na bëjnë zotërojnë trevat e bregdetit, ku marrëveshjet tregtare në vend t’i bëjmë ne me të huajt, i bëjnë ata dhe kështu ne varfërohemi dita – ditës. Ne kemi mbetur vetëm një mburojë e Perëndimit, që për fat të keq jemi të detyruar për këtë fat, se jemi midis dy zjarresh, ndado të kthehesh digjesh, por për kohën në të cilen jetojmë, flaka më e madhe na vjen nga turqit, ndaj jemi betuar që si në Luftën e Qerbelasë ku u ndesh mirësia me ligësinë, ku secili dilte e luftonte, vriste sa mundte dhe binte në fushëbeteje, këtë radhe Qerbelaja është Kosova… kemi barrë të rëndë, por s’na e heq njeri, po nuk luftuam vetë.
Duke i përmendur këto që thamë për të shkuarën e hidhur, ne kuptojmë më mirë luftën e Maricës, për të cilën kam ende shumë pikëpyetje… atëherë qenë rreshtuar në vijën e parë, drejtuar nga zoti i Kaninës dhe i Vlorës Aleksandër, ku unë e shumë nga ju, ishin në krah dhe luftuam me burrëri. Luftëtarët tanë treguan trimëri të pashoqe dhe ranë si dëshmorë të Jezu Krishtit, por edhe sot, pas 7 vjetësh, s’kam arritur të kuptoj, se cili e vrau Aleksandrin e Vlorës në këtë fushë betejë, se shigjeta e kishte marrë nga pas dhe e dyta, pse u dha lajmi i tërheqjes pasi u shkatërruan forcat tona dhe u shpall fitorja e turqve, kur ishin forcat serbe e bullgare ende pa hyrë në luftime???
– Me bëre të shpëtoj nga një brengë e asaj lufte, o prijës i Besimit tonë të ndritur! – U hodh e tha Gjon Muzhaqi, – ashtu siç thoni ju për Aleksandrin e Vlorës, ashtu edhe unë kam kaq vite që më dhemb diçka mbrenda vetes, se edhe Vukashinin, despotin serb, shigjeta që e vrau i erdhi nga pas shpine dhe përherë kam menduar se e vrau i biri, Krajlevice Marku, gjë që ia kam thënë, se pasi u shpartalluam, të nesërmen serbët dhe bullgarët u bashkuan forcave turke dhe bënë kërdinë, tashmë dolën në dritë të diellit planet e asaj lufte, të vrisnin kundërshtarët e vasalitetit me turqit, pra të mos ishin më vasalë dhe me marrdhënie paqësore mes të krishterëve hungarezë, sllovenë e boshnjakë, se pasi ra mbretëria e Oroshit, edhe ne me serbët kishim vërtet marrëdhënie paqësore dhe të krijoheshin lidhjet e reja në dobi të palëve. Barbarët për pushtet nuk kursejnë as fëmijët e tyre, apo dhe prindërit e tyre…
Kjo gjë doli hapur, pasi mbreti bullgar lidhi krushqi me Sulltanin, duke i dhënë vajzën për grua dhe kjo ka qënë e menduar që më parë, se që të nesërmen, mbreti bullgar lejoi trupat turke bashkë me ato bullgare e serbe, të komanduara nga Krajlevice Marku, të pushtojnë trojet arbnore të Shkupit, të Përlepit, të Manastirit, ku prej vitesh Krajlevice Marku mbretëron në aleancë me Turqit. Po kështu jam ndeshur në përpjekjet e tij për të marrë Kosturin, po s’mundi të thyente forcat tona, me këtë luftë kam dalë në përfundim, se ne arbnorët e kemi më të sigurtë fitoren vetëm, sesa me aleatë, lufta e Moricës e tregoi tradhëtinë e aleatëve, mbase gaboj që e shpreh, por Mbreti Mark, kurrë s’do i bashkohet luftës sonë të shenjtë, ai i shërben me përulësi osmanllinjve.
– Jo vetëm kaq, – u hodh e tha Gjon (Millosh) Blloshmi, – i zënë rob nga turqit në Maricë, pashë tmerre… turqit, para se t’i shkonin në hunj robërit, i përdhunonin në masë, u nxirrnin sytë me shigjeta… gjë që më tmerroi dhe kërkova takim me sulltanin për të pranuar kushtet e tij për vasalitet, për çudi mes robërve, s’kishte serbë, as bullgarë… Ata po sulmojnë atje ku dhemb më shumë, nderin, Besimin tonë, duke shfryrë veset e tyre, si barbarë dhe të pabesë! Kemi ardhur në këtë kuvend vetëm me arbër, të flasim si vëllezër jo vetëm të një Besimi, por edhe të një gjaku, se edhe ushtarët arbër në përbërje të ushtrisë së Llazarit në ndihmë të osmanllinjve, sipas vasalitetit që kanë, në ndihmë të turqve në Azinë e Vogël, po këtë fat kanë pasur nga vetë turqit, edhe luftonin edhe i përdhunonin pas lufte… Kjo s’durohet vëllezër, diçka po luhet kundra nesh poshtërsisht!
Ka kaluar një kohë e gjatë nga atëherë dhe kjo kohë ka zbardhur errësirën e asaj lufte, plani i së cilës ka qënë bërë para se të fillonte lufta, por asnjë s’e di se cili i bën këto planë e çfarë qëllimi kanë, ndaj duhet të bëjmë planet tona, jo vetëm për vetmbrojtje, por edhe të dimë se nga na vjen rreziku.
Përderisa princërit serbë e bullgarë pranuan vasalitet, një vasalitet të ndryshëm nga njëri – tjetri, se dimë që mbreti bullgar duke lidhur krushqi, s’paguan taksa, por ushtarët bullgarë janë gjendur përherë në krah të sulltanit, ndërsa princit Lazar, i cili është nga gjaku ynë, e detyruan të paguajë jo vetëm taksa, por edhe ushtarë shqiptarë në krah të sulltanit. E keqja ra mbi ne, princërit arbërorë, ne paguajmë shumëfish; edhe për serbët, edhe për turqit, edhe për Papatin, edhe për Bizantin… shto këtu dhe motin e thatë dhe shumë të nxehtë të këtyre 7 viteve të fundit, ndaj me të drejtë i kemi dëbuar të gjithë spahijtë turq nga trojet tona, por kjo ka bërë që, edhe me sundimtarin të mos i kemi punët mire, Lazari më thotë shpesh, “tradhëtar”, kjo ngaqë unë tradhëtova vasalitetin e Sulltanit dhe mbroj popullin, edhe Vuk Brankoviçi ka dalë hapur kundër meje, biles nxit gruan e tij të ndërhyjë përmes gruas sime, si motra që janë, kundër meje. Tani më shumë se kurrë kuptoj, se pse Shenjti ynë, Gjon Paqësori, nuk u pajtua me martesën e tij me Kosarën, por kushtet e detyruan ta bënte atë dasmë, për hir të popullit, ndaj edhe unë e pse i martuar me vajzën e Lazarit, kam ndjekur atë shembull… ajo i merr udhëzimet nga e ëma, Milica, bijë nga fisi i Stefan Nemanja.
– O trim, që mban në përkrenare një dragua, ka ardhur koha të shndërrohemi dragonj, vetëm forca e luftës mund të ndalë etjen e barbarit për barbarizma, Besa s’duhet dhënë të pabesëve, por njëri – tjetrit! – Tha me zë e të vendosur Gjon Kastrioti.
– Para disa ditësh, Gjon Purvi, ish sekretari i Gjon Uiklif, – ndërhyri sërish Gjon Muzhaqi, – dërgoi tek unë lajmëtar, ku më shkruante për nismën reformuese të kishës me 12 konkluzione që do të paraqiten së afërmi Romës. Të gjitha konkluzionet rreth kishës synonin në heqjen e së drejtës së pasurisë së klerit, të mos shkonin të ardhurat as Romës, as Konstadinopojës, të mos dilnin nga vendi, por të zhvillonin vendin dhe kisha të mbetej e vetë atij vendi, ku populli të lexonte biblën të përkthyer në gjuhën e tij, se në një kohë kur Roma e Konstadinopoja zhvillohen, vendet tona i mbulonn varfëria… Ne jemi pasuesit e Gjon Ueklifit, i cili u shpall heretik, se shërbeu në oborrin e mbretërisë së Gjonit të Gentit, vetëm se kërkonte që të ardhurat e klerit t’i kalonin shtetit e mos t’i shkonin Papës, ashtu si të parët tanë, ata janë frymëzimi ynë e ne jemi frymëzimi i tyre, kemi të njëjtat mendime dhe të njëjtat probleme, ata kanë prejardhjen nga raca jonë dhe emrat i kanë Gjon, si Gjoni ynë, ashut siç thirremi edhe ne si përfaqësuesit e “Urdhërit të Kalorësit Dragua” Ne jemi kisha e vërtetë, jemi pasuesit të shenjtit tonë Gjon Paqësorit dhe do luftojmë për këtë si bij të Jezu Krishtit! Ne s’kemi nevojë t’i përulemi Papës për të komunikuar me Perëndinë, ne jemi bijtë e Zotit dhe i drejtohemi atij si Atë!
– Jam në dijeni të këtyre që po thoni, Gjon Muzaka, – foli përsëri Gjon Kastrioti, – para se të thërras kuvendin, erdhi në takim vetë Gjon Purvi dhe biseduam gjatë e dolëm në përfundim, se kur njeriu e paraqet veten si qënëje përmbi Zotin, atëherë shkelet “Shkrimi i Shenjtë” dhe lulëzon gënjeshtra, mashtrimi dhe barbarizmi mizor, ne kemi një barrë aqsa të rëndë, po aq hyjnore, ne jemi mbrojtësit e “Shkrimit të Shenjtë”, dëshmitarët e së vërtetës e pse mundohen ta mbulojnë me errësirë, ne duhet ta mbajmë flakën ndezur, ne duhet t’i ruhemi Papatit, po aqsa i ruhemi Turkut. Ne jemi Besimi i pastër, predikuar dhe mbrojtur nga shenjti ynë Gjon Paqësori, Krishtit tonë dhe përulemi para tij e jemi gati të derdhim gjakun si Ai për të drejtën e njerzve, për ardhmërinë e popullit…
Venediku është po aq i rrezikshëm për Arbërinë, aqsa edhe Turqit, ai kërkon të rrëmbejë pasuritë tona nën preteksin e Besimit! Ne, jemi pasardhësit e Ilirëve, Ilirët s’kanë pasur nevojë për vasalitet, ata kanë qënë zotër të trojeve të tyre! Edhe ne, jemi pasardhësit e të Pirros së Epirit, të Aleksandrit të Madh, të Konstadinit të Madh, jemi Kalorës Dragonj të Gjon Paqësorit, ndaj të shndërrohemi në dragonj për mbrojtjen e trojeve tona, për kishën tonë, për Besimin tonë, ashtu siç na e solli të pastër apostulli Pal, ashtu siç e kanë shkruar në Shkrimet e Shenjta profetët e racës sonë hyjnore…
– Shpesh, mendoj, se si mbijetojmë ne, arbërit, kur vendet e tjera krishtere paguajnë, përmes kishash, mbledhin të ardhura e vetëm këto i dërgohen Papatit, të paktën s’paguajnë taksa si ne… e megjithatë janë ngritur me të drejtë kundër kësaj padrejtësie, që është kundër “Shkrimit të Shenjtë, kundër fjalës së Jezu Krishtit… – Tha Gjon Araniti. Ne jemi të zotë të kemi kishën tonë, Besimin tonë, por e keqja më e madhe është të qënit autoktonë dhe pozicioni si udhëkalim midis Lindjes dhe Perëndimit, kështu të gjithë duan të na pushtojnë, kështu bënë edhe bullgarët, për të na mposhtur, nuk mjaftuan luftrat, ndaj ata u kthyen në Besimin tonë në qytetin Bylis edhe serbët këtë bënë, por edhe Besimin e shndërruan në shërbim të Fesë tyre për të fituar…
Gabimi ynë ishte fatal, që e pse ne jemi princër të trojeve, kishën e mbrojmë ne dhe të ardhurat shkojnë në duar të huajve e i huaji s’mund të bëhet si ne, vetëm duke marrë Besimin tonë si maskë për të qënë vëlla në një sofër, si të ishe i ftuari ynë, nuk mund ta mohoj, se edhe Venetiku ka dalë shpesh herë në krah, por përmes Franceskanëve dhe Dominiave ka arritur të bëjë pa u ndjerë të njëjtën gjë si barbarët, ashtu si njeriu e shpëton zogun nga skifteri për ta ngrënë vetë.
– Kjo është e vërtetë dragonian, Gjon Araniti, por ne s’mund të luftojmë njëherësh në shumë krahë, tani duhet të përballemi me Sulltan Muratin I, njëri nga ne, duhet të sakrifikohet, ai duhet vrarë, jo vetëm për taksat, por për poshtërimin që u ka bërë e bën arbnorëve duke na quajtur të pa Fe, kur Besimin tonë e kanë edhe ata që lidhën vasalitet me të, por i kanë hequr fillin e shenjtë dhe hyjnor, duke e bërë pjesë e barbarizmave të tyre…
Nga ky kuvend, duhet të dalim me një mendim të përbashkët, ç’duhet bërë për të shpëtuar Krishtërimin e pastër, i cili i ka rrënjët në këto troje, ndaj mendoj se ende kemi shpresa për të bashkëpunuar me vëllezërit hungarezë, polakë, rumunë, vllehë, boshnjakë, por ajo që dua të them, dhe që ka më shumë rëndësi, duhet të përpiqemi me çdo kusht të rifitojmë bashkëpunimin me vëllezrit tanë serbë e bullgarë, të cilët erdhën nga stepat si barbarë dhe morën e përkrahën Besimin tonë. Ata janë vëllezër jovetëm të një gjaku, por fati deshi të hanë në softën tonë e pse tashmë ata e kanë shndërruar me një Fe që u përshtatet barbarëve, nuk kemi zgjidhje tjetër, të përpiqemi edhe një herë të bashkohemi si të Krishterë të Jezu Krishtit, ashtu siç e bekoi këtë vend vetë apostulli Pal…
– Unë, – foli më në fund Gjon Gropa, – kam qënë përherë mbrojtësi i patriarkanës së Ohrit, në të cilën përveç patriarkëve të huaj ka edhe arbnorë, gjë që tregon bashkëpunimin vëllazëror mes popujve… por një gjë duhet të pranoj sot, këtu para jush, se me tërheqjen e bullgarëve, të cilët janë themeluesit e kësaj patriarkane, serbët përherë e më shumë shmangin patriakë shqiptarë, ndaj ne kemi kthyer sytë nga Perëndimi, Besimi ynë u tradhëtua nga serbët, Patriarkana e Rashës, ka bërë së fundmi shkëputjen nga ne dhe fshehtas u lidh direkt me Konstadinopojën.
Sa për forcën e bashkimit tone, si Arbër, këtë nuk e vë në dyshim, vetëm forcat e mia me Muzakaj, nga ku unë kam marrë gruan, thyem Krajlevic Markun dhe nuk e lamë të binte në dorë të serbve Kotorri dhe Ohri.
– Pas luftrave të gjata kundër Mbretit Stefan Dushanit, – u ngrit e foli Gjon Balsha, – i cili jovetëm që pushtoi viset tona, por edhe vrau e përndoqi popullsinë dhe klerikët arbnorë duke i zëvendësuar me serbë dhe kishat tona ranë plotësisht në duar të barbarëve, përmes kodit të Stefanit u parashikuan urdhëresa të egra dhe persekutim, që i bënin arbnorët të zgjidhnin mes vdekjes dhe Fesë e ajo më e tmerrshmja ishte se fisnikët që s’pranonin këto ndryshime, u merrej pasuria dhe u jepej serbëve të ardhur nga Rasha, kush i kundërshtonte të përqafonte ortodoksinë serbe, damkosej si heretik dhe vritej pa mëshirë, kjo bëri që shumë arbër, krahas emrave të Besimit tonë, të përdorin edhe emra serbë, emra që edhe disa prej nesh i kanë.
Ne kemi filluar të marrim frymë me rënien e shtetit të Car Dushanit dhe të djalit të tij, të paktën dhespoti Lazar nuk po e vazhdon atë tmerr poshtërues ndër arbër, ai ka në damarët e tij gjak ilir, por në zonat e Zetës ende vazhdon për të zhdukur popullsinë arbore në këto treva. Me car Lazarin bëmë krushqi, ai për të treguar miqësinë ndaj nesh na bëri dhëndurrë, edhe mua, edhe Milloshin, edhe Vukun Brankoviçin, për të thënë që jemi të barabartë, por siç po shkojmë gjërat, këtu është një dorë që po turbullon rrjedhën e kohës, ne bashkëpunuam për të vrarë dhe përzënë spahinjtë turq nga trojet tona, sepse nuk përballohet shfrytëzimi i egër duke paguar, siç thatë edhe ju princër arbnorë, taksa të shumta. Ne do ta mbështesim Car Lazarin e pas fitores do të sulmojmë për të rrëzuar Karl Millutinin dhe të prishim aleancën Turko – Serbe e ta shpallim mbret.
Ashtu siç lindëm dhe u rritëm fiset Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzhaqët, Zenebishët, Shpatajt, edhe ne, Balshët… por kjo s’mjafton, se gjithë pasuritë tona po shkojnë në duar të pushtuesve të vjetër dhe të rinj… s’di të them më shumë se sa ju, princër të ndritur të Arbërisë sonë të copëtuar, por bashkohem me mendimin tuaj për Bashkim e Besëlidhje! Jam i mendimit për bashkëpunim me vëllezërit tanë të krishterë, mbase dhe me serbët dhe bullgarët, por këtu shikoj pamundësi, ata më mirë janë nën vasalitet, sesa kundër sulltanit, të humbur jemi ne! Gjithsesi ne do u bëjmë thirrje të gjithëve, zotërimi i trojeve, çon në zotërimin e kishave dhe manastireve tona të shndërruar në serbe. Tani duhet të mbrojmë këto që kemi, më pas të ndreqim gabimet e së shkuarës!
– Më lejoni vëllezër të them edhe unë mendimet e mia, si besnik dhe adhurues i Gjon Paqësorit, ku eshtrat e tij të shenjta kanë shenjtëruar kishën dhe manastirin tim që ngritëm në Elbasan, – tha Gjon Thopia, – ku vijnë arbnorët, luten e puthin arkën e eshtrave të tij, në radhë të parë ndjehem mirë që paskam dejeve gjak të përbashkët me udhërrëfyesin tonë, Gjon Kastriotin, ashtu si edhe më shumicën tuaj, por ajo që na lidh më fort, është Besimi ynë, toka jonë, pa tokë e qiell mbi ne, s’ka as Besim, nëse nuk mbrojmë tokën e të parëve, tokën e dhuruar nga Zoti, ne lëndojmë adhuruesin tonë, ndaj para se të vij këtu, u luta dhe i putha eshtrat e shenjtit Gjon Paqësori, putha dhe të atit tim e tash jam vërtet i mallëngjye e njëkohësisht marr forcë dragoi për të luftuar me Besë për Besimin tonë, i cili është palca e tokës e tokës dhuruar nga Perëndia. Të mbrojnë Besimin, do të thotë të mbrojmë tokën dhe ujin e kësaj toke në dritën e diellit, caktuar nga Perëndia për arbnorët… ne s’kemi në gjak barbarinë, por urtësinë dhe paqen, ashtu si shenjti ynë Gjon Paqësori, i cili e mëshiroi armikun, kur shpata e tij s’arriti t’i presë kokën, i dha shpatën e tij dhe u vra. Ai u vetflijua për të lënë pas një mësim të madh: Ne arbërve s’na pret shpata e huaj, ne pritemi me shpatën tonë! Ndaj kujdesin duhet ta kemi më shumë me njëri – tjetrin, por edhe me miqtë tanë, s’ka armik në botë t’i bëjë ballë arbnorit që fuqinë e merr nga toka, ku ka lindur, toka ka fuqi hyjnore, ndaj armiku mundohet të vrasë me shpatën tonë, apo me atë që besojmë…
E pse principata jonë është vasale me Napolin dhe atin, Karl Thopinë, e kishte shpallur qytetar të saj, por kurrë sesi ata të bëhen zotër në trojet tona, ndaj marrja sërisht e Durrësit i ka ftohur marrëdhëniet e jovetëm kaq, në fshehtësi ata kanë djegur anijet tona përgjatë bregdetit… edhe Papati e kishte shpallur atin tim, si anëtar i lëvizjes antipapale, se ka pasur përherë e më shumë lidhje me Husistët… Ai e ndjeu rrezikun e Venedikut, ndaj dhe eshtrat e shenjtit tonë, Gjon Paqësorit i dërgoi në Elbasan… Për ta marrë pa gjakderdhje, ati im e bleu Durrësin Napolit e pse im atë ka në deje edhe gjak Anzhu, por s’kaloi shumë dhe Balshajt e ndihmuar nga Lazari pushtuan Durrësin pas një viti…
Po të vëmë re, kur njëri nga princërit arbërorë sulmohet nga Napoli, apo Venediku, një ose disa princër tjerë, fshehtazi, apo me marrëveshje, mbështeten dhe i nxistin për t’i vënë kundër… sot duhet të mendohemi mirë, të betohemi para kryqit të Gjon Paqësorit, – tha duke e ngritur lart kryqin të drunjtë, që sipas gojëdhënave e kishte sjellë një pëllumb i bardhë nga qielli dhe e puthi, duke thirrur me forcë “Besa – Besë” dhe i dha Kalorësit që kishte në anë dhe kështu me radhë.
Të gjithë u ngritën në këmbë e puthën kryqin duke thirrur të dymbëdhjetë njëherësh: “Besa – Besë!”
Më në fund përcaktuan detyrat, ku ndër kryesoret ishin vrasja e Sulltanit dhe njëri prej tyre duhet të shpëtonte për të vazhduar misionin hyjnor dhe secili u zotua për të sjellë forca të shumta për të korrur fitore. U caktuan edhe kontaktet që do të kishin me serbët, se vendet tjera ishin informuar se ishin njoftuar nga vetë Papati i Romës.