Akademik Gjovalin Shkurtaj: Mbrojtja dhe vlerësimi i shqipes si tipar themelor i kombit tonë

Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë , ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.

Të flasësh e të shkruash në gjuhën amtare, në gjuhën e nënës (apo sikundër thuhet zakonisht “në gjuhën e të parëve”), për shumicën e popujve të botës ka qenë një nga gjërat më të natyrshme dhe të patjetërsueshme, si procesi i frymëmarrjes dhe të ushqyerit apo i rritjes dhe i jetesës së njeriut. Por, për fat të keq, nuk ka qenë kështu për shqiptarët, për njërin nga popujt më të hershëm të Evropës, autokton në trojet e veta në brigjet e Adriatikut e të Jonit, në këtë vend të bukur, me pasuri e bukuri të mahnitshme natyrore, i lakmuar dhe i pushtuar me shekuj prej të huajve, të cilët, ndër të tjera, për ta mbajtur nën sundim, popullin shqiptar nuk e lejonin as të hapte shkolla shqipe. Kjo, sidomos, në kohën e pushtimit pesëshëkullor nga Perandoria Osmane, prandaj, historikisht, përpjekjet dhe lufta e popullit tonë për çlirim kombëtar, kanë pasur si kërkesë të parë e themelore ruajtjen e gjuhës shqipe, të drejtën për të pasur shkolla në gjuhën amtare, të drejtën për t’iu lutur Zotit në gjuhën shqipe. Gjuhës amtare, shqipes e shkronjave shqipe u janë kënduar këngë popullore ku, ndër të tjera, thuhet: “E ka marrë lahutën në dorë,/mirë po i bjen, ma mirë po i këndon,/krejt po e këndon kangën në gjuhë të të parëve”(Eposi i Kreshnikëve); “Se për atdhe e për gjuhë amtare, o ngrihen prapë o heronjtë ndër varre.” (krahina e Mirditës), kurse yjësia e poetëve dhe e shkrimtarëve arbëreshë e shqiptarë vargjet më të përmallshme e më të pavdira ia kanë thurur shqipes. Poeti Nikollë Keta, nga diaspora arbëreshe e Sicilisë, qysh në agimet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në shekullin XVIII, shkruante: “Na i lutem t’ën Zoti, po me gjuhën që na dha, /si i lutej Kastrioti e gjiria ka rrjedhim na.”
Në atë hulli, do të ngrihej i fuqishëm zëri i mbarë rilindasve arbëreshë e shqiptarë, duke pasur si kërkesë kryesore: ”Të nxëmë gjuhën tënë,/ kombin ta ndritojmë, gjithë ç’është e ç’ka qenë, ngadalëz ta mësojmë”. Po përmendim, ndër të tjera, se, në fillim të shekullit të njëzetë, ndërsa malësorët e Mbishkodrës me Ded Gjo Lulin në krye, në kryengritjen e vitit 1911 kishin rrokur armët e luftonin për pavarësinë e Shqipërisë, duke ngritur flamurin në Majën e Bratilës, që konsiderohet me të drejtë si “paradhoma” e Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntor të 1912-ës, nga Manastiri ku, bashkë me Atë Gjergj Fishtën e delegatët e tjerë të Kongresit të Alfabetit, po ia dilnin mbanë që, më në fund, të merrej edhe vendimi për njësimin e alfabetit të shqipes, Ndre Mjeda shkroi poezinë e tij të famshme “Bashkonju” dhe lëshonte kushtrimin kundër atyre qarqeve antishqiptare që nxitinin përçarjen e shqiptarëve sipas krahinave e mbillnin ndasi e tëhuajësim midis gegëve e toskëve: “ Geg’ e Toskë, Malësi Jallija,/Janë nji komb m’u da s’duron:/Fund e maje nji â Shqypnija,/ E nji giuhë t’gjith na bashkon.” Dhe, Apa i letrave shqipe, Atë Gjergj Fishta, do ta shtrinte mallkimin e tij edhe ndaj atyre që përdorin fjalë të huaja në vend të fjalëve shqipe: “Po edhe atij ju thaftë po goja,/që në gjuhë të huej, kur s’asht nevoja/ flet e të vetën len mbas dore!”
Dita e 21 shkurtit, natyrisht, është rasti që, jo vetëm t’i përmendim porositë e vyera të poetëve dhe atdhetarëve shqiptarë për gjuhën amtare shqipe, po edhe të na shërbejnë për të bërë një “mea culpa” të thellë për dëmin që i është sjellë e po i sillet gjuhës shqipe në ditët tona nga mungesa e kujdesit për shqipen e shkruar e të folur në mjedise e për qëllime zyrtare, shtetërore a private, por me karakter publik. Kurrë më me forcë se sot nuk ka qenë e domosdoshme të zbatohet kërkesa e Naim Frashërit që, pa u lodhur së lëvduari shqipen (“Pa shihni sa e mire, sa e ëmëbl,sa e dlirë) përgjërohej e na linte si porosi të pavdirë “…Shqip të flisni përherë, fjesht e të papërzjerë”.
Dhe, natyrisht, vijmë te situata e sotme e shqipes. Për këtë, jemi të detyruar që, për të mos gabuar e për të mos rënë në vlerësime mohuese, duhet që t’i shohim dy anët e “medaljes”.Me fjalë të tjera, ta shohim situatën në planin absolut dhe në planin relativ. Në planin absolut, duhet të themi se gjuha shqipe sot është gjuhë shteti në Shqipëri dhe në Kosovë, është gjuhë e njohur me ligj edhe nga Kuvendi i Maqedonisë dhe, në masë të kënaqshme, po përfillet edhe në Mal të Zi e në diasporat arbëreshe e shqiptare të reja. Deri në Suedi, madje edhe në Amerikë e në Australi, ka sot ngulime shqiptare, ku krahas gjuhëve të vendit, shqiptarët përpiqen e punojnë ta mbajnë gjallë edhe shqipen. Sot, gjithandej në Evropë e në vende të tjera të Botës janë shtuar edhe të huajt që flasin e shkruajnë shqip, ka kërkesa për libra mësimorë e abetare të shqipes dhe, mbi të gjitha, dashuria e shqiptarëve tekdo që gjenden për gjuhën e kulturën shqiptare është tregues i mallit dhe i dashurisë së tyre për Shqipërinë.Mund të përmendim, sidomos, punën shumë të mirë që bën në Zvicër LAPSH “Naim Frashëri” me botimet dhe organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Kohët e fundit, madje, edhe në Republikën Italiane është diskutuar e projektuar një ligj që jep hapësira të reja edhe për mësimin e gjuhës shqipe nga mërgata e re e shqiptarëve në Itali.
Por, ndërkaq, në planin relativ apo duke e parë gjendjen e shqipes në lidhje me mundësitë dhe detyrat e kohës sonë e të mjeteve të sotme shumëherë më të shtuara se dikur, nuk duhet të lëmë pa shprehur edhe shqetësimin se, në këta tridhjetë vitet e fundit, mbas shndërrimeve politike e ndërrimit të sistemeve, gjuha shqipe nuk e ka më atë vlerësim e rëndësi që kishte dhe që duhet ta ketë. Me keqardhje shohim se është zbehur ose edhe mungon kujdesi apo disiplina gjuhësore e shtetit dhe e institucioneve arsimore e kulturore. Në të gjithë botën gjuha mbahet gjallë dhe përpunohet nëpërmjet shkollës dhe institucioneve kulturore, ku tradicionalisht kanë luajtur rol të madh letërsia artistike dhe teatri e,mbi të gjitha, gjuha e zyrave të shtetit dhe institucioneve zyrtare. Edhe tek ne për shumë vjet radhazi në këtë drejtim është punuar dhe ka pasur suksese të ditura.Në kohët e reja, sidomos në fund të shekullit që u mbyll e në ditët tona, rolin e dorës së parë përsa i takon modelit gjuhësor e kanë marrë mediat e shkruara (gazetat, revistat, interneti) dhe të folura (televizioni, radio dhe cd-të). Për gjuhën e shkrimit, pas viteve të shkollës, njerëzit kanë si model kryesor atë që gjejnë në gazetat dhe revistat që lexojnë përditë, ndërsa për gjuhën e folur, natyrisht, ndikojnë fuqishëm gjuha e radios dhe e televizionit. Me fjalë të tjera, mediat, qofshin të shkruara, qofshin të folura, ditë për ditë, me atë që shkruajnë e thonë,o ndreqin o prishin diçka në gjuhë. Kam thënë gjithnjë dhe po e përsëris: shoqëria shqiptare dhe kombi shqiptar u detyrohen mjaft shtypit dhe radio-televizionit për sukseset që kemi arritur në gjuhën letrare të njësuar. RTSH-ja dhe radiot e televizionet private kanë pasur e kanë mjaft folës e redaktorë të mirë, që e kanë shqiptuar e intonuar bukur shqipen dhe kanë dhënë modelin e të folurit të mirë për masën e gjerë të dëgjuesve e shikuesve. Dikur bëhej shumë kujdes nga autorët dhe redaktorët, po kishte edhe një korrektor gjuhësor për çdo gazetë. Edhe fjalimet apo artikujt e raportet më të rëndësishme të personaliteteve politike të asaj kohe, cilido që të ishte autori, po të kishin gabime drejtshkrimore, nuk lejoheshin të dilnin ashtu, por korrektoheshin e ndreqeshin. Periudha ka qenë ajo që e dimë, por përvoja e saj për sa i takon gjuhës ka qenë e mirë dhe nuk ka pse të mos zbatohet.
Ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës shqipe letrare nuk është censurë, por detyrim zyrtar për secilin institucion që shkruan e boton. Kjo duhet bërë sidomos në titujt e gazetave e revistave, në përkthimet me shkrim të filmave, në reklamat e faqet popullarizuese etj.Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Në Francë revista “Defence organizèe de la langue française” (Mbrojtja e organizuar e gjuhës frënge) vazhdimisht boton artikuj e studime “contre le franglais”(= kundër fjalëve të huaja nga anglishtja).Edhe në Itali, cdo të shtunë e të diel, në RAI-1 mbahet rubrika “Prontosocorso linguistico” (Ndihma e shpejtë gjuhësore) si dhe punohet me kujdes për cilësinë e të gjitha llojeve të botimeve zyrtare.
Tek ne, për dëm e turp të madh, shqipja po dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Po ashtu rendja pas së huajës ka prurë (dhe vazhdon të sjellë) në gjuhën e shkruar e të folur edhe shumë fjalë e shprehje të huaja nga ato që janë krejtësisht të panevojshme.Nuk flasim për huazime, sepse huazime shqipja ka pasur e do të ketë edhe në të ardhshmen, por për barbarizma, shkurtesa e sajesa të huaja, të shëmtuara e të papranueshme.Disa politikanë, si dhe jo pak gazetarë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, kujtojnë se pa fjalë të huaja (të pakuptueshme e të panevojshme) nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Shihni se si është mbushur ligjërimi reklamave dhe i rubrikave të radiotelevizioneve shqiptare me tituj të huaj, kryesisht nga anglishtja, si “Love story”, “Big-Brother”, “Dancig with me”, “Got talent”, “Why not”, “Fan -Club” etj. Kjo është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse që mund të marrë përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse. Ja edhe disa nga “prurjet” më të frekëta.
Kemi shkruar e folur shpesh për këtë gjendje të pamirë të shkrimit e përdorimit të shqipes në zyrat e shtetit, në botimet dhe në institucionet arsimore e kulturore dhe, sidomos në reklamat e televizioneve e në ligjërimin e politikanëve. Ka ardhur koha që të marrin fund shkeljet kaq të rënda e të padurueshme të normave të gjuhës letrare zyrtare. Shteti dhe të gjitha institucionet zyrtare duhet të veprojnë ashtu siç veprohet në çdo vend të qytetëruar, duke mos lejuar botime e shkresa që nuk i zbatojnë rregullat e gjuhës letrare kombëtare. Fjalët e huaja dhe mënyrat e të thënit në kundërshtim me rregullat e natyrën e shqipes vijnë e bëhen si orteku që zbret nga malet nuk mund të ndalet më. Fill mbas pushtetarëve për “zellin” e rendjes pas fjalëve të huaja të panevojshme e të pakuptueshnme vijnë gazetarët, folësit e radios e të televizionit, sidomos ideuesit dhe realizuesit e reklamave, përkthyesit dhe botuesit etj. Të kënaqur me lirinë që kanë për të shkruar çfarë të dëshirojnë (dhe kjo është gjë e mirë), shtrihen edhe aty ku nuk u takon, d.m.th. edhe të shkruajnë e të flasin si t’u vijë, mbarë e mbrapsht, pa pyetur as për rregullat e drejtshkrimit, as për natyrën e shqipes, as për ndonjë farë kujdesi për t’i ndërtuar drejt fjalitë, pa folur këtu për hapjen e portave katërcipërisht ndaj fjalëve bombastike e të huaja, frazave të gjata kilometrike, që shpesh janë si ato të Don Kishotit “arsyeja e mosarsyes, ma dobësoi aq fort arsyen”. Kjo na kujton sa thoshte Faik Konica për analfabetët me diplomë: “Po sot shoh një turmë të errët prej analfabetësh me diplomë në xhep, që po i vërsulen shqipes dhe duan t’ i vënë thikën në kurriz, që ta gdhendin pas formës që u pëlqen atyre; se të gjorët kujtojnë që gjuha është një copë dru pa shpirt. Nuk dinë që është jo vetëm e gjallë, po dhe shumë e hollë, aq sa, po i shtrembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë i tronditet, vuan dhe humb forcën bashkë me bukurinë”.
E përmenda këtë vlerësim të Konicës së madh, sepse dua të ndalem më shumë në ndikimin dhe peshën e gazetarëve e përgjithësisht të mediave të sotme në përdorimin e gjuhës. Disa vjet më parë, kur jepja lëndën “Kultura e gjuhës” në degën e gazetarisë të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, shtroja pyetjen: “Çfarë duhet të ketë një gazetar në tryezën (apo zyrën) e punës?” Përgjigjja ime ishte (dhe është): Gazetari duhet të ketë në tryezën e punës, së paku, këta libra: Fjalorin e gjuhës shqipe, Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe, Fjalor anglisht-shqip (mundësisht më të mirin), si dhe fjalorë të tjerë të gjuhëve që ai mund t’i dijë dhe t’i shfrytëzojë për të qenë kurdoherë i saktë e i përditësuar me kuprimet apo termonologjinë përkatëse. Mirë është që, në raftin e tij të ketë edhe librin “Gramatika e shqipes së sotme” dhe libra të tjerë që këshillojnë zbatimin e normës letrare dhe, patjetër ta ketë të shkarkuar në kompjuterin e vet programin e korrigjuesit automatik të shqipes, që është në përdorim e që jep dorë për të shmangur gabimet drejtshkrimore, ashtu si programi i “replaise” për gjuhët e tjera.Gazetari i mirë mund të ketë edhe numrat e telefonit të ndonjë prej gjuhëtarëve ose arsimtarëve të gjuhës shqipe dhe, për raste të veçanta e të diskutueshme, t’i pyesë. Populli ynë e thotë bukur: ”Pyet e mos tret!”. Ka gazetarë që edhe pyesin. Disa drejtues institucionesh me rëndësi e kanë pasur në traditën e tyre të synojnë përdorim të drejtë e të mirë të shqipes. Mund të përmendja, ndër të tjera, rastin e një kursi të rregullt për problemet e drejtshkrimit e të kulturës së gjuhës, organizuar me punonjësit e Bibliotekës Kombëtare, kur ishte drejtor prof.Aurel Plasari, apo biseda me punonjësit e ATSH-së, kur ishte drejtor zoti Frrok Çupi. Më shumë këto kohët e fundit më kanë shkruar e më shkruajnë ndjekësit e faqes sime e të radios on-line “Urgjenca gjuhësore”.Më pyet shpesh edhe prof.dr.dr.Basil Schader, njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, hartues tekstesh e librash mësimorë për shqipen në diasporën shqiptare në Zvicër dhe përkthyes i disa veprave me rëndësi të autorëve shqiptarë për lexuesit gjermanishtfolës. Më pyet nga Rumania, Kristian Beselaga, cili ka qenë student e pasuniversitar në Universitetin e Tiranës dhe tashti po harton një libër për mësimin e shqipes nga rumunët.
Nga shtetarët shqiptarë, për kujdesin që tregon për rregullat e shqipes së njësuar, dallohet ish-Presidenti A.Moisiu. Në disa intervista dhe në kujtimet e tij ka gjetur rastin të japë edhe mbështetjen e tij për domosdoshmërinë e zbatimit të rregullave të shqipes së njësuar. Në librin “Kujtime”, vëll. 2, f. 77 zoti A.Moisiu shkruan: “Patjetër që gjuha duhet ruajtur, sepse sot, te ne, ka një trend të çuditshëm, sidomos nga politikanët që përdorin vend e pa vend e me shumicë fjalë të të huaja, të cilat i kanë sinonimet e tyre në gjuhën tonë dhe këtë gjë e bëjnë më tepër për të treguar diturinë e tyre.Jo vetëm kaq, por kohët e fundit po vihen re disa tendenca për të ndërhyrë në mënyrë brutale në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”. Kjo bëhet, gjoja për të shmanguar vendimet e marra në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, duke i quajtur ato vendime si komuniste.Në përfundime të tilla arrihet vetëm nga presioni që mund të bëjnë politikanë jonormalë në gjykimin se”gjithçka që vjen nga e kaluara duhet ndryshuar”. Zoti e ruajt këtë vend nga budallallëqe të tilla, të cilave u duhet kundërvënë fuqishëm. (Alfred S.Moisiu, Kujtime, 2, Botimet Tonea, f.77).
Të gjithë ata që kanë funksione të rëndësishme zyrtare, si dhe mbarë punonjësit e administrates shtetërore duhet të jenë mbrojtës dhe zbatues të palëkundshëm të gjuhës letrare, sepse zbatimi i rregullave të drejtshkrimit dhe i normave të shqipes së shkruar të përbashkët i jep autoritetin e nevojshmë fjalës së shkruar. Dokumentet e shkresat që dalin nga zyrat e shtetit e të instutcioneve zyrtare shtetërore dhe private duhet të jenë në përputhje të plotë me rregullat e drejtshkrimit dhe me normat e tjera të gjuhës letrare. Natyrisht, për ta realizuar këtë detyrë duhen edhe nisma e urdhëresa të posaçme, si p.sh. vendosja e korrektorit gjuhësor në të gjitha zyrat e shtetit dhe kërkesa që normat e shqipes letrare të njihen e të zotërohen nga të gjithë punonjësit e administratës shtetërore. Lidhur më këtë, duhet sjellë në kujtesë se një kërkesë të tillë e ka shtuar për herë të parë Ismail Qemali, disa muaj mbas shpalljes së Pavarësisë e krijimit të shtetit shqiptar.
Në fakt, që nga viti 1967 kur qe botuar projekti i “Rregullave të drejtshkrimit” dhe sidomos mbas Konsultës së Prishtinës (1968) e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) është bërë një punë shumë e madhe dhe e frytshme për zbatimin në ballë të gjerë të rregullave të drejtshkrimit dhe të kulturës së gjuhës. Në Institutin e Gjuhësisë e të Letërisë, kur ishte në përbërje të Akademisë së Shkencave, ishte një sektor i kulturës së gjuhës, i cili mbante edhe “shërbimin e këshillimeve gjuhësore” me nr.telefoni 25-09. Po ashtu, në RTSH, ka pasur edhe emisione të vazhdueshme për kulturën e gjuhës shqipe, në komisionet e konkurseve kishte edhe gjuhëtarë apo arsimtarë të gjuhës shqipe, që kishin detyrë të vlerësonin edhe cilësinë e gjuhës shqipe.Madje, edhe në juritë e festivaleve kombëtare e vendore të këngës në radio-televizion ka pasur kërkesa për kulturën e gjuhës shqipe. Dhe tekstet e kengëve shkruheshin nga poetë të shquar dhe dalloheshin për hijeshinë ligjërimore,për ritmin dhe fjalët e përzgjedhura në përputhje me tematikën e tyre. Në atë frymë pozitive e mbështetëse për gjuhën shqipe, krahas botimit të gramatikës shkencore akademike dhe të Fjalorit të gjuhës shqipe (1954,1980) dhe i fjalorëve terminologjikë sipas fushave përkatëse, janë botuar edhe një varg librash me rregulla të thjeshta për zbatimin e normës letrare, si “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” (nga një grup autorësh: E.Lafe, N.Cikuli, L.Naçe). Në të gjitha gazetat e revistat e kohës kishte korrektorë gjuhësorë dhe çdo artikull apo lajm, sado i thjeshtë të ishte, mbasi të shkruhej nga autori e të miratohej për botim nga redaktori përkatës, duhet të kalonte te korrektori gjuhësor. Dhe, për të treguar sa i rëndësishëm ishte ai funksion, mund të përmendim edhe faktin se në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, njëri nga të 87 delegatët ka qenë dhe Niko Tanini, korrektori i gazetës “Zëri i Popullit”. Me kujdes të veçantë bëhej edhe redaktimi e përkujdesja gjuhësore e veprave të skenës dhe të ekranit. Në Institutin e Lartë të Arteve,në degën e dramës dhe të regjisë ishte në program lënda “Kulturë gjuhe”dhe për t’u shërbyer sa më mirë formimit gjuhësor të aktorëve dhe regjisorëve që studionin aty, krahas leksioneve nga pedagogë specialistë të gjuhësisë, me kohë, do të botoheshin edhe tekstet përkatëse,si “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (Gj.Shkurtaj, botimi i parë në formë dispense më 1973, botimi i dytë më i plotë më 1983, si dhe “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”(2003) dhe “Kultura e gjuhës” (2006). Probleme të kulturës së gjuhës së gazetave, botimeve dhe shfaqjeve të skenës e të ekranit diskutoheshin me përparësi edhe në revistat shkencore të IGJL-së ,sidomos te “Gjuha jonë” dhe në faqet e revistës “Skena dhe ekrani”. Pra, ishte zotëruese një “klimë” mbrojtëse e ruajtëse e shqipes në të gjitha botimet zyrtare, po edhe në gazetarinë e shkruar e të folur të kohës. Prandaj, mendojmë se atë periudhë duhet jo vetëm ta përmendim e ta kujtojmë si një rrymë të fuqishme kulturore e mendësiore me rëndësi kombëtare shqiptare, po edhe t’i kthehemi, sa nuk është vonë, duke mos e lejuar gjendjen e pamirë dhe praktikën e padrejtë dhe qartazi antikombëtare të rendjes pas fjalëve të huaja të panevojshme, shpesh edhe të pakuptueshme për shumicën e shqiptarëve.
Po shohim të shkruar në faqet zyrtare apo në postime on-line, si dhe në ligjërimet e fjalimet zyrtare, foljet dakordësoj, dakordësohem dhe emrat e formuar préj tyre si dakordësim, dakordësi, të cilave u janë qasur me dashuri të donkishoteske gati të gjithë shtetarët shqiptarë, si dhe përsëriten nga mediat e shkruara e të folura.E pse na u dashka që, pa asnjë arsye (as kuptimore, as stilistike) të lëmë pa përdorur flalët shqipe merrem vesh, marrëveshje apo mosmarrëveshje. Për çfarë na duhet folja dakordësohem, kur dihet se shqiptarët që nga Vermoshi deri në Konispol thonë merrem vesh (apo nuk merrem vesh), si dhe emrat marrëveshje e mosmarëveshje. Madje, shkrimtari ynë i shquar, Ismail Kadareja, i cili ka shkruar edhe një libër të tërë me titullin “Mosmarëveshja”, as që e ka ndier nevojën t’i përdorë, qoftë edhe një herë të vetme, “mosdakordësinë” apo “dakordësinë”.
Të njëjtin zell të mbrapshtë për krijim fjalësh të hibridizuara e të panevojshme shohim te fjalë, si: limtoj, limitim, i limituar; implementoj, implementim etj., që kanë marrë përhapje të pandalshme në krejt sa shkruajnë e flasin politikanët, shtetarët e gazetarët e sotëm. Madje, siç ka vënë në dukje edhe shkrimtari Ismail Kadare, disa politikanë dhe shtetarë, jo vetëm nuk ndreqen, nuk duan t’ ia dinë aspak për dëmin që po i sjellin shqipes, po edhe vazhdojnë të “kërkojnë” për të prurë sa më shumë fjalë të huaja, të reja. Kështu, nuk po na ndahen fjalët e tilla si: bilaterale, multilaterale, konstitucionale, draft, staf shtab; inicioj në vend të filloj, zë fill, nis; lidership kryesia a udhëheqësia; spacio në vend të hapësirë, lokacion për vend; kredibilitet në vend të besueshmëri, atakoj në vend të sulmoj, adresoj në vend të drejtoj, dërgoj; imprenditor në vend të sipërmarrës; koordinoj e koordinim në vend të bashkërendoj e bashkërendim; violencë në vend të dhunë, violent-e në vend të i dhunshëm, e dhunshme; starton në vend të fillon, nis, zë fill; interferoj në vend të ndërhyj,ndërndikoj; ekuivalent-e në vend të i barazvlershëm; stagnacion në vend të amulli, pezullim; agravoj në vend të keqësoj, rëndoj, përkeqësoj; axhendë në vend të rend dite, ditar veprimesh, ditar pune; impas në vend të rrugë e verbër, udhë pa krye, gjendje pa rrugëdalje e të tjera.Dhe, kohët e fundit, për turp e dëm të pafalshëm, në vend të rruga është e pakalueshme (nga bora) po thuhet “eshtë e paaksesueshme”?! Po ashtu, vijon edhe “fushata” e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia- presidencë, pushtuesi-okupator, shtypja-represion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë, ndalimi-arrestim etj.
Gjatë dy viteve të pandemisë, sikur të mos maftonin frika dhe shqetësimi e dhimbja për sasinë e madhe të njerëzve që ndahen nga jeta prej covid-19, na është dashur të durojmë edhe plojën e fjalëve alert, alertohet (në vend të alarm, alarmohet); hospitalizohet (në vend të shtrohet në spital), si dhe i shumë foljeve të tjera të krijuara pa asnjë nevojë, si komisonohet (në vend të del para komisionit mjeko-ligjor). Tmerri veshçjerrës i fjalëve fokus, fokusohem e fokusim, si dhe i reklamave ku nuk mungojnë limit, limtoj, i limituar dhe e famshmja “one” e pasthirrma “uau”na shoqërojnë çdo ditë, qëkur hapim televizorin për të dëgjuar lajmet e deri në emisionet e orëve të vona të mbrëmjes, ku vrigëllojnë shpatat e analistëve dhe jo pak “analfabetëve me diplomë”, që për fjalët e ndyra dhe zotësinë e sharjeve, ua kalojnë edhe ngjelkave më gojështhurura të lagjeve anësore të qyteteve shqiptare.
Zotërinj të nderuar, qeveritarë, gazetarë dhe drejtues emisionesh apo botues gazetash e revistash, përkthyes etj. dhe të gjithë sa jemi shqiptarë, le t’i shmangim së paku fjalëkrijime të kota e hibridizime të tilla si dakordësohem, dakordësi e dakordësim dhe fokusohem, fokusim, alert e alertohem, hospitalizim e hospitalizohem, komisionohem etj. Kujtoni porosinë e pavdirë të Naimit që thoshte “shqip të flasim përherë, thjesht e të papërzjerë”.
Të gjithë njerëzit normalë, të rinj e të moshuar, thonë, p.sh. je njësh, apo njëshe, për dikë që është i pari i një pune a dukurie. Atëherë i pyesim zotërinjtë që bëjnë reklamat e televizioneve: pse po na tërboni me “Number one” kur shqip duhet thënë: numër një ose i pari apo e para dhe njësh apo njëshe? Deri kur do të zgjatë kjo frymë gjuhëvrasëse e antishqiptare në burokracinë zyrtare shtetërore, në reklamat, në botimet e shkruara e në postimet në faqet zyrtare në internet?
Pësimet e pamerituara të gjuhës shqipe në kohën tonë janë të tilla që, çdo gjuhëtari e dashamirësi të shqipes që ka ndonjë pikë gjak shqiptari, nuk mund të mos i vijë keq e të mos shprehë zemërim . Sidoqoftë, më tepër se çdo vërejtje a kritikë, në punën e gazetarëve dhe përgjithësisht të punonjësve të medias, të letrave e të skenës shqiptare, duhet të vlerësojmë rolin e tyre si përçues të fjalës shqipe, si përhapës të normave gjuhësore të sotme e të bukurisë së gjuhës letrare kombëtare që me aq mundim e kemi prurë deri në këtë shkallë. Kam shkruar e thënë disa herë se gazetarët janë edhe mësues të shqipes për masën e gjerë të lexuesve. Ky nuk është një vlerësim që e bëj vetëm unë. Bashkë me aktorët e skenës e të ekranit dhe shkrimtarët, gazetarët shqiptarë kanë në dorë më shumë se çdo mësues e pedagog (më tepër se universitetet a institutet e gjuhësisë) t’ i prijnë për së mbari kulturës së gjuhës shqipe. Pushteti apo ndikimi i medias është aq i madh në jetën e në politikën e një vendi, por ai është vendimtar edhe për mbarëvajtjen e pastrimit, pasurimit të fjalorit si dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Dua të përmend një shembull sa të thjeshtë aq domethënës: shumëkush, pasi mbaron shkollën përkatëse, i dhënë pas punëve e detyrave të veta, rrallë e tek gjen kohë të lexojë ndonjë libër letrar. Shumica e njerëzve për ditë e javë të tëra nuk lexojnë gjë tjetër përveç gazetave e ndonjë reviste. Dëgjojnë edhe radion e shohin emisione televizive dhe,në epokën e internetit,shkruajnë e lexojnë në faqet e rrjeteve on-line. Kjo do të thotë se pjesa dërmuese e shqiptarëve, pas shkollës tetëvjeçare, për drejtshkrim, gramatikë e punë gjuhe mbështetet vetëm te shtypi dhe mediat e folura. Po qe se ato do të shkruajnë e flasin mirë, pa fjalë të huaja të panevojshme, pa shfrime snobizmi e prurje të pamira nga sintaksa e gjuhëve të huaja, atëherë, në mënyrë të natyrshme, edhe kultura e gjuhës do të shkojë në rrjedhë të mbarë.
Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme dhe, si e tillë, ajo duhet mbrojtur, ruajtur e përkrahur edhe më tej nga shteti dhe shoqëria shqiptare,sepse përbën treguesin themelor të përbashkësisë shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen: brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë në trojet kompakte ballkanike dhe në diasporat arbëreshe e shqiptare kudo në botë.Kjo bazë e njëjtë dhe e përbashkët e të shkruarit dhe e të folurit shqip në situata formale (zyrtare) i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për ta mbajtur edhe më tej peshën e komunikimit të shqiptarëve me shkrim e me gojë, duke u bërë vend edhe prurjeve pasuruese, përtëritëse që mund të sjellin bartësit e saj nga vise dhe mjedise të ndryshme shqiptare.
Së mbrami, po ritheksoj se kam qenë e jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si mbërritje me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të Atë Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehejs, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që duke zbatuar terminologjinë e sociolinguisticës bashkohore quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde, por edhe mund të mbetën jashtë saj. Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën, ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen përj dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.
Tiranë, 17 shkurt 2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here