BUXHETI I SHTETIT E HARRON MITINGUN E POEZISË NË GJAKOVË

Klubi letrar” Gjon Nikollë Kazazi” dhe Mitingu i Poezisë” e meritojnë shndërrimin në Trashëgimi Kulture, edhe përtej gjeografisë së ngushtë të shtetit të Kosovës.

Është i vetmi manifestim poetik që ruan traditën afro 60 vjet.

Ka disa arsye që e bëjnë të veçantë, pa mohuar as të tjera që lënë gjurmë të mira.

Është koha shumë e hershme kur u themelua, pa pasur asnjë manifestim pas Luftës së Dytë Botërore.

Është mbajtur në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.

Janë, të gjithë ata shkrimtarë që kishim, dhe më se 80 për qind ishin nga ky qytet, nga Gjakova.

Janë trajtuar temat më me rëndësi për letërsinë në përgjithësi, duke u shkruar pjesë me rëndësi e historisë së saj.

Janë, ftuar e kanë marrë pjesë shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, në veçanti nga Shqipëria, ku vetme një shkrimi që e ka dërguar Kadare në adresën e Klubit thotë “ Dikur e ëndërronim pjesëmarrjen në Mitingun e Poezisë në Gjakovë”.

Janë edhe shumë e shumë të tjerë, madje edhe sot që e pranojnë ftesën, si shumë të nderuar.

Janë promovuar dhe botuar vepra që nuk shkruhet letërsia pa to.

Dhe, Mitingu aq sa ishte i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” u bë i gjithë qytetarëve të Kosovës, i publikut gjakovarë e i gjithë krijuesve.

E sa e sa pika tjera që dihen nga kronikat e mediave e nga buletini “Shtigje” e Historiku i Klubit.

Pas luftës së fundit në Kosovë, Mitingu ndërkombëtarizohet dhe fton e marrin pjesë poetë nga vende të shumta botërore. Që nga Argjentina, Izraeli, Portugalia, Spanja, Italia, Turqia, Franca, Ukraina, Greqia, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, e shumë të tjera. Ndodhi kjo sepse kishte vullnet organizativ. Kishte mbështetje relevante, edhe pse solide, mbahej mirë.

Erdhi deri te zbehja. Nuk e dimë pse? Ministria e Kulturës jep një përgjigje vitin e kaluar “Nuk keni marrë vota të duhura nga komisioni”. Hej, kjo përgjigje është aq naive, sa nuk e kemi komentuar në publik. E kemi mbyllë padijeninë e këtij institucioni të lartë të shtetit, sa jemi turpëruar para vetes. Komisioni? Cili komision more? A ka ditur ai komision se çka është Mitingu?

Sa për publikun, që ta dini se nëse kjo ministri përgjigjet se “ nuk i kanë rregulluar barazimet me aktivitetin paraprak”, nuk është e vërtetë, jemi barazuar ashtu sikur e kërkojnë.

Në vitin 2020, na janë ndarë 1500 euro. Nga kjo shumë, deri në 300 euro prapë i kthehen shtetit, për tatim, si dhe së paku 50 euro transfere.

Tani, aq sa ka hasur në refuzim, edhe po injorohet, nga mbështetja financiare.

Vlerësoni ju vetë!?

Ne po i kujtojmë autorët e shumtë, të mos i harrojmë. E meritojnë.

Janë pjesë e Letërsisë Shqipe, janë edhe një kujtesë për ta ditur fondin krijues të këtij Klubi e të këtij Mitingu. Kush për ta ditur? Natyrisht ne trashëguesit, dhe ata që vijnë pas nesh. Natyrisht, ata që e duan krijimtarinë, dhe jo politika. Politika janë ata që punojnë nëpër institucione dhe nuk vlerësojnë, por paragjykojnë.

Në “Takimet e Gjeçovit” shpërblehet Presidenti i shtetit, dhe ata vijnë sepse nderohen. Vijnë edhe kryeministra e ministra sepse kanë fjalimet e tyre politike. E, besa edhe ndahet buxheti, se nderohen. Mitingu i Poezisë është i shkrimtarëve, fare nuk është i politikës.

Mitingu i Poezisë, ka datë themelimi, me 9 Maj.

Sikur e do rendi, duhet ditur buxheti më herët, sepse çdo manifestim ka planifikim

Ne, as nuk e dimë kur ndahet dhe sa është rrisku.

Ndërkombëtarizimin e Mitingut e atakuan institucionet me buxhetin e ndarë. Nuk mund të ftosh shkrimtarë nga larg, e bile as nga Tirana nëse nuk e ke asnjë qindarkë.

Ende MKRS dhe Drejtoria e Kulturës nuk ka shpallë konkurs. Mitingut të Poezisë i duhet së paku 5 muaj përgatitje intensive për ta realizuar atë me seriozitet.

Këtë vit shënojmë 58 vjet Miting. Le të mbahet mend, Mitingu i protestës, pa buxhet, sepse vonë është, tepër vonë të bëjmë ashtu sikur u mësuam, sikur bëjnë shtetet e moderuara e demokratike.

Gjakovë, mars, 2022.

 

 

Klubi Letrarë “Gjon Nikollë Kazazi”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here