Shenim për romanin e parë të Alba Dajlanajt me titull “AJO”
“Alba Dajlanaj me këtë roman, ka kaluar me sukses të plotë një provë serioze, ndaj duhet ta vazhdojë e sigurt ecjen në rrugën e krijimtarisë letrare”.
Edhe pse Stendali kishte mendimin se “Bota e veprës letrare është një gënjeshtër e mrekullueshme”, përsëri, kur dikush lexon ndonjë krijimtari të ç`do gjinie qoftë, që lidhet me ndjenjat dhe sidomos me dashurinë, sepse i shkon mendja se mos kjo i ka ndodhur vetë autorit apo autores. Kështu më ngjau edhe mua teksa shfletoja romanin me titullin e kursyer “Ajo” të Alba Dajlanajt, dalë nga Shtëpia Botuese “Muzgu” që drejtohet nga i mirënjohuri Mark Simoni, i cili është dhe redaktori i këtij libri. Po ta shohësh nga numri i pakët i botimeve dhe ajo droja me të cilën Alba, mësuese për nga profesioni, u afrohet qarqeve letrare, gabimisht mund të krijosh mendimin se ke të bësh me një amatore fillestare në fushën e letrave. Por sapo futesh brënda romanit të saj, i jep plotësisht të drejtë redaktorit, kur teksa e quan mision të shenjtë të shkruarit bukur nga femrat, thotë se “Nga ky shenjtërim patjetër që e kuptojmë se është e bekuar dhe Alba Dajlanaj që na e dëshmon me këtë roman të sajin”. Protagoniste e romanit është Alina, një grua që do t`i shkonte fare mirë ajo shprehja e një njeriu të shquar se “ishte nga ato, që njeriu do dëshëronte ose të mos e kishte parë kurrë, ose ta kishte pranë gjithë jetën”. Por çështja nuk është kaq e thjeshtë; për ta lidhur jetën me një femër, vërtetë na joshin hiret dhe vlerat shpirtërore dhe intelektuale të saj, por duhet menduar sesa edhe ne i krijojmë asaj po këtë përshtypje. Pra, mund ta duam atë, të marrosemi pas saj, por a e ka dhe ajo këtë opinion për ne? Nga ana tjetër, atë, rrethanat mund ta shpijen atje ku nuk e dëshëron, ose mund ta lidhë jetën me dikë, nga presionet a respekti që ka ndaj prindërve që këmbëngulin se u duket rast i mirë ose, ose, ka pasur besimin se me kohë do lindë e do forcohet dashuria, pa folur se ai tjetri edhe mund ta tradhtojë. Por mos vallë për hir të këtyre, ajo duhet t`i nënshtrohet fatit të keq? Njeriu një jetë ka, dhe duhet t`i gëzohet dhe ta shijojë atë. Po si mund ta shijojë, kur diçka serioze nuk shkon? Kur ai tjetri i bëhet i huaj, nga turpi duhet të durojë (qoftë edhe pse mund të ketë fëmijë me të), apo të shndërrohet në një Anë Kareninë? Kuptohet që këtë e shpjegon si askush tjetër vetë Leon Tolstoi për të cilin Çernishevski thosh se “Tolstoi tregon dialektikën e shpirtit të njeriut”. Por rastet në jetë janë të pafundme, ndaj edhe shkrimet për këto histori do të jenë në jetë të jetëve tema të preferuara për shkrimtarët. Dhe nuk ka më mirë se kur ato i shtjellon po një femër e cila edhe pse mund të mos na japë përvojën personale, ka aftësinë e përjetimit, përfytyrimit, emocioneve, reagimit më të besueshëm se shkrimtari mashkull. Sot, marrëdhëniet bashkëshortore në vendin tonë janë tronditur. Ndarjet zënë një përqindje shqetësues me tendencë rritje. Pasojat i vuajnë edhe fëmijët, të cilët pësojnë trauma që do t`i shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Edhe futja në lojë e psikologëve, nuk e zgjidh problemin. Në këto kushte letërsia nuk mund të mbajë sehir; ajo luan rolin e saj, me mjetet e veta. Fati i gruas dhe ai i familjes nuk mund të anashkalohen prej saj. Por rrugëtimi nëpër histori të tilla është kompleks, i mbushur me plot situata, shpesh të befasishme, me ulje – ngritje, me hidhërime, por edhe me gëzime. Ndodh që bashkëshortja vuan, derdh lot, por edhe gjen lumturi në një dashuri të re. Se zemra e njeriut është shumë e çuditshme; aty ligështohet, aty forcohet, aty trishtohet, aty ngazëllehet, aty urren, aty dashurohet. Kështu ngjet edhe me Alinën, punonjëse biblioteke e cila nuk e kupton jetën pa punë e pa libra. Por ja që i shoqi biznesmen, Davidi, ka mendje tjetër. Ai beson se ajo duhet të qëndrojë në shtëpi, se nuk ka nevojë për para. Thënë shqip; ai është zheloz. Ja dhe kjo e keqe që ka shkatërruar sa e sa familje. Vetë sillet si liberal, por gruan do ta mbajë mbyllur brënda katër mureve. Ajo duhet të dalë vetëm e shoqëruar prej tij. Dy tipa dhe karaktere krejt të kundërt, të mospajtueshëm. Por derisa do vazhdojë kjo gjendje? Puna trashet deri atje sa i shoqi i kërkon Alinës të ndërpresë edhe studimet në universitet. Autorja e romanit na e paraqet atë si ajo Nadia te tregimi i Anton Çehovit “E fejuara”, e cila për të vazhduar shkollën e lartë, ikën nga dasma. Kërkon të punojë e lirë, se po ashtu si heronjtë e këtij autori, te kjo sheh shpëtimin e vetes dhe të shoqërisë. Ja si thotë për heroinën e tij ky autor i mrekullueshëm: “Duhet ta ndërtosh jetën në mënyrë të tillë, që puna të jetë e domosdoshme. Pa punë nuk mund të ketë jetë të pastër e të gëzuar”. Prepotencës imponuese të të shoqit, Alina i përgjigjet me dinjitet e vendosmëri, gjithmonë me shpresën se do ndryshojë. Mendon edhe për vajzat që po rriten dhe kurrë nuk do që atyre t`u mungojë prania e babait. Por ai sa vjen e bëhet më i padurueshëm, për të mos thënë, agresiv. Duar – duar ajo bëhet guximtare; “Unë nuk dashurohem me mure David, unë jam një grua që kam nevojë të më dashurojnë dhe jo të më poshtërojnë”. Ajo tregohet kantiane dhe gjykon si ai se “askush nuk ka të drejtë të më mësojë si do të jem e lumtur”. Dhe kur kthehet nga Tirana, ku kishte shkuar pa lejen e të shoqit për të parë në spital nënën e shoqes që po vdiste, deklarohet më e vendosur: “Mos vallë më ke blerë që të ma bësh të gjithë këtë? Apo vallë jam një plaçkë e jotja? – fol! Jo, ti nuk më meriton, David. Ti nuk e ke merituar asnjëherë mirësinë dhe edukatën time.” Dhe pikërisht në këtë udhëtim të anatemuar nga Davidi, nis kthesa e saj; ajo takon Albertin, mjek me të cilin flirti kalon në simpati e më vonë në dashuri. Zhorzh Sandi, gruaja me shumë përvoja dashurore, ishte e bindur se dashurinë nuk e gjejmë kur e kërkojmë, ajo vjen te ne kur nuk e presim. I ringjallet në shpirt dashuria dhe optimizmi për jetën. Sheh diell, dritë e gëzim. Pyet ç`po ngjet kështu me mua dhe ndihet e lumtur. Dhe i ndodh kjo, kur paralelisht, moskuptimet me të shoqin sa vjen e trashen, zënkat shpesh edhe në sy të vajzave bëhen të padurueshme, madje edhe torturuese. Kërkon ngushëllim te ndonjë shoqe besnike apo te vjehrra e cila është e arsyeshme dhe e përkrah, duke i kujtuar se Davidi ashtu është rritur dhe edukuar nga i jati, i cili e keqtrajtone duke e mbyllur në bodrum e duke përdorur dhunë ndaj tij. Se ai, dhunë përdorte edhe ndaj të shoqes, Marës, gjersa kishte vdekur në një aksident. Autorja e romanit ndjek një llogjikë frojdiane në ndikimin e përjetimeve jo normale te fëmija, kur ky rritet. Davidi tani bëhet kërcënues dhe i rrezikshëm. Dashurinë për të shoqen e ndërton sipas konceptit të tij. Aq sa ajo në këto rrethana ja ka frikën atij. I duket vetja si nimfa Galatea që donte me zjarr bariun Akid, duke shpërfillur dashurinë e ciklopit të madh, Polifemit, gjë për të cilën, ky, pasi i zuri në një shpellë në Siçili, nga xhelozia e vrau rivalin, bariun e gjorë. Se Davidi, i zhytur në vese si bixhozi që e detyron të marrë borxhe, të cilat nuk i shlyen dot, i kërcënuar, e humbet përherë kontrollin dhe bëhet i paparashikueshëm. Ai tani, duke e tepruar me pijen, mund të bëjë gjithçka, po ta marrë vesh dashurinë e tyre. Kjo dilemë e mundon Alinën, gjersa për fatin e tij të keq, Davidi aksidentohet dhe vdes si babai i tij. Janë kuptimplote fjalët e së ëmës: “Burrat e kësaj familjeje sikur vetëvriten nga errësira e mendjes dhe e shpirtit të tyre”. Por, ja që shkrimtarja nuk e ndërpret rrëfimin këtu; ajo ka zgjedhur të na thotë se jeta vazhdon. Alina e përfundon universitetin në degën e saj të preferuar; gjuhë – letërsi dhe vajzat vazhdojnë shkollat të qeta dhe me sukses. Alberti e nxit Alinën të shkruajë dhe me gëzimin e tyre krahas prindërve të Alinës, bashkohet edhe nëna e arsyeshme e Davidit, Mara. Zgjidhja është disi teatrale, por lexuesi mbetet i kënaqur, pasi ai është i prirur nga e mira dhe nga e bukura. Shëmti ka me bollëk në jetën e përditëshme. Fundja, ky ka qënë dhe qëllimi i shkrimtares Alba Dajlanaj e cila pas kësaj vepre, nuk ka pse ta ndiejë më veten as amatore dhe as të drojtur. Me këtë roman, ka kaluar me sukses të plotë një provë serioze, ndaj duhet ta vazhdojë e sigurt ecjen në rrugën e krijimtarisë letrare.