Violeta TANÇEVA- ZLLATEVA (MAQEDONI: E RËNDËSISHMJA

U lind më 25 prill 1968, në fshatin Borievo, Strumicë. Diplomoi në Fakultetin Filologjik në Shkup, grupi Letërsi Jugosllave. Shkuan poezi, prozë dhe ese. Ka fituar katër çmime në konkurse anonime për tregime të shkurtra në “Ditët e kulturës së Andriqit”, në Travnik, si dhe çmim të parë për prozë në konkursin anonim të botimeve të pavarura “Gjurgja”, më 1991. Për veprën “Godina bez leto” (Vit pa verë) më 2015 fitoi çmimin “Vëllezërit Miladinovi”, në “Mbrëmjet strugane të poezisë” për vepër më të mirë poetike botuar mes dy botimeve të festivalit.
Është anëtare e Shoqërisë së poetëve të Maqedonisë nga viti 2000, gjithashtu anëtare e Redaksisë të revistës për letërsi dhe kulturë AKT, si dhe e Shoqatës së lektorëve të Maqedonisë. Punon si lektore në qendrën botuese TRI, Shkup.
Ka botuar këto libra në prozë: “Kniga za sonot” (Libër për gjumin), 1992, “Vraqanja” (Kthime) 1993, “Vraqajqi se vo Borievo” (Duke u kthyer në Borievo) 1999, “Shareni pisma” (Letra të larme), 2008, si dhe veprat poetike “Mojot Pikaso” (Pikasoja im), me përkthim edhe në gjuhën angleze, 2007, “Zarobenici na molkot” (Të robëruarit e heshtjes) 2010, “Ognena” (E flaktë), 2011, “Nashata prikazna” (Storja jonë) 2013, “Godina bez leto” (Vit pa verë) 2015.

RËNDËSISHMJA

A është e rëndësishme çfarë dite jemi sot? Cili vit?
Humben në pavlerë e derdhen
si format e sendeve në përqafim të natës
ngjajnë njëra-tjetrës si binjake
të lindura nga brendësia e Kohës pa gjini
Shpesh dhe javët e muajt fillova t’i derdh
si mbërtheckat e nënës sime në sirtarin me qerthuj
Ndonjëherë edhe vitin di ta shkruaj gabim
mbi poezitë e sapo shkarravitura
gjoja mendohem për fshehtësinë e kuptimit
që bart në vete përshkrimi i Frojdit.

Në televizion rrotullohen
të njëjtat lajme që nga rinia e prindërve të mi
Konflikte luftarake përleshje të Përgjakura
Avionë të rrëzuar Automjete-bombë
Trupa të masakruar të njerëzve të rinj
që s’kanë arritur të shijojnë mollën e Evës

Vetëm emrat e vendeve janë ndërruar pak e ndonjë kufi
Gjithçka tjetër është e njëjtë
Thatësira e tokës dhe e shpirtrave Etja për sundim
Zjarri i paduruar në sytë e pamundësisë
Ndalova përballjen dhe dëshmimin
kujt i takon e drejta e kamotshme e ngastrave të lëvruara
të shkrira me lëngun e jetës

Mbrëmjeve para shtrirjes mbyll duart
dhe lus Zotin për të gjithë të përvuajturit në botë
për të gjithë shpirtrat e humbur në kohë

E në mëngjes shënimet më të rëndësishme të kësaj kohe
shoh në centimetrat e fëmijëve të mi
në numrin e këpucëve që mbajnë ata
kur do ta lëshojnë kokën e tyre rebele
mbi supin tim të thatë

ÇMENDURI

Mua nuk më duhet shenjë hyjnore
apo provokim djalli
që të zhytem në dallgët e çmendurisë
jam budallaqe
në gjendjen time normale
Nuk përgojoj derisa pi kafe
nuk planifikoj kthim të fyerjes
nuk mendoj cilin fustan ta vesh nesër
derisa laj pjatat
Unë jam nënë pa grim
që nuk vesh taka kur shkoj në mbledhje prindërore
Unë jam grua jostandarde që nuk hap ombrellën
me shiun e ëmbël veror
e po pështyje nën sqetulla mos dashtë Zoti
Unë jam ajo që jam
Mua nuk më duhet pranvera për t’u dashuruar
as verë e nxehtë për fluturime apo çakërdisje
Telat e ngjitur janë gjendja ime normale.

Kur të tjerët në det
unë notoj në
çmendurinë time poetike

PLUHUR

Nuk më duhet shumë kur fle në vend tjetër
Vetëm një mbulesë e mirë mbi kokë
e një çarçaf të pastër mbi divanin e rrafshët
Kuptohet, edhe ujë
Në shtëpi jam më e mbledhur
Në tavan është gërryer gëlqerja
Sa maja e thoit të vogël
Çarçafi nuk është tërhequr mirë në të djathtë
Apo nuk është shkundur së voni nga netët makth
e mes pllakave në tualet
është shfaqur njollë e zezë

Zot
për çfarë gjërash humbim energjinë
me çfarë bujarie na ke dhuruar shfrytëzimin e denjë
shpërbëjmë për imtësitë e padobishme
duke harruar punët më të rëndësishme
harxhojmë energjinë nëpër vite
në luftë të kotë me pluhurin

sikur dëshirojmë të harrojmë
se në fund vetëm pluhuri mbetet.

Përktheu nga maqedonishtja Artan Arsllani

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here