Prof. Ass. Dr. Manjola Brahaj : Përmbledhja poetike “VALSET E HIRIT” e Tahir Bezhanit

POETIKA E MEDITIMIT
reflektim për përmbledhjen poetike “VALSET E HIRIT” të Tahir Bezhanit

Kur lexon një poet, faktikisht, të duhet një farë gjendjeje shpirtërore e duhur paraprake, një përgatitje, jo vetëm me ambjentin e tekstin, por edhe me fizikun dhe mendjen tënde, për faktin e thjeshtë se poezia është delikate dhe ka natyrën e atyre zogjëve që trembshëm shtegtojnë nëse dikush ju afrohet turrshëm apo me ngut. Kështu është edhe poezia, “të rrëshqet duarsh” , të ikën nga qasja, nëse bota jote nuk iu ka afruar sadopak botës së saj, nëse shpirti yt nuk është i gatshëm për ta përpirë shpirtin e saj. Kjo lloj gjendje kërkohet më domosdoshëm kur kemi të bëjmë me poezi të llojit meditativ dhe që shpalosin brendësinë e thellësinë e botës shpirtërore, shqetësimin dhe brengat jetësore të poetit, ahtet e shpirtit të fshehtë që ia ka besuar fletës së bardhë dhe neve si lexues. Në këtë kategori të poezisë bën pjesë edhe poezia e poetit Tahir Bezhani, e cila na fton që të afrohemi drejt saj me kohën, qetësinë shpirtërore dhe mungesën e paragjykimit në përjetim, për të mos e bjerrur kuptimin (et) e vërtetë të asaj bote që na është sendërtuar për të na shpëtuar, për të na bërë të harrohemi, por që nëpërmjet kësaj “harrese” të përmirësohemi si qenie, si përvoja dhe si reflektime njerëzore.

E tashmja dhe e kaluara
Në këto poezi që autori na i ka servirur nën titullin “Valset e hirit” na ravijëzohet dhe përshkrohet një trajektore që ikën e vjen herë pas here sa tek njëra kohë sa tek tjetra, ose vëzhgohet njëra me syrin dhe mendjen e tjetrës.
E tashmja ngre krye me problemet, shqetësimet dhe dilemat e njeriut të kohës, është një e tashme që na prek dhe na përfshin të gjithëve, që e jetojmë me energji tjetër nëpërmjet vargjeve. Vargje që na ndalin tek detaje, objekte dhe dukuri të përditshmërisë sonë dhe që janë veshur me mantelin e tyre poetik, për të na shkundur nga rëndomësia, për të na bërë të reflektojmë edhe për ato pak gjëra që i kemi, i jetojmë, por nuk mendojmë për to, nuk i shijojmë sa duhet, derisa nuk arrijmë t’u shohim poetikën e tyre të vërtetë, siç bën poeti T.Bezhani.
Ndërkohë që e kaluara na shfaqet si referencë e lidhjes së fortë me kulturën, me të qenit ata që jemi, por edhe me revelimin e vlerave që ka ajo e kaluar për ne si qenie dhe si pjesëtar të një shoqërie. E kaluara mvishet me petkun e lavdisë, shkëlqimit dhe shikohet me adhurim, për të na bërë që të reflektojmë për të tashmen dhe rolin që ka e kaluara në fatin dhe gjendjen e kësa të tashmeje.

Fjala dhe vargu

Një kujdes i veçantë dhe shumë origjinal nga ana e poetit Bezhani është treguar për fjalën në poezitë e tij. Dihet që fjala është baza themelore dhe lëndore e ndërtimit të poezisë, por këtë fakt Bezhani siç duket e ka marrë me seriozitetin e një artisti me shumë përvojë dhe të njëvargshkruesi që i njeh ligjësitë dhe vlerën e shkrimit të poezisë si proces, duke të kujtuar shprehjen e L. Gurakuqit për vargnimin dhe kujdesin që duhet të tregojnë poetët për fjalën në këtë proces, i cili thotë: “Fjala asht vesha e mendimit, fuqija e arsyes, jeta e t’niemes, asht pra nevoja qi t’vehet oroe me ma t’madhin kujdes përdorimi i saj n’vjershe, pse, kur fjala t’jetë e zgjedhun mirë, kur diftojnë si duhet mendimin qi dona shqyptue, m’nji fjale, kur t’i përgjigjen si me veshtrim, si me tingullim qëllimit t’vjershës atëherë me t’vërtetë qi fiton një pushtet t’madh, na ngrehe prej vendit, na përkulë e na pushton, na shtërngon me hie n’zemre t’ vjershëtorit, me jetue, me u njisue me te, me ba t’onat ndjenjat, gazmendet, psimet, vojtjet e tija, me besue, me kja me te.”

E këtë e bën edhe poeti Bezhani, pasi fjala në poezitë e tij është zgjedhur me kujdes dhe është trajtuar me mençuri e ndjeshmëri poetike, ndaj në vargjet e tij shpesh të befasojnë gjetjet, fjalët e veçanta dhe kombinimet metaforike për shprehjen dhe ndërtimin e botës poetike.
Nga ana tjetër përvoja në shkrime dhe përvojat e brendshme shpirtërore i kanë ndihmuar poetit që të na sjellë larmishmëri vargjesh dhe krijimesh në të cilat vihet re origjinaliteti dhe botëpërceptimet e rralla, të cilat shpërfaqen nëpërmjet vargjesh që herë pas here rimojnë, por që në shumicën e rasteve janë vargje të bardha të cilat ritmin dhe thellësinë muzikore të tyre e kanë së brëndshmi.

Porosia
Poezisë së Bezhanit ndonëse duhet t’i qasemi delikatshëm dhe ta përjetojmë, ashtu siç duhet të veprojmë me çfarëdolloj poezie në fakt, duhet edhe të dimë se si të ndërtojmë kumunikimin me të, jo pse është poezi hermetike apo e vështirë për lexuesin, nuk është se kërkon një lexues tejet të specializuar, por gjithsesi kërkon një lexues të kujdesshëm dhe me shpirtin të etur për art. Vetëm kështu mund të ndërtohet komunikimi me këtë lloj të poezisë dhe të shkohet tek ajo që ne e e kemi quajtur porosia. Në poezitë e tij Bezhani nuk është në atë grup poetësh që në mënyrë naive na këshillon drejpërdrejtë se si apo çfarë duhet të bëjmë në lidhje me një gjendje, përjetim apo ndodhi, jo. Nuk duhet të kërkojmë mesazhe të drejtpërdrejta apo të shkëputura nga këto poezi. Poeti e ndërton realitetin e tij duke përdorur teknikën e sugjerimit dhe ne duhet që të shkoqisim vet porosinë e ndërfutur në atë realitet, pra, neve na tregohet shtegu, jo e gjithë rruga, ne duhet të bëjmë vet rrugën që poeti e ka shkelur përpara nesh, sepse në çdo udhë poetët janë të parët që prekin dhe lënë gjurmët e tyre, siç ka thënë Frojdi: “në çdo udhë ku kam shkelur, kam vënë re se poetët kanë kaluar para meje”.

Reflektimi

Duke qenë se “porosia” nuk përkapet lehtë, por kërkon bashkëpunim nga ana e lexuesit, kërkon gjendje dhe përjetim, atëherë rezultati i gjithë këtij procesi është reflektim. Poezia e Bezhanit “na bën ftesë” për reflektim, me formën, strukturën, përmbajtjen dhe sugjestionin që mbart në tërësinë e saj ndërtimore. Reflektimi është një proces i cili sugjerohet së brëndshmi dhe realizohet vetëm pasi kemi arritur shkallëshkallshëm në thellësitë e tërësisë poetike të vëllimit, i cili të mban në veten e tij gjatë, të bën të jesh dhe të mendosh për të. Një poezi në dukje e thjeshtë, në leximin e saj të parë, por që të lidh pas vetes me nevojën për t’ju rikthyer dhe për ta përjetuar sërish atë botë shkundjesh nga limontia dhe monotonia e përditshmërisë.
Një botë që lehtshëm trand.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here