Mujë S. Berisha: BALUSHI SHKRUAN LIBËR. Tregim satirik

Balushit, seç iu kishte tekur të shkruante një libër. I dukej që puna e shkrimeve të ishte bërë modë në këto kohët e demokracisë. Shkruaj njëri, shkruaj tjetri; me kritere, pa kritere… “Po, ec e ndale vërshimin e shkrimtarëve”, – thoshte!? Ama, kur botonin disa nga të njohurit e tij, të cilëve ua dinte “takatin”, atëherë, thjeshtë, i vinte inat. Por, ta merrte lapsin e ta lodhte mendjen, për të shkruar të zezën mbi të bardhë, për këtë i duhej më shumë guxim. E dinte Balushi sa “peshon” në shkrime. Madje, edhe referatet që i lexonte dikur nëpër mbledhjet e partisë moniste, kryesisht, ia shkruanin vartësit e tij. Megjithatë, ndonjëherë, i jepte vetes kura – “Kur munden disa të tjerë të shkruajnë libra, mundem edhe unë. Madje, ku unë dhe ku ata”.

Mendo dhe çmendo, Balushi, gjithsesi, një ditë vendosi t’ia niste punës, por dëshirë e tij ishte të bënte diçka që do të vlerësohej dhe jo vetëm t`i përngjante librit. Donte të shkruante për një temë të denjë për respekt, por ku ta gjente. Për këtë mendoi tri ditë e tri net dhe, ditën e katërt, çfarë gëzimi! Gjersa po i shpërlante zorrët në WC iu kujtua ajo tema e madhe, e gjithë kohëve – L i r i a. Andaj, me sa zë që kishte dhe, duke kërcyer përpjetë, bërtiti: “E u r e k a!” Kjo fjalë, atë ditë, kumboi fuqishëm në atë hapësirën e ngushtë të tualetit, aq fuqishëm sa që e shoqja, Nermini, vrapoi shpejt e shpejt, shumë e shqetësuar, të shihte se ç`kishte ndodhur. I ishte dukur sikur të ishte trandur ndërtesa nga themelet. Por, kur e pa Balushin, të tërin, pa gjëmë dhembjeje e nishan lëndimi, vetëm atëherë u qetësua dhe nuk e bëri të madhe. Megjithatë, foli më vete: – “Mosha i ka fajet, Balush i dashur!”.

Temën që e gjeti Balushi, vërtet, ishte e denjë për respekt. “Liria nuk fitohet vetëm me fjalë” do të titullohej libri. Pastaj, meditoi gjatë e gjatë, duke bluar mendjen se si do ta shtjellonte lëndën. Dikur iu bënë lëmsh të tërat. Vetëm një e kishte shumë të kthjellët, se liria e Kosovës ishte fituar: sa me rezistencën pasive, por më furishëm me luftën aktive të UÇK-së dhe mbështetjen e fortë të krejt popullit shqiptar… Këtu Balushi u ndal pak. Njëherë kroi veshin, pastaj vuri gishtin në tëmth dhe, pastaj, i foli vetvetes: “Balusho, ki mendjen! Mos bëjë mëkat: pa Amerikën dhe aleatët e saj në NATO, zor se do fitohej liria. Pa miq dhe aleatë të fortë nuk bëhen punët e mëdha!”

Në një entuziazëm të tillë vlimesh fantazie, Balushi kishte bindjen, se po t`ia dilte të shkruante për këtë temë madhore (këtë fare nuk e vinte në dyshim), atëherë vetë do t`i hapeshin dyert për në alenë e kalemxhinjve të pavdekshëm të kombit. Pastaj, ai Ferizi, kryetari i partisë së lagjes “Molla e kuqe”, pale a do të mund t’i lëvdohej për një libër të tijin, të vetmin, broshurë partiake, mbushur me fraza të kopjuara, sikur bënte sa herë që takoheshin.

Në fillim Balushi i bëri disa teza për ecurinë e shtjellimit të temës. Pastaj, nga rafti i nxori disa libra të pluhurosura si literaturë ndihmëse (mund të përbetoheshe lirisht se kurrë nuk i kishte shfletuar) dhe, më në fund, me një “bismilah” ia nisi t`i hidhte mendimet në letër. I tëri iu kushtua shkrimit sa që as gjumin nuk e bënte rehat. Binte vonë e çohej herët. Madje, edhe të shoqen e harroi krejt. Vetëm kur Nermini gërhiste, i binte ndërmend që e kishte pranë, por nuk e trazonte.

E shoqja e Balushit, Nerminja, e vyeshme e fjalëpakë, menjëherë e kuptoi seriozitetin e punës së të shoqit. Andaj, nuk e trazonte fare. Vetëm kur duhej të hanin, i afrohej ngadalë, e prekte në sup dhe, vetëm pas këtij gjesti, Balushi e kuptonte se ishte koha e ngrënies. Hante pak. Madje, edhe duke mbllaçitur mendonte për temën dhe për librin e tij. Mirëpo, një ditë, ndodhi diç që ia prishi planet Balushit. E dekoncentroi tërësisht. Nermini iu ankua se ishte e sëmurë.
– E, ku të dhemb, moj Kasandra ime?! – e pyeti Balushi si me përkëdheli.
– Jam e sëmurë – i tha prapë e shoqja, cazë si me druajtje.
– Trego, moj, ku të dhemb! Koka, zemra, barku?…
– Jo barku, por fundi i barkut – i tregoi e shoqja, duke u skuqur.
– Shko te mjeku! – i tha Balushi me mospërfillje.
– Më duhet të shkoj te gjinekologu, Balusho, i tha Nermini me guxim.
– U, ç`më gjeti! – bëri me vete Balushi si me siklet. I dhimbsej koha që do ta humbte duke u marrë me punë grash. Megjithatë, e shoqëroi të shoqen.

Doktor Trinaku, pas kontrollit, paksa e qortoi Balushin që nuk ia kishte sjellë të shoqen më herët. Pastaj i tha që të përkujdesej më shumë për të, se mund t`i komplikohej gjendja, ndërsa operacioni do të ishte i paevitueshëm dhe, bashkë me të, edhe njëmijë EURO. Vetëm kur e dëgjoi fjalën “përkujdesje” Balushit i shkoi mendja se që kur kishte filluar të shkruante librin, nuk kishte “fjetur” me gruan. Andaj, aty për aty vendosi:- “Ç` më duhet libri, nëse e humb Nerminin. Inati daltë fare”. Për vepra dhe punë të mëdha le të mendoj Ferizi dhe partia e tij. Rroftë partia!”, – tha, pa u përcaktuar për ndonjë vijë ideologjike, sepse partive u ishin përzier telat. Pastaj, krah përkrah me të shoqen u kthye në banesë, i lehtësuar nga barra që ia kishte ngarkuar vetes.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here