Romani “Margarita” i shkrimtares Lumturi Plaku një prurje e re në prozën bashkëkohore shqipe. Nga Ndue Lazri, Itali

DASHURIA DINJITOZE E NJË VAJZE SHQIPTARE ME DJALIN E NJË KONTI ITALIAN

Shkrimtarja e suksesshme shqiptare, emigrante në Itali, pas mbi njëzet librash të mirëpritur nga lexuesi shqiptar e italian, merr përsipër të shkruajë një roman mbi dashurinë e pastër e të sinqertë, në një kohë kur në sajë të teknologjisë e të rrjeteve sociale në internet, dashuria është bërë gati elektronike.

Nga Ndue Lazri, Itali

Në fillim të vitit 1970 në moshë shumë të re, shkrimtari Erich Segal shkroi disi me ndrojtje thuajse në të njëjtën kohë skenarin e filmit dhe romanin me titull “Love story”. Ishte koha kur kishte marrë superxhiro lëvizja e Hipive, kur flitej për dashurinë e lirë dhe të shfrenuar, kur dashuria tradicionale e romantike konsiderohej diçka e vjetëruar, kur literatura e
filmografia erotike e pornografike po konkuronin me egërsi artin dhe kinematografinë klasike e moderne. Pikërisht në këto rrethana historike Erich Segal mori guximin e shkroi një vepër ku evokohet dashuria e sinqertë midis dy të rinjve studentë nga shtresa të ndryshme shoqërore me romantizmin, thjeshtësinë dhe besnikërinë deri në vdekjen e heroinës së romanit. Publiku e lexuesi i dhanë të drejtë. Libri u përkthye në 33 gjuhë të ndryshme. Mbi skenarin e Erich Segal regjisori Arthur Hiller xhiroi një film të suksesshëm, që u bë një titull cult jo vetëm për ato vite por në përgjithësi për kinematografinë që trajton temën e dashurisë. Shprehja “Të dashurosh do të thotë të mos shqiptosh kurrë më vjen keq”, u bë kaq e përhapur sa edhe sot mbetet si frazë simbolike në historitë e dashurisë së vërtetë.
M’u kujtua ai libër dhe ai film ndërsa po lexoja romanin “Margarita” të shkrimtares Lumturi Plaku, që ti i dashur lexues e ke në duar. Shkrimtarja e suksesshme shqiptare, emigrante në Itali, pas mbi njëzet librash të mirëpritur nga lexuesi shqiptar e italian, merr përsipër të shkruajë një roman mbi dashurinë e pastër e të sinqertë, në një kohë kur në sajë të teknologjisë e të rrjeteve sociale në internet, dashuria është bërë gati elektronike. Në një kohë kur partnerët ndërrohen si fustanet, kur në ndjenjën më të bukur njerëzore ka hyrë si sëmundje e keqe interesi, kur propagandohet më shumë bashkëjetesa se martesa, kur familja është në një udhkryq historik dhe në shumë vende perëndimore konsiderohet e suksesshme një martesë që zgjat 3-4 vjet, kur divorcet janë bërë dukuri e përditshme etj. A do i japë të drejtë lexuesi? Mendoj se po.
Autorja, Lumturi Plaku, ve në qendër të romanit të saj dy të rinj, që u përkasin jo vetëm dy shtresave të ndryshme shoqërore, por dhe dy kulturave e dy mentaliteteve të ndryshme. Margarita është një e re shqiptare, emigrante, që shkon të punojë në Itali me mendimin për të qëndruar pak vite e të rikthehet në
Shqipëri. Kurse Marko është një i ri italian, biznesmen i suksesshëm, bir i një familjeje të pasur lombarde. E ëma e tij, Xhuzepina, është një zonjë me mirëqenie, me kulturë e tradita tipike italiane, e cila, përveç punëtores që i bën punët e shtëpisë, ka nevojë edhe për një damë shoqërimi në jetën e saj të përditshme, në leximet e në shetitjet e saj. Pikërisht ky vend pune, që mund të konsiderohet i privilegjuar, i bie për pjesë emigrantes shqiptare Margarita.
Tek ky raport pune, nis ndërthurja e asaj që do të bëhet edhe subjekt i romanit. Ngjarjet vendosen në vitet e para të emigrimit masiv të shqiptarëve në drejtim të perëndimit, kur dallga e emigrantëve nga vendi i vogël e i prapambetur ballkanik sillte me vete në perëndimin e zhvilluar ekonomikisht e nga ana kulturore, përveç varfërisë, edhe një sërë fenomenesh shoqërore e kulturore, tradita e mentalitete në kundërvënie e deri në dukuri të dhimbshme si krimi, prostitucioni etj. Shumë nga këto fenomene janë trajtuar në letërsinë e shkruar nga mjaft autorë shqiptarë në emigrim. Lumturi Plaku, me mençuri i është shmangur përsëritjes së atyre temave, duke u ndalur me qëllim e me elegancë në ndryshimet ndërmjet kulturave, traditave e mentaliteteve midis protagonistëve, që janë përfaqësues të dy vendeve në dy brigje të ndryshme të Adriatikut.
Mendoj që autorja me qëllim e ka zgjedhur protagonisten e romanit të saj, Margaritën, një vajzë jetime, të rritur me vështirësi, por me pretendime intelektuale e kulturore. Ajo ka studiuar për infermiere, njeh dhe di të interpretojë artet figurative, letersine, kompozimin dhe muzikën klasike, ka talent në të shkruar etj. Me këtë zgjedhje të goditur, Margarita bëhet edhe më e besueshme si bartëse e atyre traditave, e atij mentaliteti, e asaj kulture jetese që mbartëte pjesa më e madhe e popullsisë e sidomos gratë e vajzat shqiptare në fillimin e viteve ‘90. Në vendin e vet ajo mund të konsiderohet një vajzë pak a shumë e
emancipuar, por asnjëherë në nivelin e lirshmërisë së jetës që kishin vajzat e gratë italiane në periudhën kur ajo arrin si emigrante.
Pikërisht këtu fillon ajo përballje mentalitetesh e traditash midis saj e Xhuzepinës e më vonë midis saj e Markos. Është një përballje e butë, ku ajo imponohet me disa cilësi të shëndosha të natyrës e karakterit të saj, por gati shokohet nga ajo lirshmëri e vajzave dhe grave italiane, si në konceptimin e jetës, ashtu edhe në sjelljen reale. E në këtë përballje ajo do fitojë jo pa vështirësi terren e simpati me cilësitë më të mira të karakterit të saj, por edhe do përpiqet të mësojë nga anët e mira të lirshmërisë së grave e vajzave italiane. Kjo përballje bëhet disi më e ashpër me Markon, sjelljet e fjalët e të cilit ajo i sheh disi e trembur, por edhe me kurajon që t’i kundërshtojë ato e të tregojë integritetin e saj si femër.
Shkrimtarja Lumturi Plaku sjell në pasqyrën e vet krijuese botën femërore në shumëllojshmërinë e sfumaturave të saj. Dhe këtë e bën nëpërmjet realizimit me mjeshtëri të personazhve e të linjave që përbëjnë subjektin e romanit.
Margarita, emri i së cilës është zgjedhur jo pa qëllim nga një lule, përfaqëson bukurinë, delikatesën, brishtësinë e pastërtinë femërore shqiptare. Autorja e ka qëndisur me dashuri këtë figurë. Margarita herë magjeps me bukurinë, pafajsinë, padjallëzinë, heshtjen, por edhe me mençurinë e fjalës e herë i bën të tjerët të stepen me mënyrën e rezervuar të sjelljes, refuzimin e mospranimin e hapave që për mentalitetin e saj janë më të avancuar se sa duhet. Bukuria fizike është kontakti i parë me të cilin ajo tërheq vëmendjen, gjë, që ajo vetë s’e mban kurrë si armën më të fortë të qenies së saj. Që në ditët e para Xhuzepina e quan një vullkan e minierë për të zbuluar. Marko në momentet e para thotë që ajo është si emri që ka, si lule margarita, për ta mbuluar më vonë me gjithfarë komplimentesh prej latin loveri
italian, para së cilave Margarita rri e tërhequr e disi në distancë. Për të motrën, Fridën, Margarita është bukuria që verbon yll e hënë.
Ana fizike është vetëm një anë e botës femërore të Margaritës. Ana tjetër, ajo që ka më shumë vlerë, janë pasuria e pastërtia shpirtërore e saj. Edukata familjare, e bazuar mbi traditat më të mira shqiptare, shoqërohet edhe me një farë fanatizmi të justifikueshëm për rrethanat dhe me një farë frike të brendshme ndaj realitetit në të cilin ka vajtur të punojë e jetojë. Këtë frikë ajo fillon ta mposhtë dalëngadalë, duke u integruar natyrshëm në realitetin e ri. Vlera e saj rritet sepse këtë integrim ajo e bën duke afirmuar personalitetin e saj të admirueshëm edhe përpara Xhuzepinës, por sidomos përpara Markos që jo rrallë mbetet i çarmatosur përpara forcës së saj të brendshme.
Me personazhin e Xhuzepinës, autorja sjell një aspekt tjetër të botës femërore; një zonjë nga borgjezia e mesme italiane, me klas, me rregulla të forta në jetën familjare, e dashur por gjithashtu edhe autoritare përpara të birit. Ajo studion në mënyrë të respektueshme personalitetin dhe natyrën e vajzës që ka ardhur nga përtej Adriatikut. Nuk ka fobi ndaj të huajve, por fillimisht mban distancë, duke kërkuar ta njohë më mirë Margaritën e bukur shqiptare.
Pikërisht në marrëdhënien Xhuzepina-Margarita, autorja ka sjellë bukur, natyrshëm e pa sforcime atë përballje mentalitetesh të ndryshme, që asnjë herë nuk kalon në konflikt, por shkon drejt lëshimesh e mirëkuptimesh reciproke. Xhuzepina e sheh Margaritën herë me dhimbsurinë e përkujdesjen prej nëne për këtë vajzë jetime e herë me syrin e dëshirën për ta patur nuse për djalin e saj. Në këtë dyzim ndjenjash ajo është nënë përballë djalit të saj e herë nënë e herë vjehrrë e ardhshme përballë vajzës së bukur shqiptare. E në këtë dyzim fiton intuita e nënës përballë dy të rinjve. Është pikërisht ajo që projekton e “kurdis” afrimin
midis tyre, siç është po ajo, që me mençurinë e besimin prej nëne di t’i japë fund intrigës së ndyrë që thuret ndaj Margaritës. Mendoj se linjën Xhuzepinë-Margarita autorja e ka ndërtuar me mjeshtëri, pa artifice e sforcime, në mënyrën me të besueshme për lexuesin.
Një aspekt tjetër të botës femërore në roman autorja e sjell në marrëdhënien midis dy motrave, Fridës e Margaritës. Frida, duke qenë disa vite më e madhe në moshë, nga rrethanat e jetës, është bërë mama për motrën më të vogël dhe përkujdeset për të. Frida është personifikim i emigrantes së integruar mirë familjarisht në jetën italiane, një mesatare e artë midis Xhuzepinës e Margaritës e përsa i përket mentaliteteve, një këshilltare e mirë ndaj së motrës në çdo hap të saj, por edhe një derë e hapur për të në çdo rast nevoje e vështirësie.
Autorja s’ka lënë pa sjellë edhe një aspekt të errët të universit femëror. Nëpërmjet personazhit të Enrikës, ish të fejuarës së Markos, ajo sjell tipin e femrës, ku bukuria e jashtme vihet në shërbim të krijimit të lidhjeve dashurore me interes. E sigurtë në vetvete, pasi ka fituar njëfarë garancie që Marko nuk i shpëton më nga duart, fillon t’i hedhë sytë gjetkë në historira përfitimesh të mëtejshme. Kur vëren se po e humbet Markon, Enrika bëhet e xhindosur dhe shpalos karakterin e një intriganteje të paskrupullt. Kërkon ta rifitoj e ta bëj për vete Markon me manovra të ulta e të pa morlashme, që dridhërojnë e mbasi s’ja arrin qëllimit, intrigon me argumente gati bindëse, gjer në dhimbje, kundër Margaritës. Fatmirësisht, përball kësaj femre të pa moralshme, ndodhet zgjuarsia dhe intuita e Xhuzepinës, që me kujdesin më të madh, të mos lëndohet Margarita, i japin zgjidhjen e duhur kësaj intrige.
Pa dyshim linja qëndrore dhe më intriguese për lexuesin është linja Marko-Margarita. Autorja ka ditur të verë me mjeshtri përballë dy personazhe, ku diferenca midis
mentaliteteve e formimeve reciproke është më kulmore. Marko, pinjoll i një familjeje italiane me mirëqenie, inxhinier që punon më shumë për hobby se për nevoja materiale, është mësuar me një jetë të lirë, ku nuk i mungon asgjë, as femrat, as paratë, as zbavitjet. Por falë edukimit të familjes, kryesisht Xhuzepinës që di të jetë një nënë e dhembshur, por edhe edukatore e rreptë, ai mbart në vetvete vlera themelore morale e shoqërore të të riut të sotëm italian. Përballë tij, Margarita, një vajzë shqiptare, shumë e rezervuar, e bukur deri në verbim përpara syve të Markos, një lule, siç e quan ai, por një lule mos prek. E kulturuar, me njohuri të lakmueshme në fushën e arteve të bukura, me aftësi ta përvetësojë kompiuterin me një shpejtësi të pabesueshme për inxhinierin italian, me një mënyrë komunikimi çarmatosëse, me personalitetin e saj të spikatur, ajo di ta mbajë në distancë Markon, që i dehur nga bukuria e saj, e mbulon çdo ditë me komplimente pa fund. Me mentalitetin që në jetë mund të dashurosh vetëm një njeri, atë me të cilin do martohesh, Margarita i hedh anash komplimentet e Markos, duke ruajtur respektin e stimën e duhur si djali i punëdhënëses së saj. Është pikërisht ky qëndrim prej vajze dinjitoze, me pikësynime të qarta për jetën e jo lehtësisht të pushtueshme, që e bën Markon të dashurohet marrëzisht pas saj dhe Xhuzepinën ta shikojë si nusen e mundshme për djalin e saj të vetëm.
Duke qenë poeteshë, autorja e romanit Lumturi Plaku ka derdhur në këtë linjë midis dy të rinjve shumë poezi. Është poezi që e gjen në ëndrrat e dashurisë që fillon të thurë Marko e në mesazhet që ai i dërgon nëpërmjet postës elektronike Margaritës që nga Dubai ku shkon shpesh herë për punë. Poezinë e gjejmë në torturimet e brendshme të Margaritës, tek e cila fillon të lulëzojë një farë ndjenje, por që e frenojnë mosbesimi e frika se po shkel në dërrasë të kalbur. E gjejmë më tej në mesazhet e në lojërat e
mençurinë e elegancën e saj si një lule e ndrojtur përpara shkëlqimit verbues të diellit që i fal ngrohtësi. Mjaft poetike monologjet e secilit prej tyre kur janë larg njëri-tjetrit, monologje torturuese si midis një Romeoje e një Zhuljete të kohëve moderne. E poezia shpërthen pastaj me forcë në fundjavën e tyre në bregdetin e Ligureve, për të triumfuar në fejesën e tyre pas reve të zeza të intrigës së Enrikës.
Romani i Lumturi Plakut është i pasur jo vetëm me larushinë e botës femërore që sjell në pasqyrën e shkrimtares, por edhe në emocionet e ndërthurjes së dy botëve që vijnë nga dy brigjet e Adriatikut. Margarita është lulja – gonxhe që vjen nga ana tjetër e Adriatikut për të shpërthyer me tërë bukurinë e magjinë e saj në ambientin italian. Ndaj mendoj se lexuesi do i japë të drejtë autores që ka marrë përsipër të na sjellë një histori të bukur dashurie, si një rreze dielli në kohën kur pandemia duket sikur ka hedhur një tis të errët mbi tërë globin.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here