DIELLI I PASDITES
PREJ XHAMI TË NGJYROSUR
Më emocionon së tepërmi një hollësi
në Vllahernë, kurora e Johan Katakuzinos
dhe e Irini Androniku Asan.
Siç duket nuk kishin, veçse pak gurë të çmuar
(ishte e madhe varfëria e shtetit tonë të cfilitur),
e veshën teknikisht. Një grumbull me copra xhamash,
të kuq, të blertë ose blu. Asgjë të keqe
ose të padenjë
nuk kanë ato copëza
prej xhami të ngjyrosur. Ngjajnë
si një ankim i trishtë
ndaj fatkeqësisë së padrejtë të kurorëzimeve.
Janë simbole të asaj që duhet të jenë
të asaj që duhet të kenë
në kurorën e tyre një Zotëri Joan Katakuzina
dhe një zonjë Irini Androniku Asan.
1925
DIELLI I PASDITES
Atë dhomë e njoh shumë mirë.
Tani jepet me qera edhe ajo edhe tjetra në krah
për zyra tregëtie. E gjithë shtëpia u bë
zyrë mestarësh, tregtarësh dhe Firmash.
A, ajo dhomë sa e njohur është.
Këtu, pranë portës, ishte kanapeja
dhe para saj një qilim turk,
aty pranë rafti me dy vazo të verdha.
Djathtas, jo, përballë, një dollap me pasqyrë.
Në mes tryeza, ku shkruhej
dhe tri karriget e mëdha me psathë.
Përkrah tek dritarja ishte shtrati
ku u dashuruam sa herë.
Të mjerat, diku gjenden ende.
Në krah të dritares ishte shtrati,
dielli i pasdites i arrinte deri në mes.
…Pasdite në orën katër ishim ndarë
vetëm për një javë…Mjerisht,
ajo javë u bë e përhershme.
1919
NË FSHATIN E MËRZITSHËM
Në fshatin e mërzitshëm ku punon –
nëpunës në një shitore
tregtar i ri – dhe ku pret
të kalojnë edhe dy, tre muaj,
edhe dy, tre muaj që të pakësohen punët,
që të hidhet deri në qytet, të jipet
drejt e në lëvizje, në argëtim,
në fshatin e mërzitshëm ku pret –
sonte u shtri në shtrat përvuajtës dashurie,
e gjithë rinia e tij pritëse në pathosin e tij trupor,
në forcën e bukurisë, e gjithë rinia e tij e hijshme.
Në gjumë kënaqësia e tij i erdhi përsëri
në gjumë sheh se ka formën, trupin që dëshironte…
1925
MBLEDHJE
Nëse jam i lumtur apo fatkeq, këtë nuk e analizoj,
edhe një gjë gëzueshëm vë në trurin tim
që në mbledhjen e madhe ( në mbledhjen e atyre që urrej ) –
e cila ka aq numra, unë nuk jam aty
një nga numrat e shumtë. Në shumën e përgjithshme
nuk e futa veten. Dhe më mjafton kjo kënaqësi.
GREKË TË LASHTË
Krenohet Andiohia për ngrehinat e saj plot dritë
për rrugët e saj të bukura për atë
vendpushimin e mrekullueshëm dhe për popullsinë e madhe
për ata banorë. Krenohet që është vendi
i mbretërve lavdiplotë dhe për artistët
për dijetarët që ka dhe për të pasurit e mbytur në kamje
për tregtarët e njohur. Por më shumë
se gjithshka tjetër Andiohia krenohet se është qytet
i grekëve të lashtë të një gjaku me Argosit:
prej Jonit i cili u krijua prej banorëve
të Arjios për nder të vajzës së Inahos.
1927
HEGJEMONI I LIBISË PERËNDIMORE
Pëlqehej përgjithësisht në Aleksandri,
gjatë dhjetë vjetëve që ndenji aty,
hegjemoni i Libisë Perëndimore,
Aristomeni, i biri i Menelaut.
Në emër, në veshje, në sjellje, grek.
I pranonte me kënaqësi nderet,por
nuk i kërkonte, ishte i thjeshtë.
Bleu libra greqisht,
sidomos historie dhe filosofie.
Mbi të gjitha ishte njeri fjalëpakë.
Duhej të ishte i thellë në mendime, i dëgjuar
dhe të tillët e kanë të natyrshme të mos flasin shumë.
As i thellë në mendime nuk ishte, as asgjë,
Një njeri i rastësishëm, qesharak.
mori emër grek, u vesh si të ishte grek,
mësoi të sillej në dukje si grek
dhe i dridhej shpirti nëse rastiste,
ta humbte përshtypjen e paktë,
duke e folur greqishten me tone barbare
dhe aleksandriasit e marrin për njeri të hollë,
siç e kanë zakon ata të neveritur.
Prandaj kufizohej në pak fjalë,
duke përkujdesur me drojë lakimet dhe shqiptimin,
duke befasuar jo pak, duke mbajtur
bisedat stivë brenda vetvetes.
1928
TË PËRFUNDUARA
Nëpër frikë dhe dyshime,
me mendje të tallazitur dhe sy të trembur,
mundohemi dhe planifikojmë si t’ia bëjmë
për t’iu shmangur rrezikut
të sigurt që ashtu frikshëm na kërcënon.
Por gabojmë, nuk është ai në rrugë
të rremë ishin mesazhet
(ose nuk i dëgjuam, ose nuk i ndjemë mirë).
Tjetër katastrofë, të cilën nuk e imagjinuam,
e beftë, e fuqishme bie mbi ne
dhe të papërgatitur- që prej kohësh- na rrëmben.
1911
DUKE PRITUR BARBARËT
-Çfarë presim në treg të mbledhur të gjithë bashkë ?
Barbarët kanë për të mbërritur sot.
– Përse brenda në Senat një plogështi e tillë ?
Përse rrinë Senatorët dhe nuk vendosin ligje ?
Sepse barbarët do të mbërrijnë sot.
Çfarë ligji të bëjnë Senatorët ?
Barbarët pasi të vijnë do të vendosin vetë ligje
-Përse perandori ynë është ngritur kaq herët
dhe rri në portën më të madhe të qytetit
mbi fron, zyrtarisht, i veshur me kurorë ?
Sepse barbarët do të mbërrijnë sot.
Dhe perandori pret që të mirëpresë
prijësin e tyre. Madje është përgatitur
për t’i dhënë atij një pergamenë. Aty
i ka shkruar shumë tituj dhe emra.
-Përse dy konsujt tanë dhe pretorët dolën
sot me veshjet e kuqe, të gjata
përse veshën byzylykë me kaq ametistë
dhe unaza me smeraldë të ndritshëm, të shkëlqyer
përse rrëmbyen sot bastunët e shtrenjtë
të gdhendur me argjend dhe ar jo të zakonshëm ?
Sepse barbarët do të mbërrijnë sot
dhe të tilla gjëra i verbojnë barbarët.
-Përse edhe oratorët e zotë nuk vijnë si përherë
të mbajnë fjalime, të thonë fjalët e tyre ?
Sepse barbarët do të mbërrijnë sot
dhe ata nuk i kanë qejf gojëtaritë dhe fjalimet publike.
-Përse të nisë menjëherë ky shqetësim
dhe ky pështjellim. (Fytyrat u bënë aq serioze).
Përse u boshatisën me shpejti rrugët e sheshet
dhe të gjithë kthehen në shtëpitë e tyre tepër të menduar ?
Sepse u err dhe barbarët nuk erdhën.
Dhe disa që u kthyen prej kufirit
thanë se barbarë nuk ka më.
Po tani ç’do të bëhemi pa barbarët.
Ata njerëz ishin njëfarë zgjidhjeje.
1904
MONOTONI
Një ditë tjetër monotone përsëri
monotone, e njëllojtë vjen. Janë për t’u bërë
të njëjtat gjëra, do të ribëhen sërish
çaste të ngjashme na gjejnë dhe na lënë.
Muaj kalon dhe sjell muaj tjetër,
Ato që vijnë askush me mend nuk mund t’i marrë
janë të djeshmet ato të mërzitshmet.
Dhe katandiset e nesërmja që e nesërme të mos ngjajë.
1908
DRITARET
Në këto dhoma të errëta, ku po kaloj
ditë të rënda, vërtitem poshtë e lart
për të gjetur dritaret. – Kur të çelet
një dritare do të jetë ngushëllim. –
Po dritaret nuk gjenden, ose unë nuk mund
t’i gjej. Dhe ndoshta më mirë të mos i gjej.
Ndoshta drita mund të jetë një tirani.
Kush e di se çfarë gjërash të reja do na shpërfaqë.
1903
GRI
Duke parë një gur të çmuar gjysmë gri
m’u kujtuan dy sy të bukur gri
që i pashë këtu e njëzet vjet më parë…
……………………………………………………..
Për një muaj u dashuruam.
Mandje iku, më duket në Izmir,
për të punuar aty dhe nuk u pamë sërish.
Do të jenë ligështuar- nëse jeton – sytë gri
do të jetë prishur fytyra e bukur.
Kujtesa ime, ruaji ashtu siç ishin.
Dhe çfarë të mundësh, kujtesa ime, ruaji prej asaj dashurie
çfarë të mundësh m’i sill sonte pas.
1917
PARA SE T’I NDRYSHONTE KOHA
Pikëllim i madh në ndarjen e tyre.
Ata nuk e deshën ishin rrethanat.
Nevojat jetësore bënë që njëri
të ikij larg- Nju Jork ose Kanada.
Dashuria e tyre sigurisht nuk ishte si më parë
ishte mpakur joshja gradualisht,
ishte mpakur joshja e dashurisë shumë.
Por që të ndaheshin, ata nuk e deshën.
Ishin rrethanat.- Apo mos vallë mjeshtër
u shfaq Fati duke i ndarë tani
para se të shuhej ndjenja , para se t’i ndryshonte Koha
njëri për tjetrin do të jetë i tillë që të mbetet përjetë
njëzet e katër vjeç djalë i bukur.
1924