POEZI SPONTANE QË BURON NGA SHPIRTI
“Shtegtar muzgjesh” është libri i tretë me poezi i Fekra Maria Shabanit. Ky libër ashtu si edhe dy vëllimet tjera të poeteshës, “Shpirt i lënduar dhe “Malli nuk njeh moshë”, janë një autobiografi e saj.
Një udhëtim kritik në jetë, prej femijërisë deri në moshë të pjekur, vjen nga njëra poezi tek tjetra, aq sa poetesha të ngjan me një shtegtar muzgjesh, ku fati ashtu si në poemat e vjetra ballkanike, e dërgon atë në rrethana shpesh të paparashikuara, sido që të kërkuara me guxim dhe përmbajtje në kërkim të një jete ma të mirë si shumica e shqiptarëve që morën rrugën e mergimit pas viteve 1990.
Poezitë e Fekres, sido që të ngarkuara nga emocionet e largimit nga Atdheu dhe dhimbjet e “muzgjeve në dhe të huaj” janë plot tone frymëzuese, pasi mbështeten në motive të thella të brendshme, emocionale dhe në përgjigje filozofike për jetën.
Udhëtimi i saj nga Lushnja ku lindi dhe kaloi femijërëinë si një bijë e një babai të denuar nga regjimi komunist si kundërshtar i saj, deri në metropolet europiane dhe amerikane si emigrante ekonomike, është shprehur në poezitë e saj plot dritë zemre, besim dhe paqe.
Pyetja që kam shtruar unë si studiues i poezisë është se si ka mundësi që edhe një njeri i zakonshëm mund të shndërrohet në poet të suksesshëm, biles edhe në një moshë të pjekur, duke sfiduar klishe dhe parime të ngurta? Përgjigjia është se mjafton të keshë provuar ato dhimbje, tronditje dhe zhgënjime në jetë si Fekra, duke ruajtur thellë në shpirt të paprekur besimin tek njeriu, do të bëhesh medeomos një poet i vertetë i jetës tënde, por edhe i mioliona jetëve të ngjashme në botë!
Të shikosh botën si një shtegtar muzgjësh ku siç thotë autorja ” vdekja fitimtare mbi kokë më qëndron”, ngjan me një baladë të vjetër shqiptare, pasi të udhëtosh gjithë jetën dhe të gjendesh
përsëri “ Në portën e mistërshme të botës,” është si të jeshë gjithnjë në fillim.
A dëgjojnë vallë
zogjtë kur shtegtojnë
‘britmat’ e zemrës
t’kurbetqarit të malluar?
Puhizësat e mëngjeseve
bëjnë livadhet t’lotojnë në vesë
dëshirat ngelen fshehur
nën hijen e jetës
e malli, shtojzovalle tekanjoze
‘fle,’ në zemrën e vetmuar. (Mall)
Udhëtimi i Fekres si njeri, por edhe si poeteshë, është i mbushur plot shpresa dhe zhgënjime, ashtu si në kënëgt Homerike apo ato të Mujit dhe Halilit shqiptar, ajo merr përsipër të tregojë plot emocione metaforike bëmat e saj dhe të njerëzimit në një botë globle të sofistikuar në intriga, pabesi dhe nëpërmëkmbje. Këtë frymë e përcjellin thuajse të gjitha poezitë e saj por në mënyrë të veçantë: Jetë e imja jetë, Lënduar, U braktisa nga urrjetja, Fat i mirë, Kur dhimbja trupin t’pushton, Zhgënjimi, Prano fatin tënd, Në detin e trazuar, Si nuk vumë re, Toka e premtuar etj.Poezi që mbartin vlera estetike të konfirmuara.
Fekra Maria Shabani ka sfiduar kohën e saj, ka eksperimentuar në jetë, ka provuar në letërsi, ka ndertuar sistemin e vet metaforik plot dhimbje dhe mall që është një metaforë e ripërtritjes së njeriut që beson në zot dhe në Atdhe.
Edhe në këtë libër Atdheu është një simbolikë e fortë me nënteskte të një lidhjeje që sido që ka mbetur e përjetshme ajo gjykon vendin e saj Shqipërinë që nuk i dha mundësi të përmbushej për shkak të privimeve politike në rini dhe atyre eknomike në vazhdim.”Ne të brakstisëm, por edhe ti na braktise” i thotë ajo Atdheut në një dialog trishtimi me të.
Nuk e dija, se me ardhjen në jetë
çdo më priste,
kush ishin ujqër, apo dele! (Të jeshë vetvetja)
Poetesha lvdëron SHBA-të, vendin e lirisë për mikpritjen dhe mundësitë e mëdha që i ka dhënë vetë asaj, por edhe të birit, duke përmbushur edhe ëndrrën e të jatit i cili vdiq i ri në diktaturë, duke patur në shpirt Amerikën.
Poetesha ka disa tema të preferuara nga libri në libër, si mbijetesa, varfëria, malli, fati, atdheu, familja, nëna, babai, xhelozia, smira, intrigat ndaj njerëzve të mirë, pabesia dhe besimi në zot, por ato kanë dallime rrënjësore në mënyrën se si i trajton, mesazhet humanitare që përcjell dhe figuracionin e zgjedhur. Poezia e Fekres është një poezi spontane që buron nga një shpirt që ka akumuluar lot dhe dhimbje pa mbarim gjatë gjithë jetës, deri sa një ditë është zbrazur si një burim për të treguar historinë e saj që është historia e miliona emigrantëve shqiptarë, por edhe e njerëzimit.
Megjithatë mesazhi i poetës nga poezia në poezi është “Jeto në paqe me vetën dhe të tjerët”, pasi ka një fund të udhëtimit për të gjithë.
Fundi
troket parreshtur, sfidues ndaj nesh,
Fundin askush nuk e di si do të vijë,
mes heshtjes, pa ditur ç’të thuash
ndjen dhimbje, qënia drithëron
kur mendon
fundin një ditë. (Jeto në paqe).
-Poetesha Fekra Maria Shabani, me tre librat e fundit i bashkohet aradhës së shkrimtarëve shqiptarë të emigracionit, të cilët edhe pse kanë ikur prej tre dekadash nëpër botë vijojnë të mbajnë gjallë lidhjet me Atdheun, të forcojnë dhe begatojnë pasurinë kulturore të vendit të tyre, duke i prezantuar ato në shoqëritë ku jetojnë, qoftë edhe duke shkruar një letërsi dygjuhëshe, siç bën me modesti dhe krenari edhe Fekra.Tek e fundit lidhjet me Atdheun kanë edhe karakter kulturor. I urojmë Fekrës edhe libra të tjerë po kaq të frymëzuar dhe të pasur në figuracion, ide dhe dashuri për vendin, Atdheun dhe botën.