Mëso ta dëgjosh veten, mendimet tua, dëshirat tua, sidomos – zemrën tënde.
Udhëtimi që ndërmerr djaloshi Santiago për të zbuluar thesarin përballë piramidave shndërrohet në zbulim të thesarit të brendshëm, në njohje të vetvetes. Thesari ishte ai vetë. Atë e kishte në vete.
Paulo Kuelo (Paulo Coelho) lindi më 24 gusht 1947 në Rio-de-Zhanejro (Rio de Janeiro) të Brazilit. Ndoqi shkollën fetare të jezuitëve. Kur ishte tinejxher, i tha së ëmës se dëshiron të bëhet shkrimtar. Ajo ia ktheu: “Babanë e ke inxhinier, njeri logjik dhe të arsyeshëm, me koncept të definuar për botën. E di të se ç’do të thotë të jesh shkrimtar?” Në kërkim të përgjigjes për këtë pyetje, erdhi në përfundim se “shkrimtari gjithmonë mban syze dhe kurrë s’i kreh flokët. Detyra dhe detyrimi i tij është të mos e kuptojë gjenerata e vet”. Kur ishte 17 vjeçar, për shkak të sjelljes introverze dhe kundërshtimit të mënyrës tradicionale të jetës, prindërit e dërguan në spitalin psikiatrik. E liruan kur i mbushi 20 vjeç. Ndërkohë, nga spitali kishte ikur tri herë. Më vonë pohon: “Nuk është se donin të më lëndonin. Thjesht, nuk dinin ç’të bënin me mua. Nuk e kanë bërë këtë për të më shkatërruar, por për të më shpëtuar.”
Sipas dëshirës së prindërve, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë. Hoqi dorë për t’u bërë shkrimtar. Pas një viti, i la studimet dhe nisi të udhëtojë nëpër Afrikën e Jugut, në Meksikë dhe në Evropë. Jetonte si hipik dhe pinte drogë. Pas kthimit në Brazil, nisi të shkruajë poezi për këngëtaren braziliane të muzikës popullore dhe të xhazit, Elis Regina* (Elis Regina Carvalho Costa, 1945-1982), për këngëtaren e muzikës rock, shkrimtaren dhe kompozitoren braziliane Rita Lee (Rita Lee Jones, 1947- ) dhe për kompozitorin brazilian të muzikës rock Raul Seixas (Raul Santo Seixas, 1945-1989). Në vitin 1974, për këto poezi të cilat pushteti i konsideronte majtiste dhe të rrezikshme, u burgos dhe u torturua.
Shënim: Elis Regina është nënë e këngëtares braziliane Maria Rita, e lindur si Maria Rita Camargo Mariano, (1977- ). Baba i saj është pianisti i famshëm César Camargo Mariano).
* * *
Edhe pse fitonte dhe u afirmua si autor poezish, në vitin 1986 vendosi që plotësisht t’i kushtohej shkrimit të romaneve. Kthesën e bëri gjatë pjesëmarrjes në shëtitjen ceremoniale fetare Rruga për Santiagon (Road of Santiago de Compostela) në Spanjë, të cilën e paraqiti në veprën e vet “Pelegrinazhi”.
Në vitin 1982 botoi librin e parë “Arkiva nga ferri” (Arquivos do Inferno, 1982), por libri nuk pati sukses të duhur. Librin e vet të ardhshëm, “Doracak praktik i lugetërisë“ (O Manual Prático do Vampirismo, 1985) e karakterizoi si të dobët për nga cilësia, ndaj tentoi ta tërheqë nga shitja. Në vitin 1986, pas kthimit nga Rruga për Santiagon, shkroi “Pelegrinazhin” (O Diário de un Mago, 1986). Në vitin vijues, një shtypshkronjë e vogël e boton “Alkimistin” në 900 kopje. Vepra popullarizohet vetëm pasi u botua “Bride” në vitin 1990.
“Alkimisti” u shit në mbi 65 milionë kopje dhe u bë një nga librat më të shitur në histori, i përkthyer në 67 gjuhë të botës. Kjo u regjistrua në Librin e Ginesit të rekordeve si libër i një autori të gjallë, i përkthyer në numër më të madh gjuhësh. Ka shitur mbi 100 milionë libra në 150 vende të botës, ndërsa veprat e tij janë përkthye në 59 gjuhë të botës.
Shënim: Sipas të dhënave më të reja, deri më sot, në 170 vende të botës janë shitur 225 milionë kopje të librave të Koelhos, ndërsa është përkthyer në mbi 80 gjuhë.
Pas kësaj, shkruan libra çdo dy vjet. Pohon se çdo libër të ri e fillon vetëm pasi të gjejë pendë të bardhë në janar të vitit tek. Kjo ndërlidhet me kthesën e tij për t’u bërë shkrimtar. Derisa e shtynte kalimin e përhershëm në shkrime pas kthimit nga Rruga për Santiagon, Kuelo tha: “Po qe se sot gjej një pendë të bardhë, kjo do të ishte shenjë që ma dërgon Zoti që të filloj të shkruaj libër të ri”. Pendën e gjeti në ekspoziturën e një dyqani dhe nisi të shkruajë po atë ditë.
Deri tani Kuelo ka botuar 26 libra. Dy prej tyre janë autobiografikë: “Pelegrinazhi” dhe “As Valkirias”. Veprat e tjera janë bazuar në përvojën personale të vet. Disa prej veprave të tij janë prezantuar si përmbledhje esesh, artikujsh gazetareskë apo ligjëratash.
Romani “Alkimisti” ka fituar publik të zgjedhur në mbarë botën. Rrëfimi që të kënaq me thjeshtësinë dhe të inspiron me urtinë e vet, e përcjell bariun e ri andaluzian, Santiagon, i cili nga Spanja e vet niset për në shkretëtirën e Egjiptit, për ta gjetur thesarin e fshehur përballë piramidave.
Askush s’e di se për çfarë thesari bëhet fjalë. Nuk dihet në do t’ia dalë Santiago t’i tejkalojë pengesat që do t’i dalin gjatë rrugës. Por, ajo që fillon si kërkim pasurish të kësaj bote, shndërrohet në kërkim pasurie që ndodhet te vetë ai.
Entuziazmues, piktoresk dhe thellësisht njerëzor, ky rrëfim është dëshmi e përhershme e forcës së ëndrrave tona për të na transformuar, dëshmi se sa është e rëndësishme ta dëgjosh zemrën tënde.
* * *
“Alkimisti” është një prej romaneve më të popullarizuar të njëzet viteve të fundit. Kuelo ia ka treguar lexuesit rrëfimin për domosdoshmërinë e kërkimit të fatit, që ka impresionuar mijëra adhurues të tij në mbarë botën. Pas botimit të parë në vitin e largët 1988, kjo vepër është ribotuar edhe shumë herë të tjera në mbarë botën.
Në qendër të ngjarjes ndodhet bariu Santiago, i cili me pasion të madh dëshiron ta gjejë thesarin me vlerë marramendëse. Rruga jetësore që e ka caktuar, i premton shumë zbulime të reja. Një prej tyre është njohja e vetvetes. Mëso ta dëgjosh veten, mendimet tua, dëshirat tua, sidomos – zemrën tënde. Vjen momenti dhe Santiago mëson se ëndrra e tij nuk i takon vetëm atij – ajo është pjesë e Shpirtit të Gjithësisë.
Dalëngadalë Santiago e kupton lidhjen e pashkëputur që ekziston midis nevojës për realizimin e dëshirave njerëzore dhe asaj që është shpirtërore. Santiago ishte një bari modest. Pak a shumë modeste i kishte edhe dëshirat. Nga jeta nuk kërkonte përveç se vullnet të lirë për vete dhe për delet e veta, pak verë si dhe librin fascinues, ngashënjyes, magjiplotë që do ta mbajë në strajcë. Por fati e çoi në një rrugë tjetër, në formë bredhjesh të paparashikuara, për të kërkuar dhe për të gjetur thesarin e paçmueshëm, të fshehur në themelet e piramidave egjiptiane.
Santiago e njohu mbretin e urtë, Melhizedekun (Melchizedek). Ky e shtyri bariun që të tregojë vendosmëri dhe të vihet në veprim. Të nesërmen i shiti dhentë, la vendlindjen dhe u nis në kërkim. Duke ndjekur ëndrrën e jetës së vet, djaloshi u nis për në Afrikë.
Romani “Alkimisti” është një prej fenomeneve letrare më të rëndësishme të shekullit XX, për arsye se historia e bariut Santiago është një lloj rrëfimi shpirtëror që në jetën e përditshme mund të shfrytëzohet në çfarëdo përsiatjeje racionale, pavarësisht nga statusi shoqëror i tij.
Episodi vijues i librit që e ka goditur botën është mbërritja e Santiagos në Afrikë. Këtu, personazhi kryesor e kupton se rruga jetësore e tij nuk do të jetë aq e lehtë siç e kishte paramenduar. Që ditën e parë, bariu i varfër u plaçkit. Duke mbetur fare i vetëm, nuk kishte mundësi as të bisedojë me dikë ngase nuk dinte arabisht. Pas ngjarjeve të tilla, bariu ishte në humbje të plotë, ndaj i duhej të kthehej, pa e realizuar ëndrrën e vet. Por, në ato çaste iu kujtua biseda me të urtin Melhizedek, mbretin Salem, i cili ende e takonte në shtëpi. Dalëngadalë, dyshimet e tij filluan të zhduken.
“Alkimisti” i Kuelos është një udhërrëfyes i shkurtër për njeriun për t’i realizuar dëshirat e veta, është udhërrëfyes jetësor i Santiagos. Santiago nuk heq dorë nga synimi i tij, para se të arrijë qëllimin e vet dhe para se ta realizojë ëndrrën e vet.
Pasi u vendos në një dyqan, Santiago fitoi do para që mjaftonin për të blerë kope të re delesh. Djaloshit i sillet ndërmend kthimi në shtëpi. Por, në çastin e fundit vendos t’i vë në rrezik të gjitha paratë që i kishte fituar. Ai është i vendosur të realizojë ëndrrën e vet, të kërkojë dhe të gjejë thesarin, atje, mu te këmbët e piramidave. Nga synimi i vet, nuk heq dorë.
Në shkretëtirë Santiago takon udhëtarin me prejardhje angleze. Ky i flet për sekretet e alkimisë. Këto vise qenkëshin të njohura për punë alkimie. Santiago dhe anglezi kalojnë kohën duke folur për çështje shpirtërore. Ndërkohë, përhapen lajme për shpërthimin e një lufte fisesh.
Ndër ngjarjet më të rëndësishme të “Alkimistit” është mbërritja në oazë, përjetimi i ndjenjës së vërtetë të dashurisë, përfytyrimi i luftës që pritej të shpërthente si dhe biseda e rëndësishme me alkimistin i cili ishte i gatshëm ta shoqërojë Santiagon deri te thesari.
Aventurat e mëtejme të Santiagos kanë të bëjnë me sfidat e tij shpirtërore dhe fetare. Alkimisti edhe një herë dëshmon ekzistimin e Shpirtit të Gjithësisë, që është në gjendje të bëjë punë të mëdha.
Kjo vepra e Kuelos i zgjon ato mendime të njeriut i cili në jetën e përditshme nuk ka mundur t’i kushtojë vëmendje të duhur vetes.
* * *
Romani mahnitës “Alkimisti” i shkrimtarit brazilian Kuelo, për herë të parë botua në vitin 1988. Kjo vepër ka inspiruar miliona njerëz në mbarë botën. Është një histori e mrekullueshme, njëherazi e thjeshtë dhe përplot porosi dhe urti jetësore. Flitet për bariun e ri nga Andaluzia – Santiagon, i cili për ta gjetur thesarin të fshehur te piramidat, niset nga shtëpi e tij në Spanjë, për në shkretëtirën e Egjiptit. Rrugës takon Ciganin, njeriun që e quan veten mbret si dhe alkimistin. Ata e udhëzojnë se në ç’drejtim duhet të niset për kërkim. Udhëtimi që e ndërmerr për të mira materiale, i shndërrohet në zbulim të thesarit të brendshëm. Ky rrëfim i çmuar dhe motivues për djaloshin Santiago, dëshmon se sa është e rëndësishme ta dëgjosh zemrën tënde dhe t’u besosh ëndrrave, për arsye se ato mund ta ndryshojnë jetën tonë.
Vepra është alegori për bariun spanjoll Santiagon i cili është nisur në udhëtim, me dëshirë për ta plotësuar misionin personal. Inspirim për veprën ka qenë tregimi i shkurtër i tregimtarit, poetit dhe eseistit argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986) me titull “Tregim për dy ëndërrimtarë”. “Alkimisti” u shkrua në gjuhën portugeze.
“Alkimisti” është një rrëfim filozofik të cilin kritikët letrarë të botës e kanë krahasuar me romanin “Princi i vogël” (Le petit Prince, 1943) të romancierit dhe tregimtarit francez Antuan dë Sen-Egzyperi (Antoine de Saint-Exupéry, 1900-1944). Ky rrëfim i Sen-Egzyperisë është një prej veprave letrare franceze më të përkthyera në botë. Optimizmin jetësor të tepërt dhe ëndrrën, Kuelo i interpreton, jo si ikje nga realiteti, por si mënyrë për ta njohur atë”.
Në vitin 2003, kompania shumëkombëshe amerikane për mediume dhe argëtim Warner Bros i bleu të drejtat për këtë libër për ta xhiruar si film. Por, projekti kurrë nuk u realizua, siç thuhej, për shkak të problemeve rreth skenarit ngase në një moment është paraqitur një betejë me mbi 10.000 luftëtarë, gjë që nuk është poentë e librit. Në vitin 2008, në Festivalin e Kanës u bë publike se producenti amerikan i filmit, i dënuar për abuzim seksual, Harvey Weinstein (1952-) i ka blerë të drejtat e librit, ndërsa regjisor do të ishte aktori, dramaturgu, producenti, skenaristi dhe regjisori amerikan Laurence John Fishbun (1961- ). Buxheti i paralajmëruar ka qenë 60 milionë dollarë amerikanë, ndërsa regjisori dhe shkrimtari iu gëzuan bashkëpunimit.
Cornish Theatre Collective “Alkimistin” e shfaq me sukses në teatër.
* * *
The Guardian thotë: “Libër i shkruar në mënyrë të shkëlqyer. Ajo ka të bëjë me secilin prej nesh dhe na mëson se e gjithë pasuria e botës ndodhet në zemrat tona”.
Prozatori japonez, laureat i çmimit “Nobel” (1994), Kenzaburo Oe (1935-) thotë: “Paulo Kuelo e di sekretin e alkimisë letrare”.
Krijimtaria e Kuelos
Arkiva nga ferri (Arquivos do Inferno, 1982); Doracak praktik i lugetërisë (O Manual Prático do Vampirismo, 1986); Pelegrinazhi (O Diário de um Mago, 1987); Alkimisti (O Alquimista, 1988); Brida (Brida, 1990); O Dom Supremo (1991); As Valkirias (1992); Çdo gjë është shkruar me të njëjtën dorë (Maktub, 1994); Buzë lumit Piedra u ula dhe qava (Na margem do rio Piedra eu sentei e chorei, 1994); Kodra e pestë (O Monte Cincop, 1996); Doracak për luftëtarin e dritës (Manual do guerreiro da luz, 1997); Veronika ka vendosur të vdesë (Veronica decide morrer, 1998); Djalli dhe zonjusha Prym (O Demônio e a srta Prym, 2000); Tregime për prindër, për fëmijë dhe për nipa (Histórias para pais, filhos e netos, 2001); Njëmbëdhjetë minuta (Onze Minutos, 2003); Gjeniu dhe trëndafilat (O Gênio e as Rosas, 2004); Zahiri (O Zahir, 2005); Ser como um rio que flui, 2006; Magjistarja nga Portobelo (A bruxa de Portobello, 2006)etj.
Angazhimi shoqëror i Kuelos
– Ndonëse është edukuar si katolik dhe shkon në kishë, lidhur me disa çështje politike dhe shoqërore, Kuelo e ka shprehur mospajtimin e tij me Papën;
– Në vitin 1996 themeloi “Institutin Paulo Coelho” që u jep ndihmë fëmijëve dhe të moshuarve që ballafaqohen me probleme financiare;
– Është anëtar i Këshillit drejtues të Qendrës për Paqe “Shimon Peres”;
– Këshilltar i posaçëm i UNESCO-s për “dialog ndërkombëtar dhe afrim shpirtëror”;
– Anëtar i Këshillit drejtues të Fondacionit Schwab për sipërmarrësi shoqërore;
– Anëtar i Akademisë Braziliane të Letrave;
– Anëtar i INI Konsultativ Ndërkombëtar – Harvard International Negotiation Initiative;
– Anëtar i Këshillit drejtues të Qendrës Doha për lirinë e mediumeve;
– Anëtar këshillimor i Këshillit drejtues të Fondacionit Maybach.
Xhelal Zejneli