“Gjurmë perlash mbi shkëmb”
Monografi kushtuar veprimtares e poetes Vitore Stefa Leka
Nga Kozeta Zavalani
Zakonisht monografitë shkruhen për personat që nuk janë më mes nesh. Mua më pëlqen që personazhi im, ta shijojë gëzimin për përmbajtjen e këtij libri. Jam munduar të fus letërsinë në monografi, sepse kështu drejtohem tek përsosmëria. I kam dhënë shumë fuqi intelektit, sepse duke disiplinuar imagjinatën e zhvillimin shpirtëror, mësova të jetoj në kohën e tashme, duke menduar të kaluarën, pa shtrembëruar realitetin.
Në faqet e monografisë “Gjurmë perlash mbi shkëmb”, janë histori të vërteta jetësore, që shpalosin jetën e një gruaje të veçantë e plot energji si Vitore Stefa Leka, me kulturën e mirësisë, traditës e ndihmën e pakursyer njerëzore, me një bukuri që rrjedh natyrshëm e përçon vlera të paharrueshme.
Dëshiroj t’ju them se duke shkruar, shpesh e gjeja veten si Vitorja e vogël, që shihte të atin teksa arrestohej e më vonë mësonte se i ati ishte pushkatuar, pa gjyq e pa arsye, madje nuk kishte as varr, ku të mund të çonte një tufë me lule. E megjithatë ajo nuk ushqen urrejtje, por është kaq e paqtë, e qetë, e plot dashuri e mires, ashtu siç shprehet në poezi:
“Sa shpejt i jetova stinët e jetës
Pa mbaruar njëra shpejt kapa tjetrën.
Por ditë pas dite stinëve të mia
Zjarre të reja më ndez dashuria!
E unë si vajzë, grua, nënë, gjyshe e stërgjyshe,
Dashuri shpërndaj, sepse s’mund të ndodhë ndryshe!”
Nëse do të takosh Vitoren, do ta gjesh gjithmonë rrethuar me miq e mikesha, sepse ajo është si drita, që rrethohet gjithmonë nga fluturat…Zonja Vitore Stefa Leka, është humaniste, shkrimtare e poete e njohur jo vetëm në atdhe, por në gjithë trevat shqiptare dhe në diasporë për veprimtarinë e saj, ndaj është nderuar nga Presidenti Alfred Moisiu me Medaljen e Artë të Mirënjohjes. Vitorja është anëtare e këshillit të Lidhjes Shqiptare në Botë dhe presidente nderi e disa shoqatave shqiptare në mërgim.
Ajo është dekoruar nga Bashkia e qytetit të Beratit me titullin “Qytetare Nderi”. Motivi i dekorimit të zonjës Vitore Stefa Leka është kontributi human i dhënë prej saj midis emigracionit beratas, atij shqiptaro-kosovar, por edhe komunitetit italian të Triestes e më gjerë, ku prej vitesh figura e saj ka pushtuar vendin e nderit.
Në krijimtarinë e saj poetike janë disa vëllime: “La liberta”, “Jetoj ringjalljen” më pas “Vetmi e largësisë”, “Poezi që merr frymë pas “pushkatimit” dhe “Lulet e portokalles” që pasohet nga libri në prozë titulluar “Plagë shpirti”. Janë për shtyp romani “Rrethi i hekurt” si dhe “Novela dhe kujtime”. Është bashkautore tek disa libra si: antologjitë “Mozaikë të një portreti”, “Metafora e arratisur”, “Trokitje në mur”, “Gjuha e Dashurisë Poetike”, “Zemra prindërore”, ”Karvan dashurie”, “Trëndafila nga Tirana”, “Për ju krijues”, “Gjuha e dashurisë”, “Kur lëshon zogu folenë”, “Me zemër pranë Shqipërisë”, “Përtej zhgënjimit”, “Ditët e Naimit”, “Maratonomaku nga Shkodra”, “Antologjia poetike LNPSHA-Pegasi”, “Itaka e fjalës”, “Prag” nga Nase Jani, “Editura academia internationale Orient -Ocident 2007- Rumani”, “Testamenti i grave për gratë” dhe “Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare” nga Zenepe Dibra etj.
Nga forumi “Teutat Shqiptare në Botë” si e ftuar nderi ajo vlerësohet me “Fletë Mirënjohje”. Ka dhënë kontributin e saj si bashkëpunëtore në librin voluminoz të gazetarit italian Silvio Maranzzano të titulluar “Border Croissing”-Vecchi e nuovi intrighi attraverso Trieste. Vlerësohet me “Titull Nderi” pranë shkollës shqiptare të vëllazërimit “Albaniache tranzschule Shota” në Zvicër, me rastin e dy vjetorit të LSHB për Zvicerën, një medalje në bronx me dedikimin: “Për merita të veçanta”. Në shenjë mirënjohje vlerësohet në një tubim organizuar në Kosovë prej familjeve të bijve kosovarë të rënë në luftë, me medalje ari me motivacionin: “Për ndihmën e pakursyer dhënë bijve dhe bijave tona gjatë luftës”, ku është gdhendur portreti i saj me mjeshtëri prej argjendarëve kosovarë.
Është dekoruar si “Kalorëse e Paqes” me motivacion: “Për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare, humanizmin dhe bamirësinë e dhënë në diasporë për emigrantët shqiptarë dhe njerëzit në nevojë.”
Për Vitoren kanë shkruar shumë gazeta, duke filluar nga viti që ajo emigroi familjarisht në Itali dhe iu kushtua çështjesh shqiptare jo vetëm me bashkatdhetarët shqiptarë por edhe të huaj.
Ajo ka dhënë shumë intervista në Radio Tirana, për emisionin e shqiptarëve jashtë atdheut, nga gazetarja Kozeta Mamaqi, radio 21 Danimarkë nga Luigj Shkodrani, nga Flora Durmishi Prishtinë, radio “Koha” nga Floresha Dado, radio “Iliria” e shqiptarëve në Toronto me gazetare Antigoni Papanastasi etj. Kudo në krijimet e saj spikat dashuria, jo vetëm për miqtë dhe shokët e saj të afërm, por për njeriun në përgjithësi, për jetën dhe gjithçka të bukur.
Edhe unë e kam intervistuar para shumë vitesh. Më kanë frymëzuar fjalët nga shpirti dhe më kanë emocionuar momentet nga jeta e kësaj gruaje humane, të veçantë e me shpirt të madh. Qysh atëherë mendova të shkruaj një libër mbi gjithë historitë jetësore të saj. Me librin monografik “Gjurmë perlash mbi shkëmb”, dua të marr kënaqësinë maksimale të asaj që kam përzgjedhur. Përgjithësisht më pëlqen të sfidoj lexuesin, duke bërë që, ajo që shkruaj t’u hyjë nën lëkurën e shpirtit dhe të ndikojë me magjitë e saj. Këtë pikësynim kam pasur edhe kur kam shkruar për Vitoren në revistën “Stina për Ndryshim”, por nuk më ka mjaftuar. Ndaj vendosa të mbledh mjaft shkrime, të publikuara jo vetëm nga unë por edhe nga të tjerët, në këtë libër të veçantë, duke eksploruar strukturat e ndryshme jetësore, në përpjekje për të krijuar jo vetëm identitetin, por duke realizuar potencialin e plotë të saj.
Sepse Vitorja të inspiron me jetën e saj, frymëzuar nga udhëtimet dhe natyra, lulet, shkëmbinjtë, deti dhe gjithçka që nxit imagjinatën. Në çdo poezi mundohet të sjellë një mesazh, si një lloj dielli e shprese, që me bukurinë estetike të artit të jep dashuri e paqe. Ajo i do shumë njerëzit dhe e ndjen që edhe ata e duan. Nëpërmjet dashurisë ujiten ndjenjat më sublime, për misionin e shenjtë të paqes, shpesh edhe në situata të padëshiruara, si pasqyrim i asaj që gruaja e shekullit 21-të mendon dhe dëshiron t’i përcjellë botës!
Ndaj edhe është nderuar në qytetin e Beratit në një ceremoni madhështore ku morën pjesë personalitete të larta të artit, kulturës si dhe intelektualë dhe qytetarë beratas, nga Kryetari i Bashkisë, që i dha Titullin e Lartë “Qytetare Nderi”.
Intervistë me zonjën Vitore Leka Stefa, veprimtare krijuese e figurë interesante e emigracionit shqiptar
Poetja dhe shkrimtarja, vajza e një prej familjeve më të njohura shqiptare, dënuar dhe persekutuar në kohën e diktaturës, dhe pse mes një jete plot peripeci, është munduar të japë ndihmë në drejtim të bamirësisë. Ajo ka ndihmuar me mijëra emigrantë, shqiptarë të Kosovës, sepse zemra dhe dashuria e saj nuk kanë kombësi.
Pas pushkatimit të të atit, me akuzën “agjent i amerikanëve”, ajo vazhdoi të punojë me gjallëri, për afirmimin e shqiptarisë. Tashmë prej kohësh cilësohet si “Nënë Tereza e Tristes”. Roli i saj human tashmë i ka kapërcyer kufijtë e bamirësisë, duke e kthyer në organizatore të gjithë diasporës shqiptare. Vitore Stefa Leka, ka edhe një të veçantë, dhe kjo lidhet me biografinë prindërore. Babai i saj, Kostaq Stefa, është shpallur pas vdekjes “Martir i Demokracisë”, nëna Eleni, “Mësuese e Popullit”, ndërsa vetë ajo, nga ish Presidenti Alfred Moisiu, është dekoruar me Medaljen e Artë të Mirënjohjes, për punën e saj humane dhe veprimtari patriotike, në këto vite emigracion. Ajo, në këtë intervistë ka treguar disa detaje të jetës së saj në Shqipëri dhe në emigracion.
– Pse dhe kur keni ikur në emigracion?
– Të them që më rrëmbeu dhe mua vala, nuk e them dot. Po të mos kisha djalin e vogël të sëmurë rëndë, ndoshta nuk do isha larguar kurrë nga vendi im i shtrenjtë. Jam nisur më 26 shtator 1990 me tragetin e inteligjencës. Ishte mjeti i fundit që largohej nga Durrësi, pasi ishte marrë vesh që katër të tjerët kishin shkarkuar në bregun italian shqiptarë që kërkonin azil politik. Atë gjë vendosën dhe bashkudhëtarët e mi. Ndërkohë që isha e dyzuar. Më priste një rrugë e gjatë dhe e panjohur. Udhëtimi më dukej si një nisje drejt hapësirave ndërplanetare, në kërkim të së panjohurës. A do ishin të vërteta ato që kishim dëgjuar? A do ta realizoja qëllimin e nisjes ? Kisha një merak të mistershëm që vetëm një nënë di ta vuajë, por jo ta përshkruajë. Janë ndjenja kaq brendësore sa e gjej të vështirë t’i përcjellë tek të tjerët.
– Kur e keni ndjerë veten keq në emigracion?
– Në fillim. Ishin kohë të acarta. Kohë kur kurajoja duhej ndezur në çdo qelizë të trupit. Nuk thonë kot fillimi është i vështirë. Na trajtonin si inferior, kur na sillnin bukën në tabaka dhe ne duhej të prisnim radhën e pafundme. Në radhë dikush na thërriste shqiptarë, me një shprehje të atillë fytyre, sikur shqiptonte fjalën lebroz. O zot ç’situata! Me kalimin e kohës gjithë “emërtimet fyese” dhe situatat e vështira i kapërcyem me vështirësi, duke treguar me sjelljen tonë se, vinim nga zemra e Europës pavarësisht se mbartnim probleme të rënda ekonomike dhe halli na kish çuar në derën e tyre. Sot shumica e shqiptarëve ndjehen krenarë që i kanë treguar botës, pjesë nga kultura jonë e lashtë, nga aktivitetet tona të bukura me shoqatat kulturore shqiptaro- italiane të formuara vite më parë. Me punë, mund, djersë, ne kemi vënë në vendin që na takon: dinjitetin, identitetin dhe imazhin e krenarisë shqiptare.
– Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare?
– E kam amanet nga paraardhësit e mi, që mos i afrohem “politikës”. Kështu që rezervohem thjesht në dhënien e një mendimi. Për mua politika duhet të jetë arti për të arritur mirëqenien e një populli. Kush bën këtë, ka bërë politikë. Politika shqiptare për vetë faktin se ka probleme të shumta në atdhe, drita, ujë, kontrabandë, falsifikime, është duke përshkuar akoma traun e ekuilibrit.
– Ju i ndihmoni njerëzit në nevojë, veçanërisht në emigracion me gjithçka mundeni. Çdo të thotë bamirësia për ju?
– Që të ndihmosh nuk do të thotë bamirësi, por një lloj detyrimi që ke ndaj një personi në nevojë. Dhe kjo varet nga nevojat që kanë personat dhe nga mundësitë që na krijohen për ta ndihmuar. Këtu në emigracion mua më është dhënë mundësia që t’i jem pranë çdo nevojtari emigrant, që jo vetëm kanë kombësinë shqiptare por që janë edhe shtetarë të Bosnjës, Hercegovinës, Sllovenisë, Kroacisë apo Rumanisë. Qyteti i Triestes ku banoj unë është një qytet i populluar nga të gjitha etnitë, për vetë strategjinë që ka ky qytet bregdetar, ku ankorohen tragete nga e gjithë bota. Është një nga qytetet që mikpriti eksodet e ndryshme që kanë ndodhur, duke nisur nga viti 1990. Duke qenë dhe vetë emigrante, unë jam më e ndjeshme ndaj tyre. Ndihma ndaj atyre që kanë nevojë, ka qenë e përditshmja ime që nga viti 1990-94 ku në Itali vinin shumë emigrantë nga Shqipëria dhe më vonë nga luftrat e Bosnjës, Sllovenisë, Kosovës apo Maqedonisë, ku flukset e refugjatëve u bënë më të shpeshta dhe unë isha çdo ditë pranë tyre. Dua të them se në këtë punë nuk kam qenë kurrë e vetme. Më kanë ndihmuar shumë miqtë e mi si Masrur Imami dhe Xhokonda Amadej.
– Ju jeni bërë inisiatore që nobelisti italian Masrur Imani të marrë pasaportë shqiptare. Madje së bashku ju keni ngritur një lapidar në Trieste. Ç’lapidar është ky?
– Po, me ndihmën e Masrurit, kemi ngritur se bashku një lapidar në të hyrë të Triestes në vitin 1992, kur ndodhi aksidenti i një të riu 18 vjeçar, që sapo e kishim sistemuar në punë. Lapidari është bërë si simbol në kujtim të të rinjve të vrarë, numri i të cilëve është shtuar gjatë këtyre viteve. Anash lapidarit është flamuri shqiptar dhe poshtë emrave të tyre një poezi e imja e shkurtër.
– Kujtoni ndonjë detaj të rëndësishëm ose ndonjë histori nga gjithë kjo përkujdesje ndaj emigrantëve?
– Kam shumë kujtime të dhimbshme por dhe të bukura nga takimet dhe nevojat e emigrantëve. Do veçoja dy. Të gjithëve u kujtohet viti 97 kur helikopteri Italian mori në stadium një familje shqiptare me dy fëmijët e saj, njëra prej të cilëve ishte shumë e sëmurë. Vajza u shtrua në spitalin e Barit. E ëma gjeti numrin e telefonit tim, më merr urgjentisht dhe më tregon rastin e fëmijës së saj. Spitali i Triestes “Burlo”, mbahet si një nga spitalet më të mira në Evropë për sëmundjen që kishte Ina. Bëra çmos me prefekturën dhe nuk ja harroj kurrë dhe zonjës Alma Biskarro, që më shoqëroi në spital e kudo, deri sa sollëm familjen shqiptare në Trieste dhe Inën e shtruam menjëherë në spitalin e “Burlos”. Familjarët e tjerë për 20 ditë ndenjën në shtëpinë time, deri sa i sistemoi Karitasi. Gjithashtu nuk do të harroj kurrë rastin e një djali të ri, që po e kthenin në Shqipëri dhe ai bërtiste se s’donte të kthehej. Në një moment u shpëtoi policëve nga dora dhe u afrua afër nesh, aty tek sheshi i tragetit, dhe njëri prej policëve i ra me shkop gome dhe ai bërtiti:”Oh nëna ime!”. Aq shumë u trondita sa për një çast mendova se, aty mund të ishte djali im dhe u futa dhe unë në mes. Hëngra dhe unë një shkop gome, që më dhemb akoma kurrizi kur e kujtoj. Djali veç të tjerave ishte me temperaturë, dhe mbas ndërhyrjeve tona e lanë të merrte veten nga temperature dhe gripi dhe unë e mora në shtëpi. Ditën që ai do të ikte me target, ishim ulur në tavolinë për të ngrënë drekën. Kisha mysafir zotin e nderuar Kristaq Lako, atë kohë redaktor i gazetës “Pasqyra” si dhe një gazetar tjetër nga televizioni shqiptar që nuk ia kujtoj dot emrin tani. Më kujtohet që zoti Kristaq e pyeti djalin nga ishte dhe kur ai tha nga Tirana dhe nisi të thoshte emrin e të atit mu errësuan sytë. Ishte djali i atij njeriu që kishte dhënë urdhrin e pushkatimit të tim eti…Ndjeva që po më dridhej garuzhdja në dorë, sepse ishte momenti kur po ndaja gjellën. Por e mblodha veten dhe thashë me vete:”E ç’faj ka ky për fatkeqësinë time, për faktin që unë u rrita pa babë, në mjerim të plotë…?Mund të kisha lindur unë në vend të tij, ose anasjelltas. Pastaj mu kujtua fakti që ne shqiptarët sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar, t’i harrojmë hakmarrjet dhe përçarjet, pasi nuk duhet të rrimë me kokën prapa. Mbas një jave më merr i ati i djalit, i cili me gjysëm zëri më tha:”Ti me bukë e unë me gurë!”. Por ajo ishte një leksion dhe një mësim dhe për atë djalë, por, mendoj dhe për të tjerët, që të tregojmë se duhet të dimë të falim, për të rregulluar diçka të shkatërruar…
Ndaj unë hedh vargje për Vitoren
Një mike si ty është si një yll që vezullon
si oqeani që rrjedh butë e kurrë nuk shteron.
Një mike si ty është si ari që ndriçon
Dhe kujdeset për shkëlqimin çdo ditë që shkon.
Jeta është e vështirë, por është shumë e çmuar.
Faleminderit Zotit që na jep jetë për të jetuar.
Ujisim miqësinë, që të rritet çdo ditë.
Një mike si ty është si një engjëll që të mbron
Dhe dorën kurrë nuk ta lëshon.
Në një konkurs për miqësi, do të merrnim medalje të artë,
përgjegjësia dhe mirësia janë çelësat që ne mbajmë.
Dashuria, respekti dhe besimi janë ato që ndajmë.
Miqësia me ty është e vërtetë dhe e veçantë.
Ti ndriçon kur është errësirë
Më ngroh shpirtin e ngrirë
Ndaj miqësia jonë nuk do të mbarojë kurrë.
Sepse zemrat tona për njerëzimin janë si urë
Që nuk lidh vetëm një çast, orë apo ditë,
Miqësia jonë lidh përjetësitë!
Kopertinën e librit e ka bërë mjeshtri beratas VLASH DROBONIKU
Për të cilin Vitorja ka bërë këtë poezi
Ti Arbër
Mbi buzën e qiellit malluar
Rri vet kryelartesia
Boshesija e marrëzisë fle pa ëndrra
Gozhd e lyrosur me gjak si ftohtesia
Diku liria vdes dhe vdekja lind.
Ti Arbër i vjetër je aty!
Boten e natyrën ti me sy e puth e stampon mall
Tej perëndimi si grackë përqafimi ulet ngadal
Dashuria i var tabllo të harashme kohës
Fuqia gjakoset me token
Dhe zemra e saj rreh me vrull
Ti Arbër Beratas puthur me tokën
Talentin e ke veshur si zhgun
marrë nga bekim i shekullit qytetit tënd
dhe e mban veshur si pelerinen e krenarise!
Peneli yt bashkon qiejt mijra kilometra
Dora jote nuk fle, ajo ngjyra enderron
Ka ikje ka dhe largesi…
Po gjithshka me ty flet. atje ku je ti.
Opinione për znj. Vitore Stefa Leka
EMËR i VEÇANTË i KOMBIT SHQIPTAR
Nga Silvana Braçe
E njoha Vitoren kur ajo vetë kish nisur një jetë nga e para, një jetë të dytë, në kohën kur i lulëzonin shpresat dhe dëshirat nën një qiell të ri, të pas viteve 90. Dinamizmi i Vitores ishte i një lloji të veçantë e tani që po mendoj për këtë po zbuloj, se ka qenë pikërisht ky ekspresivitet dhe shpirti i saj i lirë, që e bëri Vitoren të rikuperojë kohën e “humbur”, siç e quan ajo. Zakonisht njohjet, miqësitë vërtiten rreth moshës që ti ke, por disa janë ekstra, pa kufi. Kështu më ndodhi edhe me Vitoren. Ajo përfshihej kaq natyrshëm në rrethin e vajzave të rritura nga 20 vjecaret e mbi, ku diku lart ndodhesha edhe unë. Motorri i fuqishëm lëvizës drejt projekteve dhe argëtimeve si një vajzë plot ëndrra dhe dëshira rinore e vendos Vitoren në krye të nismave, të papërtuar e të pakursyer asnjëherë të japë gjithë çfarë ka të vetën duke e bërë atë tonën, njohjet, eksperiencën, mundësitë edhe shtëpinë e saj gjithmonë hapur aq bujarisht. Shumë njerëz janë rishtarë në krijimin e emrit të tyre, por disa kanë fatin ta trashëgojnë nga prindër, ose fis i famshëm. Tek Vitorja janë të dyja. Ajo është bijë e dy prindërve të ndritur, Mësueses së Popullit Eleni Stefa dhe Martirit të Demokracisë, intelektualit dhe patriotit të shquar, Kostaq Stefa, emra të shënuar në historinë e arsimit, kulturës dhe mbijetesës sonë. Është dhe mbesë e rilindasit, Kostandin Kristoforidhi, emri të cilit jeton në zemrën e madhe të popullit dhe është i gdhendur me shkronja ari në panteonin e gjuhës shqipe. Kjo trashëgimi do të mjaftonte e tepronte por ajo s’u ndal. Vitorja krijoi emrin e saj me vepra në letërsi, në bamirësi, në shoqërinë civile dhe në fushën e humanizmit duke u bërë e njohur për shumëkënd dhe mike e mirë për këdo që e ka pranë. Vitorja është një dorë gjithmonë e shtrirë për miqësi e për të ndihmuar. Vitorja është krahëhapura për fluturime dhe përqafime!
Shembull model i nënlokes së shqiptarëve
Nga st. ing. Frederik Ruco
Vitore Stefa Leka emrin –nënë Loke- e ka të trashëguar nga ushtarët e UÇK-së, me të cilët ka qenë e lidhur, duke i ndihmuar gjatë luftës së Kosovës. Shprehja e bukur “nënëloke” vendosur nga luftëtarët e lirisë, përfiguron fisnikërinë e saj. Vitorja është më tepër se një nënë. Emri nënë është një fjalë, që fëmijët e mësojnë që herët, pa mbushur motin. Me këtë dua të them se jo kushdo mund ta shqiptojë këtë emër të dashur, që kjo zonjë e madhe e meriton me plot kuptimin e fjalës.
Vitorja siç e mbaj mend kur ishte e vogël, ngjante si një kukull e bukur topolake, i Ati daja im e përkëdhelte me shumë dashuri. Shumë ndodhi të tjera mi tregonte nëna ime, halla e Vitores apo teze Niqi siç e quante ajo. Buzëqeshja nuk i mungonte dhe në raste mërzitje, zemra e saj punonte më parë për të tjerët, pastaj për të.
Kur filloi profesionin si mësuese, zemra e saj mëkonte me dashuri nxënësit, sepse nuk kishte si të vepronte ndryshe. Të dy prindërit ishin mësues shembullor e nuk mund të bënte përjashtim e bija. Profesioni i mësuesit ishte i dashuruar si familje, si kryevepra e te bërit njeri. Sa ishin gjallë paraardhësit e Vitores vetëm kulturë prodhuan dhe Vitorja tërë jetën kulturë ka dhënë e jep, s’mund të dilte jashtë rregullave nga familja e saj, që i kanë të trashëguar brez pas brezi. Mjerisht për arsye të biografisë sistemi nuk e la ta ushtronte këtë profesion edukues, duke i vrarë ëndrrat fëmijërore dhe rinore, po kurrë zemrën dhe fisnikërinë e saj nuk mund t’ja merrnin!
Në diasporë Vitorja ka dhënë shembuj konkretë që kur hodhi hapat e para në emigracion. Shumë shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike, por dhe emigrantë të tjerë që vinin nga shtete jo shqiptare, Vitorja do u jepte ndihmë sociale e çdo gjë që i kërkonte momenti. Ajo përsëri atje gjeti forca t’i mëkonte shqiptarët me vlerat që mbart raca shqiptare. Aktivizimi i Vitores në krijimin e shoqatave shqiptare qe një hap tjetër i rëndësishëm, sepse ajo ndihmoj si askush për të ruajtur identitetin, për mos asimilimin e gjuhës shqipe. Në emigracion Vitorja shpalosi pikërisht vlerat humane të ngjizura me dëshirën e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, që rrallë mund ti ketë njeri këto veti. Vitorja i ka të trashëguara nga familja Stefa brez pas brezi. Shtëpia e saj në emigracion u bë qendër e shumë familjeve shqiptare në Itali për sistemimin e tyre. Këtë rrugëtim Vitorja nuk e ndali, duke vazhduar dhe me familjet kosovare e të Iliridës, të ikur nga vendi i tyre, për shkak të luftës në Kosovë.
Për veprimtarinë e saj humane dhe të shqetësimeve të problemeve të jetës së vështirë, të shqiptareve si në trojet etnike dhe në diasporë, ka marrë shumë falenderime dhe mirënjohje nga gjithë bota shqiptare, por dhe vlerësime nga të huaj.
Përveç humanizmit ajo ka ndihmuar dhe në çështjen e pazgjidhur të shtatë milion shqiptareve, që jetojnë në trojet e tyre të ndarë në 6 shtete. Për këtë është vlerësuar me disa medalje falenderime dhe mirënjohje si nga ish presidenti i Shqipërisë zoti Alfred Moisiu. Gjithashtu Vitorja është vlerësuar dhe me titullin “Ambasadore për paqen” si dhe me Çmimin Oskar nga zonja Miranda Giuffre si dhe “Kalorësi i Paqes” nga organizata botërore e të drejtave të njeriut.
Çdo bashkë kombes shqiptar duhet të ndihet krenar, kur në gjirin e tyre kanë njerëz me vlera të përmasave të mëdha humane si Vitore Stefa Leka. Vitorja ka dhënë dhe ende jep në realizimin e ëndrrës shekullore të shqiptarëve për një bashkim të mundshëm, për të bërë shtetin e munguar në trojet e tyre etnike. E në se ndodh që shqiptarët të bëhen në një mendje, për të bërë një shtet ligjor demokratik e të pa varur nga konspiracionet, duhet të marrë shembull vetëm nga të tillë njerëz.