Dr. Mujë Buçpapaj: “NACIONAL” BOTON LIBRIN POETIK TË IRENA HOXHËS ME TITULL “DYERT E FATIT”, TË DIELËN PROMOVIMI NË TIRANË

PARATHËNIE

Irena Hoxha Curraj është tashmë një poete e konfirmuar. Ajo ka botuar disa libra me poezi në gjuhën shqipe ndërsa është në proces të publikimit edhe të një vëllimi me sentenca filozofike në anglisht, duke e zgjeruar kështu hartën e lexuesve të saj.
Vëllimi “Dyert e fatit”, që keni sot në duar, mendoj se shenon pjekurinë letrare të poeteshës, si një zë origjinal i poezisë bashkëkohore shqiptare, si një idividualitet, i pranuar nga lexuesit e saj, por edhe nga kritika profesionale letrare.
Emigracioni, jeta larg Atdheut, leximet në gjuhë të huaj dhe eksperienca jetësore dhe letrare i kanë dhënë përparësi poeteshës të jetë jo vetëm një vëzhguese e botës, por edhe një luftëtare e së drejtës universale dhe sfidave humane për mbijetesë, në një botë të sfiduar nga shumë fenomene dhe kërcënime, ku njerëzit e mirë ndjehen shpesh të pafuqishëm.
Ky dimension shpreh qartë qendrimet filozofike të autores duke qënë mendoj edhe pjesë e karakterit të saj njerëzor. Në disa poezi për vendlindjen poetesha shprehet se “është labe”, se është “krenare me Vlorën e saj”, duke lëvruar kështu me sukses atë që quhet si poezia e identitetit. Kjo poezi është e pranishme tek shumë poetë shqiptarë që kanë emigruar pas viteve 1990 në Europë dhe në botë.Ashtu si edhe Irena ata shkruajnë në gjuhën amtare, por edhe në gjuhën e vendit ku jetojnë, duke lëvruar kështu një letërsi bilinguale.

Irena Hoxha Curraj është një mjeshtre e përdorimit të gjuhës, gjë që i shton asaj mundësinë e shprehjes poetike dhe të përformancës në një terren kaq të lëvruar, siç është poezia bashkëkohore shqiptare dhe ajo europiane. Ajo ka një përvojë të mjaftueshme njerëzore dhe poetike për të krijuar stilin e saj letrar i shprehur deri në detaje të brendshme si rima, ritmi, muzikaliteti, përseritja për qellime stilistike poetike, rimarrja dhe seria e metaforave me nëntekste të forta filozofike dhe jetësore.

Irena, si një njohëse e disa gjuhëve të huaja provon në lëndën e saj poetike se kufijtë e gjuhës shqipe janë të paanë dhe fjala shqipe mbart një vlerë universale dhe të gjithëkoshme.
E prirur drejt një poezie filozofike Ajo trajton koncepte të tilla si jeta, dashuria, atdheu, mbijetesa, ekzistenca dhe e ardhmja, tipare këto që dalin në pah nga poezia në poezi.
Karakteristikë e poezisë së saj është thjeshtësia e gjuhës, si dhe eksperimentimi me tema dhe stile të reja që përformojnë edhe identitetin individual të poeteshës.

Irena në të gjitha poezitë dëshiron të tërheqë vemendjen e audiencë së saj, duke rritur komunikimin poetik me një lexues vendas dhe universal.
Si për shumicën e poetëve të botës rrethanat ndikojnë në inspirimin poetik dhe shërbejnë si nxitje e fortë për krijimtari, siç ishte rasti i Covid-19, ku Irena i bashkohet mijëra poetëve në botë që shprehën panikun e jetës përballë një kërcënimi të madh si epidemia dhe njëkohësisht mallin për jetën e lirë, për ditët normale të punës dhe dashurisë njerëzore, pasi epidemia solli kufizime të egra dhe të pamëshirshme.
Dy ciklet e para të vëllimit rreth 45 poezi janë nën ndikimin e kësaj drame njerëzore dhe duket që poetesha t’i ketë shkruar gjatë kohës së izolimit botëror të vetmisë që mbeshtolli jetën. Një periudhë e errët për njerëzimin, ku siç shprehet poetesha, jo vetëm axhendat ditore, por deri edhe normat shoqërore dhe besimet thelbësore u zhvendosën, të paktën u tronditën.
Sido që poezitë e kësaj natyre përcjellin panikun, pasigurinë dhe frikën, ajo ja ka dalë që të ruaj shpresën dhe vetë strukturën e larmshme poetike, duke shmangur përseritjen dhe integruar tema që mund të jenë të përafërta përmes një leksiku të zgjedhur që të ngjallin ndjenja dhe emocione të forta.
Në poezinë “Revolucioni global” ajo thotë:

“Revolucioni global tashmë ka arritur
me Koronavirusin gati për të na gëlltitur”.

Kjo poezi dhe të tjera me këtë temë, poetesha sjell idenë se Corona erdhi si një mallkim për abuzimet e shoqërisë njerëzore me lirinë dhe të drejtën e tejkaluar me universin, dhe kërkon që njerëzit të kthehn tek besimi dhe drejtësia.

Poetesha e quan këtë situatë si një grackë për njerëzimin, si një “Komplot ndaj rendit botëror, ndaj njeriut dhe natyrës”.

Disa poezi me këtë inspirim trajtojnë simbolin e maskës jo thjeshtë si një hipokrizi, por edhe si tjetërsim shpirtëror të imponuar nga pandemia. Tek poezia “Nënshtruar fatit…” poetesha shprehet:
“Nënshtruar fatit
me maskë në fytyrë,
ky është shpërblimi i nënës natyrë…”?!

Kjo situatë për Irenën ndryshoi rrënjësisht përceptimin tonë për jetën dhe ekzistencën, ndjekur nga një filozofi e dyfishtë, siç është nga njëra anë refuzimi i kësaj situate, i këtij nënshtrimi të egër dhe kërcenues ndaj jetës njerëzore në tokë dhe nga ana tjetër shpresa që shqiptaret , vendlinjda e saj Vlora dhe atdheu i saj, dhe në tërsi njerëzimi do t’i përballojnë këto rrethana që ndryshoi, siç thotë poetesha edhe mënyrën tonë të jetesës dhe sfondin kulturor e politik të shoqërisë.
Nëpërmjet një fjalori të zgjedhur dhe konvencional ajo sjell një frymë dëshpërimi, por edhe ndan me lexuesit shpresën që njerëzimi do t’ia dalë.

Irena është një mjeshtre e poezisë konkrete, të rrethanave që shfaqen përmes një lidhjeje besnike mes asaj që quhet shkak dhe pasojë, ide dhe përformancë, karakteristikë për poetët inteligjentë dhe plot frymëzim inkurajues.
Irena është një qytetare europiane dhe pasuron këtë poezi me individualitetin e saj specifik dhe ngyrimet shqiptare, ndërsa nga pikëpmja stilistike e pasuron këtë poezi me brishtësinë dhe feminitetin.
Poezia e Irenës mbart ngyrime të jetës së përditshme, aktuale duke qënë vetë një njeri që përjeton krizën aktuale pandemike, të shoqëruar me papunësinë, humbjen e besimit tek e ardhmja si dhe duke reflektuar një sitatë të re ku gjendet bota.
Ajo është mjeshtre e gjuhës figurative dhe e përdorimit të fjalës si një imazh dhe ndjenjë hapësinore e dashurisë për jetën.
Mund të themi se Irena krijon një poezi me ndikim të menjëhershëm, të drejtpërdrejtë dhe të fuqishëm, duke eksploruar jo vetëm mundësitë e fjalës poetike por edhe kufijtë e lirisë universale.
Kjo frymë shprehet tek poezitë : Treni i jetës, Për të mbijetuar, Shiu i jetës, Mos të shuhen qiejtë, Sikur të mos ishe, Dhimbje dhe shpresë, Deshira e shpresës etj.
Poezia e Irenës mbart emocionet e traumës që kaloi shoqëria njerëzore gjatë viteve të fundit. Ajo luan me emocionet e ndërlikuara në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë, çfarë e bën poezinë e saj të kuptueshme dhe të dashur për lexuesin.
Poezia e Irenës është e larmishme nga pikëpamja metrike. Ajo përdor si format strikte, tradicionale duke respektuar rimën, ashtu edhe struktura më të çlirta, më të lira.
Ajo perdor me sukes strofën katërshe, dyshe, por edhe trecinën, biles me një lehtësi dhe harmoni poetike, duke e bërë poezinë e saj më të lexueshme, me të komunikueshme.
E fokusuar jashtëzakonisht në eksplorimin e bazave të jetës dhe ekzistencës, poezia e Irenës i jep një kuptim të ri gjuhës së përditshme, me strukturat e thjeshta, duke shfaqur nga poezia në poezi një identitet individual. Këto janë disa karakteristikat kryesore të poezisë së Irena Hoxha Currajt të shprehura në poezitë e këtij vëllimi.
Tek poezia “Mali me dëborë” ajo shprehet:

Përpiqemi e përpiqemi
Në luftë të ashpër jete
Në fund biem përtokë si një gjethe!

Me poezitë e saj njeriu i zakonshëm shpreh aspiratën e tij dhe një velerësim për botën ku jetojmë me gjithë përvojat kompekse, shpesh diskriminuese që mbart ajo.

Irena ja ka dalë të trajtojë me sukses përditshmerinë njerëzore, duke i zgjeruar këtë fokusim edhe më shumë poezi që mbartin temën e përjetësisë dhe të dashurisë siç janë poezitë: Po rilind për ty, Lotët e mallit, Do të mbërri tek ty, Muza e dashurisë, Me lërë të plakem, Akt dashurie etj.
Libri që keni në duar është shkruar më shumë dashuri dhe shqetësim për të ardhmen e njerëzimit nga poetesha shqiptare. Poezitë e saj mbartin mesazhe dhe kumte që variojnë nga qëllimi i njerëzimit në tokë, dashuria, marredhëniet familjare dhe identiteti kombëtar, deri te liria, mundësitë dhe dëmet që vijnë nga luftërat, ndarja dhe diskriminimi.
I urojmë poeteshës suksese në krijimtari, ndërsa librit rrugë të mbarë për tek lexuesit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here