Nga William Butler Yeats, Irlandë (1865 -1939)
Çmimi Nobel për Letërsi më 1923
Përktheu : Anton PAPLEKA
TRËNDAFILI I BOTËS
Kush ëndërroi se bukuria ikën si një ëndërr ?
Për ato buzë të kuqe, melankolike e krenare1,
Aq melankolike saqë asgjë nuk i mahnit fare,
Troja sosi në një ndriçim të pamasë e funebër
Dhe bijtë e Usna-s2 hynë në varre.
Ne ikim dhe me ne ikin brengat njerëzore :
Midis shpirtrash që regëtijnë e zhduken te nata,
Ashtu siç rrjedhin në dimër ujërat e marrta,
Nën yjtë kalimtarë, shkumë qiellore,
Mbetet kjo fytyrë fillikate.
Kryeengjëj, në ndejën tuaj të errët përkuleni kokën ;
Ju s’ishit ende, asnjë zemër nuk rrihte në botën mbarë,
Veç një qenie e butë ëndërroi pranë Tij për herë të parë ;
Për hapat e saj bredhëritës, ai e shtriu botën,
E bëri një rrugë të mbuluar me bar.
1.Helena e Greqisë, me buzë të kuqe si ato të Maud-it te re dhe të Deirdre-s së Irlandës, ka në vetvete vdekjen dhe bukurinë, por që të tria janë krijesat e para të Zotit
2.Bijtë e Usna-s : Naoise-i dhe vëllezërit e tij, të cilëve ua preu kokën i ati i Deirdre-s, mbreti Conchobar
KOHORTA E PAMËSHIRË
Fëmijët daneanë1 qeshin në djepe të punuara me ar,
I përplasin duart, i mbyllin përgjysmë sytë e papërvojë,
Sepse ata do të shalojnë Veriun,2 kur qifti të fluturojë
Me flatra të bardha e të mplakura, me zemrën plot acar :
E përqafoj dhe e shtrëngoj në kraharor fëmijën tim që qan,
Dëgjoj gojën e ngushtë të varreve që të dyve na thërrasin.
Erëra të kobshme që klithni mbi det ku valët ngasin ;
Erëra që fluturoni në Perëndimin e ndezur flakadan,3
Erëra që rrihni dyert e Qiellit e të Ferrit kobzi
Dhe aty përndiqni fantazma që rënkojnë në errësirë,
O zemër e tronditur nga këto erëra, kohorta e pamëshirë
Është më e butë sesa qirinjtë te këmbët e Nënës sonë Mari.
Nëntor 1896
1.Popull mitik, Tuatha De Danaan, i ardhur nga « ishujt e Perëndimit »
2.Era e Veriut, simbol dëshirash të vagullta dhe shprese
3.Flakët e Perëndimit që lidhen me perëndimin e diellit dhe me ëndrrën
MUZG I THELLË
O zemër e dërrmuar nga një botë mizore,
Çliromë nga e mira dhe e keqja, këto hallka zinxhiri ;
Qesh sërish, o zemër, në muzgun ngjyrë hiri,
Psherëti përsëri në vesën mëngjesore.
Nëna jote Eire është gjithmonë e re,
Vesa ndrit gjithmonë, muzgu është ngjyrë hiri,
Ndonëse shpresa të la dhe dashurinë e vdirin
Flakët e shpifjes që shkrumbojnë si rrufé.
Eja, zemër, atje ku kodrat ngrihen si pirgje dheu :
Atje lart e shprehin lirisht vëllazërinë mitike
Dielli dhe hëna, lugina dhe pyje jetike,
Lumi i madh dhe sheu.
Në këmbë dhe vetmitar, Zoti i bie fyellit prore,
Koha dhe bota rendin me flatra zefiri ;
Dashuria s’është aq e butë sa muzgu ngjyrë hiri,
Shpresa s’është aq e çmuar sa vesa mëngjesore.
1898 -1899
AI DO TË DONTE TË KISHTE PËLHURAT E QIELLIT
Sikur të kisha pëlhurat që qielli i ka qëndisur,
Me dritë, me ar e me argjend të bërë tirtirë,
Pëlhurat e kaltra, të zbehta e në ngjyrë të mbyllur
Të natës, të dritës dhe ato të mugëtirës,
Këto pëlhura do t’i shtroja nën hapat e tu :
Por unë varfanjaku kam veç ëndrrat e mia ;
I shtriva ëndrrat e mia nën hapët e tu ;
Ecë ngadalë, sepse ti ecën mbi ëndrrat e mia.1
1.Yeatsi-i thoshte për këtë poemë se kjo ishte mënyra më e mirë që mund të përdorte një burrë për ta humbur një grua.
NJË AVIATOR IRLANDEZ PARASHEH VDEKJEN E VET1
E di se fati im më pret atje tej,
Diku te retë që bredhin në lartësi,
Ata që i sulmoj, nuk i urrej,
Për ata që mbroj, nuk kam dashuri ;
Vendi im quhet Kiltartan Kross,2
Varfanjakët e Kiltartan-it janë miqtë e mi,
Atyre jeta nuk ua rrëmben dot
As nuk ua fal dot ndonjë lumturi.
Ligj as detyrë s’më shtyn të luftoj atje lart,
As këshilla zytarësh, as turma që bërtet ;
Vetëm grishja e një gëzimi vetmitar
Më ka çuar atje ku kacafyten retë ;
Vitet e ardhshme më dukeshin rribë ere,
Siç më dukeshin erë edhe vitet që ikën,
Në krahasim me këtë jetë, me këtë vdekje.
1918 – 1919
1.Komandanti Robert Gregory, i biri i Lady Gregory-t, artist dhe veprimtar. I dekoruar me Legjionin e Nderit,me Military Cross, ai u vra në një luftim ajror në frontin italian më 23 janar 1918
2.Një fshat pranë Coole-it (Galway)
AGIM
Do të doja të kisha paditurinë e agimit,
I cili që atje lart ka parë
Atë mbretëreshë të moçme tek ravijëzonte një qytet1
Me një karficë flokësh,2
Ose ata pleq të fishkur që vështronin
Që nga Babilonia e tyre pedante
Vrapin moskokëçarës të planeteve,
Perëndimin e yjve dhe zgjimin e hënës,
Që kapnin tabelat e tyre për të bërë njehsime ;
Do të doja të kisha paditurinë e agimit
Dhe si ai fare thjesht
Të hidhja mbi supet e mjegulluara të kuajve
Teminat e qerres së tij ;
Ngaqë asnjë dije nuk e vlen një dyshkë,
Do të doja të kisha paditurinë e agimit.
20 qershor 1914 – shkurt 1916
1.Emain Macha, pranë Armagh-ut (kryeqytet i mbretërve të « Degës së Kuqe »),
i quajtur Navan
2.Mbretëresha e lashtë e Ulster-it : Macha Maeve, Mab : vendin ku do të ngrihej pallati i saj, ajo e shënoi me një mbërtheckë të mantelit të saj, nga i cili rrjedh emri i pallatit : Emania
ARDHJA E DYTË1
Duke u rrotulluar lart e më lart në spiralen2 që zmadhohet,
Fajkoi nuk e dëgjon më thirrjen e fajkuarritësit ;
Gjërat ndahen ; qendra e tyre nuk i mban më ;
Anarkia brutale3 vërshon mbi botë,
Vala e ndotur me gjak vërshon dhe i përmbyt gjithkund
Ritet e shenjta të pafajnisë ;
Njerëzit më të mirë e kanë humbur besimin,
Më të këqijve ua zë frymën një pasion i marrë.
Nuk ka pikë dyshimi se një zbulesë e re nuk është larg ;
Nuk ka pikë dyshimi se një Ardhje e Dytë nuk është larg.
Një Ardhje Dytë ! Sapo i shqiptova këto fjalë,
Një vizion i pamasë që ngjitet nga Spiritus Mundi 4
Ma trubulloi vështrimin ; diku në rërën e shkretëtirës,
Një formë me trup luani e me kokë njeriu,
Me një sy të zbrazët e mizor si dielli
I lëviz ngadalë kofshët dhe përqark saj
Sillen hijet e inatosura të zogjve të shkretëtirës.
Bie sërish errësira, por tashti e di
Se për një djep njëzet shekuj gjumë guri
Duhet të kenë njohur sfilinë e makthit,
Dhe çfarë kafshe e paformë, kur i vjen koha,
Zvarritet drejt Betlehemit për të parë aty dritën.
Hartuar në janar 1919
1.Ungjilli sipas Gjonit : Kafsha e Apokalipsit në librin e Apokalipsit
2.I referohet formës së spirales së jashtme që zmadhohet në pikën ku do të lindë spiralja e brendshme, e kundërta e saj
3.Lufta civile në Iralandë, Lufta e parë Botërore, Revolucioni rus
4.Në një shënim për këtë poemë më 1921, Yeats-i e përcakton Spiritus Mundi-n si « një rezervuar të përbashkët imazhesh që ka pushuar së qeni pasuria e një mendjeje individuale ».
FOLEJA E SHTURAVE TE DRITARJA IME
Bletët i ndërtojnë hojet në plasa
Midis gurëve që çahen feta-feta,
Aty ku zogjtë u sjellin krimba dhe miza të vegjëlve ;
Muri im po çahet ; bletë që bëni mjaltë,
Ejani të ndërtoni në shtëpinë e braktisur nga shturat.
Ne e kemi mbyllur derën me çelës
Përballë pasigurisë sonë : diku
Një njeri u vra, një shtëpi u dogj,
Por nuk dihet asgjë e saktë, asnjë fakt :
Ejani të ndërtoni në shtëpinë e braktisur nga shturat.
Një barrikadë e ngritur me gurë e me drurë ;
Pesëmbëdhjetë ditë luftë civile ;
Mbrëmë e tërhoqën nëpër gjakun e tij
Një ushtar të ri, të vdekur në rrugë :
Ejani të ndërtoni në shtëpinë e braktisur nga shturat.
Zemrën tonë e kemi ushqyer me vizione,
Kjo dafrungë na e mbushi zemrën me dhunë ;
Urrejtja jonë është më e qëndrueshme
Sesa dashuria jonë : o bletë që bëni mjaltë,
Ejani të ndërtoni në shtëpinë e braktisur nga shturat.
PASIGURI
(ekstrakt)
I
Midis skajeve1
Njeriu ndjek udhën e vet ;
Një dru i ndezur, afshi i një flake
Vjen t’i shkatërrojë
Të gjitha këto antinomi
Të ditës e të natës ;
Për trupin është vdekja,
Për zemrën është vrasja në ndërgjegje.
Po qe e vërtetë kjo gjë,
Gëzimi çfarë është ?
1.Teoria bleikiane e të kundërtave : « pa të kundërta, nuk ka progres » (Martesa e Qiellit me Ferrin).
RRËZË BEN BULBENIT
(ekstrakt)
VI
Nën kreshtën e zhveshur të Ben Bulbenit,
Në varrezën e Drumcliff-it, prehet Yeats-i.
Dikur, një nga stërgjyshërit e tij aty ka qenë rektor.
Aty pranë ndodhet një kishë,
Buzë rrugës, ngrihet një kryq i moçëm.
Nuk ka kurrfarë mermeri a mbishkrimi të zakonshëm ;
Në një gur gëlqeror të marrë në guroren fqinjë,
Siç e ka lënë amanet ai, këto fjalë janë gdhendur :
Vështroje ftohtësisht
Jetën dhe vdekjen,
Kalorës, ndiq udhën tënde.
4 shtator 1938