CIKËL POETIK
Nga Zog Hysenaj
Marrë nga libri “Mos ik i them ditës, rri edhe një ditë”
KUJTIMI
Kur pash Ahin e naltë, u habita:
Nistoret e emrit tim ishin ngjitur shumë lart,
Ma lart se i pata lanë,
Shumë më të mëdha,
Vizat ngjanin me buzët e rreshkura të një plaku.
– Këtu, – thash, – në Qaf të Pipit kalova me dhenë…
Shkrova një kujtim bjeshke,
Pale se kur do ta shoh,
Të paktën, të tjerët do ta lexojnë,
Ndoshta do t’i vënë emrin tim,
Ndoshta do t’i thonë Mrizi i Qafës,
Ndoshta…
Tjetri do të shkruaj emrin e vet më poshtë ose më lart,
Se aty, nën hije, pinë ujë të gjithë,
Të gjithë pinë ujë në gurrën e Qafës së Pipit:
Sa e sa udhëtarë njomën buzët e tyre
Pushuan dhe… me tehin e thikës, gdhendën diçka,
Dikush emrin,
Dikush orokun dadës,
Pse jo, rrimë që rrimë, të bëjmë diçka
Mbi lëkurën e lisit shekullorë,
Që pret e përcjell vrritarët e bjeshkatarët
Buzëshkrumbuar.
Kohët kalojnë dhe këta emra rriten,
Rriten e rriten,
Vjetrohen e nxihen,
Rrudhosen…
Mplaken edhe ata.
Bjeshknalta
Ju bjeshknaltat e mia të braktisura,
Të harruara, të vetmuara,
Të lëna vetëm, fillikat!
Shiu dhe breshëri hakmerren pa mëshirë mbi ju,
Se një gjurmë njeriu s’e gjen andej,
Përveç kakërdhive të dhive të egra.
Ju bjeshknaltat,
Shpellborat e mia,
Që vajtoni Ajkunën dhe Omerin çdo ditë
Ju braktisëm,
Mbetët vetëm
Dhe ne vetëm-vetëm,
Ju majë n’ majë
E ne kuj m’ kuj.
Cungat
Cungat, si shtate njeri,
Malet, si kapuça burrash,
Stanet, gërmadha,
Shpellat e borës, vatha ujqërish,
Çallkat çallkasin thellë shpellë më shpellë,
Gjarpërinjtë rrëshqasin kreshtave të zhuritura,
Vetmia u trimërua e doli në mejdan,
I thërret Mujit te Logu i Zanave,
Aty ku moti kullotnin gjaja e gjallë,
E burrat hidhnin gurapesha.
Sot… ish bjeshka ime
Diellpërzhitura ime e vetmuar,
E imja, ish Un.
Mrizi i Rrodhes
Nuk kishte dhenë te Mrizi i Rrodhes,
Nën hijen e ahut plak,
Lugjet e ujit, spirravun e myjavun,
S’mbanin ujë,
Gjethet e ahut lundronin në vetmi,
E ahu i bënte hije vetes.
Delet i kishte harruar…
S’ka çoban,
As dhenë për çoban,
As tuba dhensh s’ka,
As ogiçë për tuba,
As kumona për ogiçë,
As tuba për torishta,
As torishta për stane,
As stane për baçica,
As baçica për bylmet,
As polica për korita,
As korita për tamel,
As tamel për tëlyen,
S’ka ogiçë për kumona,
Se kumonat janë varur në mure,
E tubat harruar.
Zharet s’kanë më dredhëza,
Medrrat s’kanë më erë,
Vetëm qielli ishte aty ku e lash.
E unë bërtas në kupë të qiellit:
“Ku i kam bjeshkët e mia?
Kush m’i mori bjeshkët?”
* * *
Sa me larg hedh shikimin, aq më pak shikoj,
Hap sytë shumë, për të parë pak,
Se po t’i mbyll, druaj se shoh më shumë
Në këtë katrahurë
Të pamirë.
* * *
Në ushkurë
Vari çelësin e shtëpisë pa dry,
Dera ishte me shul,
Në arnin e shtatë të pasbythës,
Dy metelikë të fshehur,
Për kur të vdesë.
Rri edhe një ditë
Si i çmendur, natës i kam bërtitë:
– Lëshoma ditën time,
Pas saj vjen ti prapë deri në agim…
Me duarët e mia të ngrime
Për zhelesh e kap ditën
I përgjërohem me fuqinë e shpirtit tim,
I lutem dhe i them:
– Mos ik,
Rri edhe një ditë…
Ne, Poetët
Të gjithë jemi Poetët e kësaj Toke
Prej Vuajtjeve të saj të hidhura Frymëzuar.
* * *
Njërin gji
Në Jugë,
Tjetrin
Në Veri,
Bjeshka ime thithë
Në sisën e Malit.
Përvjetori im
Vitet më vërviten rreth kokës
Në përvjetorin tim,
Nga një e nga një,
Stinët dhe Motet
Palë-palë,
Rëndojnë
Në kurrizin tim
Mbi To
Barrë përmbi Barrë
MËRZIA.
JEMI S’JEMI…
Të gjithë presim të ardhmen
Në radhë për të marrë hisen tonë,
Si në një varkë të kërcënuar mëndimi,
Luajmë me fjalët,
Në vënd që të heshtim
Në këtë botë,
Që, edhe jemi edhe s’jemi.
NË PËLLËMBËN E FATIT
Frymën e kacavjerra mbi lisin shekullor,
E mbledhur grusht në flokët e Zanës mbahet,
Zërin si të askujt,
E përcjell në kohët e pothuaj harruara,
Kreshtë pas kreshte,
Mbi kreshta e nën kreshta,
Toka bëhet njësh me qiellin
Në dorën time,
Ku fatin lexoj në pllëmbë të saj.
Stani i ujqërve
Linda përpara bjeshkëve,
U përdrodha për mbas majës,
Përmbi retë e bardha,
Dhe erdha këtu,
Tek stani i krejtvetmuar
I ujqërve,
Këngën prej zjarri e ktheva në unur
Mbi gurgacin e mureve të stanit tim,
Me xixat e heshtjes sime
Bjeshka u shëndrit.
Prap do të jemi gjallë
Sikur të gjithë poetët të bashkohen,
Edhe ata që vdiqën e na lanë pas,
Asgjë më shumë nuk do të bënin
Veçse poezi, që lexohen,
Recitohen,
Raftosen,
pluhurosen,
harrohen
së bashku me ne poetët,
që do të raftosemi edhe ne ndonjë ditë.
Prap do të jemi gjallë…
***
Përditë e më shumë mësyjmë drejtë humnerës
Me shpresë se një ditë, ajo do të përmbyset
E ne, do të gjëndemi në krye të sajë…
Kokëposht
Një krua në majën e malit,
Me shekuj ujë rrjedh,
Sa her që un pi, a freskohem aty,
Aq herë trishtohem,
Se mos, është kthyer bota me kok poshtë,
E majet kullojnë ujët e nëntokes.
Kapem fort pas ujit,
Shtërngohem fort frikshëm,
A mos, edhe unë jam me këmbë përpjetë.
NUMËROJ YJET
Se si më duken yje më shumë sonte,
Edhe hënë më shumë,
Dhe errësirë më shumë, terr,
Vetem un kam mbetur pak
Në këtë natë të trishtë vetmie
Që numëroj yjet,
Se mos më mungojnë
E më mbeten pak,
Sa un…
NUK MUNDËM
Kurrë nuk arritëm të hijeshojmë me mëngjezet,
As hijeve të ju këndojmë këngë mrizash,
Nuk mundëm.
Kurrë nuk e shoqëruam hënën në akshamet e gatimbyllura,
Nuk mundëm,
As darkat t’i hanim bashkë,
E në një sahan shëllirën ta ngjyenim.
Të ngrysur u ngrysem, mazuntë,
Me bythë pantallonash grisur
Nga cergat e odave zhgërryer,
Zhagitur zvarranikçe
Që të gëdhihemi të ngrysur.
Ja u hodhëm mëngjeseve,
Me të kaluarat tona të plakura,
Të ngrysta.
SA
Se mos i numëruam ne,
Se sa lindën e vdiqën në këtë tokë,
Apo, ne na numëruan
Se sa kemi vdekur ne të gjallët e mbi tokës,
Që na mban në gjirin e nxehtë të sajë,
Ne, të ftoftët e mbi tokës.
Thellë do të gërmoj,
Do të numëroj të gjithë ata
Që bënë epoka dhe ikën,
Mbi ta ulur rri së bashku me epokat,
Se di se kujt ti thërras më parë
Të vijë pas piskamës sime,
Të vijnë këtu tek unë,
Që zbathur shetis në qytetin e shtruar,
Me pure në dhëmbë shtërnguar,
Mbi xhama të thyer shishesh e tavlla cigaresh
Vrapoj drejtë epokave,
Drejt jush.
PAK KËTU E PAK ATY
Pak zgjohemi këtu,
E pak biem aty,
Pak vdesim këtu,
E një grimë ngjallemi aty,
Derisa të vdesim krejt,
E jo një copë këtu e një copë aty.
Kërkoj rrugën
Nuk po ja gjejë dot emrin dhimbjes
Të përzier me mërzi deri në grykë,
Nuk po ja gjej shtegun lirisë
Edhe pse vërvitem hu m’hu,
Si t’i them harresës që vitet mi humbi
E emëri im varur në qafë ka mbetur,
Nuk po e gjejë rrugën të ik nga varri
Të kthehem,
Prap të vi
E diellin të mos e gjejë,
Të ndez qirinjtë mbi strofat
E shekuj të rëndis.
Zog Hysenaj