Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj: Presidenti Ignazio Cassis flet për Zvicrën në rrafshin shumëpalësh, në takimin me gazetarët e APES –

Fotot nga Pierre-Michel Virot

APES (Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Zvicër dhe Lihtenshtajn), pati në Bernë, takimin vjetor me Presidentin e Konfederatës së Zvicrës. Ignazio Cassis është president i Zvicrës për vitin 2022. Ai është presidenti i pestë në histori nga kantoni italishtfolës i Tiçinos që e mban këtë post. Ai ka lindur në fshatin Sessa të Tiçinos më 13 prill 1961 nga prindër italianë. Në moshën 15 vjeçare mori edhe shtetësinë zvicerane.
Presidenti e filloi fjalën e tij në konferencën për shtyp me gazetarët në italisht. Z. Cassis tha se në Zvicër janë katër gjuhë vendëse: gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe retoromançja. Tri të parat janë gjuhë zyrtare të Zvicrës. Që një gjuhë të jetë zyrtare do të thotë që ajo të përdoret kur flet në emër të vendit përkatës, siç po flas unë këtu sot përpara jush. Në fjalën e mbajtur dhe në komunikimet e tij të mëtejshme gjatë takimit me ne, z. Cassis foli në italisht, gjermanisht, frëngjisht dhe anglisht.
Z. Cassis, i cili është edhe ministër i Jashtëm (që nga viti 2017 ), u përqëndrua tek roli dhe vendi i Zvicrës në rrafshin e marrëdhënieve shumëpalëshe në kontekstin aktual dhe perspektiv perëndimor dhe ndërkombëtar.
Roli i Zvicrës në të dyja kontekste, sipas z. Cassis është gjithnjë e më aktiv dhe më i rëndësishëm. Sfidat aktuale, shtoi ai, kërkojnë zgjidhje shumëpalëshe, çka e bën gjithnjë e më të vështirë normalitetin në funksionimin e çdo vendi e shoqërie, kur tundimi proteksionist dhe ai nacionalist po hedh gjithnjë e më tepër rrënjë.
Z. Cassis theksoi:
“Ajo që ne e quajmë sot “De-globalizim” është një prirje egoiste dhe potencialisht e rrezikshme. Lufta në Ukrainë na kujton se paqja dhe demokracia nuk janë kurrë të garantuara, madje as në Evropë. Kërcënimi i mungesës së energjisë na ballafaqon me varësinë tonë nga njëri-tjetri, një varësi që bëhet sfidë kur një nga hallkat e zinxhirit prishet – ose mungon.
Tërheqja në vetvete nuk është zgjidhje! Përfitoj nga simbolika e këtij vendi dhe prania juaj për të bërë një thirrje: Ajo që na dallon nuk duhet të na ndajë! Ne duhet të marrim persipër përgjegjësitë tona dhe të veprojmë së bashku dhe në solidaritet për të rivendosur sigurinë dhe ekuilibrin në Evropë dhe në botë. Zvicra i jep rëndeësi kësaj përgjegjësie si një vend demokratik dhe neutral. Të jesh neutral nuk do të thotë të jesh indiferent. Për më tepër, nuk mund të jesh joaktiv! Neutraliteti i përmban të drejtat dhe detyrat, përfshirë atë të angazhimit për paqen.”
Z. Cassis tha se në fillim të nëntorit, Gjeneva priti një delegacion të rangut të lartë rus për konsolidimin e marrëveshjes për eksportin e drithërave ukrainase: çka është tejer jetike për shumë vende që varen nga këto eksportime. Në Forumin e Paqes në Paris, gjatë takimit me presidentin francez Emmanuel Macron, Presidenti i Konfideratës ia ka ripërsëritur mbështetjen zvicerane për komunitetin politik evropian. Kështu, Zvicra është e përkushtuar së bashku me partnerët e saj evropianë për kohezionin dhe dialogun në kontinentin tonë.
Roli zviceran në kuadrin e marrëdhënieve shumëpalëshe njeh një nivel të ri. Janarin e ardhshëm Zvicra do të ketë vendin e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janarin e ardhshëm. “Paqja e qëndrueshme, mbrojtja dhe popullsia civile dhe siguria klimatike janë temat që ne do të bëjmë të rezonojnë brenda këtij organi madhor që përfaqëson zemrën – dhe sfidat – të multilateralizmit,” iu tha gazetarëve të huaj të akredituar në Zvicër dhe në Lihtenshtajn kryediplomati helvetik.
“Qeverisja shumëpalëshe është thelbësore për Zvicrën dhe botën. Si mund ta fuqizojmë atë, në dritën e urgjencës dhe përshpejtimit të sfidave globale? Në sfondin e një realiteti gjeopolitik që na largon? Përgjigja ime mund të përmblidhet në tre fjalë: “Diplomaci shkencore anticipative”!,” vijoi z. Cassis.
“Ne po shohim një përshpejtim të jashtëzakonshëm shkencor dhe teknologjik që prek njerëzimin, shoqëritë dhe planetin. Përparimi shkencor dhe përfitimet që do të nxirren prej tij janë thelbësore. Së bashku ne duhet t’i kapim, kornizojmë dhe ndajmë ato në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Ky është qëllimi i Parashikuesit të Shkencës dhe Diplomacisë së Gjenevës!
GESDA vepron si një ndërmjetës i ndershëm dhe ofron një mjedis ku ne mund të mësojmë për përparimet e ardhshme shkencore… Ku mund të përgatisim, prototipe, propozime të pjekura që shtetet kombëtare mund t’i riatdhesojnë më pas në procese formale ekzistuese ose të reja, në Kombet e Bashkuara ose organizata të tjera ndërkombëtare . Shkenca është një bazë për politikën, sepse shkenca është një formë e së vërtetës dhe një bazë solide për bashkëpunim. Shekulli 21 është shekulli i diplomacisë shkencore!
Me GESDA, Zvicra – dhe veçanërisht Gjeneva – po punon sërish për botën; është bota në shkallë njerëzore; dhe ndoshta vendi më i mirë për të kuptuar problemet e ndërlikuara me të cilat përballemi.
Qeveria ime dhe unë mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të frytshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe mediat globale nga qendra globale e Gjenevës.”, theksoi z. Cassis.
Presidenti i Konfederatës iu përgjigj me përkushtim të plotë të gjitha pyetjeve të shumta që iu drejtuan nga gazetarët. Pyetjet u përqëndruan kryesisht tek marrëdhëniet e Zvicrës me Bashkimin Evropian dhe tek qëndrimi i Zvicrës ndaj Luftës në Ukrainë në raport me neutralitetin e Konfederatës. Z. Cassis theksoi se Konfederata iu është përgjigjur me seriozitet të plotë në pajtim me neutralitetin e saj dhe me misionin e saj të gjitha sfidave dhe se është e përgatitur për të qenë në rolin e saj të përkrahjes dhe ndihmës ndaj dialogut dhe ndaj vendosjes së paqes.
Pas konferencës së shtypit, në një atmosfër krejt të veçantë, gazetarët e APES dhe të ftuarit kaluan një drekë. Presidenti i Zvicrës u përshëndet në emër të shoqatës nga kryetari Peter Kenny, pastaj Presidenti mbajti një fjalim, i cili u prit me duatrokitje nga të pranishmit.
Është në traditën e takimeve tona vjetore me presidentët e Konfederatës, të jenë të ftuar personalitetet më të rëndësishme zvicerane të vitit përkatës.
Në tryezën tonë, të gjithë gjermanofonë, këtë vit ne patëm rastin të jemi me shkrimtarin Reto Hänny, fitues i çmimit të Madh të Zvicrës për Letërsinë 2022, i shoqëruar nga zonja e tij. Pasi e uruam dhe përgëzuam për çmimin e rëndësishëm, ne e njohëm me punën tonë për ta bërë të njohur letërsinë zvicerane tek publiku shqiptar. Z. Hänny është lindur dhe rritur në kantonin Graubündchen, një nga kantonet më malore dhe më turistike të vendit, i kufizuar nga Italia dhe Zvicra, ku bashkëjetojnë popullsi gjermanofone, italofone dhe retoromanche. Me z. Hänny ne bëmë edhe një foto.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here