Më vrisni, por lejoni që gjaku im t’u shërbejë për ngjyrë që t’i shkruani shkronjat e alfabetit shqip – Nino Luarasi
Më l8 maj 1854 gjermani Franz Bopp, kur në Akademinë e Shkencave të Berlinit mbajti kumtesën me titull “Mbi shqipen në lidhjet e saj të afrisë”, argumentoi se gjuha shqipe iu përket gjuhëve indeoeuropiane. Atëbotë “Evetari shqip…” i Naum Veqilharxhit kishte plot dhjetë vjet qëkur ishte botuar. Abetaret qenë armë nga më të efektshmet për të shkëputur arsimin tonë nga varësia e shkollave të huaja. Me përmbajtjen e tyre ato ndikuan fuqishëm në edukimin e brezave me ndjenjat atdhetare. Por abetaret do t’i kishin dyert të mbyllura dhe shtigjet të zëna, në qoftë se nuk do të kishin mbrojtjen me armë nga luftëtarët shqiptarë. Nga kjo del se abetaren shqipe e ruajti pushka. Pushka i jepte forcë abetares, kurse abetarja i jepte krismë pushkës. Shumica e autorëve të abetareve shqipe qenë njëkohësisht pedagogë, shkencëtarë dhe veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare dhe organizatorë të arsimit. Një pjesë e tyre ranë dëshmorë për idealin e tyre për çlirimin kombëtar dhe për të mbijetuar gjuha shqipe. Të tillë kanë qenë N. Veqilharxhi, A. Kullurioti, L. Gurakuqi, J. Erebara, Sh. Daiu e të tjerë.
Në fakt, asnjë tekst mësimor si Abetarja, për një kohë kaq të gjatë nuk është lidhur aq ngushtë me historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare. Kjo, pa dyshim, është rrjedhojë e funksionit shumëplanesh që Abetarja e Zymit (20 maj 1900) luajti për më se 56 vjet nga Ëvetari…, që konsiderohet abetarja e parë shqipe (1844), përkatësisht 169 vjet që nga Ëvetari… i Naum Veqilharxhit e deri më sot, kur po e ribotojmë Abetaren e Zymit (20 maj 1900) – sot (E Diela e Pashkëve, 31 mars e vitit 2013).
Me këtë tekst nuk u lidhën vetëm mësimdhënësit, por edhe njerëz të fushave të tjera, si mendimtarë, politikanë, ideologë, luftëtarë, ithtarë të Lëvizjes Kombëtare e të tjerë të cilët, në çantat e tyre, krahas armës, mbanin edhe abetaret për t’i shpërndarë që të mësohej gjuha shqipe. Me asnjë libër tjetër si me abetaren nuk e lidhën jetën dhe fatin e tyre shumë autorë, redaktorë, libërshpërndarës, librarë, mësues, prindër dhe atdhetarë, të cilët e bënë këtë në emër të idealit të pavarësisë së trojeve shqiptare.
Për ta mbajtur gjallë abetaren shqipe, derdhën mund e djersë penat më të fuqishme të kohës, si N. Veqilharxhi, K. Kristoforidhi, D. Boriçi, S. Frashëri, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Vasa, A. Kullurioti, L. Gurakuqi, P. Qiriazi, N. Lako, S. Shuteriqi, A. Xhuvani, N. Paluca, Th. Papapano, J. Minga, M. Logoreci, G. Beltoja, L. Skendo, L. Lumezi, Q. Guranjaku, K. Xhumari, Q. Batalli, M. Gjevori, Gj. Gjokaj, Xh. Gega, e shumë të tjerë.
Abetaret vunë bazat e gjuhës letrare
Abetarja, si asnjë libër tjetër shqip, depërtoi në burgje, u mësua në natyrë nën qiellin e hapur, në objektet shkollore, por edhe në shtëpitë (private) shkolla. Abetaret ishin galdime shpirtërore të hapta e në shtëpitë e odat pa dritë të mjaftueshme e të mbushura me tym. Abetarja shqipe mëkoi dashurinë për gjuhën mëmë, ku shpërthente zemra për lirinë. Abetarja krijoi mundësinë e zhvillimit të arsimit shqip në shkolla dhe njëkohësisht u hapi rrugë teksteve të tjera shkollore.
Përsa i përket vendeve të botimit, abetarja shqipe ka pasur një shtrirje të gjerë gjeografike. Ajo është shtypur brenda territoreve shqiptare, por edhe jashtë tyre, si në Bukuresht, Sofje, Stamboll, Athinë, Napoli, Bruksel, Paris, Worçester, Kajro, Aleksandri, por edhe brenda trojeve etnike shqiptare, si në Shkodër, Zym të Hasit, Kumanovë, Manastir, Tiranë, Prizren, Prishtinë, Korçë, Vlorë, Shkup etj. Abetarja jonë është përdorur në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporën shqiptare. Nxënësit shqiptarë, duke mësuar të shkruajnë dhe të lexojnë në këtë gjuhë, u njohën edhe me historinë e kombit. Ajo ndihmoi në veçanti në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, dhe, në çfarëdo forme që janë botuar. Në këtë pikëpamje, ato përherë janë pasuruar dhe përsosur, duke dhënë kështu një ndihmesë në historinë e kulturës shqiptare. Një përfundim tjetër i rëndësishëm është edhe roli që kanë luajtur abetaret në unifikimin e gjuhës së përbashkët dhe në hedhjen e bazave të gjuhës letrare.
Hartuesit e tekstit bazë të shkollës shqipe – abetares, përveç që krijuan dhe themeluan shkollën dhqipe, krijuan themelet e traditës së shkollës shqipe, por edhe krijuan te brezet e reja kënaqësinë e shprehive të lexim-shkrimit të gjuhës amtare në të gjitha viset ku flitej gjuha shqipe, por edhe në diasporë, ku jetonin e ishin të strehuar për asrye të ndryshme shqiptarët me familjet e tyre.
Abetarja shqipe për shumë vjet u vu në listat e zeza të botimeve të ndaluara. Autorin e “Ëvetares…” së parë e helmuan, kurse kopjet e këtij “libri të mallkuar”, që kishte marrë udhët e Evropës, i dogjën. Rruga e abetares ishte plot rreziqe dhe e pandarë nga lufta për çlirimin e viseve etnike shqiptare.
Është e kuptueshme se edhe rruga e Abetarës së Zymit, ishte plot rreziqe. Për te dhe abetarët tjera shqipe ishin përndjekur e ishin vrarë veprimtarët e shkollës shqipe, por edhe shumë e shumë patriotë të tjerë, por ajo mbijetoi derisa u shpall Pavarësia e Shqipërisë, por vazhdoi të përndiqet edhe më me ngulm në viset jashtë Shqipërisë administrative, si në Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindore, Mal të Zi e deri në Çamëri.
T’i kujtojmë vitet e 90-ta të shekullit kaluar, kur në Kosovë mbretëronte okupimi i egër serb, ku jo vetëm që digjeshin tekstet shkollore, por ishin përzënë nxënësit shqiptarë edhe nga objektet shkollore, por falë prindërve dhe jo vetëm atyre, ata lëshuan shtëpitë e tyre private për nevoja të funksionimit të shkollave shqipe. Dhe shkolla shqipe, falë në radhë të parë arsimtarëve, prindërve dhe vetë shkollarëve, të cilët e dhanë edhe jetën, me mjaft sakrifica i mbijetoi më të keqes.
Të mos harrojmë se për pronarët e shtëpive shkolla nuk ka qenë lehtë të lëshohen shtëpitë ku nxënësit gjatë tërë vitit shkollor mësonin për Republikën e Kosovës. Nuk ishte lehtë as për nxënësit që në tekstet e tyre shkollore por edhe në fletorët e tyre mësonin dhe shkruanin për Republikën e Kosovës, por edhe për arsimtarët, të cilët pa të ardhura bartën nën sqetulla ditarët me Republika e Kosovës. Këta edhe ishin çlirimtarët dhe heronjtë e vërtetë të Republikës së Kosovës.
Po thuajse të njëjtat kushte ekzistonin kur u mbajt edhe Kongresi i Manastirit (14-22 nëntor 1908) për krijimin dhe miratimin e një alfabeti i gjuhës shqipe. Në atë Kongres morën pjesë 150 delegatë të ardhur nga të gjitha viset shqiptare dhe nga bashkësitë shqiptare nëpër botë, por kishte edhe mysafirë.
Meritat më të mëdha për bashkimin e alfabeteve dhe për nxitjeve edhe të kësaj pune, del se ishte Atë Gjergj Fishta. Kjo vërehet kur ai paraqitet në foltore me fjalët “S’kam ardhur që të mbroj asnjë alfabet, por të mbroj një alfabet të përbashkët!” Pra, ai tregoi se nuk kishte ardhur për të përçarë, por për të bashkuar. Dhe ai që e kuptoi dhe që e ndjeu vlerën e këtyre fjalëve e përmbajti alfabetin e përbashkët. Nuk ishte gjë e rastit kur një nga të pranishimit, përkatësisht kleriku mysliman, Ibrahim Efendiu, del në foltore dhe me lot në sy e përqafon Gjergj Fishtën duke e kuptuar rëndësinë e fjalëve të tij.
Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Do theksuar se me miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, por edhe me ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe, po ashtu në Manastir, që mundësoi botimin dhe shpërndarjen e librave e gazetave në gjuhën shqipe, ishte koha kur u krijua disponimi i gjerë për të shpërthyer shqiptarizma.
Kongresit të Manastirit, në vitin 1908, dhe hapjes së shkollave shqipe i paraprinë dhe e nxitën rilindësit, patriotët dhe veprimtarët e kulturës, ata që kishin të bëjnë me popullin dhe me shkrimin shqip. Ata qenë të shtyrë ta ruajnë origjinalitetin e theksit të të folurit të mjedisit, me të cilin kishin të bëjnë. Madje, secili prej tyre, për t’i mbetur besnik aspektit fonetik të të folmes lokale shqipe dhe të shqipes në përgjithësi, ishin detyruar të krijonin shenja të veçanta për t’i shënuar tingujt e të folmës shqipe, ose detyroheshin të merrnin grafema të gatshme të autorëve të mëparmë apo ato i huazonin nga alfabetet e tjera, të cilat i modifikonin për gjuhën shqipe.
Abetarja e Zymit
Sipas shënimeve të evidencuara me rastin e pagëzimit të fëmijëve, të kurorëzimeve, vdekjeve apo për lëshimin e dëshmive të ndryshme, që kanë lënë meshtarët e devotshëm, që shërbyen në Zym të Hasit, sidomos ata të fundshekullit XIX e deri në kohën kur u mbajt Kongresi i Alfabetit, del se ata kanë përdorur një varg shenjash grafike, të cilat ose i kanë krijuar vetë ose i kanë huazuar nga shkrimtarët e vjetër. Sa për ta ilustruar këtë që u tha, do të përmendim se duke u përpjekur që sa më origjinal t’i evidencojnë shënimet e nevojshme, për t’iu përmbajtur theksit të të folurit vendor, ata përdorën grafikisht gjatësinë e zanoreve me anë të geminacionit, si bie fjala në vend të Pal e shkruanin Paal, Matë – Maatë, Kolë – Koolë, Rrafë – Rraafë, Ndokë – Ndookë, Getë – Geetë, Mihill – Mihiill, pastaj Gega – Ghegha, e kështu me radhë.
Galdime shpirtërore
Shembujt e përmendur janë disa nga shkronjat që janë përdorur nga meshtarët e Zymit të Hasit para se të hynte në përdorim Abetarja e Zymit. Megjiathatë, sipas Shefik Osmanit, del se në Arkivin Qendror të Shqipërisë nën siglën F. 65, D. 163, Koleksioni i fondeve personale para vitit 1912, Jak Speci, ekziston “ABETARJA E ZYMIT, 20 maj 1900”, që ka 80 faqe, por që i mungojnë kopertinat. Supozohet se kjo Abetare është litografuar (shtypur) pikërisht në Zym të Hasit dhe se autor i saj mendohet të ketë qenë Lazër Lumezi (në këtë Abetare në vend të fjalës mësues përdoret fjala shkollar, që është shumë e përafërt me atë se Lazër Lumezi ishte autor, pasi që ai njihej edhe si Lazër – shkollari), por nuk përjashtohet edhe mundësia që autor të ketë qenë Mati Logoreci apo Dedë Pasi, apo ndonjë tjetër…
Ka edhe mendime se ky tekst elementar është hartuar nga një grup mësuesish nga rajoni i Prizrenit. Abetarja e Zymit nuk e ka të shënuar emrin e autorit apo shtëpinë botuese, gjë që mund të jetë edhe ajo se në atë kohë tekstet e tilla në gjuhën shqipe ishin të ndaluara, ndaj për t’iu shmangur ndjekjeve të pushtuesit – otomanët dhe ndjekjeve kishtare të sllavëve apo grekëve, shpesh autorët vinin sigla të ndryshme ose pranonin të jenë anonimë, se ata kënaqeshin me atë se ia arrinin qëllimit të caktuar – botimit të abetareve.
Në kohën para dhe pas përdorimit të kësaj Abetare në Zym kishin shërbyer në detyrën e mësuesit në radhë të parë meshtarët: Shtjefën Krasniqi, Pjetër Battisti, Pjetër Pecolli (zymjan), Franë Koliqi, pastaj mendohet se në Zym të ketë qenë mësues edhe Lazër Lumezi (shkollari), po ashtu nga ky fshat.
Përndyshe, Abetarja e Zymit është e hartuar kryesisht me alfabetin e Stambollit, pra me një dialekt që dominonte në viset veriore shqiptare dhe se alfabeti i saj nuk është gjithaq praktik për mësimin e gjuhës shqipe. Megjithatë, ky alfabet në këtë Abetare ka 33 shkronja dhe se shkronja Ë nuk përfaqësohet fare, pastaj për Q përdorët C, si dhe përdoret vetëm një Q (pra edhe për Ç), përkatësisht një GJ (edhe për XH), që në pjesët veriore të viseve shqiptare, edhe ashtu pak apo aspak në të shqiptuar e të folur nuk hetohen dy tinguj për këto shkronja.
Sido që të jetë, Abetarja e Zymit i ruan vlerat e saj historiko-arsimore e gjuhësore, për rolin që luajti në Zym, përkatësisht në rajonin e Hasit e më gjerë, për leximin e shkrimin e gjuhës shqipe. Ajo paraqet një dëshmi të qartë për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe në kushtet e pushtimit osman e më vonë edhe të pushtimeve sllave, s dhe paraqet frymën patriotike që kishte procesi mësimor dhe tekstet e përgatitura nga kuadrot vendore, e sidomos ata që njëherësh ishin meshtarë, por që edhe e mbanin gjallë shkollën dhe gjuhën shqipe në Zym të Hasit të Thatë dhe më gjerë.
Megjithatë, duhet theksuar se për shumë shkronja alfabeti i Abetares së Zymit përdor shenja grafike ndryshe nga ato të Kongresit të mëvonshëm të Manastirit. Mirëpo, sikur të mos ishte hartuar një alfabet i përbashkët në Kongresin e Manastirit, vallë, sa lloj abetaresh apo tekstesh mësimore do të përdornim ne sot?
Gjuha shqipe e mban vendin e rrënjës
Dhe, çfarë mendimi do të kishte për ne sot bota sikur do ta përdonim alfabetin arab apo cirilik sllav apo grek? Alfabeti latin i shqipes dhe braktisja e alfabeteve të huaja, ishte dëshmi se shqiptarët që atëherë po e shfaqnin prirjen e tyre properëndimore dhe identitetin e tyre evropian. Ndaj, me krijimin e një alfabeti të njësuar e të mbështetur në alfabetin latin, u përforcua edhe teza për lashtësinë e gjuhës shqipe, e cila është vërtetuar në Institutin e Gjuhëve në Zvicër, ku në mënyrë figurative, në formë të një druri, gjuha shqipe e mban vendin e rrënjës.
Ashtu siç qe shkruar shqip qysh me 1555-n në Evropë “Meshari” i Buzukut, si dhe që u mbajt “Kuvendi i Arbnit” më 1703, ku moren pjesë edhe dy zymjanë së bashku me ipeshkvin e Ipeshkëvisë së Shkupit – imzot Pjetër Karagiqin, që në vitin 1703 ishte strehuar në Zym të Hasit, ashtu ishte botuar – shqip edhe “Flamuri i Arbërit” i De Radës, “Albania” e Konicës, “Dielli” i “Vatrës” së Bostonit dhe ashtu ishte punuar edhe në stacionet tjera të lëvrimit të shqipes e shqipshkrimit nëpër botë.
Do përmendur se Abetarja e Zymit është përdorur nga prof Luigj (Luixh) Shala, alias Bogdani, në Institutin Femnuer në Prizren deri në vitin 1935 (faqe 81-82). Po ashtu në faqen 78 i ka Numrat prej 1 deri në 10, përkatësisht në faqe 80 i ka 13 shkronja, si dhe në faqen 80 i ka 20 shkronja.
Legjenda:
Guri i “Abetarës së Zymit” (20 maj 1900” në Zym të Hasit
Autori i shkrimit: Frrok Kristaj