Prof. Skender Hoxha: VËSHTRIM MBI POEMËN “MIRDITIADA” TE HASAN HASANIT

Fundi i eksplorimeve në mirditë dhe testamenti poetik

Kur e parabinda veten, sadopak, që kësaj radhe të shkruaj disa fjalë për librin e fundit poetik të Hasan Hasanit, “Mirditiada”, të lënë në dorëshkrim, më kaploi një ndjenjë që poeti Hasan nuk është më në jëtë dhe fillova ta përjetoja si një ëndërr të trishtë e të pabesueshme. Ndonëse e rëndë, e arsyetova edhe këtë ndjenjë kryeneçe timen, sepse, përveç që ishim rritur bashkë në një lagje, me ato lojërat fëmijërore të kohës dhe të fshatit, unë, meqë herët kisha marrë rrugën e letrave, shkrova dhe botova vështrime, ese, reçensa, trajtesa etj. por, edhe si askush tjetër, shkrova dhe botova 6 libra që ngërthejnë shkrime të mia shteruese kritike e studimore për veprimtarinë e gjerë e të larmishme letrare të këtij shkrimtari dushkajas. Hasani dukej i qetë në jetë, por i preokupuar dhe i shpejtë në shkrime, ashtu sikundër u bë i shpejtë edhe në përqafimin e vdekjes!. Nejse, këto i mbesin letërsisë sonë dhe lexuesve të saj. T’i kthehemi “Mirditiadës” së Hasanit, dorëshkrim të cilin, në adresë elektronike ma dërgoi i biri i Hasanit (i madhi), Blerim Hasanaj, i cili shprehi edhe dëshirën që ta punoja një shkrim për këtë dorëshkrim poetik që së shpejti do të bëhet libër.
“Mirditiada” nis me vargjet e këngës “Fillim udhëtimi pa fund” dhe përfundon me këngën “Mbarim rrugëtimi pa fund” (si çdo gjë që ka fillimin dhe mbarimin)
FILLIM UDHËTIMI PA FUND – si fillim i idealit për ta shkruar “Mirditiadën”
Ky titull i ngjet parafillimit të një romani a filmi fantastik, ndërsa në ballë të kësaj poeme paralajmërohet një udhëtim i gajtë nëpër hostori, që është parashikim e planifikim i autorit, paralajmërohet një Odisejadë e cila autorin dhe lexuesin e bredh nëpër vise të Mirditës e Dushkajës së Dukagjinit, të shtrira gjatë harkut kohor treqindvjeçar. Ky paralajmërim i poetit Hasan niset me heshtjen e tij dhe shprehet me vargjet: “Po hy në Malin e Shenjtë për t’u zhytur në heshtje/ Si asket me askë t’mos e ndërroj qoftë edhe një fjalë,”/ (…) me qëllim të caktuar: “Vetëm që udhëtimi im një ditë t’arrijë atje për ku është nisur/ Kryq e tërthuer nga Munella e Zepa, Fani i Madh dhe i Vogël”. Poeti e studiuesi Hasan, i kishte hyrë këtij misioni fisnik e të shenjtë për gjetjen e rrënjëve vëllazërore e fisnore, duke i drojtur, sadopak, edhe moshës e cila nuk ishte edhe aq e thellë: “Në këtë rrugëtim, që nuk e di a do t’ia shoh fundin/ Se shtatëdhjetë e katër gur mbi supe po më rëndojnë,”. Jehu i këtyre vargje tingëllon edhe si mall dhe si dëshirë fundamentale e autorit që të arrijë një ideal të madh të tij, ku pas edhe 75 veprave: “-Oh, ta shkruaj të hyjnishmen, kurorën time – Mirditiadën!”
E tërë lënda poetike e poemës “Mirditiada” është e sistemuar nëpër disa njësi që poeti i quan Libra, si dhe me përkushtim shpirtëror për dymbëdhjetë apostuajt, nisur nga “Libri i parë” dhe “Apostulli i parë.
LIBRI I PARË

Apostulli i parë – ballafaqim me toponimet e Mirditës

Që në librin e parë poeti vjershëron duke pasur objekt frymëzimi toponime, antroponime e hidronime të Mirditës, përshkrime, figura historike dhe eksplorime, deri te gjëma e lumenjve gjithandej: “Tok me ujin e bekuar të Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël/ Ku i pret Mati për të vazhduar bashkë gjëmën deri tek Drini”. Ndërsa, në librin e dytë vargjet na çojnë tek udhëtime me ngjyrime aventuriere deri te ato mitike, në drejtim të kushtueshmërisë: “Drejt Qafës Barit, Udhës së Gjazujve, Grykës së Bargjanës,/ Hypur mbi krahë dragoji (…)/Fluturuar kryq e tërthor Kashnjetit e Qershizës…, që të ”marrim frymë nën çatinë e shtëpisë tënde,” e poeti frymon lirshëm si në katarsisin arisotelian, mu aty në cepe të Mirditës së bajrakëve, ku artistikisht ndeshim gërshetimin e vargut burimor dhe vargut synim.
Në vargjet e këngës Gjergji i Gjonit të Kastriotëve, Gjergj kastrioti del, veç të tjerash, figurë mitike: “Thonë, kur lindi Gjergji mbi kullën e Gjonit ndaloi Dielli”. Sipas Hasanit, apostujt prinin para duhive që po dilnin nga toka (…) “ Që mbjellnin shpresë tek fëmijët për djepin që përkundte/ Gjergjin e Gjonit të Kastriotëve nga një derë e shenjtë,”, sepse: “Po Gjergji ynë rritej me betejat, ushqehej me prush e llahtar”. Ai ishte: “Dhuratë për Arbërinë dhe Kastriotin që gjumin s’e bënte gjumë”, e brenda trungut të origjinës mirditore, thotë se: “Gjergji i Gjonit të Kastriotëve me origjinë nga toka e Mirditës” … dhe falë këtij heroji legjendar: “N’Arbërinë e Gjergjit të Gjonit, ku çdo gur u shndërrua n’muranë,/ Ushtri dhe ordi sulltanësh erdhën e s’u kthyen më kurrë atje”
Gjergjin e Gjonit të Kastriotëve dhe Lekën e Palit të Dukagjinëve, poeti Hasan i quan “shtylla”, i quan “korifej”: “Kështjella e Arbërisë e shekullit t’largët pesëmbëdhjetë/ Qëndron mbi dy shtylla që s’ligështohen as thyhen kurrë,/ Dy korifej që Mesjetën e mbulojnë me purpur dhe dritë/ Gjergji i Gjonit dhe Leka i Palit mbajnë gjallë historitë”,
Këto dyer, Principata e Kastriotëve dhe Principata e Dukagjinëve, shquheshin për dhuntitë dhe të bëmat e tyre karakteristike, ku poeti i stolis me vargjet: “Në Krujë Kastriotët fronin qëndisin me zjarrin e yjeve/ Në Lezhë Dukagjinët me fjalën e urtë bekojnë fronin”
Sikur edhe në himnizimet e këngët e kreshnikëve dhe baladat nëpër mote, shfaqet edhe krenaria e vargjeve: “Me emrin e Lekës në ballë, me emrin e Lekës në zemra/ Që rrugët ndriçonte si Hyll drite cep më cep Principatës./ Bashkë me Gjergjin e Gjonit të Kastriotëve shpesh në luftëra”
Me Gazullorët nga Ndërfana, poeti sikur vë një diagonale historike që nga shekulli XV, kur kishin ndodhur kthesa të mëdha, kur mirditorët kishin marrë botën në sy! Këto i përshkruan me vargje: “Qindvjetëshi i pesëmbëdhjetë shënon kthesa të mëdha/ Ndër familjet mirditore që morën botën ndër sy,/ Raguza, Padova strehuan n’gjirin e vet bijtë e shqipes/ (…),”Që lanë gjurmë të pashlyeshme atëbotë ndër shekuj/ Ku bijtë shqiptarë shkëlqyen në katedrat e universiteteve” Pra,
ku bijtë e shqipeve shkëlqyen n’katedrat e |Universiteteve, duke u stolisur në podiume shkencore me doktorate, të cilët ishin “Dalë nga derë mirditore nga Ndërfana e Mirditës”.
Poeti ngre lart edhe moralin luftarak të malësorëve të gazullëve dhe mirditasve, ku dalloheshin me heroizmin dhe dijen e tyre: “Me heroizmat në fushëbetejat e Pensilvanisë, Torivolit,” (…), “E bënë Gazullorët e Mirditës në fushën e dijes së lartë”, nga të cilët thekson emrat: “Pali, Gjini, Gjoni, Andrea, Mateji, Luçia Gazullorë”, por, autori shquan edhe figurën e Gjon Gazullit, shoqëruar me mikrotoponimet që çojnë larg kujtesën e lexuesit, si: “Mirditori Gjon Gazulli nga Gjazujt, Kalaja e Preçit rrethuar,/ Shpella e Ndreut, Kalaja e Blinishtit, Udha e Shpalit, Munella/ Ku ruajmë kujtimet e largëta si uratën”…, apo edhe “Duke përkundur ëndrrat…”.

Mirdita dhe legjendat

Në këngën “Mirdita”, poeti i kthehet Mirditës kundruar nga kënde të tjera, këndon për legjendat: “Sot kam hyrë në në gjirin e legjendave me prushin e zjarreve”; këndon për Taraboshin e Tomorrin, Shkëlzenin e Gjallicën, duke pasur për inspiriim edhe: “Këtu i thonë Mirditë gazepi/ Nuk ec kali, nuk ec kerri”, për të shtegtuar deri tek dhembja për vendlindjen e tij në Dushkajën: “Në Dushkajën e mbuluar me dushqe e me varre pa gurë”, po edhe për Mirditën e dikurshme: “Kur mirditorët matnin diellin me pash n’rrugëtimin e gjatë/ Nga Gjakova dhe Prizreni ku shitnin peshkve për qerre.” Por, tash ka ndërruar shumëçka, se: “Me trenin e dashurisë që bart ëndrrat dhe gëzimet e fëmijëve/ N’Mirditën e Mirditës që sjell Ditën e Mirë për mirditorë”
Në këngën e radhës “Munella e zanave dhe legjendave”, janë vargje me frymëzime e përgjasime homerike e fishtiane me specifikat hasaniane. Janë vargje të përshkuara nga një imagjinatë e tejkohshme, imagjinatë e thellë dhe e gjerë, sa, ndonjëherë, nuk mund të konceptohen as kuptohen nga të gjitha shtresat e lexuesve. Në qendër observimesh poetike janë rrëfimet për Munellën e zanave, legjendave dhe bijtë e këtij trolli: ”Ata bij Zanash që gjak të marrin në vetull, bjen kushtrimi/ Me vargun e Fishtës duke kënduar në Malin e Shenjtë epik/
Dhe nuk është çudi pse unë sot shkruaj ca vargje për ty,”
Poeti Hasan Hasani, i hyrë thellë të eksplorojë rrënjët fisnore, natë e ditë, me mendje e trup ishte atje, në Mirditë, gjë që e thotë edhe në vargjet e tij: “Që natë e ditë shëtit cep më cep nëpër Mirditë e mirditorë/ Nga Oroshi në Kthellë, nga Domgjoni në Bisakë e Spaç,/ Nga Bukmira në Mollkuqe, nga Kaçinari në Blinisht e Gojan”… Dhe, lexuesi gazmohet kur kupton se autori është real. Se ai është: “Pasardhësi i Pren Kolës që shëtis nga kulla në kullë me një laps/ Dhe një copë letër ku shënoj atë që s’e shënuan t’parët e mi.” (…) “E unë nga një breg tjetër mora guximin t’shkruaj vargje për Ty” (…)/ dhe, edhe më qartas:”Unë Hasan Malë Përkola, pasardhësi i Pren Kolës së tretur!”
Gurrat janë të pashtershme, ndaj edhe figurativisht nënkuptojnë një jetë që është në rrjedhë, e pashkëputshme, sadoqë ndonjëherë edhe di të largojë. Kështu, poeti Hasan, i himnizon edhe Gurrat e Domgjonit, ku, për të shkuar deri aty, iu desh një kohë e gjatë, një odisejadë. E, për këtë, ai shkruan: “Njëmijë e gjashtëqind vjet u deshën të vi tek ti obelisk” dhe: “Njëmijë e gjashtëqind vjet u deshën që tek ti të pi ujë”(…), “Këtu në Fan të Mirditës në fshatin Domgjon të lashtë,” dhe i pari që “… piu ujë n’Gurrën e Domgjonit shekuj më parë”, duke shkruar se sot: “Po moj Gurrë e Domgjonit, po…Me ty tash po mirren poetët,”
Dhe, më në fund, shkëndijat që krenohen me Gurrën e Domgjonit, me parakalim imagjinar të Jerinës: “Duke parakaluar kopshteve plot lule e mbi të gjitha Jerina,/
Ajo mbretëreshë që i dhuroi dashuri Atit t’madh Gjergj Fishta”. Jepen këtu edhe peizazhe që fiksojnë bukurinë e kullave të vjetra të Domgjonit.
Munella e Zepa pashkëputshëm janë vendfrymëzimet e kësaj poeme të Hasan Hasanit. Ato janë burime legjendash, sikundër edhe Sukbukura dhe Murana e Krushve, për të mos lënë anash vende që përmenden për kullota të bagëtisë, ku: “Ngopur në Livadhet e Këputzës e mrizet te Kroi i Vorf Bibës.”
Autori i poemës “Mirditiada”, me devotshmëri, nuk ngurron të rrijë gatitur para ndonjë shenjërie. Këtë e thotë në këngën “Gatitu, para L’terit”: “Qëndroj gatitu, i heshtur gur varri para këtij froni t’shenjtë/ (…); “- O Zot! Sikur u ndal koha sot këtu te L’teri në Domgjon/ Kur me Zefin, Gjonin e Prenin heshtim çuditërisht t’gurëzuar,” me idenë se aty do të jetë përulur edhe plaku i Përkolajve, situata e vargje fetishizuese, gërshetuar me “Hija ime që më përcolle mua në shekullin njëzetё -njëzet e njëtё/ Ashtu siç përcolle Përkolajt treqind vjet në Dushkajë,”, e për të gjitha këto “largime” familjarësh, poeti fajëson historinë dhe konferencat: “Në Paris, Londër, Sofje e Teheran që sollën Murin e Madh Kinez në mes/ E Tirana e Prishtina na ndalonte edhe valët eterike qiejve,/ T’mos arrinin tek vëllau për vëlla, babai për djal, gruaja për burrë”, e tash kishte puthur L’terin:
“Tok me vëllezërit që më përcollën si pelegrin: Zefi, Gjini, Preni
Bima e Pren Kolës nga Domgjoni dhe i Dushkajës në Jabllanicë,”
Poetin, edhe kur shkon te “Guri i Fishtës”, sikur e përcjell Gurra e Domgjonit: “E Gurra e Domgjonit m’shtrëngoi e shpirtin ma ujiti.”, e që i sjell edhe shumë e shumë kujtime: “- O, të gjitha këto m’i solli sot ndërmend ky truall i shenjtë”, tok me engjëj e apostuj: “E Fishta, mirditori t’i kthehet truallit ku i lindën të parët e fisit,” (…) “Me Lahutën nën sqetull, që mban aromën e tokës në Domgjon” (Shih, kënga “Te trualli i Fishtës”). Ndërkaq, në këngën “Mali i Shejtit në Malin e Shenjtë”, të gjitha frymëzimet e poetit ngjizen me emërvendet e Mirditës, me zanat, engjejt, kullat, betejat etj. që i jepin poemës bgjyrime dhe aromë epike: “Mali i Shejtit, quhet bjeshka e Oroshit/ Që qëndron krenare në Malin e Shenjtë/ (…) I pasur me kroje dhe me gurra si flori/ (…) Nga Lezha në Krujë roje edhe këngë”, fjala dhe besa duke qenë kryefjalë: “E Mali i Shejtit shkeli historinë e s’u thy/ Që nga koha kur këmbë njeriu shkeli aty,”. Pra, ky ishte Mali i Shejtë, kah vjen edhe klithma poetike e Hasanit: “ O Mali i Shenjtë i Mirditës se besës së palëkundur”, për të përfunduar këtë këngë me vargun: “Gjithnjë roje Mali i Shejtit në Malin e Shenjtë.”
Sipas poetit, Mirdita është e shenjtë dhe hyjnore, e dhuruar nga Hyji, ndaj edhe parreshtur krenohet me kullat e gurit trekatëshe, besën e besëlidhjen e dymbëdhjetë bajrakëve që shtrihen gjithandej: “Kudo në Spaç, Gojan, Bisakë, Gomsiqe, Kaçinar e Xhuxhë/ Deri n’Sh’mri e Fushë – Arrëz, ku gjenden gjurmë mirditorësh”, e deri te grykat e përrojeve: “Te Kalivares dhe të Kimzës, në jug të bjeshkës së Munellës/ Fani më bën shoqëri me gurgullimën e gurëve të thepisur.”, gjithandej ku muranat flasin: “Stolisë Kalivaren me “Muranën e Ndue Shëmrisë”, në cepet gjeografike: “Nga “Krepi i Dilës”, tek “Maja e Kalasë”…, që i gjejmë te kënga “Kalivarja e muranave” e kësaj poeme.

Lahuta e Hasanit – Lahuta e Mirditës

Lahuta, instrument i lashtë muziokr yni, rri e varur në gozhdë. Hasani e “zgjoi” dhe e vuri në titull të një kënge në poemë. Me lahutë janë ruajtur kujtimet e së kaluarës dhe këngët që u kënduan për Bjeshkët e Nëmuna, malet me dushqe, kreshnikët e kohës, ku: ” Lahutarët n’Mirditë e Dukagjin kalërojnë betejave”, e këto dëgjoheshin me vëmendje kudo: “Këtu në kullën e Bacës Mehmet, ku Përkolajt ishin mbledhë,/ Ta dëgjonin rapsodin Hazir Alia që këngës ia dinte fshehtësitë”.
Pas përplasjeve dhe pedatjeve të kohës, Përkolajt e Domgjonit ishin vendosur në Dushkajë, që autori e vijëzon që në vargjet e para të këngës “Përkolajt mirditorë në Dushkajë: “Përkolajt n’Dushkajë, n’bjeshkë, vërri e mokër/ Pa kulm mbi kokë, bukën me cikërr në sofër,” (…), dhe sa e rëndë ishte ajo jetë për ta:
“E rëndë qe jeta për t’parët e mi nga Mirdita,/ Fytas me bisha n’mal, fytas me njerëz n’prita” (Kënga: “Përkolajt mirditorë në Dushkajë).
Libri i tretë, me apostullin e tretë, përmbledh vargjet për 10 vendbanime të Mirditës: Oroshi, Domgjoni, Spaçi, Blinishti, Shëngjergji, Bukmira, Gomsiqja, Mollkuqja, Kaçinari, Kashnjeti, ndërsa Lumi i Zi dhe Kthella kanë mbetur të pakryera.
Poeti, në funksion të kërkuesit e hulumtuesit kurioz, shkel cep me cep vende të Mirditës. Kështu, fillon me Oroshin ku nxjerr frymëzimet vargënuese: “Qëndroj mbi një pikë bukur lart këtu në Orosh/ E shikoj i heshur duke u kredhur ndër mendime,/ (…) / Këtu në Orosh për të cilin baba më fliste me epsh”, vargje që pëeshkruajnë të kaluarën historike, me murana e historinë njerkë të shqiptarëve, me dymbëdhjetë bajraqe, dymbëdhjetë fise e dymbëdhjetë apostujt, e kokorbat e Grykës së Oroshit.
Ndërsa, kur është në Domgjonin e tij, ai thotë: “Këtu me Domgjonin e muzës sime të plagosur,/ Në shesh ku Guri na uron Mirëseardhje” dhe flet me të parët e tij: “Po ku je, o Pren Kola, ku je more burrë Domgjoni?/ As në kullën e lashtë 400-vjeçare nuk të gjeta/ Aty ku gur i Munellës kishte fjetur katër shekuj,(…), dhe kënga përfundon me vargun: “O Pren Kola i Domgjonit… O Pren Kola i Jabllanicës!”, duke mbajtur gjallë mallin për vendin e origjinës së paraardhësve të tij.
Trimat e Mirditës sikur kanë fuqinë hyjnore, atyre edhe zanat u dhanë gji: “Më thuaj Zanë pashë gjirin që ua dhe trimave mirditorë”, armiqtë thyheshin në këto treva, e poeti e shpreh: “Spaç o Spaç, varr e djep, Ferr i çarë thellë n’histori” (Kënga “Spaçi”).
Mirëpritja, sofra e begatshme, emra e mbiemra njerëzish të këtushëm, Kisha e Shën Shtjefnit, Kalaja e Preçit e Shpella e ndout, (kryqëzim baladash nëpër histori), blinishtasit e lashtë e krenarë, spikavin vargjet për Blinishtin në këngën me titull “Takimi im me Blinishtin” që është në gjiun e kësaj poeme. Po ashtu, udhët që kryqëzohen anembanë, si: Udha e Shpalit, Udha e Gjazujve, Maja e Buklit, Kalaja e Blinishtit, vende arbërore të Mirditës, begatojnë rrjedhat poetike të poemës: “Diku në një cep të Arbërisë të quajtur heroikisht Mirditë”. Mirëpo, poeti nuk pushon së kërkuari nëpër Mirditë. Ai vë një korerespondim si pikëtakim artistik të Shëngjergjit të Mirditës me Shëngjergjin e fëmijërisë, sigurisht si festë. Kërkon nëpër bajraqe, nëpër katunde, nëpër male, bëpër bjeshtë e shkëmbinj, nëpër lugje, nga festa pagane e Shëngjergjit deri në Shëngjergjin e vërtetë në Mirditë si katund me shumë shtëpi, të cilin e quan edhe “Shëngjergji i pleqërisë”: “Drejt Shëngjergjit këtu në Shëngjergj të Mirditës shkabë”, por, këtu është vendi: “Ku s’përfundon udhëtimi im nëpër Mirditë dhe Bajrakё.” (kënga: “Shëngjergji i Mirditës, Shëngjergji i fëmijërisë”).

Bukmira dhe buka e mirë

Emërtimin Bukmira poeti e sqaron me vargjet: “Rreth Fanit të Madh, Çurkziun, Shpërdhazën/ Ku buka është e mirë, …,nga tokat e bereqetshme “Me misër, grurë e elb dhe djersë mirditori,/ Bukmirë e Oroshit, Bukmirë e Mirditës Bukmirë” Bukmirë, nga begatitë e këtyre vendeve. Mirëpo, autori ishte i vëmendshëm dhe i vë në pah emërtimet shqipe, duke filluar nga Bukmira: “Ky katund është Bukmira që mban emër shqip/ (Në Mirditë ka shumë katunde që mbajnë emra shqip/, Si: Mollkuqe, Lumbardhё, Lajthizë, Qafmal, Bardhaj), atje ku kishte shkuar për t’u njohur me aromën e vendlindjes së të parëve, atje ku edhe ishte mirëpritur: “Këtu në Mirditën e të parëve, në Bukmirë të Oroshit,/ Të kryebajrakut të dymbëdhjetë bajrakëve tona t’shenjta”, (kënga: “Bukmira dhe buka e mirë”).
Me përshkrime të bukurive natyrore, vazhdon edhe në këngën “Gosiqja e Migjenit”, ku, sipas tij, Fusha e Gomsiqes është: “N’Gomsiqe a Bukmirë, Spaç a Kaçinar, Blinisht a Bisak/ Krejt një për secilin toponim skaj më skaj qiellit,”, ku e shohim edhe një të kaluar të Migjenit: “ Eu, Gomsiqe, Gomsiqe! Bukë e mjerimit dikur moti,” (…)/Me “Vargjet e lira” në çantë e Migjenin shpirtrazuar,”, si dhe:
“Duke matur vdekjet nga Përvezë-Mirditë e Tivar,
Ku mbollën dashurinë e flijimit n’Gomsiqe dy famullitarë
Korifejt Atë Gjergj Fishta dhe Atë Shtjefën Gjeçovi!” (kënga: “Gomsiqja e Migjenit).
Edhe këngët “Mollekuqja”, “Kaçinari”, “Kashnjeti”, janë thurina poetike për njerëzit, vendet, historimkun e tyre etj. Te kënga “Mollekuqja” shohim se ky toponim poetit i asosion me mollet e kuqe kur si fëmijë i merrte në bahçe, me Mollën e Kuqe të kufirit të kosovës: “Te Molla e Kuqe, diku thellë n’Serbi qindra kilometra”, që më në fund, këndon për Mollekuqen e Mirditës: “Duke lidhë në një rrëfanë Mollkuqen me Mollën e Kuqe” dhe se: “N’Bajrakun e Fanit takohem me katundin Mollë e Kuqe,” (Shih, kënga: “Mollekuqja”). Ndëra, në poemë janë të vendosur edhe titujt e dy këngëve: “Lumi i Zi” dhe “Kthella”, por që janë të pakryera?!
Tek “Libri i katërt” e “I Katërti apostull”, përveç që thotë: “As Unë bir Dushkaje e Mirdite me emër e mbiemër”, përmend Hyun, “Dymbëdhjetë apostujt”, Apostull Joanin etj., që poemës i jepin edhe ngjyrime konfesionale.
Në “Libri i pestë, Apostuli i pestë” poeti insiston dhe lë testament që të ruhen elementet tradicionale që e karakterizojn popullin shqiptar: “Të mos përlyhet Besa dhe Shenjëtorja të ngritet në fron”. Edhe në “Kënga e gjashtë, I gjashti apostull”, vargjet janë përkushtimore për Bartolomeun e Hyjit, historinë e vuajtur, sikur: “Siç ishte Nata e Shën Bartolomeut, në Francën e gjakosur,”. Me të njëjtën tematikë ndërtohen edhe këngët në vijim të poemës. Në Libri i shtatë, Apostulli i shtatë, spikatën lavditë për predikuesin e pagëzuar Mateu, apostullin e besueshëm, ungjillin qiellor, Adamin dhe Evën, që ruhen këto në vargjet si porosi: “Ta pushtojmë Munellën me Nurin e bukurisë së zanave,” dhe: “Kullave në Mirditë tua falin bekimin e shenjtë të zotit”.

Vargjet apostolike në poemë

“Libri i tetë, me Apostullin e tetë” dhe “Libri i nëntë, me apostullin e nëntë”, të poemës “Mirditiada” e Hasanit, karakterizohen me një linearitet të rrëfimit, pra me vargje rrëfimore, të brumosura me petkun fetar. Vargu i Hasanit, në poemë, bëhet edhe zëdhënës i të gjitha atyre vendeve të Mirditës dhe banorëve të saj dje dhe sot. Libri i Nëntë apostrofon vlera e karakteristika apostujsh, ditët e bekuara, Hyjin, bekimet, sakrificat e apostujve: “Për të ndriҫuar Lisin e Gjakut, që sot shenjëtori e gëzon/ , Vetë i dymbëdhjeti në suitën e shenjëtërisë që nderojnë, pastaj gurët e Betlehemit etj. Në “Libri i Dhjetë, I Dhjeti apostull”, vargjet marrin përmasa të predikimeve, martirizimeve, krahasuar me figura, si biri i Fronës apo i Sentonës, ngërthyer këtu dhe zbret nga Mirdita në vendlindjen e tij: “E qiriun e ndezte në varrezat e Kodrës së Madhe në shpat/ Ku u martirizuan gjashtëdhjetë e katër mbrenda pak minutash,” dhe u lindën e u rritën disa breza: “Për fëmijët e fëmijëve të fëmijëve që u rritën me zogjt e malit,/ Dhe lejlekët mbi oxhakun e gjatë të Kullës së bacës Mehmet”. Në këtë Këngë sikur nxjerrin krye edhe mikrotemat për ato ditë të shenjta, të kalitura e epike e mitike “Nga bukuria e vashave mirditore ashtu siç veproi edhe Jerina/ Që nxori syrin nga një skutë e hijesuar, nën një rrap mijëvjeçar/ I Munellës, ku zanat rreth saj hedhin vallen e zjarrtë të rrezes,”, apo edhe: “Apo Skënderbeu e Lekë Dukagjini thellë n’truallin e Mirditës/ Që Hyu dhe apostujt ua thurrën kurorat një mëngjës t’acartë,”
Në këngën “Libri i njëmbëdhjetë, Apostulli i njëmbëdhjetë”, poeti me përkushtim vargëzon për bekimet, uratat e shenjëtorët. Dhe…, mbi të gjitha këto, lajmëron se në këto troje të Arbërit: “Ku po shkruhet Mirditiada e mileniumit sapo të shkelur,/ Nga një i përbuzur nga mëkatarët që t’bardhën ia bënë t’zezë/ Dhe e zhytën në zhgënjim për gjysëm shekulli t’prënduar.”, ku veten e quan “një i përbuzur”, që lë pikëpyetjen se nga kush ishte i përbuzur?. Pra, në “Librin e njëmbëdhjetë, Apostulli i njëmbëdhjetë”, e i parafundit, këtu kumbojnë edhe thirrjet e malësorëve pas treqind vjetësh në rrugën e humbur: ““Heeeheeej! – O eja kha more heeeheeej! Eja! Eja, se e ke/ Humbur rrugën në mjegullnajat e shekujve! – Treqind vjet, o heeej! Të pres te Gurra e Lashtë në Domgjon, more Heeeheeej!”
Vargjet apostolike karakterizojnë edhe këngën “Libri i dymbëdhjetë, i Dymbëdhjeti apostul”. Ato janë vargje që kryesisht flasin për helmin e tradhtinë, për rrënjët e besimit, vetëflijimit, vetëvrasjen etj., ku dalin sheshazi edhe njohuritë e poetit për zhvillimet e hershme sipas frymës së shejnive, apostujve etj.
Poema përmbyllet me këngën me titull “Mbarim rrugëtimi pa fund”. Hasani bën edhe një si përfundim letrar të poemës, ku me modestinë e tij thotë: “Nuk di si dola në fund në këtë mbarim rrugëtimi të pafund” (…), “Unë pasardhësi i Pren Kolës së Kolëpepajve nga Domgjoni / Unë Hasan Hasani – Përkola me Mirditiadën nën sqetull!. Po në këtë këngë përsëriten, në retrospektivë, edhe emra vendesh e figurash mirditore…, si dhe shoqëruesit e poetit gjatë përpjekjeve e hulumtimeve për të gjetur origjinën e të parëve: “Dëshmitar kam Llesh Ndojin, Mark Gjergjin e Mark Dushin,” (…), “Ku do t’u bashkohen motrat, Dava Gjergji e Angjelina Nikolli” (…) “Andaj vendosa t’u kthehem Krojeve të Bardha në Mirditë” (…)
“T’ulem në sofrën e shenjtë, ku buka dhe fjala janë të shenjta,/
Unë pasardhësi i Pren Kolës së Kolëpepajve nga Domgjoni/
Unë Hasan Hasani – Përkola me Mirditiadën nën sqetull!”

Përfundim
Edhe në vepra të mëparme, me përpjekje e vendosmëri, poeti arriti të shkruajë për Mirditën, ndërsa “Mirditiadën” e paska pasur ideal të cilën, me vargje të shtjelluara e të spikatura, e bëri ëndërr të prekshme dhe na e la në dorëshkrim!
Kështu, këngëtimi në “Mirditiada” karakterizohet me vargjet e spikatshme, që hyjnë në psikologjizmin e figurave mirditase dje dhe sot, traditat heroike deri te ato baladeske, katandisjet, ndërsa struktura e kësaj forme poetike me ato sentenca, metafora e krahasime, korrespondojnë me imagjinatën popullore. Këtu, format narratorologjike marrin konotacione të figurshme poetike, ku gërshetohen dhimbja e krenaria për të kaluarën e paraardhësve të tij. Këto fenomene të kësaj poeme sikur na kujtojnë thënien e shkrimtares së njohur franceze Emilie Rishenburg, që kishte thënë se: “Jeta është e vështirë, ajo herë qesh e herë qan, por njeriu duhet t’i bëjë ballë me gjakftohësi!”
Vlerësoj se poema “Mirditiada” është vepër monument dhe testament. Aty ka lirikë, ka epikë, ka mitikë. Ka histori, ka ideologji dhe traditë. Vargjet ndërthuren me narrativa të gjata, ku nuk mungojnë edhe frazeologjizmat kalkore, ndaj edhe krijojnë tablo dhe dimensione baladeske. Janë këto vargje që i përkasin një leksiku popullor dhe, megjithatë, ruajnë frymën e traditës së vargut hasanian. Por, gjejmë këtu edhe trajta fonetike e morfologjike të të folmës dialektore.
Kuvendimet poetike me njerëzit dhe vendet e Mirditës kanë ngjyrime monologësh e dialogësh të frymës tematike e emocionale deri te përmasat epike në përgjasime homerike e fishtiane, ku me thellësitë e gjakosura të imagjinatës, shpesh patetika duket se po nxjerr flakë në vargje të idilave mirditore.
Në këtë kundrim, secila këngë e kësaj poeme, letrarisht, mund të lexohet edhe si prozë poetike, që edhe ashtu përçojnë semantikën dhe porosinë e tyre. Po ashtu, emfazat janë të theksuara nëpër të gjitha këngët e poemës.
Në poemë, narracioni poetik realizohet përmes reflekseve të madhështisë së fjalës, përjetimeve romantike të çdo vendi mirditor që Hasani e viziton, kontakton me natyrën dhe me njerëzit, kur edhe këto karakterizohen me një lloj çlirimi shpirtëror dhe me ndjenjën e realizimit të ëndrrës së tij. Dhe, kështu ishin krijuar shtigje dhe hapësira mbi të cilat Hasani kishte thurur spektrin e lirizmit të tij poetik, për t’na e lënë, më në fund, këtë poemë.





________________________________________

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here