VEZULLIM PËRBALL ADRIATIKUT !……..
– Në kodrat e Ishmit ku Kantina e Verës “DUKA” është modeli i punës bujqësore dhe pasionit profesional të agronomit Agron Duka…
………………………Reportazh nga SPASSE THANASI
Udhëtimi në natyrë gjithmonë të ngjall ngazëllim dhe kënaqësi në shpirtë, por kur prek peisazhin bujqësor plot me vlera jetike, kulturore dhe turistike ndjen se je përball ‘arkitekturës më të bukur” që ndërton njeriu. I tërë vendi ynë me pamjen bujqësore, malore e alpine është një pasuri e madhe, një kënaqësi jete, një dashuri fisnike e shkruar në art e pikturë dhe ke dëshirë ta shijosh këtë bukuri.
Me miqtë e mi profesor Abdulla Kapidani, një udhërëfyer shkencor i përhershëm i bujqësisë; me profesorin e Asocuar Hasan Hoxha, ish-deputet në dy mandate dhe specialistin e bujqësisë Spiro Moneka, administrator tek “ELKA” shpk, kalova një ditë të bukur në natyrën e artë të kodrave të Ishmit ku kantina e verës “DUKA” vezullon përball Adriatikut. Ky udhëtim në natyrë ku syri të ze gjelbërim, kurora të bukura të vreshtave dhe ujë gurgullues në plantacionet bujqësore, më çoi vemendjen e kujtesën tek vlera e madhe që ka puna me bujqësinë, me pemtarinë e vreshtarinë. Kjo traditë ka qënë e hershme në vendin tonë, se ne kemi tokën më të mirë, kemi burimet e ujit që nuk shterrin kurrë, kemi agronomë të zotë në profesion dhe në shkencë. E artikulojmë këtë ide edhe me profesorin e mënçur Abdulla Kapidani e më thotë se shkruhet pak për bujqësinë në vendin tonë, për specialistët duarëartë e fermerët e zotë. Pak rreshta gjen në gazetat e përditshme për këtë sektor jetik të vendit, ndesh fare pak përshkrime e studime shkencore që nxitin dashurinë e punës me tokën, me bimët, me pemët e vreshtat, që vendi ynë i ka si një stoli të artë dhe me vlera të pallogaritshme.
Prandaj, kërkova dhe gjeta, siç thotë shpesh Bashkim Koçi. Përshkova rrugën e fshatit Kuratën ku masivi i vreshtave dhe pemtarisë është i paanë. Kjo kodër rrezatuese me 7 Ha vreshta, me një investim prej 15 vjetësh, që kur Enver Duka projektoi e realizoi kompleksin e vreshtarisë e të prodhimit të verës, është një model i bukur i punës plot pasion e dashuri. Është shembulli i profesionit dhe shkencës së Agron Duka që vlerën e krijuar nga të parët e tij ( gjyshi i tij dhe i ati) e ka shëndërruar në një atraksion bujqësor me vlera turistike me kantinën e prodhimit të verës dhe shërbimin e Barë Restorantit anës një liqeni të vogël si sy i kaltër i kurorës së begatë bujqësore të kodrave përreth. Sot ai qendron në rreshtin e profesionistëve të shquar të bujqësisë shqiptare me dinjitet profesional dhe mençuri njerëzore. Episodet flasin për një rrugë të mundimshme, plot sakrifica e luftë mentalitetesh. Nuk ishte e lehtë të forconte e të shumëfishonte një biznes në bregun e kodrave me vreshta “DUKA”.Libri i Enver Dukës “Vite dhe Jetë” e tregon bukur këtë nisje të fillimit e konsolidimin e mëtejshëm dhe gjithmonë ne shohim jo vetëm një “fidanishte” model të biznesit, por edhe një “romamcë” të pafund ndjenjash njerëzore në peizazhin e diellit përball Adriatikut!… Profesor Abdulla Kapidani si mik i hershëm i familjes Duka ka asistuar me kontributin e tij shkencor në trajtimin e kësaj vlere bujqësore, duke qënë gjithmonë pranë Fermës për realizimin e projektit dhe ka vlerësuar shumë punën e bërë për trajtimin e bllokut të vreshtave, ngritjen e impjantit të prodhimit të verës me teknologji bashkëkohore, shërbimin e kënaqshëm me produkte bio të traditës së Zonës etj.
Kantina “DUKA”, e ngritur në vitin 2007 funksionon si veprimtari me cikël të mbyllur. Ajo afron për vizitorët “Wine Tour”, degustim verërash, shërbim restoranti dhe peshkim.Produktet kryesore të fermës janë vera dhe gatimet tradicionale të Zonës. Atraksionet turistike afër Fermës janë: Kepi i Rodonit, Kalaja e Ishmit, Gjiri i Lalzit etj. Në këtë peizazh bujqësor me vezullimin e kodrave të vreshtave, ndjehesh në “gjurmët e ëndrrave”, në impresionin e lindjes së Diellit, në rrëfime të prekshme nga kujtesa e largët…Përball tij buzëqesh Adriatiku ynë nën rreze dielli dhe valë bardhësie, ndezur si flakadan bukurie e dashurie në shpirtë. “Vetëm një njeri i zoti, si Agron Duka,- shprehet Abdulla Kapidani,- mund të bëjë gjëra kaq të mira e të rëndësishme për fshatin dhe bujqësinë shqiptare”. Dhe kujton momentet kur ai e ka ndjekur hapin e tij të sukseshëm si student, si deputet dhe si Ministër i Bujqësisë në disa vite. Një profesor dhe specialist i zoti që kanë bashkërenduar midis tyre punën dhe profesionin. Një shembull që pak e ndesh në Shqipëri në këto përmasa plot dashamirësi dhe përkushtim profesional e agronomik.
Agron Duka i lindur në Shijak në vitin 1958 në një familje me tradita qytetare, u arsimua në Universitetin Bujqësor në degën Agronomi në vitet 1977 – 1981 ku u diplomua si specialist “agronom i përgjithshëm”. Një nga pasionet e jetës së tij është sporti, me një karrierë 20-vjecare si volejbollist i ekipit të Erzenit. Pas viteve 1990 u muar me biznes, duke ngritur në vitin 2007 një veprimtari me cikël të mbyllur në kodrat e Ishmit. Profesor Hasan Hoxha na jep disa detaje të njohjes me Agron Duka në marëdhënie pune me të :
– Njohjen e drejtëpërdrejtë me Agronin e pata në vitet 2001-2005.U takuam në sallën e Kuvendit.E dija që Ai ishte zgjedhur deputet i Shijakut dhe i fshatrave rreth tij.Kufizohej kështu me Ndroqin dhe fshatrat e kësaj zone ku unë nisja mandatin e dytë të deputetit.U takuam,si të thuash,si deputetë komshinj të zonave përkatëse,por statusi i Agronit ndryshoi shpejt:Ai u bë Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit në fillimet e këtij mandati.Këtu bashkëpunimi ynë shënoi kuota në ngjitje.
Cilësitë e vyera e rritën karrierën e agronomit Agron Duka në shumë kohë . Së pari u bë Prefekt i Qarkut Durrës, pastaj Deputet i Zonës së Shijakut dhe me vonë Ministër i Bujqësisë e Ushqimit. Në të gjitha pozicionet shtetërore e shoqerore ai ka rrezatuar cilësi e vyrtyte të larta morale e njerëzore.
Por ato që e dallon më tepër janë mencuria, modestia e mirësia. Ai me punën e tij fisnike i bënë nder vetes, familjes dhe gjithë shoqerisë shqiptare. Për disa cilësi të veçanta të Agron Dukës si deputet, profesor Hoxha shton :- Ai vinte gjithnjë i përgatitur në Komisionin Parlamentar të Bujqësisë,për të spjeguar e mbrojtur projektligje të fushës.Asokohe,kur Agroni drejtonte sektorin e bujqësisë shqipëtare,patën një akses të shtuar në rikonstruksionin e plotë të rrjetit ujitës,komunat e zonës zgjedhore që mbuloja,sidomos ajo e Pezës dhe Baldushkut.Në të njejtën kohë,më kujtohen edhe raste kur fermerë të ndryshëm merrnin mbështetje nga projektet që menaxhonte Ministria,sidomos nga projekti 2-KR,që shtonte bazën mekanike, zgjeronte përpunimin e prodhimeve bujqësore etj. Kujtoj shpesh përgjigjen që Kryeministri Nano mori,në një ambjent të ngushtë ngushëllimi me njerëz që vinin kryesisht nga fshati,kur pyeti: “çfar mendimi keni për ministrin e bujqësisë,për Agron Dukën”?!.Xhaxhai im i ndjerë,një burrë i mençur e me përvojë nga jeta,duke kërkuar modestisht leje, dha i pari këtë përgjigje: “Për punën si ministër të flasin të tjerët,por si deputet të Shijakut e vlerësojnë shumë. Kam vajzën me familje atje,dhe po them se deputeti Agron Duka i ka ndyshuar pamjen atij qyteti me investime.I kam parë dhe vetë ndërtimin e trotuarëve,shtimin e gjelbërimit,ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësi dhe kanalizimeve,e në shumë drejtime të tjera”…
Këtu në Fermën bujqësore “DUKA” me vreshta e pemë, shëndrit puna duarartë e agronomit dhe shkencëtarit, vezullon si rreze dielli dashuria e verës dhe poezisë së jetës, buzëqesh me krenari “lavdia” agronomike e punës bujqësore.I mahnitur nga kjo bukuri e pasuri produktesh bio, unë në heshtje mora impulsin e fjalës që rreh me zjarr në zemrën e agronomit të shquar, dhe le të bëhen këto përshkrime dhe konsiderata “gjuha e kështjellës”së shpirtit për agronomin Agron Duka, që punon, prodhon, eksperimenton e shton një studim e përvojë tjetër të vyer në brezaret e kodrave të Ishmit të bukur, që vezullon përball Adriatikut!…