ILIAZ Bobaj: NDARJA E POSTEVE, FABULA

DELJA, GOMARI DHE DHELPRA

Një gomar gri, i lidhur pranë një huri,
i vari buzët si strehë hauri…
-Ç’ke,- i tha delja,- ke rënë në mendime.
-Më mbaruan lekët, që më dhanë për votime,
s’do shijoj më miellin, krundet dhe barin…
-Hidhu tek dhelpra dha qaja hallin…
Nënqeshi dhelpra:
-S’ka kuptuar gjë prej gjëje, i ngrati,
ne mendojmë si t’i marrim votën,
jo si do rrojë veshgjati…

89.
KOTECI I HALILIT

Kryeministri ndërtoi një fshat turistik,
i dha leje vetes, se lejet i jep vetë.
Ministri ndërtoi një kompleks ndërtimor,
i dha leje vetes, se lejet i jep vetë.
Kryetari i bashkisë ndërtoi një pallat,
edhe ai i dha leje vetes, se lejet i jep vetë.
Po çudia ndodhi në një fshat të largët,
Halili ndërtoi pa leje një kotec…?!
Për këtë shkelje, u ngrit në këmbë shteti,
gjithë policia mbërriti tek koteci.
Ia prishën kotecin dhe…drejt në qeli.
Tha fqinji:- Hej, shtetit iu lumtë,
ia vuri dy këmbët në një këpucë!
Këtu mori fund edhe historia,
u dënua Halili,
po u qetësua qeveria.
Për ngjarjen,
foli në TV vetë kryepolic Sopoti:
-Tek ne, ligji është i shenjtë si Zoti…

90.
NDARJA E POSTEVE

Zgjedhjet i fitoi partia e luanit,
me aleatë ariun, tigrin, ujkun, çakallin.
Ndaj i mblodhi luani pas darke,
po plasi një sherr e shamatë,
sa s’kish zot t’i ndante…?!
-Po këta ç’patën, në zgjedhje qenë aleatë,-
pyeti ketrin, grifsha.
-Në zgjedhje qenë aleatë,- i tha ketri,-
po tani ndajnë postet
dhe për poste kthehen në bisha.
2021
91.
KËLYSHI DHE QENI

Një këlysh i vogël po bënte hatanë,
lehte, bërtiste, çirrej si i marrë.

Qeni i madh rrinte pak më tutje,
i shtrirë si princ pranë një gëmushe.

I folën qenit:- Po thuaj një fjalë,
këtë këlysh nuk ka zot ta mbajë.

Qeni, si u kthye në anën tjetër,
pëshpëriti ca fjalë si plak i vjetër:

-Po këta ç’kanë që e zgjatin,
këlyshi i vogël mëson zanatin…
2021

92.
NDARJA E DETYRAVE *

Luani thirri bishat,
ndau detyrat,
caktoi deputetët,ministrat.
Ata që ishin, pa asnjë ndryshim…
-Po ky,- thanë delet,-
s’bëka dot ndryshe?
Prapë ministra ata me dhëmbë bishe?!
Qeni i stanit tha fjalë me vend:
-Dhëmbë bishe kanë të gjithë,
këta të pushtetit,
po deputetë, ministra,
vihen ata,
që dinë të hanë dhe gjënë e tjetrit.

93.
DASHI DHE DELJA

Fliste dashi në foltore:
-Ore, ore, lulebore…

Po bën namin drejtësia,
po çuditen njerëzia.

Cironkat kanë rënë në rjetë,
peshqit e mëdhenj…në det.

E merr fjalën dele bejka:
-Mesa duket, s’i mban rjeta…

94.
BLEDI DHE FQINJËT *

Bledi shëtit me qenin e vet,
në shtëpi, në rrugë, në park, në qytet…
Tha fqinji:- E do si askënd tjetër,
venë e vinë së bashku,
si miq të vjetër.
Shtoi tjetri:- Miku im, ke të drejtë,
qenin e ka mik për kokë,
dhe për qenin kokën e jep,
por… s’bëhet me njeri, as me njerëzit e vet…
Dhe fjalës i vuri kapak qetësisht:
-Sot njeriu po shton dashurinë për kafshët,
për njerëzit po e pakëson përditë…

95.
I ZOTI, MUSHKA E RE DHE SAMARI

Fillimisht i fërkoi mushkës kurrizin,
lehtë e lehtë si një ledhatim.
Pastaj i hodhi një rrobë mbi shpinë,
i vuri një kapistër të bukur me lule.
Tha mushka:- Ndjehem e prekur nga ky kujdes,
më ledhaton, më mban me pekule.
Pas ca ditësh i vuri samarin qetësisht,
i ngjeshi një barrë me dru
dhe një shufër, që i dolën xixa nga sytë.
Mushka hodhi shkelma sa mundi,
për të shprehur zemëratën.
-Tani hidh shkelma sa të duash,- i tha samari,-
e ka marrë ferra uratën.

96.
KONCERTI I LARASKËS

Në një pyll si det të blertë,
laraska jepte koncert.
Lë një këngë, një tjetër zë
dhe heq veshjet një nga një.
Ç’kishte brenda, dolën jashtë…
-Ç’bukuri, eh, ç’elegancë! –
thirrën ca bufër të pyllit,
që e kundronin me afsh.
Një furtunë duartrokitjesh,
nisi dhe s’kish të mbaruar.
Kënga nuk e fshehu brengën:
-Domosdo që s’janë për mua…

97.
DERRI DHE KRYEBASHKIAKU

Thërret një plak, sokëllin:
– Një derr fushat na i grin…!
Burrat me dyfek e vranë,
derrin që bënte hatanë.
Qe prag zgjedhjesh, s’mbahej fjala,
nga çdo anë i priste palla:
-Për korrupsion, e ka hakun,
ta shporrim kryebashkiakun,
ky ha dhe nuk ka të sosur,
nga derri më i pangopur…!
Burra, gra, shkuan e vanë,
me votë të bënin hatanë.
E hoqën me të vërtetë,
…na e çuan deputet.
Sa të ashpër, sa të rreptë…!

98.
ZGJEDHJET E VESHGJATËVE
U mblodhën gomerët nga çdo anë,
do bënin zgjedhjet për kryegomar.
Vizionin e dha një veshgjat i murrmë:
-I pari ndër ne, duhet të jetë më zgjuari
dhe më i zgjuari, dihet, jam unë.
E pritën me të pallur gomerët e tjerë:
-Jo, jo, më i zgjuari jam unë, jam unë…!
U foli kali:- O ju, të shkalluar,
më mirë zgjidhni më budallanë,
se nuk ka gomar të zgjuar…!
Që punët të shkojnë më për së mbari:
tek të zgjuarit, vihet në krye më i zgjuari,
tek budallenjtë, vihet më budallai.
9.3.2022

99.
DITËT E JAVËS

-U lodha,- tha e hëna,- gjithë jetën me punë.
-Edhe unë,- tha e marta, e pas saj e mërkura.
-Eh,- tha e enjtja,- kjo jetë një torturë,
psherëtiti e premtja,- Na hëngri puna!
Rënkoi e shtuna:- Lodhje, mundime…!
E mbylli e diela:
-Edhe unë u lodha duke bërë pushime…
9.3.2022

100.
KARIERA E KËRRIÇIT

Një kërriç hyri në një parti kafshësh
dhe bënte gjithçka të dilte i pari.
I tha kau i urtë:
– Po lodhesh kot, ti, zog gomari,
duhet ta dish, se kot i mpreh heshtat:
në parti, ata si ti duhen për ushtarë,
në krye të tyre dalin dhelprat.
9.3.2022… e merkure

101.
BISEDË E LIRË…

Tha thëllëza:- Kam një të dashur,
lidhje tjetër nuk kam patur kurrë.
Psherëtiu mëllenja:- Ç’na i ngacmon plagët,
unë e kam patur një të dytë dikur…
Turtullesha, që rrinte sipër në pemë:
-Veç burrit, dy të tjerë i mbaj rregullisht.
Shtoi pula:- Unë s’i mbaj mend të tërë,
por ja t’i shoh, se i kam në një listë…
premte, 11.3.2022

102.
PAS VETSHPALLJES: KANDIDAT PËR PRESIDENT

Pasi vala e vetshpalljes kaloi,
kafshari i fshatit mori një fletë.
Në biografinë e tij shtoi:
-Ka qenë kandidat për President.
E premte, 22.4.2022

103.
KANDIDATURAT

Demokracia jonë shkëlqeu,
rend lajmi gojë më gojë:
-Kandidaturë për President,
vetshpallet kush të dojë…

Në një çmendinë kur u dëgjua,
ky lajm të marrët çmendi:
të gjithë vetshpallën kandidat,
për President të vendit.

Një burrë i urtë, kur pa ç’po ndodhte,
kapak i vuri fjalët:
-O zot, kur është fjala për post,
nuk mbahen as të marrët…!
E premte, 22.4.2022

104.
BISEDA ME KOMEDIOGRAFIN

Thosh komediografi: – Komeditë,
i shkruajnë komediografët,
i luajnë aktorët, duke marrë nga një rol.
Ndërhyra me takt: – Ka dhe përjashtime:
tek ne komeditë i shkruajnë politikanët
dhe populli luan komeditë e tyre.
E shtunë, 23.4.2022

105.
GJËJA MË E RËNDËSISHME

Diskutimi kish marrë zjarr:
‘’Cili gjë është më e shtrenjtë?’’.
-Lekët, diamantet, floriri,-
tha tregtari shpejt e shpejt.

Dhe ata që ishin pranë,
në heshtje e miratuan,
vetëm koha rrudhi ballin
dhe po rrinte e menduar.

Si dëgjoi të gjithë me radhë,
foli kur ia deshi puna:
-I pari është shëndeti,
pas shëndetit, vjen kultura.
E shtunë,23.4.2022

106.
PESHKU I DETIT DHE ZHABA E KËNETËS

Një peshk që jetonte në det,
ngatërroi udhën,
hyri aty ngjitur në një kënetë.
-Nga vjen?- e pyeti zhaba, kur i doli përballë.
-Nga deti,- tha peshku.
-Si është deti, ma thuaj me dy fjalë.
-I thellë, i gjerë, pa fund e anë,
me ujë të pastër, me valë, me dallgë…
-E besoj,- i tha zhaba,- që aty është ndryshe
dhe mund ta jetosh ndryshe jetën,
po ne jemi mësuar në llumin tonë,
nuk bëjmë dot pa kënetën…

E shtunë, 23.4.2022

107.
ARA ME GRURË DHE GOMARI

Aty anë rrugës ishte një arë,
bleronte gruri, siç bleron në maj.

Një gomar andej e shpuri udha,
nuk priti më, hyri drejt brenda.

E shkeli arën me grurë cep më cep.
U çudit ara:- Po ç’kërkon ky dreq..?

Kjo kafshë pa tru, po të hante grurë,
dëmin që shkel bimën, s’do ta bënte kurrë.

Veshgjati në çast në mes arës palli:
-Kërkoj midis grurit ndonjë gjemb gomari.

Mbeti pa fjalë ara, bisedën s’e zgjati:
-Ç’t’i thuash të mjerit, eh, gomar hesapi…!

Një pemë ndanë udhës, më tej qesëndisi:
-Gomar, gomar, po arën e prishi…

E enjte, 12.5.2022

108.
QENI DHE KAFSHËT E OBORRIT

Qeni gjeti një copë sapun në oborr,
e mori për djathë
dhe e kapërdiu në çast.
Qeshën kafshët dhe e vunë në lojë:
-E hëngri sapunin për djathë…!
-Mos qeshni,- u tha,-
se hëngra një copëz sapun,
nuk u bë gjë.
Njerëzit e hanë përditë,
sapunin e politikanëve për djathë
dhe heshtin, nuk bëjnë zë.

E shtunë,21.5.2022

109.
PAVARËSIA E PUSHTETARËVE

Jipej në TV një konferencë shtypi.
-Punoj i pavaruar,- thosh derr ministri.
-Punoj i pavarur,- thosh ujk deputeti.
-Punoj i pavarur,- thosh cjap prefekti.
Dhelpra i shikonte me qesëndi:
-Kur flasin dhe lolot për pavarësi…?!
Hiqen si trima me fjalë rumba- tumba,
këta që i tërheq i pari nga hunda…
Edhe për në banjë, kur i zë halli,
nuk shkojnë dot, pa leje nga i pari…

e premte, 10.6.2022

110.
NË KUVEND

Njëqind lule… njëqind gjemba,
në Kuvend i kemi brenda…
Shpojnë njëri- tjetrin me gjemba…

E premte, 10.6.2022

111.
POPULLI YNË

Sovran, i rrepti i të rreptit,
hodhi firmë,
vuri vulë,
e zgjodhi vetë Presidentin.

Krejt politikën shqiptare,
nuk e begenisi fare.
E premte, 10.6.2022

112.
REKLAMA

Një laraskë me mendje fyell,
bufin po e ngre në qiell:
-Lum si ne me ty në krye,
ti je ylli përmbi yje…!

Diku shfryu një sekret:
-E paguan bufi vetë…
e premte, 10.6.2022

113.
BRENGA E DHELPRËS *

–S’kam qenë kurrë më keq se këtë herë,-
tha dhelpra, dhe nxorri një psherëtimë të thellë,-
që kur erdhe veshgjati në pushtet,
jam katandisur në pikë të hallit:
mbeta këshilltare e gomarit…?!

enjte, 8.9.2022

114.
KËMBËT E LUANIT

-T’u ndotën këmbët,- i thanë luanit,
që ecte i shkujdesur, nuk i druhej baltës.
Buzëqeshi luani- Sa shkoj në seli,
m’i fshijnë lepurushet e administratës.

115.
I ZOTI, SAMARI DHE SHKOPI

Ndodhi ajo që dihet nga të gjithë:
i zoti u nxeh keq me gomarin,
mori një shkop
dhe filloi t’i bjerë si i marrë samarit.
Mbi samarin shfrynte inatin i zoti,
gomari nuk pësoi gjë prej gjëje,
të zotit iu thye edhe shkopi…

I zoti u bë tym e furtunë,
ndërsa gomari buzëqeshi nën buzë…

e enjte, 15.12.2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here