Dr. JORGJI KOTE, Mjeshtër i Madh: Ndjesi per vëllimin poetik të autorit Eden Babani ” Buzëqeshje në dy kohë”

Frymëzime poetike në dy epoka!

Këtë ndjesi e krijon kur mbaron së lexuari vëllimin poetik të autorit Eden Babani ” Buzëqeshje në dy kohë”. Ai të frymëzon natyrshëm, duke të futur thellë në meditime dhe reflektime të vazhdueshme. Në fakt, Eden Babani njihet si gazetar, publicist dhe prozator i begatë; në 25 vitet e fundit ai ka shkruar 6 romane dhe vëllime me tregime, krahas veprimtarive të tjera mediatike. Mbas vitit 1991 ai ishte Kryeredaktor i Gazetë ” Liria”, ndërsa më 1995-1997 themeloi dhe drejtoi revistën ” Për Mëmëdhenë” dhe “LiriaA”; veç qindra shkrimeve, analizave dhe korrespondencave në shtypin e djathtë shqiptar, ku krahas denoncimit të sistemit të kaluar diktatorial ka evokuar shembuj të shumë e domethënës përfaqësuesish prestigjiozë të diasporës shqiptare anembanë botës.
Gjithsesi, pak e njihnin dellin dhe zellin e tij poetik, edhe pse poezinë e ka patur bashkëudhëtare besnike në të gjitha situatat e vështira në të 87 vitet e jetës, të shpërndara në tri epoka, e sidomos gjatë 45 viteve të diktaturës.
Siç tregon dhe vetë në hyrje të vëllimit, Edeni i shkruante krijesat e tij poetike në blloqe të vegjël, të cilët i sajonte enkas për t’i futur brenda librave. Fletoret me vjersha të zakonshme i ruante në dhoma në shtëpi, ndërsa ato “me zarar“ i siguronte me shumë kujdes në vende të fshehta, si në tufat e druve të zjarrit, ose i ” dërgonte mysafire“ te një teze dhe te xhaxhai.
Poezia e parë i takon vitit 1955, kur ishte 20 vjeç. Pas vitit 1991, kur demokracia i riktheu, jo vetëm buzëqeshjen e vërtetë por mbi të gjitha të drejtat e qytetarisë, të mohuara në mënyrë fare absurde filloi me shumë kujdes t’i mblidhte dhe t’i sistemonte poezitë e hallakatura sa andej këtej. Me sugjerimin e shokëve dhe dashamirësve, kohët e fundit i botoi në këtë vëllim poetik nën kujdesin e miqve të vet, Lek Pervizi, një monument i gjallë referues i vuajtjeve dhe trajtimeve çnjerëzore nën diktaturë me gjithë familjen për 45 vite rresht dhe gazetarin e njohur, kritikun e spikatur letrar, Gjovalin Kola.
Vëllimi ka 43 vjersha dhe poezi me një tematikë të larmishme. Ai gëlon nga mbresa të shumta, emocionuese dhe prekëse, të shpalosura në dy epoka diametrialisht të kundërta. Poeti ka qenë i vetëdijshëm për pasojat që mund të sillnin përjetimet e tij poetike; për shkak të biografisë së papërshtatshme për rregjimin monist, Babani bënte pjesë në listën e personave të padëshiruar. Në Mars 1968, ai u privua nga vazhdimi i profesionit që ishte dhe pasioni i tij krahas letërsië mbas një Fletë Rrufeje prej dy ish nxënësve, natyrisht të nxitur nga të tjerë, për shkak të ”ceneve” në biografi. Kjo e detyroi që të mbyllej në vetvehte dhe të kalonte periudhat e vështira duke bashkëbiseduar e duke “qarë hallet“ me poezinë, me reflektime të thella mbi realitetet e hidhura. Këtë e tregon me emocion, vërtetësi, sinqeritet dhe nostalgji qysh te poezia e parë “Poeti jashtë lidhjes“ kur shkruan me dhimbje, keqardhje dhe trishtim të thellë shpirtëror: “ I varfëri unë/ poeti i vetëquajtur/ fatkeqi poet i natës së zezë/poeti jashtë Lidhjes/që marr guximin dhe mëtoj të shkruaj poezi/ kur nxin gjithçka nga errësira/ dhe mua rrezikziun s’më dëgjon njeri”!‘
Mirëpo të ishe “jashtë Lidhjes” nuk ishte aq e thjeshtë, sepse ajo përcaktonte fatin e artistit në jetë, mbijetësën e tij, madje jetën, vdekjen ose burgun. Këtë e tregon historia tragjike e poetëve “jashtë lidhjes“, martirëve të demokracisë, Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka e të tjerë, të cilët e paguan me jetën e tyre pasionin poetik dhe disidencën anti-komuniste, ndërsa Visar Zhiti, Frederik Rreshpja e të tjerë me vite të gjata burgimi.
Megjithë vuajtjet dhe peripecitë e jetës, në poezitë e Babanit nuk gjen urrejtje, inat, zemërim ndaj njerëzve që me dashje a dashje i bënë keq në jetë; aty ndjen keqardhje, mëshirë njerëzore dhe natyrisht qëndrim dhe denoncim të forte politik të sistemit që i detyronte dhe njerëzit e pâfajshëm të bëheshin të këqinj ndaj njeri tjetrit. E sheh këtë qartë të “ Unë dhe lufta e klasave“ në tri poezi tejet domethënëse dhe sintetizuese: “Gjak për liri“, kushtuar xhaxhait të tij dëshmor në luftën për çlirimin e Krujës“ Gjak për demokraci” për gjyshin e tij të pushkatuar nga rregjimi më 1948 dhe “ Mes dy gjakrave“ ku tregon pozitën e tij delikate njerëzore përballë atyre dy gjakrave dhe dilemën hamletiane, veçse jo thjesht “ të jesh apo të mos jesh” por se çduhej të bënte e si të qëndronte në ato momente për jetë a vdekje.
« Muri » i madh që ndan dy epokat, sidomos për Babanin janë « Pesimiste 1972 » dhe Optimiste 1991”. Buzëqeshja në rastin e parë ishte me zor, nga halli, ajo fshihte trishtim, mjerim, vuajtje, pasiguri për të ardhmen, për mbijetesën, kur sapo kishte filluar të binte shpata dragoniane mbi grupet armiqësore dhe po zhdukej dhe ai mini fllad liberalizmi në art, kulturë dhe ekonomi. Kjo duket qartë te “ Baritja nëpër errësirë” që tregon dhimbjen e poetit për fatin e shokut të tij të rinisë, Burim Kokoshi, i cili u dënua për të dytën herë si i burgosur politik në fillimin e viteve 60. Këto ndjenja shfaqen dhe ” Në Agimin e demokracisë” , si një homazh për dëshmorin e demokracisë, Atur Lenja, i cili u vra nga patrullat ushtarake më 24 prill 1991.
Krejt ndryshe shkruan Babani 19 vite më vonë, te ”Optimiste 1991”; mjafton këto pak vargje për të treguar këtë realitet të ri epokal “ Sikur të ngjalleshe moj nënë/pa të të shihje ç’nur që më ka rën/ të shihje si u bëra një me djemtë dhe çupat, si m’u kthye në fytyrë buzëqeshja, si u shporrën tutje brengat, psherëtimat, heshtja”!
Në vëllim kanë shumë vend reflektimet e pse jo dhe çapkënllëqet rinore, mbi të gjitha, kërkimi drejt dashurisë dhe lumturisë, përkushtimi ndaj familjes, nënës, vëllait, gjyshit…që i sillnin fat në pafatësinë e tij. Te poezitë ” Në kërkim të lumturisë” dhe “ Ende çapkën” kalohet në nota të bukura lirizmi, kur poeti ” arratiset” sa andej e këndej, në romantizmin e vet për të gjetur lumturinë; derisa ai e kupton se kjo fjalë dhe gjë e madhe mund të gjindet thjeshtë dhe te përqafimi i një miku, në një puthje rinore, në një flllad vjeshte dhe kudo, mjaft të jesh i lirë në trup, në mendje dhe në shpirt.
Nuk kishin si mungonin vjershat kushtuar pasionit të tij të parë, mësuesisë që i ka mbetur i pashuar, ndaj kolegëve të vet mësues, nxënësve të vet që dhe tani i kujton me mall, kudo ku shërbeu plot devocion, në fshat dhe në Kavajë derisa ia prenë në mes ëndrën e vet.
Disa shokë ia kishin ruajtur me fanatizëm dhe vjershën ” Dhurata e vitit 1968” kur ao qëndronte në Tabelën e Murit të shkollës në Kavajë. Ndonëse siç e pohon vetë autori, pa ndonjë vlerë të mirëfilltë artistike, ajo të ngjall mall dhe nostalgji për ato vite të vështira të mësuesisë. Aty tregohen me gëzim dhuratat e thjeshta për Vitin e Ri, sepse Krishtlindjet ishin ndaluar me ligj.
Në fund, në një kapitull të veçantë janë renditur disa vjersha në formë bejte, por me vlera edukative për jetën dhe shoqërinë. Ato kanë të bëjnë me shoqërinë, besën e dhënë, miqësinë, etj. Këtu dalohen “ Ariu dhe bariu” ” Macja dhe miu” etj.
Në përfundim, të 43 poezitë përfaqësojnë copëza mbresëlënëse nga historia e vendit dhe e bashkëmoshatarëve të autorit; ato janë plot frymëzim, sepse të ftojnë të shijosh jetën, ashtu si të vjen ajo, me ” diell por dhe me shi”, të shpresosh, të kesh vullnet dhe kurajo për të kapërcyer situatat e vështira dhe fatkeqësitë, me besimin se ditë më të mira do të vijnë.
” Buzëqeshje në dy kohë” përcjell mesazhe të dobishme optimizmi, pozitiviteti, shprese, etike dhe respekti për Atdheun, për gratë, nënat dhe motrat tona, familjen, shkollën, dhe bashkëatdhetarët. Botimi i tij është një shembull tjetër që tregon se qytetarë si Babani dhe poezia e tij nuk njeh pleqëri, se ai do të vazhdojë të jetë korrier, mesazhier dhe kronikan i kohrave dhe epokave të ndryshme, ku më në fund triumfon e mira, liria dhe lumturia e vërtetë. I urojmë autorit shëndet dhe jetë, begati të mëtejshme krijuese dhe buzëqeshje të tjera në çdo kohë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here