Regjisori malësor Eduard Grishaj ka bërë një film “SOPHIA“, që trajton një temë mjaft delikate dhe të ndërlikuar, mes shqiptarëve dhe serbëve. Historinë fillestare dhe shtytjen, ai thotë se e ka marrë nga një tregim i vërtetë nga At Zef Pllumi, në librin e tij mjaft interesant: “Rrno vetëm për me tregue“.
Filmin nuk e kam parë ende, besoj se do të jetë një film i mirë, kam parë trailerin dhe disa histori që lidhen me filmin, por kam lexuar historinë e treguar nga At Zef Pllumi, dhe po fokusohem vetëm te historia e marrëzisë shqiptare në shekuj, të treguar edhe nga At Zef Pllumi si fisnikëri.
Filmi “Sophia” me sa duket e thuhet, bazohet në disa histori të vërteta, mes shqiptarëve e serbëve, që regjisori Grishaj i ka vënë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, ku në kohët e sotme, një vajzë serbe dashurohet me një djalë shqiptar… Filli ideologjik që përshkon filmin është pikërisht dashuria, e cila duhet të dominojë edhe marrëdhëniet shqiptare-serbe. Gjë që duket paksa utopike, duke parë historitë e armiqësisë mes serbëve e shqiptarëve në shekuj. Se sllavët erdhën në fakt në Iliri dhe na i zaptuan trojet tona, duke përfituar nga marrëzia e padija jonë… E sllavo-serbët nuk ndryshojnë taktikë, sado dëshirë të kemi ne.
Grishaj e ka marrë shtysën për filmin “Sophia” (dituria) nga një tregim i At Zef Pllumit, ku ai tregon në fakt, marrëzinë e një gruaje të paditur, por fisnike malësore, dhe aty e kupton edhe paradigmën e fatkeqësisë së shqiptarëve në shekuj, pse kanë humbur ata në histori me serbët, dhe pse serbët kanë fituar territore në Ilirinë tonë të lashtë, sa na kanë shtrydhur e tkurrur kaq keq. E shqiptari ‘nacionalist’ inatin më shumë me shqiptarët e ka!
At Zef Pllumi në librin e tij mjaft tërheqës dhe intrigues, tregon ndër tjera një histori, që ka të bëjë me zakonet fisnike shqiptare, ku shtëpia e malësorit (shqiptarit) konsiderohet si “shtëpi e Zotit dhe e mikut“. Ka të bëjë me ligjet e Malësisë, me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ngjarja zhvillohet në Malësi, ku në një luftë me serbo-malazezët, një gruaje malësore i vritet burri e djali, dhe në atë përpjekje, një shkie serb mbetet i plagosur, por ai arrin të largohet dhe futet në shtëpinë e kësaj gruas malësore, ku kërkon ndihmë. Dhe për çudi, ndihma i jepet, nuk i kursehet, madje ai ‘miku’ serb merret edhe në mbrojtje nga e zoja e shtëpisë…
Gruaja fisnike malësore (mos u habisni nëse fisnikëria në këtë rast, është edhe marrëzia më e madhe e shqiptarëve, nga e cila i humbëm gjithë këto troje të Ilirisë së lashtë) i hapë derën “mikut” të paftuar serb, e futë brenda dhe e ushqen e fillon t’i mjekojë edhe plagët. Kur lufta mbaron, vijnë malësorët dhe i tregojnë kësaj sojnikes, se ky serbi i plagosur është vrasësi i djalit të saj, dhe kjo ua kthen: “Mos më bëni tani edhe me turp, që ta pres në besë ‘mikun’ serb… pasi djalin e humba…“, pak a shumë kështu e sqaron pozitën e saj aspak komode, gruaja sojnike malësore në këtë rast.
Pra, për këtë malësore me zemër të madhe, ligji i Kanunit është ligji i Zotit, ajo nuk di më shumë se kaq, është genuine, e trashë sa s’ka, se nuk ka pasë ku me e marrë dijen atje majë maleve, pak fe e pak zakone dhe kaq. Dhe luan si të duash me të. Por zemrën e ka të madhe e të bardhë, kjo ka rëndësi, është zemërbardhë, e shqiptarët përkulen të gjithë me respekt para kësaj marrëzie, ndër ta edhe At Zef Pllumi dhe regjisori Grishaj, duke mos e kuptuar ndjenjën e inferioritetit kaq të madhe, që transmetohet me këtë akt, ndjenjën vetëvrasëse që ka ky komb, dhe nuk e vrasin serbin e plagosur, siç mund të kishte bërë çdo grua amerikane etj., por për të mos ia marrë nderin e erzën kësaj gruaje sojnike, ata e falin ‘miku’ serb, se ka hyrë në shtëpinë e saj. O Tempera, o Mores!
E miku në besë ka qenë kaq i rëndësishëm për shqiptarët, aq sa e ke dhënë edhe jetën për të. Ma mirë me dhanë jetën, se me u turpërua…
Këto kanë qenë edhe zakonet e Malësisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi, që i çuan ata nga humbja në humbje përgjatë historisë…
Prandaj po fokusohem këtu, te ky fenomen, mos vallë Kanuni i Lekës ka ardhur duke u tjetërsuar me pushtimet e gjata të shqiptarëve dhe modifikimi i tij, ka ndodhur pikërisht në atë mënyrë, që këto kode zakonore të lashta, të kthehen në varr-mihëset e shqiptarëve, që i adhurojnë ato?! Pra, ne kemi humbur në histori, se edhe armiqtë i kemi trajtuar si miq, e ata kanë ardhur, na kanë vrarë e na kanë marrë pronat e tokat…
E keqja më e madhe është, se edhe sot shumica e shqiptarëve janë folklorikë, e të bie në sy fakti se dija nuk hyn lehtë në kaptinën kockore të shqiptarit të trashë, që nga njëra anë i bën vetes në sy se kush është, por nga ana tjetër është një budalla i madh, që nuk kupton sa duhet, dhe preket, i vjen keq kur ia thua këtë.
Edhe At Zef Pllumin, që e mbajmë për mendje-ndritur, e vëmë re se i erren sytë nga kjo fisnikëri e marrëzisë shqiptare, se kot nuk e adhuron ai aktin sojnik të malësores ‘Sophia’ (dituria), që bën një marrëzi kaq emblematike, strehon e shëron armikun e vet, atë që i vrau djalin e saj. A ka budallallëk më të madh se kaq, që edhe adhurohet?! A mos vjen kjo ndjenjë ndoshta nga principi i krishterë, “duaje armikun si të afërmin tënd”?! Pse nuk e kanë serbët këtë ndjenjë, por vetëm shqiptarët? Kjo është pyetja.
Se shqiptarët i hanë llokum ideologjitë e tjerëve, i marrin për hyjnore. Fetë, komunizmin, demokracitë… etj. etj. Edhe pse dardha e ka bishtin prapa. Nisur nga ndjenja inferiore, shqiptarët i shohin të huajt me adhurim, pra, e vlerësojnë më shumë atë që nuk e njohin, e kjo nuk përbën zgjuarsi në fakt, por padije, mungesë përvoje! Fillon dhe i tregon shqiptarit gjëra që ti i di mirë, e ai mërzitet shpejt duke të dëgjuar, i duket vetja më i zgjuar se ti, dhe do që t’i mësojë gjërat vetë, në mënyrën e vet, duke bërë edhe ai gabimet e tua, apo edhe më keq se ti. Pra, sillet si racë e ulët, dhe nuk mëson lehtë nga përvoja!
Po nëse Kanuni e ka atë, që mikun prite si mik, dhe shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, kur të vjen armiku si mik, ti duhet ta kuptosh dhe ta bësh diferencën. Cilido popull në botë do e kishte vrarë vrasësin e djalit të saj, në atë rast, por jo sojnikja shqiptare përmbi gur, që e ushqen dhe e shëron vrasësin e djalit të saj… Kjo nga pikëpamja racionale.
Sa i përket marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ato dihet se kanë një armiqësi të thellë e gjenetike brenda dhe sado t’i falim ne serbët, instinkti i tyre është të kapin territore, të pushtojnë, prandaj ata nuk na falin ne. Por ne duhet të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët, ndër ta edhe me serbët, duke i njohur ata se kush janë. Historitë mes popujve kështu kanë qenë, histori luftërash e konfliktesh, në këto kohët e reja, ne duhet të përpiqemi të ndërtojmë paqe, se ato që kanë ndodhur deri sot, nuk i zhbëjmë më. E për shqiptarët, të ruhen, të kenë kujdes dhe mend në kokë… dhe të mësojnë nga përvoja, të mos e mbyllin kaptinën për dijen!