Maria Grazia Vai, Itali: PEIZAZHE DASHURORE. Përktheu: IRMA KURTI

Maria Grazia Vai ka lindur në gusht 1964 dhe jeton në një provincë të vogël të Pavias, brenda parkut Ticino. Prej vitesh është anëtare e jurisë së konkurseve të rëndësishme letrare dhe interpretuese e poezive fituese.
Në shtator të vitit 2011 organizon tre edicione të konkursit kombëtar “Poezia nën yje”, ngjarje kulturore e organizuar dhe e prezantuar para publikut në një skenar alternativ dhe sugjestionues: në plazh në perëndim të diellit në buzë të detit. Në vitin 2012 organizon konkursin kombëtar në prozë artistike “Nuanca në muzikën Xhaz”. Në Ditën Botërore të Poezisë në 2013 është organizatore e veprimtarisë “Dreaming The Infinite – Tribute to Giacomo Leopardi” (Duke ëndërruar pafundësinë – Homazh Giacomo Leopardit); në 2014 organizon: “Il ventuno a primavera – Tributo ad Alda Merini” (Pranverë- data njëzet e një – Homazh për Alda Merinin) fondet e të cilit iu dhuruan Fondacionit Mike Bongiorno, ndërsa veprimtaria e vitit 2015 i kushtohet Oriana Fallacit, duke e destinuar një pjesë të të ardhurave për Shoqatën Gratë & Puna.
Që nga marsi 2016 është themeluese dhe presidente e Konkursit Ndërkombëtar të Artit “La Couleur d’un Poème”: një ngjarje kulturore e promovuar nga etiketa e saj ImmagineArte, në mbështetje të projekteve të solidaritetit në favor të shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve jetimë, qendrave kundër dhunës dhe fondacioneve në mbështetje të grave në situata delikate.
Poezitë e saj janë përkthyer në frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe janë botuar në revista ndërkombëtare duke përfshirë CaliforniaQuarterly (Shoqatë e poetëve në Kaliforni).
Në vitin 2020 i jepet titulli Presidente Nderi e Enciklopedisë Poetike dhe në 2022 ai i Themelueses dhe Qytetares së Republikës së Poetëve.

HESHTJA E TRENDAFILAVE

nuk ka peshë hija e erës:
përkulet mes trëndafilash e hendeqesh
nuk ka zë [ti, e ke parë ndonjëherë?]

më zbulon kështu: me ndrojë

në prehrin e borës së fundit
për të ngushëlluar – sikur të ishte
bija ime – melankolinë tënde

PEIZAZHE DASHURORE

të mbaj në xhepin
e veshjes sime me lule
për ta mbledhur të plotë
parfumin tënd – të gjallë

në lartësinë e ijeve
në buzët e ditës
… ndërsa mbrëmja bie

KRAHË GJETHEJE

Të të dua. Nuk dëshiroj gjë tjetër.
Dhe të rilind çdo herë
brenda një fluturimi më të madh.
Në dorën që një ëndërr mban
Në përvijimin e sigurt të një dege
në kërkim të fijeve të kashtës për folenë

Buzë paksa të hapura kanë
fjalët e dashurisë
të lindura nga iniciale
që ende nuk janë skalitur

DIELLI DHE YJET E MI

ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje
këtu ku isha shtëpi dhe ti qielli i saj.
ku heshtja ishte më shumë sesa dashuri.

ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje
këtu ku pema e manit ka lindur agimin
e një vere që s’e kemi jetuar ende.

ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje,
të duash: një dhembje. boshllëku: e keqja e saj.
Por unë ende në flokë të mbaj, lule
tani që kthehem këtu, në heshtje dhe
të dëgjoj duke ëndërruar për mua, i dashur …
… TË SHKRUAJ, I DASHUR…

se këtu tashmë ka rënë shumë shi
dhe nuk kam më strehë veçse dy
feta ajri për të luftuar zbrazëtitë
-që me lë në tavan-

kam tjegulla të hedhura mbi det, ulluqe
jargavanësh që mbajnë erë të mirë dhe pak
xhevahir në mes të qiellit që ndoshta, nëse e sheh
tek unë më shpejt do të arrish

shikomë, i ngjaj një kënge të kohëve
të tjera, që nuk e kupton dhe po ta dëgjosh

… e megjithatë, je duke e kërcyer.

ANA TJETËR E DITËS

-në avullin e kafesë ëndrra del nga binarët-

është një ditë që na plak
por nuk kalon

dhe unë shndërrohem në shi
e në një tjetër formë

(… për të qenë agimi me qerpikë livande për ty …)

HIJE TË UJIT TË ËMBËL

kthjellime të shkurtra dhe në mes orët:
dashuria që pas dimrit mbërrin.

– pas gjithë heshtjes sonë në agim –
që, asnjë ëndërr jetën mos e shqetësojë.
E mbrojtur nga një brinjë arre:
fle, rrëzë një shelgu – zemra

SHKRUAJ PËR MUA

kush e di nëse do të kthehesh nga ky dimër,
nëse do të t’gjej brenda ditëve të mia sërish
apo nëse do të humbasësh, i shpërqendruar,
pas skutës së fundit të shiut

sepse ditët e mia ende nuk i ke shkruar
dhe kajsia pret përkëdheljet e tua

a do të dijë vështrimi yt të më bëhet strehë
dhe t’i mbulojë tjegullat e mia me dashuri?
se koha ime është një heshtje e dëgjuar tashmë
(…)
Dhe fjalët – janë qëndisje çarçafi,
me të gjitha inicialet, të nderura në diell-

DHE MË KALTËRON

jam shëruar nga plagët e tua, dashuri
një shenjë e mrekullueshme mbetesh ti:
në nëntor lule misri do të çelë

_dhe trëndafili do të ketë kaltërsinë e emrit tënd_

EPILOG

… më lëndon vetëm me një yll…
-aq i brishtë është agimi i këtij perëndimi-

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here