LULE TRËNDAFILI, POEZI NGA LIDIJA VUKÇEVIQ. Përktheu: Qazim Muja, Ulqin

LULE TRËNDAFILI

Asgjë më banale se lule trëndafili
Lahet me vetëkënaqësi
Në dritësinë e vet të përgjakur
Asgjë më fisnike se lule trëndafili

Ajo shpatë drejtuar Zotit
Asgjë më të përditshme se lule trëndafili
Metaforë e harxhuar dhe simbol i moçëm
Që poetët njëri tjetrit ia shpërndajnë

Në gjuhën dhe përqafimet e saj
Asgjë më me origjinë nga lulja dhe ferra,
Nuk ka enigmë më të madhe se kjo dysi

Asgjë më e paepur se shtroja që,
Pashmangshëm besnik i dashur i mbetet
Era, shpërndarë në kopshte të gjithësisë

DO TË DUHEJ

Do të duhej thjeshtë
Të jap urdhrin ashtu
Siç qëndron në mburojën e
Makinës llogaritëse: nise përsëri

Nise përsëri, vëre në lëvizje
Të njëjtën dashuri, kyçi pastaj
Të gjitha opsionet e shpirtit, kyçu
Në të, ia din frekuencën
Ia njeh vibracionin, edhe po të jetë e rrezikshme
E jotja është, mos e lësho nga duart dhe nga
Shikimi, dhe këqyre si çapkënin
Sa më shumë të zgjasë dhe kurrë mos të ketë fund

Duke valëvitur si flamur në mesin e syve tanë

DEKORI

Historikisht dekori ka ndryshuar
Në masën e tre të katërtave
Trashëgimi austriake – masë mbretërore
Të larëseve dhe enëlarëseve, kujdestarëve dhe kuajve
Vetëm me poezi bota zgjidhet
Vegimi i dekoruar ia lë vendin
Anarkisë të mugullojë në plehërishta
Të vargut të lirë dhe t’utopive negative
Ka lindë çdo pesëvjeçar nga një
Flutur e kuqe apo kolibër për të paralajmëruar
Revolucionin, por do t’i përcëllojë shpejt
Formacioni special antiterrorist
Me automatikë dhe mitraloza
Pas tyre shpejt shpërthejnë fishekzjarrët
Përngjajmë pastaj në Imperum romanum
Para rënies apo sulmit të barbarëve, do t’i
Presim të gatshëm me degë palmash
Në duar duke u lutur: Ave barbaria, disgrazia plaena

VIKTIMAT

Ne të ikurit në çdo anë, gjithandej, ne
Endacakët, ne jemi, thotë Brodski,
Viktima të gjeografisë, epistolarëve dhe herbariumeve
Përplot i kemi valixhet dhe duart me myshqe
Me sy kau ngjyrë qelibari të errët
Mohojmë çdo gjë dhe thjesht arratisemi
Gjakojmë për jetën që do t’ia nënshtrojmë
Një rendi të përkryer vetëm aq sa të mundemi
Rishtas ta bulevardizojmë, duke u përzier
Stacioneve edhe me njerëz të tjerë me
Grombi-pallto apo pardesy nga
Mëndafshi-ballon
Sa Venecia do na duhen
Të lajmë lodhjen nga sytë, të heqim
Dekoratat e gurëve që i fituam në shtëpi
Duke u bërë të gjithë Magdalë, prefektët
Na presin të marrim foljet si ajo
Sperperare dhe i fusim në thile të zemrës

KJO SËMUNDJE NUK I NGJANË VDEKJES
(Iv., 11, 4)

Kjo sëmundje është nga njimtimi i pashmangshëm
Nga humbja e përmbajtur
Nga masa smirëzezë, ritmi frikacak
Kjo është sëmundje nga dritë e stërmadhe
Dhe gostia e fishekzjarrëve
Kjo është sëmundje nga dyshimi i hidhët
Dhe mjeshtëria e pakushtëzuar
Kjo është sëmundje nga arroganca e baticës
Dhe turpi i zbaticës
Kjo është sëmundje nga vërtitja, ujdia e ethshme
Nga renditjet e pabëra
Kjo është sëmundje nga lidhja me hapësirën
Nga rrugë e ngatërruar nga kornizë e ngurrtë
Kjo është sëmundje nga enigmë e pathyeshme
Nga rritja e heshtjes nga kalueshmëri e
papërshkruar
Kjo është sëmundje nga amshimi, dallimi i
pakrahasueshëm
Nga pabesia e kotë

THELPINJTË

Qëlloj vetëm qendrën e qenies
Poezitë e mia janë çështje zemre
Si bërthamat në fryt
Dhe gjersa të tjerët fortifikuan muret
U rrethuan me bedena
Mua më mbështollën krelat e luksit:
Harku yjor, sekretet e njohjeve,
Ngjyra e shafranit, fjalor i sagave, kuajt hyjnor
Përvojat e hidhura, somnambulët sythellë
Lakmia krahëlehtë, mëngjeset e mëndafshta
Muzgjet verore të qepur me butësi
Shkurt, hejbet e ngarkuara, të stërmbushura
Me magjepsje, ngurrime, bukurinë marramendëse

MË JEP NDONJË KUPTIM

Më jep ndonjë kuptim, thjesht si bëhet kjo,
Në duar: aromë shtogu, shkop i vjetër,
Mbase det i thellë
Ndonjë domethënie që do hijesonte lulëzimin e
lindjes ose
Spirancat e perëndimit, duke filluar gjithmonë nga e para
Jepi një kuptim ikjes në rrugë anësore, kur
Skenat urdhërojnë hapjen e metaforave
Shëno me një simbol braktisjen para
Amshimit të venitur
Gjersa mosha të përkulet mbi ty
Jepi një kuptim dhe vendit të huaj të pandërprerë ku je
Murosur duke bërë punë të kotë
Ndonjë shenjë para se të më kthesh shpinën, o fat kokëfortë
Që me siguri nuk jep
Ndonjë shenjë, të imtë si pisk, me të cilin do arrijë
Trashëgimi mashtruese, pikërisht para se bie perdja
Për fundin e kësaj drame të turpshme

Lidija Vukçeviq ka lindur në vitin 1954 në Zagreb. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Samobor. Ka diplomuar (jugosllavistikën dhe filozofinë), ka magjistruar dhe doktoruar nga lëmi i shkencave humanistike dhe shoqërore në Fakultetin Filozofik në Zagreb. Studimet pas doktorature i vazhdoi në Grenobël, Universite Stendhal nga viti 2002-2004, në degën për letërsi klasike dhe bashkëkohore.
Nga karriera e pasur prej profesori, shkencëtari, pedagogu veçojmë: lektore për gjuhën kroate dhe serbe, letërsi dhe kulturë në Universitetin Shtetëror në Milano; lektore për gjuhë kroate, serbe dhe boshnjake, letërsi dhe kulturë në Universitetin Stendhal në Grenobël; ligjëruese e lartë në Fakultetin e Mësuesisë në Zagreb për kolegjet filologjike dhe shkrimin krijues. Shkruan një sërë projektesh në gjuhën kroate dhe franceze për nevojat e Fakultetit të Mësuesisë dhe Ministrisë së Shkencave, Arsimit dhe Sportit, pastaj për Universitetin Stendhal në Grenobël, Fakultetin Filozofik në Zagreb dhe Fakultetin Shtetëror në Milano; bashkëpunëtore e jashtme në Fakultetin Filozofik në Zagreb (Dega për gjuhët dhe letërsitë jugosllave, Katedrën për gjuhë dhe letërsi serbe dhe malazeze); profesor mysafir në Universitetin e Lubjanës.
Nga viti 1983 boton punime shkencore, kritikë letrare, përkthime dhe ese nga lëmi i letërsisë, gjuhës, metodikës, filozofisë, artit.
Ka botuar: dy monografi:
Romani “Bespuće” i Velko Miliqeviqit (magjistratura)
Romanet e Millosh Crnjanskit (doktoratura)
Pesë përmbledhje me poezi:
“Boja šafrana” (Ngjyra e shafranit), Nakus, Samobor, 1972
“Il velo 2” (Pistoia, edicioni poetët e shekullit XX, përkthim i saj në gjuhën italiane, 1997)
“Latinska knjiga” (Libri latin), SKD Prosvjeta, Zagreb, 1998
“Lepeza” (Freskorja) KPZ Podgoricë, 1999
“Zagrljaj vezika” (Përqafimi i gjuhës)
Gjashtë libra me prozë, nga të cilat veçojmë:
“Moj filozofshi rječnik” (Fjalori im filozofik), Prosvjeta, Zagreb, 2008
“Obične stvari” (Sendet e rëndomta), SKD Prosvjeta, Zagreb, 2013
“Rječnik nužnosti” (Fjalor i nevojave), Antibarbarus, Zagreb, 2013
Është përfaqësuar në pesë antologji të poezisë kroate dhe serbe dhe në një përmbledhje të prozës së femrave në gjuhën maqedonase. Punimet e saj janë përkthyer në gjuhën italiane, frënge, gjermane, hungareze dhe maqedonase.
Ka botuar rikëndime dhe përkthime të shumë krijuesve në gjuhë të huaja, dhe anasjelltas. Në mënyrë aktive njeh gjuhën italiane, frënge dhe ruse.
Nga viti 2009 ka statusin e artistit të lirë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here