Maxhun OSMANAJ: GRUAJA QË MË VIDHTE ME SY, TREGIM

Kur e lashë fshatin, shpejt i mësova të gjitha rrugët e qytetit tim ku banoja. Sado që qyteti kishte tjetër frymëmarrje jete, zhurmonte ndryshe , tjetër panoramë kishte në krahasim kur para katër dekadave kisha mbaruar gjimnazin këtu.Tani kur kthej imagjinatën në kujtesë, hë, atëherë paska qenë fshat, ndonëse me statut të komunës. Kjo dialektikë e jetës , më zhyti në filozofi dhe përditshmëri. Rrugën kryesore nga ish stacioni, tani në qendër të qytetit deri te gjimnazi ku kisha mbaruar, e dija përmendsh, sado në të majtë dhe të djathtë kishin mbirë shtëpi shumëkatëshe, lokale, kafiteri, dyçane…Kjo është LIRIA! Këtë fytyrë të qytetit tim e puthi çdo ditë më sytë e mi zjarr, me shpirtin tim, bjeshkë. E puthin edhe sy të tjerë, fëmijë, të rinj, gra, burra, pleq…
Tashmë, rrugët që i frekuentoj çdo pasdite për shëtitje rrezë bjeshkës dhe burimit të Istogut, i njoh aq bukur sa edhe kthesat, sepse përshëndetjet edhe të njerëzve të panjohur nuk mungojnë. Pas dy viteve banim në qytet, çdo i dyti apo e dyta që takoja në shëtitje, më përshëndetnin. –Kush është ajo grua që të përshëndeti dhe të vodhi me sy nga larg?- ma ktheu Fisnikja.- Nuk di, për besë ! –Tani më përshëndetin më shumë se jam bërë i njohur, i afirmuar, ia ktheva si me krenari, por edhe pak me lavd. Ndoshta desha pak t’ia prekja pulsin e gjelozisë Fisnikes, por edhe ajo më preku “n’tel”…-Ç’do të thuash me këtë , Malum?- Ky Malumi i katundit je, ky Malumi i qytetit je!-Mos e ço kryet shumë, ma ktheu ajo si me shaka.- Paj, disa mund të jenë nëna të nxënësve të mi, që s’i njoh të gjitha. Disa të tjerë mund të më njohin nga dy-tri paraqitje në emisione të RTV21 në Prishtinë, disa më njohin nga dy paraqitje në mediumet lokale në RTV Fontana dhe Istogu Chanel, ia ktheva. Aha, dhe ndali fjalën. M’u duk se e binda dhe ia fshiva n’kokë një pjesë të gjelozisë.
Por një gjë e mundonte apo ishte kureshtare të dinte se cila ishte ajo gruaja që e vidhte me sy sa herë e takonte rastësisht trotuarit të shëtitores. Malumi po pushonte në parkun e ri të qytetit në një pasdite bashkë me Fisniken dhe mbesën, Orën. Parku i bukur si një nuse bukuroshe, mblidhte fëmijë, gra, njerëz dhe aty bluanin llafe, luanin fëmijët, lexonte ndokush, ushqenin jetën secili në mënyrën e vet. Ora me gëzim priste datën e fillimit të mësimit. Për herë të parë po i hynte betejës së mësimit. Rrezet e diellit atë pasdite gushti, sikur i falën më shumë se ngrohtësi shpirti. Fati që mori me vete dy gazeta “ Nacional” dhe “ Gazeta e Alpeve”, ishin ato që e përhumbën në lexim të thellë. Edhe një fletore me një stilograf që mori i mundësuan për ndonjë shkrim…, muzë. Ai kishte besim te vetja, të ndonjë frymëzim , sado që Fisnikja kujdesej pas Orës, që s’rehatohej nganjëherë. Malumi ishte i saktë për muzën dhe imagjinatën , që mund ta vizitonte në çdo kohë . E vizituan katër rastet e takimit spontan me atë gruan biondine rreth të dyzetave.- Çka po shkruan tani?-iu drejtua Fisnikja.- Oh, më fal që s’po ta kushtoj pushimin! Tash po rri me dikë tjetër !- Oh, Zot, o Zot, të ndihmoftë Zoti, ia ktheu si me pajtim. Tani ishte pajtuar se burri kur kishte “hanën” e vet- muzën, me u kall diçka, nuk kthente kokën për askënd! Sa vinin orët e pasditës, parku mbushej me gra dhe fëmijë, ndërsa ky dukej si një dele e zezë, ngase burra s’kishte fare. Biondina nga larg me një fëmijë për dore e identifikoi poetin dhe u ul larg tij dhe e vidhte prapë me sy. Fisnikja u pajtua të merrej me mbesën e vet duke u kujdesur, meqë nëna e Orës ia kishte sjellë në jetë një motër, Urtën dhe kishte nevojë për pushim si lehonë.
Ai herë shikonte titujt e gazetës, herë zhytej thellë në mendime ku ndonjë shkrim letrar e ndalte. Për një çast iku nga leximi , iu kujtuan takimet spontane të rastësishme me gruan e panjohur. Iu kthye kujtesës sa herë e kishte parë dhe ku e kishte parë, meqë vjedhja me sy, i kishte thënë diçka… Nuk di; nëse fshihte diçka, në e mundonte diçka, nëse donte një miqësi të re apo?!
Malumi sapo hyri në furrën e bukës , që e frekuentonte çdo ditë përskaj rrugës kryesore të qytetit, pa një zonjë që në vend të blinte e para bukën, kishte humbur butësisht duke vjedhur poetin. Ajo ndoshta s’do ta dinte se ky ishte poet. Në atë çast, bukëpjekësja iu drejtua klientit të rregullt: urdhëro poet, sa bukë i do? Atëherë gruaja ia nguli dy herë sytë, sikur ia hapi derën e shpirtit poetit. Herën tjetër në një mëngjes pranveror, në një të shtunë, prilli, ajo ecte trotuarit dhe nga largësia e vidhte me sy . Sapo u përballën, e shigjetuan njëri – tjetrin, por guximi si duket u mungoi të dyve dhe sikur e fajësuan njëri –tjetrin, pasi u larguan. Prapë takimi tjetër i vëri në sprovë. Ia bëhu 28 Nëntori. Paradite shfaqej një program kulturo-artistik. Poeti e ndiente veten mëkatar, po mos të ishte pjesëmarrës ta përcillte atë shfaqje në shenjë të krenarisë. Ai kishte zënë një vend me Fisnikën në mes të sallës së kulturës, por kur e identifikoi gruaja poetin, ia afrua dhe hajnisht erdhi skaj tij duke kërkuar leje dhe mundësi, nëse është e lirë karriga . – Po, e lirë është karriga.Tani Malumi e dinte se në sytë, në shpirtin e asaj gruaje po zihej diçka…Më shumë e vidhte poetin, sesa e përcillte programin festiv.
Ç’do kjo grua që vjedh burrin tim, pëshpëriti si me gjysmëzëri Fisnikja e Malumit, por vallja e vallëtarëve zbehu këtë fjali, meqë nuk u dëgjua mirë. Poeti bëri sikur nuk dëgjoi asgjë dhe pa përfunduar programi festiv , në shenjë kokëdhimbje doli nga salla bashkë me të shoqen. Mund të isha i krisur për të që po shkruaja në parkun e qytetit mbi një tavolinë betoni. Ndoshta ma kishte zili si poet, mendova një çast dhe pashë që shigjetonte sytë gruaja e huaj nga unë. Unë, më në fund, ndala shkrimin dhe vulosa një mendim; sapo të më vjen rasti, do ta pyes atë për atë vjedhje shikimesh. Nuk e vrisja mendjen se kur do ta takoja , por që do ta pyesja , kisha marrë vendim burrëror.
Një ditë vere më kishte zënë gjumi rastësisht më shumë se herave të tjera të pushimit veror. Dola si zakonisht për të blerë bukë çdo mëngjes.U nisa trotuarit skaj lumit Qaush, që ndante qytetin tim. Isha zhytur në disa mendime dhe herë –herë futesha në disa labirinthe të pakuptimta. Ecja me një hap të humbur, kokulur. Sapo ngrita kokën në një kthesë, e identikova zonjën që më vidhte prapë me sy nga larg. Mbaje fjalën, Malum, i thashë vetes. I kisha premtuar vetes ta zhvilloj një bisedë, dhe ta shqelmoja më në fund shikimin e vjedhur. Sa herë që afroheshim njëri me tjetrin, zemra shpejtonte të rrahurat. S’e kishte harruar pasionin e saj të rrahjes…, sikur të isha një djalosh i ri në ndonjë takim të parë me një vajzë të re! Ah, po pse kjo rrahje more poet, i thashë në heshtje vetes? Kur m’u afrua gruaja afër, mora guxim dhe përshëndeta miqësisht: Mirëmëngjes zonjë! Më fal që s’ju njoh, por vazhdimisht po ju shoh dhe spontanisht po takohem, ndërsa s’po përshëndetemi! – Po shihemi, por pa përshëndetje! Sikur e munda dhe e futa në bisedë. Ma fali një buzëqeshje të ëmbël dhe shikoi majtas dhe djathtas mos po e shikonte ndonjëri për këtë ndalesë. Për fat të dyve në ato çaste nuk u duk asnjëri.- Mirëmëngjes poet, ia ktheu ëmbëlsisht. Poeti disi fluturoi nga gëzimi, ngase e thirri me atë emër, që me shumë dashuri e pranoi . Ai ia ktheu butë dhe sikur një pranverë jete ia mbuloi shpirtin. Nuk di pse!? Sikur mos të kishte pasur kurrë ndonjë takim apo bisedë me ndonjë femër. Ajo nisi rrëfimin: Të kam parë dy-tri herë në mediume informative në TV. – Kisha dëshirë të të takoja, s’di as vetë çfarë të ju them. Bile shpeshherë të vidhja me sy. Ndoshta e ke hetuar iu drejtua. Oh, po për besë!-ia ktheu ai. Edhe unë isha kureshtar ta dija kush ishe, pse më vidhje ashtu.
-Unë e dua poezinë , ma ktheu gruaja, por babai në fshat s’ma kuptoi shpirtin tim, megjithatë , shpirti i tij ishte tepër .i mirë. Më vdiq i ri, sapo mbarova gjimnazin. Ndërpreva fakultetin e saporegjistruar. Fakulteti, poezia më mbetën ëndrra. Gjeta fatin tim këtu në Istogun e bukur. Kam fëmijë, jam e lumtur, por poezia më mbeti etje e pashuar. Mos u ndal, shkruaj, sepse poezia nuk njeh moshë, nuk kërkon as fakultet, ndërsa kërkon lexim të vazhdueshëm. Para se gjithash, poezia kërkon talentin, muza kërkon një shpirt që prodhon ndjenja, Fundja, poezia s’ka shpjegim. Ajo s’pyet mua as ty, është mbretëri ndjenjash… Eh, faleminderit për këto fjalë poetike i tha Malumit. Kam dëshirë të takohemi prapë, jo vetëm sot, sepse m’u duk se edhe unë u bëra poete . ia ktheu ajo trimërueshëm. Poezia do të jetë ura jonë e fuqishme e miqësisë dhe u ndanë të dehur nga një shkëmbim i miqësisë për poezinë, për jetën, me shpresë për t’u takuar përseri.
– Ah, poezia , kjo mbretëreshë e ndjenjave , sikur e menduan secili këtë Mbretëreshë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here