REHA YÜNLÜEL
Reha Yünlüel lindi më 1967 në Edremit të Turqisë. U diplomua për drejtësi në Universitetin e Stambollit. Ai është avokat, poet dhe përkthyes. Ka hapur disa ekspozita me fotografi artistike.
Ai është anëtar i PENklubit turk.
MOSQENIA
Nuk ka drejtësi te kandrrat
As ndërgjegje te lulet
Ose dashuri dhe urrejtje
Tek era, bora dhe shiu
Nuk ka shastisje te deti
As zemërbutësi te reja
Mungon fatnënshtrimi tek akullnaja
Autoriteti te malet
Ideja e sundimit te drurët
Ose krenaria te kreshtat e maleve
Nuk ka mendjemprehtësi te peshku
As besim fetar tek elefanti
Nuk ekziston dyshimi as rebelimi për ornitorinkun
Nuk ekziston as mosbesimi as nostalgjia te gurët
MAKTH I LËVIZSHËM
Me oranën* në dorë
Ne statuja rëre
Kalojmë lakuriq në këtë shkretëtirë përpirëse
Që ka qenë një bimë e bukur e dikurshme
Te kryet e shtratit të saj tash ka një rreth vicioz
Që emigron hapa-hapa, kokrra-kokrra
Oranë në një oranë
Vrimë në një vrimë
Ne biem nëpër këtë derë të zezë
Pa e kuptuar
Vargan i gjatë
Si një yll i këputur që bie
Në një shishe boje me ngjyrë
Ne statuja rëre
Vetëdijësisht të pavetëdijshme
E gjelbra sot e tutje
Është një ngjyrë e harruar
Veç për mykun veç për vdekjen
Asnjë mace asnjë kandërr
Horizonti është një hierore
Një humnerë një varrezë e pamasë
Krejtësisht e zhuritur
Toka është një gur i bukur i djegur
Nga ky krem për t’u mbrojtur nga dielli
Derisa të jetë shpenzuar
Le të thithim shijen e tymit!
*oranë: orë me rërë.
ZOGU QE BIE NGA KATEDRALJA
Një zog bie nga katedralja
Gjatë një nate që e njoh mirë në Strasburg
Mevludi u këndua
Një rekuiem u këndua
Në errësirë
Si jehonë e sirenave të policisë
Zëri i imamit ishte i ngjirur
Fytyra e priftit ishte e tronditur
Sheshi Kleber
Turma mblidhet
Buzët e saj
Të burgosura
Nga vargjet e poetit të panjohur
Katedralja është e heshtur
Qirinjtë nuk ndizen
Dyert janë të hapura dy kanatash
Askush nuk hyn brenda
Turma ndalet në sheshin Kleber
Zëri dhe flaka gjithashtu
Buzët e turmës
Mbikëqyren
Nga sytë e një zezaku të dehur
Te cepi i një rruge
Gjak të kuq janë sytë e zezakut
Flaka e katedrales
Pasqyrohet në ta
Zëri i qytetit
është në shishen e tij
Në çdo gllënjkë të pirë
Edhe ai vetë është poet
Vargjet
I ndjekin këmba-këmbës vargjet
Kush është poet? Kush nuk është i tillë?
Mos kërko që ta dish
Poeti është në fund të shishes
Dhe ajo vetë është mbytur në verën e saj
Në litarin e ballkonit të tij
Varen ylberë të lagur
Që betohen të mos thahen
Gjithçka kullon pikë-pikë:
Katedralja pa flakë pa zë
E kuqja e gjaktë e syve, shqetësimi i turmës
Emri i poetit të panjohur
Dhe gjithçka, gjithçka së bashku
Mbështillet rreth hartës së virgjër të botës
Edhe në mos qoftë shkruar
Në librat e shenjtë
Pa dyshim emri i poetit është shënuar
Në udhërrëfyesin e malësorëve
1999
VIJIM
Në vijën e përgjakur të mijëra pyetjeve
Përgjigjet shmangen vetvetiu
Ne i heqim hapat zvarrë të dërrmuar
Siç tërheq kërmilli guaskën e tij
Ne nuk dimë ta mbartim trupin tonë
Ashtu si breshka që është e lumtur në shtëpinë e saj
Në shtrëngata ne jemi dalldia
E një dite me fytyrë të vrarë
Ne jemi hija ngadhënjimtare e ushtarit
Që i numëron duke qarë medaljet e tij
Të fituara në xhehnemet ku korri fitore
Fjalët zalisen drejtpërdrejt para indiferencës
Së mediatizuar dhe pornografike ne e njohim
Përtej Detit të Zi një zjarr që ka rënë te sardelet
Stacionet hekurudhore të shkelura
Brenda pak kohe bëhen transhé
Tanket duke ndjekur himne histerike
Flasin për gjurmët e paqes që djersin nga frika
Plumba anonimë por që mbajnë kushtime
Ngecin në oranën tonë
Ne i shtypim tanket tuaja pa mëshirë
Ne i mbytim topat tuaj duke ua zënë frymën me duar
Dhe i detyrojmë të pështyjnë qurrat dhe të gjitha poshtërsitë
Me anë të qëndresës sonë ne qëndrestarët
Nuk do të merremi me vartësit dhe me korrierët
Ja ku dolëm nga strehimet tona
Ne nuk do t’ju lëmë të bëni
Një të ashtuquajtur operacion ushtarak
Kjo quhet luftë kjo quhet luftë
Këndej gëzhoja, andej bomba
Që do të shpërthejnë në duart tuaja, midis këmbëve tuaja
Nën prapanicat tuaja ne nuk do ta shuajmë zjarrin që ka rënë
Ne do të nisemi duke u përzier
Me tufat e sardeleve
Kënaqu me atë që ke
TREGU I KAFSHËVE
Ti më ndjek pas
Me sytë e tu të zgurdulluar
Ti më ndjek pas për gëzofin, për mishin, për qumështin
për dhjamin tim
Ti më ndjek pas për farën, për thonjtë, për lëkurën time
për qimet e mia, për brirët e mi
Për dhëmbët e mi, për qenien time
Që dëshiron ta shtiesh në dorë me çdo çmim
Ti do të më kapësh, do të më rrjepësh do të më shpuplosh
do të më mbyllësh Brenda
Ti do të më hash duke më prerë copa-copa, duke më pjekur
Ti do të pish gjakun tim, ëndrrën time
Ti do të bësh me mua një mbulesë për shtratin tënd
një veshje për veten tënde
Ti do t’i shkulësh dhëmbët e mi për të bërë me ta një gjerdan
një zinxhirkë për ta vënë te nyelli i këmbës
Me puplat e mia të shkulura do të bësh një erashkë
Me kokën time do të bësh një trofé, një abazhur ose një dordolec
Ti do ta mbushësh me kashtë lëkurën time për të zbukuruar me të shtëpinë
Do të bësh një qilim për dhomën tënde një saftjan për karrigen tënde
për kolltukun tënd
Ose ti do të provosh mbi mua
Ilaçet e tua, sëmundjet e tua
Fatkeqësitë e tua, armët e tua, bombat e tua
Ti do të më thash, do të më tymosësh, do të më kriposësh
Do të më ruash, do të më mbash në akull
Do të më shndërrosh në miell për të ushqyer kafshët e tua
Për të ushqyer macen, qenin, peshkun, zogun tënd
Ti do të më mbash në robëri, do të më paraqesësh nëpër ekspozita
Ti do të bësh që të jem rojtari, polici, xhandari yt
Gjahtari yt ushtari yt për të shkuar në luftë lanxhoja yt
Që do të fluturojë do të notojë do të kapë e do të të sjellë diçka
Që do të nxjerrë nga strofka prenë tënde
Ti do të më bësh postierin tënd që do të të sjellë postën
Majmunin tënd për të të zbavitur
Papagallin tënd që do të të shkrijë së qeshuri
Në këmbim të një ledhatimi të lehtë nga një çupëz
Që do të më dojë ose do të më urrejë, por gjithnjë do të jetë krenare për mua
Ti do të më shfrytëzosh deri në fund
Duke më dhënë të drejta dhe duke m’i hequr ato
Kur të të pëlqejë, ti do të më tredhësh ose do të më çiftëzosh
Ti do të më blesh ose do të më shesësh sipas qejfit
Ti do të më lësh të lirë ose do të më vrasësh
Ti do të bësh para të madhe në kurrizin tim, do të mbledhësh shumë aksione
Ti do të më flijosh për zotat e tu për marrëzitë e tua
Ti do të thuash aq shumë lutje
Ngaqë më dhanë tek ti
Ngaqë më vunë në shërbimin tënd
Ti do ta bekosh fatin ngaqë ai të shndërroi në zotin tim
Kaq
Shumë
Përktheu: Anton PAPLEKA