JORGOS SEFERIS
( 1900- 1971 )
( Çmimi Nobel, 1963 )
* * *
Këtë trup që shpresonte të lulëzonte si filizi
të frutonte dhe në cingërimë të bëhej jo lëndor
në një bletë zhurmuese imagjinata e zhyti
për të kaluar dhe për ta torturuar koha muzikore.
EURIPIDI, ATHINASI
U mplak midis zjarrit të Trojës
dhe në guroret e Siqelisë.
I pëlqenin shpellat në ranishte dhe vizatimet
e detit.
I shihte damarët e njerëzve
si një rjetë të zotave, ku na zënë si egërsirat
u përpoq ta çante.
Ishte i vrazhdë, miqtë e tij ishin të pakët
erdhi koha dhe e shqyen qentë.
TREGIM
Ai njeri ecën duke u djegur
askush nuk di të thotë përse
dikur mendonin se ishin dashuritë e humbura
si ato që na torturojnë aq shumë
në verë në bregdet me gramafonë.
Njerëzit e tjerë përkujdesin punët e tyre
letra të pafundme fëmijtë që rriten, gratë
që plaken me vështirësi
ai ka dy sy si lulëkuqe
si lulëkuqe të këputura pranverore
dhe dy burime të vegjël në cepat e syve.
Shkon nëpër rrugë kurrë nuk shlodhet
duke kapërcyer katërkendësha të vegjël në shpinën e tokës
makinë e një pikëllimi të pafund
që përfundoi duke mos patur asnjë rëndësi.
Disa e dëgjuan duke folur
ndërsa kalonte fillikat
për pasqyra të thyera para vitesh
për forma të thyera nëpër pasqyra
të cilat nuk mund t’i montojë më askush.
Të tjerë e dëgjuan duke folur për gjumin
për pamje frike në strehëzën e gjumit
njerëz të bezdisur nga dashuria.
U mësuam me të është i vendosur dhe i qetë
vetëm se shkon përherë duke qarë
si shelgjet në anëlumë që i sheh nga treni
duke u zgjuar keqas në ndonjë agim të vrejtur.
U mësuam me të nuk përfaqëson askënd
si të gjitha gjërat me të cilat jeni mësuar
dhe ju flas për të pasi nuk gjej
asgjë që të mos jeni mësuar me të
ju falem.
JASEMINI
Edhe kur errësohet
edhe kur çel agimi
mbetet i bardhë
jasemini.
AKTORËVE TË TEATRIT, M. A.
Ngrejmë teatro dhe i shkatërrojmë
aty ku gjendemi dhe ku ndalojmë
ngrejmë teatro ndërtojmë skenarë,
por fati ynë gjithmonë fitimtar.
Dhe i shkatërron dhe na shkatërron
dhe ne aktorët dhe sipërmarrësin tonë
sufler dhe ata që bëjnë muzikë
nxitimtarët në të pesë stuhitë.
Trupa, pëlhura të trasha, dru, kremra,
rima, zbukurime, ndijime, vela,
maska, perëndime dielli, kuje dhe britma
agime mëngjezi thirrje pasthirrma.
Skicime mishmash bashkë me ne trazuar
( thuamë ku shkojmë ? ku shkon më thuaj ?)
përmbi lëkurën tonë damarët zhveshur
si vijëzimet mbi lëkurën e zebrës.
Të zhveshura, të thata të lehta pëndë
( po kur na lindën ? në varr kur na vunë ? )
tendosur njëlloj si telat në violinë
të një lire që përherë jehon. Pa shih
Dhe zemrën tonë shih është një sfungar
dhe në rrugë zvarriset dhe në pazar
duke pirë gjakun duke pirë vrerin
dhe të tetrarhut * edhe të vjedhësit.
* komandant i katër krahinave në lashtësi (shën. i përkthyesit)
* * *
Ndalo pra së kërkuari detin dhe lëkurët e dallgëve
duke shtyrë kaiket
nën qiell jemi ne peshqit dhe
pemë janë leshterikët.
RIMË
Mijra roje të dashurisë sime që ishte për t’u shuar
duar, lidhje të rinisë sime që ishte për të ikur
ngjyrë e fytyrës së humbur diku në natyrë
pemë…zogj…gjueti…
Trup, i zi në mes të zhegut si rrushi
trup anija ime e pasur, ku je në udhëtim ?
është çasti kur mbytet pasditja
dhe lodhem duke kërkuar në errësirë…
( Jeta jonë pakësohet çdo ditë ).
KËNGË POPULLORE
Njëkotilidonet
dhe dykotilidonet
lulëzuan në fushë ngado
Ta kishin theksuar në fatthënie
dhe bashkuam me ëndje
buzët tona, Mallamo !
* * *
Lulëzim i gurit para detit të gjelbër
me vena që më kujtojnë të tjera dashuri
duke shkëlqyer në vesimin e ngadaltë,
lulëzim i gurit fizionomira
që erdhën kur asnjeri nuk fliste dhe më folën
që më lanë t’i prekja pas heshtjes
midis pishash landrash dhe rrepesh.
PËR KUJTIM
Ishe hyjnia e heshtur
si oriz i bardhë
por ikja e drithëruar
kthehet përherë pas.
Vorbullën ti more
shpirt që nga qendra ikën
dhe neve na lë
në veçim të hidhët.
Sikur po erret shoh në gjethnajë
të mbyllur sytë e miqve tanë.
VENDI QË NUK NXEN
Bien sot përherë monedha mbi vend
midis çdo nyjeje si një pikë uji në tokë
hapet një vend i ri: erdhi çasti, më ngrini.
MIDIS ESHTRAVE KËTU
Midis eshtrave
një muzikë:
kalon rërën,
kalon detin.
Midis eshtrave
një zë fyelli
një zë i largët tamburi
dhe një rënie e lehtë zileje,
kalon fushat e thata
kalon detin me delfinët.
Male të lartë, nuk na dëgjoni !
Ndihmë ! Ndihmë !
Male të lartë do shkrihemi, të vdekur me
të vdekurit !
* * *
Uji i ngrohtë çdo mëngjes më kujton
se nuk kam asgjë tjetër të ngrohtë pranë meje.
SOLIDARITET
Është aty dhe nuk mund ta ndryshoj
me dy sy të mëdhenj pas dallgës
nga ana ku fryn era
duke ndjekur krahët e zogjve
është aty me dy sy të mëdhenj
se mos e ndryshoi ndokush ndonjëherë.
Çfarë kërkoni ? mesazhet tuaj
vijnë të ndryshuar deri tek vapori
dashuria juaj bëhet urrejtje
qetësia juaj bëhet tallazitje
dhe nuk mund të kthehem pas
të shoh fytyrat tuaja në anëdet.
Janë aty sytë e mëdhenj
edhe kur qëndroj i mbërthyer në vijën time
edhe kur bien yjet në horizont
janë aty të mbërthyer në eter
si një fat më imi se fati im.
Fjalët tuaja shprehi e të dëgjuarit
oshëtijnë në litarët e anijes dhe shkojnë
mos vallë besoj në ekzistencën tuaj
shokë fatkeqë, hije të paqena.
Tashmë e humbi ngjyrën kjo botë
ndërsa leshterikët e bregdetit të vitit tjetër
gri të tharë dhe në mëshirën e stuhisë.
Një det i madh dy sytë
të shkathët dhe të patundur si era
dhe velat e mia sa të mbajnë, dhe zoti im.
ËNDËRR
Unë fle kurse zemra ime e gdhin zgjuar
vështron yjet në qiell dhe timonin
dhe si hedh lule uji në timon.
IKJE
Nuk ishte tjetër dashuria jonë
ikte rikthehej dhe na sillte
një qerpallë të ulur shumë të largët
një buzëqeshje të mermertë, të humbur
në barin e mëngjesit
një guaskë të çuditshme që provoi
ta sqaronte me këmbëngulje shpirti ynë.
Dashuria jonë nuk qe veçse një kërkim me duar
ngadalë midis gjërave që na rrethonin
për ta justifikuar se nuk duam të vdesim
me kaq pathos.
Dhe nëse u mbajtëm nga faqet e murit dhe nëse u përqafuam
me gjithëfuqinë tonë në të tjera qafa
dhe nëse bashkuam frymën tonë me frymën
e atij njeriu
dhe nëse mbyllëm sytë tanë, nuk qe tjetër
veçse ajo brenga e thellë për t’u mbajtur
brenda ikjes.
FOG
Say it with a ukulele
‘’ I thuaj asaj me një kitarëz… ’’
Një gramafon grindet bën fjalë
më thuaj çfarë t’i them, o Zot
tani u mësova vetmitar.
Me fizarmonika që mblidhen
të varfër sa s’ka ku të vejë
përherë engjëjve u thërrasin
dhe engjëjt janë e tyre brengë.
Engjëjt krahët e tyre hapën
por nxorrën mjegulla nga fryma
lavdi ty zot, ndryshe do zinin
shpirtrat tanë t’ varfër si mëllenjat.
Dhe jeta është e ftohtë jetë peshku
– Kështu jeton ? –Po ! Ç’të bëj nuk di
se shumë e shumë të mbytur janë
përposh në det në fund të tij
Pemët ngjasojnë me korale
që ngjyrën diku kanë harruar
dhe karrot ngjajnë me anije
që mbyten dhe mbeten vetmuar…
‘’ I thuaj asaj me një kitarëz…’’
Fjalë për fjalë fjalë tej kufirit ?
E dashur, ku është kisha jote
u lodha në prona manastiri.
A ! të ish jeta jonë e njëjtë
si do ta kalonim ne mandej
por fati krejt ndryshe e deshi
duhet të kthesosh në një cep.
Po kush është cepi ? Kush e di ?
dritat ndriçojnë ndriçojnë çdo vend
avull ! nuk na flasin ngricat
dhe shpirtin e kemi në dhëmbë.
Po vallë do gjejmë ngushëllim ?
Dita natën veshur e ka
gjithshka është natë, gjithshka natë
kërko – kërko do gjejmë diçka…
‘’ I thuaj asaj me një kitarëz…’’
Shoh thonjtë e saj të kuq prej bojës
përkundrejt zjarrit si do shkëlqejnë
dhe e sjell ndër mend me anë të kollës.
I MBIVARRSHËM
Prushi i qymyrit mes mjegullës
ishte rrotë e rrënjëzuar në zemrën tënde
dhe hiri mbulonte fytyrën tënde
çdo agim.
Duke shpuplosur hije qiparisash
ike në verën tjetër.
GJASHTËMBËDHJETË HAJK
Marko Avrilios
——————-
Piko në liqen
vetëm një pikëz verë
dhe dielli do shuhet.
Në fushë asnjë
tërfil katërfletësh
cila prej të trejave fajton ?
Në kopsht të muzeut
————————-
Karriget bosh
shtatoret u kthyen
në muzeun tjetër.
Të jetë zëri
i miqve tanë të vdekur
apo gramafoni ?
Gishti i saj
në shaminë e detit
vështro: korale.
I menduar
gjoksi i saj i rëndë
në pasqyrë.
Vesha sërish
gjethnajën e pemës
dhe ti blegërin.
Natë, era
ndarja përhapet
dhe dallgëzon.
Grua lakuriqe
shega që u ça ish
e mbushur me yje.
Tani po ngre
një flutur të ngordhur
pa kozmetikë.
Ku t’i mbledhësh
mijra copëza
të çdo njeriu.
Vijë e pafrytshme
———————-
Timoni çfarë kishte ?
varka shkruan rrathë
dhe asnjë pulëbardhë.
Perëndesha të sëmura që merrnin hakun ndaj krimeve
—————————————————————-
Nuk ka sy
gjarpërinjtë që mbante
i hëngrën asaj duart.
Kjo kollonë
ka një vrimë, e sheh
Persefonin ?
Po zhytet bota
mbahu, do të të lërë
vetëm në diell.
Shkruan
boja pakësohet
deti po shtohet.
GJETHJA E PLEPIT
Dridhej aq shumë sa e mori stuhia
dridhej aq shumë sa të mos e merrte stuhia
tej në largësi
një det
tej në largësi
një ishull në diell
dhe duart duke shtrënguar rremat
duke vdekur në çastin që u shfaq porti
dhe sytë të mbyllur
në anemonet e detit.
Dridhej aq shumë
e kërkova aq shumë
në sternë me ekualipset
pranverën dhe vjeshtën
në të gjithë pyjet e zhveshur
o zot e kërkova.
BUKURSHKRIM
Vela në Nil,
zogj pa cicërima me një krah
duke kërkuar në heshtje tjetrin
duke prekur lehtas mungesën e qiellit
trupin e një djaloshi të mermertë
duke shkruar me bojë simpatike në kaltërsi
një britmë të dëshpëruar.
DITË TË QERSHORIT ‘ 41
Doli hëna e re në Aleksandri
duke e mbajtur të vjetrën në krahët e saj
dhe duke shkuar drejt Portës së Diellit *
në mes të errësirës së zemrës- tre miq.
Cili dëshiron tashmë të lahet në ujrat e Proteas ?
çfarë shndërrimi i kërkuam në rininë tonë
me dëshira që lëvrinin si peshqit e mëdhenj
në dete që bënin fir befasisht
besonim në gjithëfuqinë e trupit.
Dhe tani doli hëna e re e përqafuar
me të vjetrën me ishullin e bukur duke përgjakur
ishullin e qetë të plagosur, ishullin e fuqishëm, të pafajshëm.
Dhe trupat si degë të thyera
dhe si rrënjë të çrrënjosura.
Etja jonë
roje kalorsiake e mermertë
në portën e errët të Diellit
nuk di të kërkojë asgjë: ndruhet
e mërguar këtu rrotull
pranë varrit të Aleksandrit të Madh.
* Porta e Diellit- njëra prej dy portave të mëdha
të Aleksandrisë. Tjetra ishte ajo e Hënës. (shën. i përkthyesit).
PENTHEU *
Gjumi e mbushte me ëndrra frutesh dhe gjethesh
zhgëndrra nuk e linte të këpuste as një man
kurse të dyja bashkë ia ndanë pjesët e trupit tek Baket **.
* Mbreti mitik i Thivasve
** Adhurueset e Bakut- emri tjetër i perëndisë së rrushit dhe
dëfrimit, Dionisit. (shën. i përkthyesit).
MËNGJES
Hapi sytë dhe shpalose
bezen e zezë të gjerë dhe tendose
hapi sytë mirë dhe mbështeti sytë
përqëndrohu përqëndrohu tani e di
se bezja e zezë shpaloset
jo në gjumë as në ujë
as pasi mbyllen qepallat e rrudhura
dhe zhyten pjertas si guaskat,
tani e di se lëkura e zezë e tamburit
e mbulon tërësisht horizontin tënd
kur të hapësh sytë e tu i shlodhur, ashtu.
Midis sanataditës* së pranverës dhe
sanataditës së vjeshtës
këtu janë ujrat e rrjedhshëm këtu është kopshti
këtu gëmëzhijnë bletët nëpër degë
dhe i bien zilkës në veshët e një vogëlushi
dhe dielli ja ! dhe zogjtë e parajsës
një diell i madh më i madh se drita.
*21 mars dhe 23 shtator, kur dita është e barabartë me natën. (shën. përkth).
* * *
Midis dy çasteve të hidhët nuk ke kohë
as të marrësh frymë
midis fytyrës sate dhe fytyrës sate
një formë e brishtë fëmije shkruhet dhe shuhet.
PËRSHKRIM
Afrohet me sytë e saj të turbullt ajo dorë
e relievit
dora që mbajti timonin
dora që mbajti penën
dora që u shtri në stuhi,
të gjitha e kërcënojnë heshtjen e saj.
Nga pishat një lëvizje rend drejt detit
luan me frymëmarrjen e butë të erës
dhe e frenojnë dy kalimet e rrezikshme të gurëve të zinj.
Hapa zemrën time dhe mora frymë !
Në det ngjethej bashka e artë.
E saj ngjyra dridhërima dhe lëkura
të saj vijat e sipërme të horizontit në pëllëmbën time.
Hapa zemrën time
plot me pamje që tashmë u shuan, fara e
Proteut.
Në këtë çast vështrova hënën
të lyer me gjakun
e ujkonjës së re.
SIROKO 7, LEVANTE
– Dh. I. Antoniut
Gjëra që ndryshuan formën tonë
më të thella se mendimi dhe më tepër
tonat si gjaku dhe më tepër
u zhytën në zhegun e mesditës
pas direkëve të anijes.
Në zinxhirë dhe në urdhëra
askush nuk i sjell ndër mend.
Ditët e tjera netët e tjera,
trupa, dhimbje dhe kënaqësi
pikëllimi i lakuriqësisë njerëzore i copëtuar
më i ulët dhe se specat në rrugët e pluhurosura
dhe kaq joshje dhe kaq simbole
në degën e fundit
në hijen e anijes së madhe
hije kujtesa.
Duart që na prekën nuk na përkasin, vetëm
më thellë, kur errësohen trëndafilët
një ritëm në hijen e malit, bulktha
njom heshtjen tonë mes natës
duke kërkuar gjumin e detit
duke rrëshqitur drejt gjumit të detit.
Në hijen e anijes së madhe
në kohën që fishkëlleu punëtori
e lashë zemërimin tek sarafët.
AJIANAPA II
Pranverë 1156
(Vargje për muzikë)
Nën manin e plakur të vjetër
era luante si e marrë
me zogjtë luante me degët
dhe ne s’na tha një fjalë.
Rrugë e mbarë ty, frymë e shpirtit
e hapëm gjoksin tonë
eja të hysh eja të pishë
nga dëshira jonë.
Nën manin e plakur të vjetër
era u ngrit e me ngut iku
drejt kështjellave të veriut
dhe neve nuk na ciku.
Trumza ime e rozmarinë,
ti gjoksin fort e fort e lidh
dhe shpella gjej dhe strofull gjej
fshihe tëndin kandil.
Nuk është kjo erë erë e Dafinës
nuk është e Pashkës erë
po është e zjarrit dhe e tymit
e jetës pa një vlerë.
Nën manin e plakur të vjetër
e thatë era mbërriti
duke shpërndarë kudo florinj
dhe neve na i shiti.