Luan Rama: Dashuria e madhe e Çajupit për Virgjininë

Këto ditë publiçisti Kudret Isaj ka botuar një libër voluminoz për një nga figurat e mëdha europiane të gjysmës së parë të shekullit XX, humanistin zviceran Eugène Pittard i cili kontibuoi fuqishëm jo vetëm në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve por dhe në krijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar. Një libër voluminoz prej 1000 faqesh botuar nga “Les Livres Rama“ i cili jep një panoramë të gjerë të klasës politike shqiptare të asaj kohe dhe gjendjes së mjerueshme ekonomike të vendit tonë përfshirë dhe krizën e madhe të bukës në vitin 1924. Ky libër që i kishte munguar historiografisë shqiptare, sot është bërë realitet. Midis shumë ngjarjeve që kanë të bëjnë mbi lidhjet e Shqipërisë me Zvicrën, autori sjell dhe fakte të reja me qëndrimin e Andon Zako Çajupit në Zvicër, dashurinë e tij me Evgjeninë dhe birin e tij.

„… Andon Çako zgjodhi si pseudonim letrar emrin e malit Çajup në Gjirokastër, 1200 metra të lartë, i cili ngrihet pingulthi mbi fshatin e tij të lindjes Sheper, sa Andonit, kur ishte i vogël, i ishte krijuar iluzioni dhe ishte i bindur që mali Çajup ishte në qiell i varur me çengel dhe nga çasti në çast pritej të binte në tokë. Formimi arsimor i tij kaloi nëpër disa faza. Faza e parë ishte e lidhur me Nivanin, në të cilin, bëri disa klasë fillore në gjuhën greke. Në bazë të përllogaritjeve tona na rezulton se Andoni duhet të jetë regjistruar në atë shkollë në vitet 1876-1877. Faza e dytë : sapo mbushi 16 vjeç, Andoni përqafoi me mall mëmën e tij Zoica, i hodhi një vështrim të fundit Sheperit dhe u nis me të atin, drejt Manastirit, prej nga do të shkonin në Greqi ku do të merrnin anijen për të mbërritur në Aleksandri të Egjiptit. Në sytë e zgjuar të Andonit të vogël, Harito Çako kishte zbuluar dëshirën e tij për dije dhe për shkollë. Ai kishte vendosur që një pjesë të pasurisë që kishte vënë nga tregtia e duhanit në Misir dhe në Kavalla të Greqisë ta investonte për shkollën e të birit në Aleksandri të Egjiptit ku kishte një koloni shqiptare të organizuar në shoqata dhe klube patriotike. Në dhjetor të vitit 1883, Harito Çako do ta regjistronte Andonin në kolegjin francez të St.Catherinës së Lazaristëve në Aleksandri. Këtë fakt na e bën të njohur një çertifikatë e nënshkruar në 4 qershor 1889 nga drejtori i kolegjit francez të St.Catherinës, i cili administrohej nga vëllazëria e shkollës së krishterë të Aleksandrisë. “ Unë, i nënshkruari, Drejtor i Kolegjit të Shën Katerinës, vërtetoj se z. Antoine Zaccos ka frekuentuar shkollën tonë nga dhjetori i vitit 1883 deri në gusht të vitit 1888. Studimet e tij, të cilat i ka ndjekur në mënyrë serioze, vazhduan deri në klasën e parë, duke e përfshirë. Ai ndoqi të gjithë programin e kësaj shkolle. Ia jap këtë çertifikatë, që personi ta përdorë për arsyet e tij. Aleksandri, 4 qershor 1889“
Faza e tretë e kronologjisë jetësore të Andon Zako Çajupit. Dëshmia e mësipërme e nënshkruar nga drejtori i kolegjit francez të lazaristëve në Aleksandri do t‘i shërbente Andonit si trampolinë për të hedhur hapa të tjerë më të guximshëm në rrugën e jetës. Siç e dëshmon edhe dokumenti zyrtar, Andon Çako është regjistruar në kolegjin francez të Aleksandrisë me emrin Antoine Zaccos. Po presupozojmë që Harito Çakua e ka regjistruar Andonin me emrin frankofon Antoine dhe mbiemrin e greqizuar Zaccos që ai të mos kishte probleme me regjistrimin në shkollë. Duhet pohuar gjithashtu që bëhet fjalë për vitin 1883, kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin osman dhe nuk ishte e lehtë të merrje një kartë identiteti shqiptare. Sa për mbiemrin që Andoni i ka hequr gërmën k dhe i ka shtuar dy germa c dhe një mbaresë s, kujtojmë këtu faktin që plot burra të tjerë shqiptarë me shkollë të madhe që banonin jashtë atdheut aso kohe i kanë shtuar mbaresën s mbiemrit të tyre për të fituar më shumë kredibilitet për shkak të simpatisë që kishte perëndimi për historinë e lashtë të Greqisë. Për fat të keq nuk kemi mundur të sigurojmë të dhëna për Andon Çakon alias Antoine Zaccos për periudhën pesëvjeçare që studioi në kolegjin francez të Aleksandrisë. Pasi përfundoi me sukses kolegjin në vitin 1888, Harito Çako do ta regjistronte të birin në universitetin e Gjenevës që të bëhej avokat. Andon Çako, aso kohe 23 vjeç, do të regjistrohej në fakultetin e drejtësisë të universitetit të Gjenevës në 16 nëntor të vitit 1889. Këtë fakt na e dëshmon çertifikata e regjistrimit të tij, të cilën po e botojmë për herë të parë pas 133 vjetësh.
Edhe për periudhën e viteve universitare të Andon Çakos, të regjistruar në Universitetin e Gjenevës me emrin Antoine Zaccos, përveç dokumentave të sekretarisë së universitetit, për fat të keq nuk kemi mundur të gjejmë gjurmë dhe dokumenta të tjera. Megjithatë, ka një fakt interesant, të cilin nuk ka si të mos e vëmë në dukje. Në kohën që Andon Çako studioi në universitetin e Gjenevës në harkun e viteve 1889-1892, po në të njëjtën kohë ka filluar studimet edhe Eugene Pittard në fakultetin shkencave në degën e zoologjisë. Nuk ekzistojnë dokumenta që të vërtetojnë që ata të jenë njohur me njëri-tjetrin në këtë periudhë. Kujtojmë këtu që profesor i famshëm zviceran Eugene Pittard në vitin 1894, do të shkruante një artikull për antropologjinë e shqiptarëve, i cili për fat të keq ka humbur dhe nuk është gjetur as në arkivat e Gjenevës, as në arkivin privat të familjes Pittard. Ky fakt na bën të mendojmë dhe të nxjerrim konkluzionin që Eugene Pittard është «takuar» me shqiptarët që në vitin 1894. Pas regjistrimit në fakultetin e drejtësisë në vitin 1889, Andon Çako vuri re që profesorët dhe kolegët e tij studentë kishin vështirësi ta shqiptonin bashkëtingëlloren paraqiellzore ç të mbiemrit të tij. Edhe një vajzë gjenevase, me emrin Evgjeni, e dashura e tij e zemrës, i kishte thënë një ditë me humor se ai duhej të bënte një kompromis midis bashkëtingëllores ç dhe bashkëtingëllores alveolare z në favor të kësaj të fundit. Duke e zëvendësuar bashkëtingëlloren ç të mbiemrit tënd me bashkëtingëlloren z – vijoi silogjizmin e saj Evgjenia – mbiemri yt do të tingëllojë më melodioz dhe më i kapshëm për publikun frankofon. Nëse do të më dëgjoje mua – e ngau më tej arsyetimin e saj Evgjenia – ti nuk ke arsye t’i shtosh dy bashkëtingëllore alveolare c mbiemrit tënd. Aq më tepër mbaresën -s. Me këtë mbaresë, mos të të vijë keq, ti përngjan më tepër me fqinjët tuaj të jugut, nëse nuk e kam gabim apo e ke shënuar kombësinë në fjalë duke patur parasysh përkatësinë tënde fetare ortodokse. Për më tepër, ti je regjistruar në kolegjin francez të Aleksandrisë me kombësi greke, gjë që nuk është e vërtetë përderisa ti vetë më ke thënë se je shqiptar dhe ke lindur në Sheper të Gjirokastrës. Ti ke ndryshuar edhe emrin tënd – ndërhyri më tutje Evgjenia – dhe unë nuk arrij ta kuptoj arsyen përse e ke bërë këtë ndryshim. Në fund të fundit emrit tënd Andon mund t’i kishe hequr bashkëtingëlloren d dhe e kishe zëvendësuar atë me bashkëtingëlloren dhëmbore -t që të bëhej Anton. Unë nuk arrij ta kuptoj – shtoi Evgjenia – nëse gabimi në fjalë është bërë nga nxitimi nga sekretaria e kolegjit francez të Shën Katerinës të Aleksandrisë kur ke regjistruar gjeneralitetet e tua në regjistrin themeltar me emrin Antoine Zaccos. Përgjigjen e këtyre pyetjeve mund ta japësh vetëm ti i dashur Antoine – e mbylli retorikën e saj Evgenia.
Duke hulumtuar në regjistrat e studentëve të universitetit të Gjenevës gjatë viteve 1889-1892, mësojmë se Andon Zako alias Antoine Zaccos është diplomuar në fakultetin e drejtësisë në 24 tetor të vitit 1892. Për të shuar kuriozitetin e lexuesit do t’ju njohim me adresat e apartamenteve në të cilat ka banuar Andon Zako Çajupi gjatë kohës së studimeve në universitetin e Gjenevës.
Në semestrin e dimrit të universitetit të Gjenevës në nëntor të vitit 1889, emri i Antoine Zaccos figuron në numrin 20 të listës së studentëve të fakultetit të drejtësisë. Nuk është e vështirë të kuptohet se Andon Zako Çajupi gjatë studimeve të tij në universitetin e Gjenevës nga viti 1889 deri në vitin 1892, ka ndërruar jo pak apartamente, termi më i saktë do të ishte dhoma, të cilat studentët i ndanin me njëri-tjetrin për të pjestuar qiranë e banesës. Për shkak të shpenzimeve, studentët zakonisht nuk preferonin t’i prenotonin dhomat e tyre për një vit. Kishte studentë, të cilët i prenotonin dhomat e tyre nga muaji tetor deri në përfundim të provimeve në muajin qershor. Për fat të keq, kemi një vakuum informacioni në lidhje me aktivitetin letrar të Çajupit gjatë studimeve në universitetin e Gjenevës. Nuk kemi mundur të gjejmë bashkëkohanikë të tij shqiptarë që i kanë kryer studimet universitare në universitetin e Gjenevës në të njëjtën kohë me të. Ndoshta, biografët dhe kritikët e tij në Shqipëri kanë rënë në gjurmë të krijimeve të tij më të hershme gjatë kohës që studionte në kolegjin francez të Aleksandrisë apo në universitetin e Gjenevës. Eshtë pak e vështirë të besosh që para botimit të veprës me titull Baba Tomorri në vitin 1902, Andon Zako Çajupi të mos ketë shkruar asnjë poezi të vetme apo nuk ka bërë sprova të tjera poetike. Megjithatë, koha është gjykatësi më i mirë dhe do të provojë vërtetësinë e pohimeve tona. Në periudha të ndryshme, gjatë viteve, kam bërë kërkime të vazhdueshme në arkivin e qytetit të Gjenevës dhe në bibliotekën Bastion mbi figurën ende të pandriçuar mirë të Andon Zako Çajupit gjatë qëndrimit të tij në Gjenevë në harkun kohor të viteve 1889-1892. Për fat të keq, kërkimet e mia të mëparshme paskëshin qenë të cekëta, të sipërfaqshme dhe të paorganizuara në mënyrë metodologjike dhe për këtë i kërkoj ndjesë Andon Zako Çajupit. Periudha e muajit janar 2022, do të mbetet e paharruar për mua për shkak se kam zgjidhur më në fund enigmën e hershme të familjes së Andon Zako Çajupit në Gjenevë në kohën kur ai ndiqte studimet në fakultetin e drejtësisë në universitetin e Gjenevës. Në datën 12 janar 2022, në orën 15 pasdite në arkivin e Gjenevës rashë në gjurmë të dy referencave, të cilat nuk i kisha gjetur asnjëherë tjetër më parë. Ndjeva emocione të fuqishme dhe një rrymë elektrike m’a përshkoi tërë trupin. Çdokush do të shtronte pyetjen: përse nuk e ke bërë një kërkim të tillë të përimtësuar më parë dhe ke pritur kaq gjatë për të zgjidhur një ekuacion me shumë të panjohura. E ndiej të nevojshme të jap disa shpjegime të domosdoshme dhe të pranoj që, në kurthin ku kanë rënë një numër i konsiderueshëm studiuesish të tjerë, për fat të keq, kam rënë edhe unë. Këtë çark na e ka ngritur Andon Zako Çajupi plot 120 vjet më parë kur botoi në Kajro veprën e tij Baba Tomorri në vitin 1902. Prof. Dhimitër Shuteriqi, një ndër rilindasit e fundit të shekullit të XX, në një intervistë që i ka dhënë gazetarit Petro Mejdi në numrin 5 të revistës «Nëntori» të vitit 1966 shkruan «… Çajupi e qau Evgjeninë me vaj për dhjetë vjet me radhë…». Çajupi në elegjinë Vaje i lau vargjet me pikat e lotëve të tij dhe nuk gjeti ngushëllim kurrë për vdekjen e Evgenisë. Të gjithë studiuesit e Çajupit kanë bërë kërkime të vazhdueshme nëpër arkiva dhe nuk kanë mundur ta gjejnë emrin e vërtetë të së dashurës së zemrës së Çajupit. Eshtë e mirëkuptueshme që studime të mirëfillta kërkojnë kohë dhe shpenzime financiare për studiuesit nga Shqipëria për të hulumtuar në arkivat dhe në bibliotekat e Gjenevës. Në bazë të dokumenteve të gjendjes civile të kantonit dhe të qytetit të Gjenevës, kam zbuluar se emri i vërtetë i së dashurës së zemrës së Çajupit është Virginie. Shtrojmë pyetjen: Përse Çajupi e ka fshehur identitetin e saj të vërtetë? Në veprën e tij letrare quhet Evgeni, në gjendjen civile të Gjenevës emri i saj figuron Virginie. Apo ndoshta Çajupi do të ketë menduar që duke vënë emrin e vërtetë të Virginisë në Vajet e tij do të lëndonte një plagë që do të mbetej e hapur gjithë jetën për familjen e saj. Unë i përmbahem kësaj ideje, sipas së cilës, Çajupi nuk e vuri emrin e vërtetë të saj në elegjinë e tij, së pari, për të respektuar kujtimin e saj, së dyti, për të respektuar zinë që kishte rënë në familjen e saj dhe së treti, mund të ketë qenë një kërkesë e familjes së Virginisë. Shtroj pyetjen tjetër: A ia ka dërguar vallë Çajupi këtë elegji të përkthyer frëngjisht familjes së Virginisë? Këtyre hamendësimeve dhe vramendjeve mund t’u japë përgjigje vetëm Çajupi, nëse do të ishte gjallë. Nëse Çajupi ka mbajtur ditar gjatë kohës së qëndrimit të tij në Gjenevë, apo nëse i ka ruajtur letrat e Virginisë, aty do të jenë shënuar me siguri gjeneralitetet e vërteta të saj. Rishtazi lind pyetja: Përse do të duhej që Çajupi ta qante me emër të trilluar të dashurën e tij duke nxjerrë nga thellësia e zemrës së tij vargje aq të dhimbshme që të këpusin shpirtin? Po citojmë katër vargje nga kjo elegji: Me se rrojnë foshnjat/Ç’i rrit çilimitë/Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë/O zot, të jam falë, mos më le të mjerë/Dërgom Evgeninë ta shoh dhe një herë/. Çajupi në elegjinë e tij Vajet, botuar në veprën Baba Tomorri në vitin 1902, i kushton së dashurës së tij Evgenisë alias Virgjinisë vargje të tilla, të cilat po t’i shtrydhësh pika-pika do të formojnë një oaz me pellgje lotësh. Mbi këtë oaz varen butësisht degët e një shelgu lotues. Po të hysh në zemrën e Çajupit do të gjesh zemrën e Evgenisë. A nuk ngjan Çajupi me një shelg të përlotur? Eshtë i njohur nga të gjithë fakti që Midhat Frashëri gjatë jetës së tij ka mbajtur pseudonime të ndryshme, ndër të cilët më i njohuri është Lumo Skëndo. Edhe në këtë ese të shkurtër kemi vënë re që të tre protagonistët tanë, Çajupi, Virginie dhe Etienn-i kanë nga dy emra, të cilët nuk mund t’i kategorizojmë si pseudonime. Andon Zako Çajupi në kolegjin francez të Aleksandrisë dhe në universitetin e Gjenevës është regjistruar me emrin Antoine Zaccos. Evgenia e vajeve të famshme të Çajupit është regjistruar në regjistrin e gjendjes civile të Gjenevës me emrin Virginie Bordon. Djali i vetëm i Çajupit, Stefani, të cilin ai gjithë jetën e thirri me këtë emër, në regjistrin e gjendjes civile të Gjenevës është regjistruar me emrin Etienne Bordon. Ndoshta Andon Zako Çajupi e ka regjistruar djalin me mbiemrin e tij në Kajro apo në Gjirokastër! Ky është një rebus i vështirë për t’u zgjidhur dhe do t’i mbetet kohës për ta vërtetuar plotësisht. Në letërsinë botërore njihen jo pak raste kur i dashuri i thur poezi së dashurës dhe e boton poezinë me pseudonim për shkak të rrethanave të kohës, për shkak të kontradiktave midis familjeve, apo për shkak të një pakti midis dy të dashuruarve. Eshtë një fenomen jo i ri që një poet t’i kushtojë së dashurës së tij poezi dashurie dhe ta botojë këtë poezi duke vënë dedikasin: «asaj». Brenda ditës të gjithë ata që e kanë lexuar këtë poezi nuk kanë as dyshimin më të vogël se cili është Romeo dhe cila është Zhuljeta. Në rastin tonë kemi të bëjmë me një fenomen tjetër, botimin e një elegjie, ku e dashura e tij e zemrës ka një emër të trilluar. Nuk është e domosdoshme të jesh kritik apo studiues i letërsisë që të kuptosh origjinën e vajeve të Çajupit. A nuk të kujtojnë ato vargje gurgullimën e gurrave kur zbresin nga malet? A nuk të kujtojnë ato vargje drithërimin e vajeve me ligje të aneve të jugut të Shqipërisë kur qajnë të dashurit e tyre kur ndahen nga jeta! A nuk të kujtojnë ato vargje kujet e lokeve të veriut të Shqipërisë për të afërmit e tyre si dhe për çikat që vdekja i merr papritur në krahët e saj! Emri dhe fati i së dashurës së Çajupit, Virginisë, ka qenë një peng i madh për të gjithë shqiptarët e Zvicrës, aq më tepër për shqiptarët e Gjenevës prej 133 vjetësh, domethënë që prej vitit 1891 deri në ditët e sotme. Shqiptarët e Gjenevës e kanë thirrur gjithmonë me emrin Evgjeni dhe mbiemri i saj ka mbetur gjithmonë mister, enigmatik dhe i panjohur. Nuk kemi asnjë përshkrim nga Çajupi se cilat ishin tiparet fizike të Virginisë, bukuria e saj, e qeshura e saj ngazëlluese dhe burma e vogël që i formohej në faqe, ç’ngjyrë i kishte flokët, si i krihte ato, sa të lehtë e kishte çapin, ç‘ngjyrë e kishte fustanin? Për Çajupin e brengosur nga dhembja, me shpirt të plagosur, të goditur në mënyrë të pamëshirshme me thikë në zemër, nuk kishte më kuptim jeta se ai e kishte pirë me fund kupën e helmit. Do të ishim shumë kuriozë të kishim në duar poezi dashurie që Çajupi i ka kushtuar Virginisë kur ata ishin të dashuruar. Kam mendimin se kjo elegji, kjo dhembje uluritëse kaq e madhe duhet të jetë shkaktuar po nga një dashuri kaq e madhe. Ndoshta poezi të tilla ekzistojnë diku, ndoshta kanë mbetur në fundin e një sepeti në Sheper, ndoshta në ndonjë sirtar të harruar në Kajro, ndoshta kanë mbetur në ndonjë fletore të harruar në auditoret e universitetit të Gjenevës. Nëse në këto poezi do të gjejmë fjalë të palexueshme me njolla boje, fajtorët e pafajshëm mund të jenë lotët. Po botojmë tani për herë të parë pas 133 vjetësh, çertifikatën e vdekjes së Virginie Bordon, e cila ka bashkëjetuar me Çajupin në vitin 1890 në Gjenevë. Ja çfarë shkruhet në regjistri i vdekjeve të Gjenevës më 1891: “Bordon Virginie, beqare, 7 janar 1891. „Të mërkurën, shtatë janar – një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një, në orën katër të mëngjesit vdiq në Gjenevë rue des Paquis Nr 23 – nga ethet puerperale – sipas çertifikatës mjekësore Virginie Bordon – Profesioni: rrobaqepëse – vajza e Louis Bordon – dhe e Fanchette Perret – Gjendja civile: beqare – Me origjinë nga : Avusy (Gjenevë) – Me banesë në Gjenevë – Feja : katolike – lindur në Avusy (Gjenevë) – më njëzet e tre nëntor – një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë. „ Vdekja e Virginisë në 7 janar 1891 në Gjenevë e goditi Çajupin aq fort sikur të gjitha rrufetë e Tomorrit t’i kishin rënë në zemër dhe ta kishin djegur e përvëluar. Gazeta Journal de Genève e datës 17 janar 1891 në faqen 3 të rubrikës së lajmërimeve të vdekjeve boton njoftimin e mëposhtëm: «Virginie Bordon, beqare, 19 vjeç. Gjenevë». Për hir të së vërtetës nuk mund të qëndrojmë pa saktësuar që Virginia i kishte mbushur 20 vjeç në 23 nëntor 1890. Në 7 janar 1891 në shtëpinë e Bordonëve në Gjenevë, në rrugën Paquis 23, ndodhi gjëma e madhe. Evgenisë së Çajupit gjashtë ditë pas lindjes së djalit iu dogj balli furrë nga ethet përvëluese, luftoi midis jetës dhe vdekjes dhe u ngjit si engjëll lart në qiell. Çertifikatën e vdekjes së Virginie Bordon e kam zbuluar në 17 janar 2022 në orën 15.30 minuta në arkivin Terrasière të Gjenevës. Kam shtangur në vend dhe më është bërë trupi akull kur kam prekur me dorë çertifikatën e saj të vdekjes, sa m’u krijua asosacioni sikur më kishte vdekur një njeri i afërt. Vdekja e Virginisë ishte shkaktuar nga një temperaturë e lartë e cila në gjuhën mjekësore quhet temperaturë puerpérale. Prindërit e saj, Louis Bordon dhe Fanchette Perret bënë ç’është e mundur ta shpëtonin vajzën e tyre nga terri i vdekjes dhe nuk donin të besonin që ajo u ngjit në perandorinë e Hadit. Në çertifikatën e vdekjes, Virginia figuron e pamartuar. Me qindra shqiptarë do të hidheshin në zjarr dhe do të ishin të gatshëm të betoheshin në gjykatën më të lartë të Gjenevës që Andon Zako Çajupi ishte martuar me Evgeninë. Sado që kemi bërë analiza psikologjike dhe psikanalitike të mistereve që materia jonë gri dhe subkoshienca jonë fsheh në skutat më të thella të saj nuk arrijmë të kuptojmë përse Çajupi, i cili ka bashkëjetuar në të njëjtën shtëpi me Virgininë në vitin 1890, nuk e ka zyrtarizuar lidhjen me martesë, duke e ditur që Virginia priste një fëmijë prej tij. Nëse do të presupozonim që përkatësia ortodokse e Çajupit ka qenë një pengesë e pakapërcyeshme për martesë, kjo tezë nuk qëndron se Harito Çako-ja dhe Çajupi ishin afetarë dhe nuk besonin te perëndia. Qëndrimin e tij skeptik dhe sarkastik ndaj perëndisë, Çajupi e ka shprehur vijimësisht në veprat e tij duke vënë në lojë pa vrarje ndërgjegjeje priftërinjtë që përfitonin nga autoriteti i kishës. Prof. Dhimitër Shuteriqi në intervistën që i ka dhënë gazetarit Petro Mejdi në numrin 5 të revistës «Nëntori» të vitit 1966 shkruan: «…Me të jatin u prish pse mori Evgeninë. U pajtuan kur Harito vuajti nga kanceri…“. Nëse Çajupi ynë kishte arsyet e tij të mbante heshtje për një subjekt të tillë, do t’i përgjigjeshim me një silogjizëm logjik sipas të cilit, arsyeja e mosarsyes sime, është arsyeja jote dhe arsyeja e mosarsyes sate, është arsyeja ime. Sado që jam përpjekur të depërtoj në subkoshiencën e Çajupit për të kuptuar dilemat dhe dyzimin e tij nuk kam arritur ta çoj abstragimin dhe gjykimin tim deri në fund, sepse më mungon zëri i brendshëm i Çajupit, ditari i tij. Tashmë ndodhemi përpara një miniere, mineralet e së cilës i nxjerrim të pastra nga burimi, minerale, të cilat i kemi ëndërruar t’i prekim me dorë prej shumë e shumë vitesh dhe tani qëndrojmë të befasuar nga faktet kokëforta që kemi përpara dhe nuk dimë çfarë të bëjmë me to. Nëse do të shfletojmë fletët e kalendarit të vitit 1891 do të kqyrim se në 18 maj të atij viti liqeni Leman ngriu, u bë si pistë patinazhi dhe qytetarët e Gjenevës e përshkuan sipërfaqen e akullt të liqenit më këmbë nga skela Gustave Ador deri në Paquis dhe anasjelltas. Me rastin e festës kombëtare të Zvicrës, bashkia e qytetit të Gjenevës në 2 gusht 1891 inauguroi në Eaux-Vives shatërvanin e Gjenevës 90 metra të lartë. Në vitin 1891, mëmëdhetaret Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi hapën shkollën shqipe të vajzave në qytetin e Korçës. Gustave Majer në vitin 1891 do të botonte veprën e tij madhore me titull: Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe. Andon Zako Çajupi i kreu studimet në fakultetin e drejtësisë në universitetin e Gjenevës në harkun kohor 1889-1892 dhe u diplomua në 24 tetor të vitit 1892. Po botojmë një njoftim të botuar në gazetën «Journal de Genève» në datën 28.10.1892. «Fakulteti i drejtësisë – Diplomë në drejtësi: Zotërinjtë Antoine Zaccos, Grek; Paul Brochu, Gjenevas; Dimitre Dantchoff, Bullgar». Po në këtë vit ndjek studimet për jurisprudencë Paul Des Gouttes, i cili që nga dekada e dytë e shekullit të XX-të, në krah të Gustave Ador-it ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për njohjen dhe pranimin e Kryqit të Kuq shqiptar në Komitetin ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Eugene Pittard gjithashtu në këtë vit ndiqte studimet universitare në fakultetin e shkencave në degën e zoologjisë dhe banonte në rrugën Lyon, 16 në Gjenevë. A janë vërtitur dhe shtjellë vallë trillet e fatit në një mënyrë të atillë sa Eugene Pittard student i zoologjisë është njohur rastësisht në Gjenevë me Çajupin, poet dhe avokat i ardhshëm, i cili ka ditur që me ca fjalë pellazgjike nga mali i Tomorrit t’i ketë bërë shajni dhe magji për Shqipërinë dhe shqiptarët!
Andon Zako Çajupi përfundoi kolegjin francez të St. Catherine të Lazaristëve në vitin 1888 dhe u regjistrua në universitetin e Gjenevës në degën e drejtësisë në 16 nëntor 1889. Nuk zotërojmë të dhëna, ku ka qenë Çajupi gjatë kësaj periudhe. Ka qëndruar pranë të atit në Misir për ta ndihmuar në punët e tregtisë apo i ka hipur anijes dhe ka zbarkuar në Gjenevë që në vitin 1888, ku ka marrë një dhomë me pagesë, gjë që është e vështirë të provohet për shkak se nuk është regjistruar në regjistrin e të huajve që kanë hyrë në Gjenevë atë vit. Megjithatë, ai mund të ketë ardhur në Gjenevë atë vit dhe të ketë banuar në një shtëpi zvicerane ku ka marrë një dhomë me pagesë mujore sepse kjo ka qenë një praktikë e zakonshme për studentët e huaj.
Në 18 janar 2022, në orën 14 pasdite u nisa në këmbë duke medituar dhe mbërrita në pallatin e Virginisë në rrugën Paquis, 23 ku Çajupi ka banuar me pagesë mujore në vitin 1890. Pallati ku ka banuar Virginia ndodhet në udhëkryq të rrugës Paquis,23. Nuk mund të pohojmë me siguri absolute që ai është i njëjti pallat ku ka banuar Çajupi me Virgininë në vitin 1890, për shkak se është e vështirë të gjesh vitin e ndërtimit të tij, megjithëse një zë i brendshëm më thotë që fasada e pallatit ka rreth 135 vjet që është ndërtuar. Urbanistët dhe arkitektët zviceranë janë të prirur t’i ruajnë të paprekura fasadat e jashtme të objekteve për të ruajtur trashëgiminë historike të qytetit. Pallati gjashtëkatësh i Virginisë ndodhet në buzë të rrugës automobilistike. Mbi hyrjen kryesore të pallatit, mbi taracë lartësohen gjashtë kate dhe në secilin prej tyre ka një dritare me grilla të gjelbra. Në të majtë dhe në të djathtë në katin e parë ka një dritare pa ballkon, nga kati i dytë deri në katin e pestë ka ballkone, ndërsa dritarja e katit të gjashtë nuk ka. E njëjta strukturë dhe arkitekturë vlen edhe për hyrjet e tjera të pallatit. Fasada e pallatit është shtruar me pllaka drejtkëndëshe ngjyrë gri. U ula përballë pallatit në një lokal që i kishte nxjerrë tavolinat dhe karriget jashtë, porosita një kafe ekspres dhe i bëra vetes disa pyetje retorike: Në cilin kat e ka patur shtëpinë Virginija me prindërit e saj? Në cilën dhomë ka banuar Çajupi në vitin 1890? A ka patur dritare dhoma e Çajupit dhe nëse ka patur, a vështron dritarja nga krahu i rrugës automobilistike apo në anën e brendshme të pallatit? Në një sipërfaqe të kufizuar të një apartamenti të vogël, ishte e pamundur që midis një 24 vjeçari dhe një 20 vjeçareje të mos ndizeshin gacat e zjarrit, të mos përplaseshin vetëtimat, të mos kryqëzoheshin shikimet dhe të mos u rrihnin zemrat si në një finish gare vrapimi 100 metërsh. Ata ishin të rinj, kishin ëndrra të dlira, hobe të përbashkëta dhe dëshirën për t’u njohur e kishin të papërballueshme. Çajupi mendonte ditë dhe natë si të gjente mënyrën të qëndronte një minutë vetëm me Virgininë dhe të bisedonin për librat, poezinë, lulet, për gjithçka. Një ditë ata e kuptuan se brenda mureve të shtëpisë, brenda arkapijave do të shkruante Migjeni rreth 40 vjet më pas, ata e kishin të pamundur t’ia hapnin zemrat njëri-tjetrit dhe nisën të kërkonin një aleat të jashtëm. Sado që rrahën mendimet, ata nuk gjetën aleat më të mirë se ajri, natyra dhe liqeni Leman, të cilin e kishin jo më larg se dy hapa larg shtëpisë. Pasditeve kur Andoni kthehej nga leksionet e universitetit të Gjenevës, të shtunave dhe të dielave, atyre iu pëlqente të barisnin në shëtitoret buzë liqenit dhe të bisedonin me orë të tëra, sa herë herë e humbnin konceptin e kohës dhe i bënin merak prindërit e Virginisë. Ndoshta Çajupi e ka ftuar Virgininë në teatrin e madh të Gjenevës për të parë operën Lohengrin të Richard Wagner-it, e cila aso kohe pati një pritje entuziaste në rrethet kulturore të Gjenevës. Çajupi me Virgininë ranë në dashuri me shikimin e parë dhe iu betuan njëri-tjetrit për dashuri të përjetshme. Eshtë e natyrshme që në atë gjendje shpirtërore, në të cilën ndodheshin ata, të kenë shkëmbyer romane rozë për të «mjekuar» dhe «kuruar» zemrat e tyre të dashuruara. Çajupi me Virgininë e provuan puthjen e parë gjatë një shëtitjeje buzë liqenit, ndërsa pikat e shiut binin si të marra mbi kryet e tyre, sa as pema e lartë me degë të gjëra ku ishin fshehur nuk mund t’i mbronte dot. Trupat e tyre të etur për dashuri u ndezën nga flaka e pasionit dhe buzët e Virgjinisë morën ngjyrën e perëndimit të diellit në det. Çajupi ia mori duart Virgjinisë në duart e tij, i përkëdheli ngadalë me gishtat e tij flokët e derdhura mbi supe, i pëshpëriti disa vargje dashurie që i krijoi atë çast për të, iu krijua iluzioni se kurmi i saj, duart, flokët, zëri i ngrohtë ishin prej ajri dhe që të dy ndien se rreth e qark kumbonte me zë të lartë vetëm rrahja e zemrave të tyre. Pas premtimeve, përkëdheljeve dhe puthjeve të nxehta, Çajupi e thirri Virgjininë duke qeshur me një emër luleje të oborreve gjirokastrite: manxuranë. Kur Virgjinia e pyeti me habi se ç’kuptim ka kjo fjalë në gjuhën frënge, Çajupi iu përgjigj latinisht: origanum majorana. Në fund të muajit maj të vitit 1890, duke shëtitur buzë liqenit të kapur dorë për dore dhe duke i çuçuritur njëri-tjetrit fjalë dashurie, Virginia i tha Çajupit që një qenie e vogël po hedh shkelma në barkun e saj dhe ajo ia dëgjon të rrahurat e zemrës. Çajupi e mori në krah Virgininë, e puthi lehtë në buzë dhe i tha që ndjehet njeriu më i lumtur në botë. Ditët, javët, muajt kalonin pa u ndjerë dhe shtatzania e Virginisë po arrinte pikun e saj, sa mund të krahasohej me një fik të pjekur rrekë që mund të bjerë nga pema nga çasti në çast. Në datën 1 janar 1891, Virginia lindi djalë në shtëpinë e saj në rrugën Paquis, 23 dhe Çajupi u bë baba, kësisoj ishte e natyrshme që të merrte përsipër detyrimet e tij prindërore. Po ju njohim tani me çertifikatën e lindjes së Etienne Bordon, djali i Çajupit dhe i
Virginie Bordon: “Të enjten – 1 janar – një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një – në orën një të mëngjesit – lindi – në Gjenevë, rruga Paquis Nr 23 – Etienne Bordon – djali i natyrshëm – i Virginie Bordon – beqare – Profesioni: pa profesion – nga Avusy (Gjenevë) – lindur në Avusy më njëzet e tre nëntor një mijë e tetëqind e shtatëdhjetë, bija – e Louis Bordon dhe Fanchette Perret – me banim në Gjenevë.“ Fëmija, lindja e të cilit është regjistruar në aktin bashkangjitur Nr. 10, u njoh nga babai i tij: Antoine Zaccos, djalë i Caritos Zaccos, me banim në Eaux-Vives, siç e provon një akt noterial i hartuar nga Z. Moriaud, noter në Gjenevë, në datën njëzet e një shtator një mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një, dërgimi i të cilit i është bashkangjitur aktit menjëherë.
Duke studiuar me vëmendje dokumentet e paraqitura më lart, nuk është e vështirë të kuptohet që Çajupi ka lënë pezull dy çështje të rëndësishme, të cilat kishin të bënin me të, me Virgininë dhe me djalin e tij Etienne Bordon. Çështja e parë për të cilën jemi shprehur me hollësi më lart ka të bëjë me faktin që Çajupi me Virgininë nuk u lidhën me njëri-tjetrin as me martesë civile, as me martesë fetare. Arsyet për këtë nuk mund t’i dimë sepse nuk kemi qenë brenda kanatave të asaj shtëpie dhe nuk kemi asnjë shpjegim as nga Çajupi, as nga Virginia. Kemi të njohur faktin se Çajupi nuk foli për një kohë të gjatë me të atin sepse ky i fundit nuk ishte dakord që Çajupi të martohej me Virgininë. Nga ana tjetër, nuk kemi gjetur asnjë letër të Virginisë që të shprehë mendimin e saj për një çështje të tillë. Eshtë i rëndësishëm gjithashtu reaksioni i prindërve të Virginisë, se ç’mendim kishin ata për martesën e Çajupit me Virgininë. A ishin ata dakord që të jepnin bekimin e tyre për një martesë të tillë? Në çertifikatën e lindjes së Etienne Bordon-it është shënuar vetëm emri dhe mbiemri i nënës së tij, Virginie Bordon për faktin e thjeshtë se Çajupi do ta njihte atësinë e djalit të tij dhjetë muaj më pas në 2 tetor 1891. Nuk kemi argumenta, fakte dhe arsyetime të tjera për të kuptuar përse Çajupit iu desh një kohë kaq e gjatë për të njohur atësinë. Kam humbur vite të tëra duke kërkuar në arkivat e Gjenevës duke kërkuar Stefanin, djalin e Çajupit, i cili në historinë e letërsisë shqipe dhe në veprat e Andon Zakos, cilësohet me emrin Stefan. Të gjithë studiuesit e Çajupit dhe unë midis tyre, kur kanë bërë kërkime për djalin e tij në arkivat e Gjenevës e kanë kërkuar me emrin Stefan Zako, ndërkohë që tani dokumentat dëshmojnë që një person me emër dhe mbiemër të tillë nuk ekziston. Mbetet e pashpjegueshme përse Çajupi e ka thirrur gjithmonë djalin e tij me emrin Stefan (ndoshta me emrin e gjyshit) dhe Virginie e ka regjistruar në gjendjen civile të Gjenevës me emrin Etienne.Vdekja e Virginisë në 7 janar 1891 do ta linte Etienne-in jetim dhe Çajupi i helmuar dhe i hidhëruar nuk dinte ç’të bënte me një foshnje që kishte shtatë ditë që kishte ardhur në jetë. Çajupi i kushtoi Virginisë te «Vajet» vargje të një lartësie të tillë artistike sa mund të konsiderohen se janë shkruar nga një penë shekspiriane. Fati i keq e solli që Virginia do ta përkëdhelte djalin e saj vetëm gjashtë ditë dhe nuk do ta shihte më. Po Çajupi a do ta shihte djalin e tij pas vdekjes së Virginisë apo atë do ta mbanin dhe do ta rrisnin prindërit e saj në Gjenevë? Nuk zotërojmë dokumente arkivore nëse Çajupi e mori me vete djalin kur u nis në Kajro dhe nuk kemi dokumente që të vërtetojnë në ç’datë Çajupi është larguar nga Gjeneva. A ka ndonjë dokument që të provojë që Çajupi të ketë shkuar bashkë me djalin e tij në Shqipëri? Do t‘i referohemi për të fundit herë prof. Dhimitër Shuteriqit në intervistën që i ka dhënë gazetarit Petro Mejdi në numrin 5 të revistës «Nëntori» të vitit 1966, sipas së cilës « …Stefani u sëmur nga tuberkulozi pas larjes në një lumë në Francë dhe ka vdekur në vitin 1919…» Nëse kjo e dhënë do të ishte e saktë, rezulton që Etienne Bordon ka vdekur në moshën 28 vjeçare. Lexuesi do të ishte i interesuar të dinte nëse Çajupi me Etienne-in i ruajtën marrëdhëniet at –bir, nëse Etienne e ka trashëguar damarin poetik të të atit, nëse kanë shkëmbyer letërkëmbim midis tyre dhe pyetjet do të pasonin njëra-tjetrën. Zbulimi i dokumenteve të reja për Çajupin, Virginie Bordon dhe djalin e tyre Etienne Bordon do të shërbejë për të ndriçuar më tej figura të tjera të rëndësishme të letërsisë shqiptare dhe në të njëjtën kohë bëhet një përpjekje modeste për të hartuar një jetëshkrim më të plotë për autorët e saj më të rëndësishëm. Andon Zako Çajupi është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, i cili ka lënë pas një trashëgimi të pasur veprash letrare, të cilat kanë ushqyer me mall dhe me atdhedashuri gjenerata të tëra shqiptarësh. Çajupi pati dhuntinë dhe talentin të bënte një kalim të butë nga letërsia e rilindjes kombëtare në letërsinë e realizmit kritik dhe këtë e ka dëshmuar me veprat e veta që janë aktuale edhe sot. Zbulimi i fakteve dhe dokumenteve të reja në të ardhmen do të shërbejë si një çelës për të hapur zemrën e Andon Zako Çajupit, për të kuptuar më mirë valët e qeta dhe valët e dallgëzuara që kanë mbushur dhe zbrazur shpirtin e trazuar të poetit…“

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here