Serbia ka një koncept të ri të politikës së jashtme. Ai është i zhveshur nga reliktet , që formësuan konceptin shtetformues të shekullit 19-të dhe zgjerimin në jug, por ushqen pretendimin e elitës serbe për rikthimin e hegjemonisë në rajon.
Koncepti i ri i politikës së jashtme serbe, bazohet shumë në atë të Rusisë së Putinit që ishte aprovuar në nëntorin e vitit 2021. Ai reflekton tërësinë e ankesave të përhershme ndaj Perendimit, të ambalazhuara me elemente të diskursit relativ paqësor.
Beogradi tutje dëshiron ta zgjerojë bashkëpunimin me organizatat e të drejtave të njeriut; të bëjë çmos që të aderojë një ditë madje edhe në BE; të përafrohet edhe më shumë me Uashingtonin, duke ia kaluar për nga djallëzia edhe pretendimeve të Moskës së pas viteve ‘80-ta, kur mëtonte të “ndërtonte marrëdhënie të dobishme reciproke” me Shtetet e Bashkuara, por duke pas parasysh mbi të gjitha investimet dhe tregun perendimor. Këtë kurs Rusia e ndërtoonte atbotë me SHBA-të, megjithëse e akuzonte për qëndrim jo miqësor” ndaj Rusisë.
Ka disa vite, të njëjtën logjikë në raport me SHBA-të e ndjek edhe Serbia, pavarësisht se në çdo përvjetor të bombardimeve të caqeve ushtarake serbe nga ana e NATO-s (çdo 24 mars), propaganda antiamerikane gumëzhinë deri në qiell, ndërkaq zërat më të artikuluar nga bota akademike serbe nuk prajnë të akuzojnë SHBA-të si kampion për prishjen e “Rendit ndërkombëtar”!
Rikthimi i hegjemonisë serbe në rajon
Koncepti i ri i politikës së jashtme i nënshtrohet plotësisht pretendimit që elita drejtuese e Serbisë sot ushqen për rikthimin e hegjemonisë në rajon. Në këtë rrugëtim Beogradi çdo hap të përafrimit me Perendimin e logaritë me peshorën e artarëve, duke insistuar që për çfardo “lëshimi” të mudnshëm që detyrohet ta bëjë, qoftë në raport me dialogun me Kosovën, qoftë në krijimin e imazhit për shkëputje të mundshme nga ndikimi rus, të përfitojë sa më shumë “garancione serioze dhe afatgjata sigurie” dhe financime të drejtpërdrejta nga Perëndimi. Në këtë rrugëtim Beogradi nuk ngurron fare që në çdo takim me karakter diplomatik, politik a ushtarak, qoftë ai i natyrës bilaterale a multilaterale, të parashtrojë “katalogët përkatës të kërkesave”, që do t’i hapnin rrugë realizimit të projektit strategjik serb “Bota serbe”, krejtësisht në përputhje me konceptin rus mbi “Botën ruse”.
“Ballkani i hapur” prandaj ishte e mbetet një projekt që përputhet, respektivisht e shpien tutje drejt realizimit faktik, atë qensorin — që e njohim si kopje të atij rus — projektin për “Botën serbe”.
Në ndihmë kësaj strategjie gjithësesi i vie pozicionimi i Kishës dhe një lagjeje të të djathtës ekstreme. Tashmë është fakt notar se në Beograd, sidomos në fillet e aneksionit rus në Ukrainë, kishte edhe protesta pro-ruse. Por edhe fakti tjetër shtesë se në Beograd dhe gjithandej në Serbi, pa përjashtuar as Mitrovicën e veriut, ku janë përqëndruar banda të ekstrimit të djathtë serb, shfaqen murale në respekt të Vladimir Putinit, ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar. Kur kësaj i shtohet edhe qëndrimi i luhatur i qeverisë serbe, shqetësimi i shteteve partnere evropiane duket krejtësisht i ligjshëm.
Por, nëse në javët dhe muajt e parë të luftës në Ukrainë, diplomacia europiane ishte pozicionuar qartë pro ushtrimit të presionit mbi Serbinë në raport me marrëdhëniet e saj me Moskën dhe qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë, me kalimin e kohës, këta zëra u heshtën. Atbotë, nëse i kthehemi kronikave, sipas njoftimeve të shtypit, spektri i masave të mundshme që paralajmronin Berlini, Brukseli…duhet të variojonte “nga heqja e përjashtimit të vizave dhe tërheqja e statusit të kandidatit, deri te largimi i investitorëve.” [1] Në fillim të marsit 2022, nëntë anëtarë liberalë të Parlamentit Evropian i patën shkruar Komisionit të BE-së, duke kërkuar ngrirjen e fondeve dhe pezullimin e negociatave të anëtarësimit në BE me qeverinë në Beograd, duke përfshirë zëvendëskryetarin Nicola Beer (FDP). Serbia po tregon “një lëvizje të rrezikshme drejt autoritarizmit” që është në “kontradiktë të fortë” me synimin e njëkohshëm për t’u anëtarësuar në BE, nismëtarët e justifikuan iniciativën e tyre: “Dhe kjo paqartësi kulmon me refuzimin për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”.[2]
Rikthimi i hegjemonisë serbe në rajon ishte pjesë përbërse edhe në Strategjinë e sigurisë kombëtare [2020], që përcaktonte shtatë interesa kombëtare prioritare të Republikës së Serbisë, dy prej të cilave cenojnë drejtpërdrejtë sovranitetin e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi; e para — ruajtja e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë, dhe e dyta — ruajtja e ekzistencës dhe mbrojtjes së popullit serb “kudo që jeton”, si dhe i pakicave kombëtare, identiteti i tyre kulturor, fetar dhe historik, i cili është parakusht për “mbijetesën e Republikës së Serbisë, të diasporës dhe serbëve jashtë vendit dhe të Republikës Srpska si një entitet brenda Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”. [3] Për realizimin e këtyre dy synimeve, koncepti i ri i politikës së jashtme, bazuar në vetëbesimin e ri të Serbisë që po e rishfaq hapur në përballje me trysnin e Perendimit në raport me politikat e saj me Rusinë, tok, paraqesin një kthesë serioze në politikën serbe, e cila padyshim “favorizohet nga rrethanat e reja gjeopolitike në rajon”. [4]
Në këtë kontekst, vlen të rikujtojmë prezantimin e fundit të një prej studjuesve më me peshë të gjeopolitikës serbe, Dr. Milomir Stepiq [Milomir Stepić], i cili është autor i një sërë hartash etnike të territorit të ish-Jugosllavisë dhe një nga nismëtarët e kërkimit shkencor me një titull sinjifikativ “Hapësira etnike e serbëve”.
Sipas Stepiq-it, Kosova është territori qendror — bërthama territoriale e Ballkanit — përmes së cilës mund të mos kalojnë komunikime të rëndësishme, por është e mundur të kontrollohen nga ajo zonë — Korridori 4 / Korridori 8 / Korridori 10 i trafikut shumë të shpeshtë pan-evropian. (Salzburg — Lubjanë — Zagreb — Beograd — Nish — Shkup — Veles — Selanik mbrohet nga NATO / Korridori që do të shpallet Nish — Prishtinë — Durrës). Stepić, konkludon autorja kroate dr. sc. Jadranka Poloviq, përdor tezat e gjeografit të famshëm britanik Halford Mackinder, si dhe të gjeopolitikanit amerikan, Nikolas Spykman, për të përcaktuar pozicionin gjeopolitik të Serbisë, të cilën ai normalisht e konsideron si “një vend me aftësi të kufizuara” pasi është pa dalje në det. Kështu, ai konkludon se “kushdo që vjen nga deti apo “vertikalja strategjike moravë-vardar ka aftësinë për të menaxhuar Kosovën dhe Metohinë, dhe kushdo që e kontrollon Kosovën dhe Metohinë si një fortesë makro të Ballkanit, kontrollon rajonin.”[5]
Ky fakt dëshmon arsyen reale të përballjes së Serbisë edhe me bombardimet 78 ditëshe nga ana e NATO-s dhe përkushtimin që kishte Shtabi Madhor i Ushtrisë Serbe, respektivisht lidershipi serb, që përmes aperacionit Patkoi [6], të kryente spastrimin definitiv të Kosovës nga elementi shqiptar, siç kishte bërë edhe me Toplicën [1878]. Rezulton se, që nga krijimi i shtetit modern serb, ky ishte gjenocidi i katërt që Shtatmadhoria e Ushtrisë serbe po kryente ndaj shqiptarëve,e që për objektiv kishte krijimin e rrethanave të daljes së Serbisë në Adriatik. Pushtimi i Kosovës [1912] ishte hap i rëndësishëm në këtë plan. Prandaj Serbia, pavarësisht se ka kapitulluar më 10 qershor 1999 në Kumanovë, nuk heqë dorë nga një territor i tillë me rëndësi të madhe gjeopolitike, Shih për këtë, Stepiq në studimin e tij, i sugjeron lidershipit serb shtyrjen e zgjidhjes, dhe konservimin e pozitës së “konfliktit të ngrirë”, me shpresë se kurdo që të ketë ndryshime të rëndësishme gjeopolitike, Serbia do të mund të rikthehet sërish në Kosovë.
Fundi gradual i ekuidistancës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit
Manovrimi midis Lindjes dhe Perëndimit ka qenë një traditë në Beograd që nga themelimi i shtetit [1878]. Kjo frymë do të kultivohet tutje, duke gëzuar mbështetjen e Perendimit sidomos pas shkëputjes së Jugosllavisë së Titos nga ndikimi i BRSS staliniste [1948].
Le të kujtojmë se edhe në vitin 2009, presidenti i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiç, I deklaroi BE-në, Rusinë, SHBA-në dhe Kinën si “katër shtyllat” e politikës së jashtme të Serbisë. Vuçiqi është vazhdues i këtij koncepti.
Në prag të luftës në Ukrainë Aleksandar Vuçiqi bëri një hap më tej nga kjo traditë, duke vizituar Kremlinin dhe duke i përcjell opinionit sllavofil gjithandej një foto të veçantë të tij me vozhdin e Rusisë — Vladimir Putinin. Me këtë rast duket se ai kishte marrë në konsideratë edhe mundsinë e hapjes së “Frontit të jugut”. Barrikadat e ngritura në verun e Kosovës në dhjetorin e viti 2022 dhe tensionimi I situatës prgjithësisht , duke urdhëruar tërheqjen e Listës Serbe nga Kuvendi dhe gjykatësve e policisë nga institucionet e vendit, ishin në këtë linjë veprimi. Gjithësesi, në rast se projekti për aneksimin e Ukrainës do të kishte përmasat e një operacioni ushtarak dhe do ët përfundonte me rënien e Kievit shpejt, siç ishte projektuar nga gjeneralët e ushtrisë ruse, edhe “Fronti I jugut” do të kishte filluar kaherë.
Për politikanët konservatorë serbë, respektivisht për të tri këndet e trekëndshit real të politikës serbe: Kishën, Politikën dhe Ushtrinë, marrëdhëniet e vendit me Rusinë mbeten alternativa e parapëlqyer kundruall anëtarësimit në BE. Ky koncept ka zanafillën e tij që në shek. 19-të, kur po hidhte shtat i ashtuquajturi model i shoqërisë sllave. Nëse kthehemi pak në retrospektivë, mësojmë se këtë koncept e shtroi fillimisht filozofi rus Nikolai Berdjajev (1874-1948), duke e përkufizuar teorinë sociale të sllavofilisë si një “teori shoqërore patriarkale-organike”. Vetë përkufizimi thekson rëndësinë e tre institucioneve më të rëndësishme për vetëkuptimin sllav: familja patriarkale si njësia bazë e komunitetit,
roli autoritar i patriarkut (babai në familje, i moshuari i fshatit në komunitet, sundimtari në shtet), si dhe këndvështrimi kishtar-ortodoks i unitetit organik të shoqërisë dhe shtetit, filarmonisë, si parim mbizotërues shtetëror dhe komunitar. të shtetit popullor. [7].
Megjithatë, nëse i hedhim një vështrim hartës botërore të tregtisë së jashtme dhe asaj të ndihmave zhvillimore, mësojmë se rruga ruse mbetet vetëm pjesë e resentimentit të së kaluarës serbe, meqë BE-ja, respektivisht Perendimi, zë vend qendror.
Ideali i politikës së jashtme të ekuidistancës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit duket se mund ta ketë një fund të shpejtë. Në kujtesën kolektive serbe, ajo epokë ndërlidhet me reputacionin e shtetit dhe zgjerimin e ndikimit të tij jo vetëm në rajon.
Marrëdhëniet serbo-ruse edhe në konceptin e ri të politikës së jashtme serbe nuk janë të shkëputura nga qëllimi i Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së.
Diskursi i të djathtës pro serbe në Mal të Zi, në esencë nuk dallon nga ai i kandidatit për president — Jakov Millatoviq, prandaj ai gëzoi mbështetjen e Kishës serbe në Malin e Zi, madje publikisht edhe ët ministrit të jashtëm serb, meqë ai, pra presidenti i ri i Malit të Zi, është në përputhje të plotë me thelbin e këtij koncepti. Rrjedhimisht Republika e Malit të Zi si anëtare e BE-së, vetëm sa e përforcon tezën e konceptit të ri të politikës së jashtme serbe.
Gjykimi racional dhe interesat gjeopolitike
Zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi dhe përgjithësisht raportet e Beogradit me Podgoricën, që si trekëndësh ndërlidhës kanë tashmë Kishën Serbe, në këtë koncept të politikës së jashtme të re serbe, në diskursin e politikës perendimore nëdrkohë anashkalohen jo pa qëllim. Në Serbi së fundmi, gradualisht, burbuja folklorike e ekstremit të djathtë që e përmbytëte zërin e arsyeshëm të elitës politike serbe, po ia lëshon vendin gjykimit racional mbi interesat gjeopolitike që duhet të ndiqen në drejtim të Republikës Srbska [Bosnjë] dhe Malit të Zi, pa e trandur diplomacinë perendimore, por duke e vënë në jetë ëndrrën e vjetër serbe për dalje në Adriatik. Mjetet e luftës hibride, kur japin rezultatin e duhur, nuk ka nevojë të zëvendësohen me “operacione lufte”, si ai i Putinit në Ukrainë, gjykojnë këta zëra me të drejtë. Mali i Zi e me këtë edhe vet kombi malazez, po hynë në trajektorën e historisë që gradualisht e nulifikon atë si shtet-komb modern.
Serbia megjithatë, nuk mbetet asgjë tjetër, përveç një shtet vasal rus që ka pretendime të qarta, natyrisht me miratimin e Kremlinit, në një të ardhme të afërt, të jetë “përfaqësuesja e Rusisë” jo vetëm në në Ballkan, por edhe në BE. Prandaj Kremlini tumirë objektivin e Beogradit për aderim në BE, siç tregon deklarata e cituar shpesh nga ambasadori kontrovers rus Konusin: «Nuk mund të them as që Rusia mbështet rrugën e Serbisë drejt Evropës. Janë serbët ata që duhet të mbështesin rrugën evropiane të Serbisë. Është diçka tjetër që nuk na shqetëson. Rusia do të mbështesë si gjithmonë vendimet që Serbia i merrë vet. […] Ajo për të cilën Rusia ka një qëndrim të qartë negativ është çështja e anëtarësimit të Serbisë në NATO.”[8]
Dhe, në fakt, sa herë që tema e NATO-s rishfaqet në publikun serb, qoftë edhe përmes pranimit të realitetit politiko-ushtarak se “Sparta” e tyre — Mali i Zi, tashmë është pjesë e Aleancës, nga Rusia nuk vonon e rishfaqet një kreshendo e re.
Qeveria serbe ka zgjedhur një politikë neutraliteti, edhe pse vendi është i rrethuar nga vendet e NATO-s. Ndërkaq shndërrimi i Malit të Zi në një republikë vasale të Serbisë, nuk do të thotë automatikisht që ajo ta tërheqë Serbinë drejt NATO-s. Përkundrazi, Malin e Zi, ky koncept i ri i politikës së jashtme serbe, po e projekton si hallkën më specifike të Aleancës të cilën mund ta shrytëzoj në dobi të strategjisë së saj — për rikthimin e hegjemonisë në rajon, madje edhe me mbështetjen e Perendimit dhe mbi të gjitha për dalje në ujrat e Detit Adriatik.
Serbia, qoftë edhe e përlogaritur me Srbska Republikën dhe Malin e Zi tok, si vasal i saj nesër, mbetet një treg i vogël për Rusinë. Por, me anëtarësimin, fillimisht të Malit të Zi, e më pas edhe të Serbisë në BE, Rusia gjithësesi do të kishte qasje më të lehtë në të gjithë tregun e BE-së. Madje jo vetëm në trgun europian, nëse marrim parasysh raportet e saj me pesëshen e BE-së që vazhdon të refuzoj ta njohin Republikën e Kosovës [Greqia, Qipro, Spanja, Sllovakia dhe Rumania], por ndërkohë edhe me Hungarinë, që po luan rolin e Kalit të Trojës për interesat ruse në BE, atë rol i cili i ishte rezervuar me kohë pikërisht Serbisë.
Për mendimin politik shqiptar dhe strategjinë e veprimit, do të ishte e rrezikshme që tutje të ekzagjerohen metafizikisht marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë. Rusia e Putinit qeveriset nga politikanë që përfaqësojnë interesat gjeostrategjike kombëtare. Prandaj ata ushtrojnë presion ndaj Serbisë për rishikimin e strategjisë së saj edhe në kushtet kur Kremlini vazhdon të jetë në luftë indirekt me Perendimin. Edhe nëse nuk ia ka dalë që ta imponojë “Frontin e dytë”, fill pas “operacionit ushtarak” ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, siç mirret vesh se ishin pajtuar paraprakisht me Vuçiqin, Rusia asesi nuk do të vazhdojë tutje t’i afrojë në tavolinë çekun bosh Serbisë. Prandaj ajo ka imponuar instrumentët e saj në Qeverinë Serbe, si puna e Ivica Daçiqit, Aleksandar Vulinit etj, të cilët ndjekin kursin e bazuar në mitet historike dhe idealet ortodokse, duke investuar për një të ardhme kur gjykojnë se pansllavizmi ortodoks do të shpërfaqë fuqinë e tij, qoftë edhe pasi Serbia të pozicionohet brenda BE-së. Shih për këtë, elita serbe me orjentim kuaziliberal, ndërkohë është hedhur në aksion për afrimin e Serbisë me Perendimin. Koncepti i ri i politikës së jashtme serbe është produkt i kësaj elite.
Në këtë lavjerrës që po imponon rikthimi i gjeopolitikës, megjithëkëtë, Serbia e sheh veten “jo si një armik të Perëndimit” prandaj konceprtin e ri të saj të politikës së jashtme e ka ndërtuar mbi faktin se shtetet individuale “njohin mungesën e perspektivës së politikës së tyre konfrontuese dhe ambicieve hegjemoniste” [9],serbe dhe duan të punojnë përsëri “pragmatikisht” me Serbinë.
Prandaj Beogradi dërgon në qendrat e vendimmarrjes diplomatët më të mirë dhe investon shumë për përfitimin e mbështetjes edhe të Perendimit për këtë koncept të ri të politikës. Në këtë ecje përpara, për dallim nga Rusia që “Perendimin kolektiv” e sheh si rrezik themelor” për sigurinë e Rusisë, Beogradi mëton t’i shndërrojë këto kontradikta në “burim të suksesit” për rikthimin e hegjemonisë serbe në rajon.
Përfundim
“Fundi i historisë” ka kohë që ka rezultuar të jetë një keqkuptim i gjykimit të nxituar politik.
Shkërmoçja e Jugosllavisë, e sidomos lufta aktuale në Ukrainë, po dëshmojnë katërcipërisht se triumfi i modelit perëndimor — alias i demokracisë liberale, nuk është diç që tumiret gjithandej. Se sa i lartë është potenciali i përshkallëzimit dhe rrjedhimisht rreziku i përhapjes së flakëve të luftës edhe në Europën Juglindore, na e dëshmoi dhjetori i 2022-ës. Por, nëse nuk disiplinohet Serbia nga ana e Perendimit, ai rrezik mund të rikthehet kurdo që Beogradit i leverdisë.
Pavarësisht faktit se Mali i Zi, tashmë është anëtar i NATO-s dhe që prej vitit 2009 edhe kandidat për aderim në BE, me pretendime të qarta që të përafrohet me Brukselin dhe të aderoj në Union, Serbia mbetet faktori dominues, jo vetëm në rrafshin ekonomik brenda vendit. Mali i Zi ndërkohë ka gjasa reale që të shndërrohet në në “Republika Srbska 2”.
Ish presidenti amerikan Donald Tump pat deklaruar se, nuk është i gatshëm të pranojë një Luftë të Tretë Botërore për Malin e Zi. Këtë mesazh e ka kuptuar mirë Beogradi. Prandaj është e një rëndësie vendimtare se çfarë sinjalizojnë nëdrkohë nga Uashingtoni dhe Brukseli, çfarë mesazhi i dërgojnë Beogradit. Prandaj për Beogradin merrë peshë specifike kursi i rrjedhës së luftës në Ukrainë dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA që priten të mbahen në vitin e ardhshëm.
Një dështim i mundshëm i Perëndimit në Ballkan do të kishte pasoja globale. Prandaj, nga perspektiva gjeopolitike e Perëndimit, “nuk duhet të ketë më vend për paqartësi: në rrugën drejt një perspektive të qartë evropiane dhe demokratike për rajonin, spiralja e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet përfundimisht në vitin 2023”.[10]
Ky proces duket se po ecën në rrjedhën e vet të natyrshme, por sërish duke qenë në akordancë me konceptin e ri të politikës së jashtme serbe.
______________________
1. https://www.zeit.de/politik/ausland/2022-03/serbien-demonstration-belgrad-russlands-seite-ukraine-krieg/komplettansicht
2. Po aty
3. Dr. Jadranka Polović: https://www.geopolitika.news/analize/dr-sc-
jadranka-polovic-strategija-nacionalne-sigurnosti-srbije-novi-geopoliticki-okvir-djelovanja-susjedne-drzave/
4. Po aty
5. Irena Ristić [teza e disertacionit]: https://epub.uni-regensburg.de/52901/1/Manuskript%20I.Ristic.pdf
6. https://www.spiegel.de/politik/deutschland/scharping-und-den-hufeisenplan-gab-es-doch-a-71972.html
Shënim: Një vit pas luftës, në përgjigje të propagandës serbe dhe asaj ruse, të mbështetur prej të ashtuquajturave forca të majta në Europë për gjoja “shpikjen e operacionit Patkoi”, ish Ministri gjerman I mbrojtjes ia pohon revistës Der Spiegel ekzistencën e planit.
Me këtë rast në artikullin në fjalë – shih linkun më lart, që në hyrje shkruan: “Ishte plani patkoi, i cili shërbeu si shkas i madh për luftën ajrore të NATO-s një vit më parë. Ministri Federal i Mbrojtjes Scharping e pohoi sërish këtë dhe hodhi poshtë akuzat se plani ishte shpikur për të justifikuar ndërhyrjen në Kosovë.”
7. https://library.fes.de/pdf-files/id-moe/09508.pdf
8. https://www.faz.net/aktuell/politik/ausland/putin-auf-konfrontation-russlands-aussenpolitik-konzept-18807505.html#?cleverPushBounceUrl=https%3A%2F%2Fwww.faz.net%2Faktuell%2F&cleverPushNotificationId=5fTDSgp69fvZdcA4B
9. Po aty
10. https://www.blaetter.de/ausgabe/2023/februar/kosovo-und-serbien-vor-der-naechsten-eskalation