Halil RAMA-Mjeshtër i Madh: Domosdoshmëria e mposhtjes së “dimrit” demografik

“Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë” – Kjo kredo e Fishtës është padyshim baza e Kodit Moral të shqiptarëve, si dhe e disa librave kanunorë që shërbejnë si burim i së Drejtës. Dhe padyshim edhe frymëzim i dhjetra penave të spikatura të letrave

Perifrazimi i Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, ishte padyshim mesazhi më kuptimplotë që Ipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj u drejtoi shqiptarëve për Pashkët 2023. Ndërkohë ai u bëri thirrje shqiptarëve ta kthejnë atdheun e tyre në një vend shprese, sidomos për të rinjtë e për familjet e reja. Kjo sipas tij për faktin se drama e shpopullimit dikton nevojën e mirëkoordinimit mes instancave qeveritare e atyre partiake, të çdo ngjyre, për ta ndaluar atë me çdo kusht e mjet.
Thirrja e tij është e fuqishme: “… të jemi kripa e tokës, drita e botës. Shqipëria të kthehet në sinonim shprese, Shqipëria të kthehet në një oportunitet dhe jo më utopi për zemrat e gjithë të rinjve dhe familjeve të reja dhe po ashtu për ato kategori që janë më të mënjanuara, ndoshta sepse nuk janë pjesë e një qarku të caktuar. Shqipëria të ketë forcën për të mposhtur dimrin demografik, jo vetëm për hemoragjinë e shkaktuar nga emigrimi, por edhe për uljen e ndjeshme të numrit të të lindurve”,
A nuk është kjo thirrje mishërim i shprehjes së Homerit shqiptar, kolosit të letrave Gjergj Fishta që duhet të gjejë vend sot më shumë se kurrë ndër shqiptarë?! Po. Shprehja hyjnore e poetit tonë kombëtar: “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë duke e përcjellë brez pas brezi.
Mendoj se nuk ka shprehje më të gjetur se kjo për të shprehur realitetin e shkueshmërisë fetare mes shqipatrëve.Vetë Fishta ishte modeli praktik i asaj harmonie ndërfetare që shqiptarët e kanë fe’ e përmbi fe’. Është shumë dmoethënës akti i priftit franceskan, intelektualit erudit, politikanit kombëtar, letrarit të shkëlqyer-kandidat për çmimin Nobel, At Gjergj Fishta, kur me çlirimin e Shqipërisë nga perandoria Osmane, do të ngrinte Flamurin Kombëtar në Shkodër, dhe në bashkëveprim me myftiun e xhamisë pranë, do të lidhte me konopin, ku ishin vendosur dritëza ndriçuse, këmbanoren e kishës me minaren e xhamisë, ndërkohë që në të dyja, edhe në minare, edhe në këmbanore, shpalosej Flamuri Kombëtar. Ka mbi një shekull që ka ndodhur kjo ngjarje dhe ende përcillet ndër breza si mesazh harmonie dhe bashkëjetese ndërfetare.
Sot më shumë se kurrë, kjo e At Gjergj Fishtës: “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”, është kredo e kombit shqiptar. Mbi këtë kredo, të gjithë e në veçanti strukturat shterërore e partiake të të gjitha ngjyrave duhet të punojnë fort për të ndalur dramën e shpopullimit të Shqipërisë. Pikërisht për këtë apeloi edhe Ipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj në ditën e shenjtë të festës së Paskëve. Në fjalën e tij, ai shpresoi për një të ardhme më të mirë në shoqërinë tonë, duke filluar nga institucionet e politikës e drejtësisë. Kjo për faktin se shpopullimi, kjo dramë e frikshme, ka prekur pothuajse gjithë Shqipërinë e sotme, ku janë braktisur fshtara të tërë si dhe qytete proviancialë. Ndaj dhe thirrja e imzot Arjan Dodaj është në koherence me këtë realitet të trishtë.
Por kredoja e Fishtës duhet të frymëzojë edhe OJQ-të, që ashtu si komunitetet fetare duhet të inkurajojnë tolerancën e mirëkuptimin mes tyre. Se nuk ka kuptim kundërvënia e shoqatës më të vjetër të skënderbegasve ndaj shoqatës së sapoformuar me emër të përafërt “Shoqata e Shkollës “Skënderbej”. Skëndebegasit patën dhe duhet të kenë të njejtin flamur, flamurin tonë kombëtar. Ata ishin dhe janë krenari kombëtare, por sipas ligjit për OJF-të kanë të drejtë të krijojnë shoqata të ndryshme. Kjo është në përputhje të plotë me kriteret e pluralitetit.
Po kështu edhe dy shoqatat e veteranëve të LANÇ. Nëse OBVL (Organizata e Bashkuar e Veteranëve) në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës kanë krijuar dhe bashkëveprojnë në kuadrin e Federatës Shqiptarë të Veteranëve të Luftrave të Popullit Shqiptar për liri e pavarësi, kurrësesi ajo nuk mund të sulmohet, përkundrazi duhet të mbështetet nga organizata tjetër partnere në Tiranë (që edhe ajo, pas një fryme konfliktualiteti të thellë mes drejtuesve të saj, duket se po shkon drejt ndarjes ne dy të tilla).
Kredoja e poetit të madh At Gjegj Fishta “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë” duhet të jetë kredo e bashkimit të shqiptarëve, bashkim ky i shumëëndërruar. Kjo kredo duhet të udhehqë edhe komisionin e ngritur pranë Akademisë së Shkencave për rishkrimin me vërtetësi të Historisë së Shqipërisë. Dhe po ashtu duhet të nxisë e inkurajojë instancat përkatëse shteterore dhe akademike për organizimin e një kongresi të drejtëshkrimit, ku t’i jepet vendi që meriton gegnishtes aq të pasur e të preferuar nga shqiptarët, për ta mbrojtur shqipen tonë nga bastërdimet e huazimet që po e mbysin atë.
Kjo kredo e Fishtës është padyshim baza e Kodit Moral të shqiptarëve, si dhe e disa librave kanunorë që shërbejnë si burim i së Drejtës. Dhe padyshim edhe frymëzim i dhjetra penave të spikatura të letrave, mes të cilëve do të veçoja: Zija Çelën me triptikun e romaneve “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe Banketi i hijeve”, Dr. Mujë Buçpapajn me studimin “Poezia liberale e viteve 70-të, vendi i saj në poezinë shqipe të shekullit të 20-të”, Teodor Laçon me romanin “Gropas ‘’67”, Rudolf Markun me romanin “Zemra është një vend i vetmuar”, Skënder Buçpapajn me librat poetikë “Zogu i bjeshkës”, “Poezi”, “Frika nga Atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, “Jubileu i shiut të çmendur”, “Imgur” e tjerë, Preç Zogajn me romanin “Anjeza nuk u zgjua” dhe novelën “Bija e vjetër e nënës së re”, Shefki Karadakun me romanin “Sagë Mbretërore”, Bashkim Hoxhën me romanin “Kronikat e mjegullës”, Namik Doklen me romanin “Covid 1984”, Prof.dr. Fatmir Terziun me veprën studimore shumëpërmasore “Toponimia e Gollobordës-Diskursi i dygjuhësisë dhe Derivati i Origjinës”, Ahmet Prençin me romanin “Anja”, Shefqet Mekon me romanin “Saga përtej Atlantikut” dhe novelën “Viza amerikane”, Shpendi Topollaj me librin “Klithma nga burgu”, Naim Berishën me romanin “Të jetosh në paqe”, Sakip Camin me librin studimor “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë” si dhe Prof.Dr.Astrit Meminë me studimin “Gjuha shqipe drejt një kuvendi të ri, për ma shumë plotni në standardizimin e saj”.
I evidentova jo pa qëllim këto veora letrare, por për faktin se në subjektet e tyre ka vërtetë shqiptarizëm.
Kredoja e Fishtës “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë” duhet të frymëzojë edhe ikakankët për t’u kthyer te vendlindja, si amanet dhe dëshmi, se vendi bëhet nga ata që e duan dhe nuk e braktisin, jo nga ata që e shajnë, ikin arratisen, fluturojnë larg dhe pastaj flasin për mall, për patriotizëm e dhédashuri, në karta dhe vargje rapsodike…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here