Poezi nga Emily Dickinson. Shqipëroi : Laureta Petoshati

Poezi nga Emily Dickinson
Shqipëroi Laureta Petoshati

NDJEVA NJË FUNERAL NË TRURIN TIM

Ndjeva një funeral në trurin tim
Dhe ngushëlluesit venin shkonin
Po më shkelnin-shkelnin – sa m’u duk sesi
ma dhanë ndjesinë që po depërtonin-

Dhe kur të gjithë kishin zënë vend
Një shërbesë si një trumbetë-
Po binte -binte – sa më shkoi në mend
Mendja ime po mpihej vërtetë-

Pastaj dëgjoj, ngritën një kuti
Dhe kërcitjen tejpërtej shpirtit tim
Me të njëjtat çizme plumbi përsëri,
Pastaj hapësira – nis një kumbim.

Sikur krejt qielli të qe një kambanë
Dhe qenia, veç një vesh, po ashtu,
Dhe unë, vetmia, ca paraardhës tanë,
Të ngecur, të vetmuar, këtu –

Dhe një dërrasë brenda arsyes thyhet
Dhe poshtë e më poshtë unë rrëshqas-
Dhe godas një botë e çdo skutë që shtrihet
Dhe e mbaroj së njohuri –më pas-

MEQË S’PO RESHTJA SË KËRKUARI VDEKJEN

Meqë s’po reshtja së kërkuari vdekjen –
Ai për mua ndaloi me njerëzi –
Karroca s’kishte gjë veç nesh –
Dhe ç’quhej pavdekësi.

Ne ngamë ngadalë – Ai s’pati nxitim
Unë lashë pas dore gjithsesi
Punët dhe kohën e lirë, pa pendim
Për sjelljen e tij plot mirësi –

Kaluam shkollën ku fëmijët rropateshin
Në pushim të madh- gjatë rreshtimit –
Kaluam fushën ku kallinjtë na zgjateshin –
Kaluam dhe diellin e perëndimit –
Ose më mirë – Ai te ne kaloi–
Me ethe të ftohta dilnin bulëza –
Nga e vetmja cipë e hollë e imja, bluza –
Vetëm prej tyli – shalli që më mbuloi –

Ndaluan para një shtëpie që ngjante
Një gungë e ngritur e tokës atje –
Çatia veç me zor nga syri kapej –
Trari i kulmit – futur në dhè –

Që atëherë, – ishin shekuj – dhe akoma
Ndihet më e shkurtër se vetë dita përsëri
Për kokat e kuajve që në fillim kuptova
Se shkonin drejt e në përjetësi –

SHPIRTI ZGJEDH SHOQËRINË QË I PËRKET

Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket—
Pastaj—e mbyll të vetën derë —
Në shumicën e saj të shenjtë —
S’pranon të tjerë —

Mospërfillëse—vëren karrocën —të ndalojë në udhë—
Te postblloku i poshtëm në skaj —
Pa e çarë kokën —një Perandor bie në gjunjë
Mbi rrugicën e shtruar të saj—

E kam njohur atë – nga një popull i madh –
Zgjodhi vetëm një—
Pastaj – mbyll kllapat e vëmendjes me radhë—
Si gur përgjithnjë—

NETË PAFRE – NETË PAFRE!

Netë pafre – Netë pafre!
Po të isha unë me ty
Netët pafre do të ishin atje
E jona kënaqësi!

Të kota – erërat me furi-
Për një Zemër në mol-
Bërë me një cak si kufi-
Bërë me grafik të hollë!

Duke vozitur potershëm në Eden-
Ah – deti aty!
Duhej veç të ankorohesha – sonte-
Brenda te ty!

UNË VDIQA PËR TË BUKURËN

Unë vdiqa për të bukurën, por ish vështirë
Të zija vend brenda në varr,
Kur një që vdiq për të vërtetën shtrirë
Prehej në dhomën pranë.

Ai pyeti butë pse jetën dhashë?
“Për të bukurën,” ia ktheva aty.
“Unë për të vërtetën- e njëjta gjë janë bashkë;
Jemi të një barku,” më tha ai.

Dhe, kur të afërmit u takuan një – natë,
Ne midis dhomave ca fjalë i thamë,
Derisa myshku te buzët shkoi larg,
Dhe mbuloi tërësisht emrat tanë.

Shqipëroi nga origjinali në anglisht:
Laureta Petoshati

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here