Më 12 tetor 2021 ministrja e Arsimit dhe Rinisë, Evis Kushi vizitoi Akademinë e Studimeve Albanologjike për t’u prezantuar me rektorin e sapogjedhur, prof.dr. Luan Përzhita dhe me Senatin e ri dalë nga zgjedhjet e 21 korrikut. Kryesia e ASA-s i kërkoi ministres:
-ASA të ketë një status special si institucion kërkimor, i integruar me arsimin e lartë;
-ASA-s t’i kthehen hapësirat e godinës (gjysma e saj) që i janë marrë në vitin 2013 nga ish-Ministria e Integrimit, gjë për të cilën ASA (Qendra e Studimeve Albanologjike në atë kohë) pati bërë edhe një notë proteste;
-rritje të buxhetit për ruajtjen dhe restaurimin e qindra-mijë objekteve (filmime, regjistrime etj.), pasuri kombëtare nën administrimin e ASA-s.
Në këtë takim, ministrja Kushi garantoi rektorin Përzhita dhe Senatin e ri, se ministria që ajo drejton dhe qeveria që ajo përfaqëson, “nuk do të ndërmarrë asnjë iniciativë që cënon autonominë e Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bazë të ligjit “Për Arsimin e Lartë” që garanton pikërisht autonominë e insitucioneve të kërkimit shkencor”.
Ajo do të theksonte se kjo autonomi është e përligjur edhe në saje të produktit shkencor që stafi akademik i ASA-s ka dëshmuar në këto 14 vite të ekzistencës së saj, me botimet, konferencat ndërkombëtare, praktikën universitare, po edhe me atë pasuri të rrallë muzeale që vetë ministrja do të shihte gjatë vizitës së saj në Muzeun Arkeologjik dhe në fondet e nëndheshme ku ruhen në stadarde evropiane rreth 44 mijë objekte arkeologjike në gjendje për t’u ekspozuar.
Pjesë e këtij diskutimi kishte qenë edhe kërkesa që Akademia e Shkencave të Shqipërisë i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë për kthimin e instituteve të albanologjisë në varësi të Akademisë së Shkencave, çështje që ishte rihapur edhe në debatin publik. Për sa i takon kësaj kërkese, profesorë dhe studiues të pranishëm në atë takim, si Aurel Plasari, Afrim Krasniqi, Nebi Bardhoshi, Hamit Kaba, Valter Memisha, Belisa Muka, Mikaela Minga etj., i bën me dije ministres së Arsimit se sa e rëndësishme është pavarësia e ASA-s kështu siç është, sot e 14 vite, si e vetmja strukturë që ka për mision studimin shkencor të historisë, kulturës e trashëgimisë së kombit shqiptar.
“Jemi me ju në çdo vendim që do të ndërmarrim për statusin aktual dhe të ardhmen e këtij institucioni”, tha ministrja Kushi. Institucioni që ajo drejton pret propozimet konkrete nga ASA dhe bashkëpunimin e saj për kërkesat e parashtruara më lart dhe për ndryshimet që do duhet të bëhen në ligjin “Për Shkencën”.
Një vit e gjysmë pas atij takimi, ministrja Kushi vazhdon të drejtojë të njëjtën ministri, por papritur ka ndërruar krejtësisht qëndrim. Ajo mendon se Akademia e Studimeve Albanologjike duhet mbyllur dhe se institutet e kërkimit shkencor duhet të kthehen në njësi me staf të kufizuar dhe kohë po aq të kufizur pranë Akademisë së Shkencave, e cila funksionon me një ligj që i njeh këtij institucioni vetëm vlera honorifike dhe nuk i atribuon detyra për kërkim shkencor.
Atëherë, cilën ministre të besojmë? Si mund të bëhet shkencë dhe punë intelektuale në rrethanat ku vendimmarrësit politikë nuk janë koherentë dhe i japin të drejtë vetes të veprojnë arbitrarisht për të centralizuar kërkimin shkencor?
Bashkëngjitur gjeni faqen zyrtare fb të ministres Kushi ku i bën jehonë vizitës së frytshme në ASA më 12 tetor 2021.
-https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=338046144787074&id=100057450729783
-https://www.facebook.com/kushievis/posts/337729704818718
#LiriaAkademikeASA