Një ditë në fshat ishte vendosur një hordhi ushtarësh të huaj. Mendonin fshatarët se ata po pushojnë për pak kohë dhe do ikin pastaj si hordhitë tjera më herët. Kaluan shumë ditë por hordhia nuk po largohej. Filluan të ndërtojnë kështjellë guri. Bardhoshët po pëshpëritnin në heshtje për fqinjët e rinj të armatosur. Deri asokohe nuk kishin parë ushtarë që ndalojnë aty për të ndërtuar ndonjë vend qëndrese. Muret e kështjellës filluan të lartësohen. Grupe të vogla kalorësish vizitonin hordhinë më shpesh. Edhe numri i ushtarëve shtohej çdo ditë. Me kalimin e kohës, fshatarët filluan të mësohen me ushtrinë e huaj dhe me të gjitha marifetet e saj.
Si mori emrin Zezë katundi, kur fshatrat përreth kishin emra si Dardhë, Mollë, Lajthi, Shurrëpelë, Shkemëz apo Frashër, ky është rrëfim në vete.
Ishte verë e nxehtë, por çdo ditë me riga shiu. Misri ende nuk kishte ndarë bukën. Në
arat e Zezës akoma nuk mund të gjendej ndonjë shtalb që ka formuar kokrra për ta pjekur. Derisa bagëtia po kulloste larg në fushë, barinjtë luanin së bashku. Kukudhi në të zeza iu kishte afruar barinjve si kalimtar i rastit. Kishte nxjerrë nga tarçuku dy-tre shtalb të pjekur misri dhe ua kishte dhënë barinjve. Asnjërit nuk i kishte vajtur mendja se akoma nuk ishte koha e shtalbave dhe ata po vinin pak më larg. Kukudhi me mjekër të parruar kurrë, krejt i leckosur më shumë i ngjante një lypësi.
Dukej mirë se ai njihte merakun e djemve. Barinjtë pa fije sherri i kishin marrë shtalbat e pjekur dhe kishin filluar t’i hanin me shije. Nuk ishin fëmijë të vegjël asnjëri prej tyre. Të gjithë ishin gati burra për martesë. Kanxhi, ishe thuaja në të tridhjetat. Ai njihej nga shokët si një mashtrues i madh. I pari e kishte marrë shtalbin dhe kishte filluar ta kafshonte sikur para kiametit. Halili ishte një më i pashëm e më i zhvilluar se shokët. Zakonisht rrinte vetëm. Kur kishte parë që kukudhi po iu jep barinjve diçka, ishte afruar edhe ai. Shtalbin që hante Kanxhi, sapo e kishte kafshuar tre katër herë, ia kishte dhënë menjëherë Halilit. As këtij nuk i kishte vajtur mendja për ndonjë djallëzi që mund të dali nga dhurata e kukudhit.
Pasi ishte kthyer në shtëpi, në mbrëmje, Halilin e kishin kapluar ethet e forta dhe zjarrmi. Nuk dinte askush se çka kishte ndodhur me të. Gjithë familja kishin mbetur zgjuar tërë natën duke u përpëlitur me djalin, pa ditur diçka për infektimin. Sëmundja ishte ashpërsuar shumë shpejt. Simptomat që kishte djali nuk i njihte askush. Për mjek e ilaçe as që behej fjalë. I vëllai i Halilit, Mujziu udhëtoi terë natën nga fshati Zezë deri në Pejë për t’i blerë diçka të vëllait për t’ia njomur gojën në atë gjendje që po i përkeqësohej orë e çast. Zijoshët, për mjek asokohe mund të kishin dëgjuar vetëm nga përrallat.
Derisa ishte kthye nga shehri, Mujziu nuk e kishte gjetur gjallë të vëllain. Halili kishte ndërruar jetë. Sëmundja kishte prekur edhe të ëmën e tij. Edhe ajo kishte vdekur pas tri ditësh. Lajmi se kjo sëmundje përhapet nga çdo prekje me të sëmurin, kishte alarmuar gjithë fshatin. Duhej izolim i plotë i çdo njeriu që ka simptoma të dukshme. Në ato rrethana që jetonin zijoshët, epidemia preku më shumë se gjysmën e banorëve të fshatit.
Sëmundja preku edhe familjen e kryeplakut. Ai kishte vetëm gruan me një vajzë dhjetëvjeçare. Epidemia të cilës nuk ia dinin as emrin, ia mbyti të shoqen brenda tri ditëve. Ata që i prekte kjo sëmundje vdekjeprurëse, nëse shpëtonin gjallë, mbesnin me pasoja të dukshme për gjithë jetën. Kryeplaku i fshatit mbeti gjallë, por lia e verboi. Vajzës së tij i damkosi rëndë fytyrën. Askush akoma nuk po kuptonte se çfarë ishte kjo murtajë. U sëmurën edhe dy vëllezërit e Halilit, por shpëtuan gjallë me shumë vragë. Ziun nuk e kishte prekur fare epidemia vdekjeprurëse. Vetëm pasi sëmundja kishte goditur shumicën e anëtarëve të familjes, ata kuptuan se e vetmja shpresë për t’iu shmangur kësaj sëmundjeje është izolimi i të sëmurit. Shumë kohë njerëzit spekuluan se kush e solli epideminë. Lili para se të jepte shpirt iu kishte treguar se prej kur e ka marr shtalbin për të ngrenë, ka filluar të ndjehet keq e më keq. Thashethemet se prej nga erdhi sëmundja nuk u ndalen për shumë kohë.
Asokohe, epidemia e Lisë së Madhe që u soll nga kukudhi në Bardh, kishte bërë kërdi. Sëmundja ngjitëse kishte shfarosur shumë njerëz. Nuk kishin asnjë ilaç shërimi. E vetmja mënyrë për të hequr qafe këtë sëmundje ishte izolimi. Disa familje që nuk ishin prekur akoma nga epidemia ikën përgjithmonë nga fshati pa gjurmë.
Fshatrat tjera e izoluan katundin Bardh aq shumë kohë e aq keq, sa pasojat u ndjen me vite edhe pas zhdukjes së epidemisë. Edhe shtegtarët e rastit shmangnin rrugën që kishin kaluar deri atëherë mes përmes fshatit. Krahas zvogëlimit të numrit të njerëzve, ishte zvogëluar edhe numri i bagëtisë në fshat. Frika për të kaluar nëpër rrugët e fshatit nuk ishte zhdukur për shumë vjet. Lia e kishte verbuar kryeplakun dhe ia kishte mbytur të shoqen. Bardhi kishte mbetur gjallë me një vajzë dhjetëvjeçare që kishte trashëguar emrin e gjyshes. Vajza jetime shpëtoi gjallë, por me fytyrë të damkosur si mos më keq. Fshatarët e vendbanimeve përreth, më nuk lidhnin as miqësi me fshatarët e Bardhit.
Vajza e kryeplakut ishte rritur për martesë. Përpiqej të kryente edhe ndonjë punë fushe. Ngado që duhej të lëvizte i ati i verbër, e shoqëronte e bija. Që kur ia mori sytë lia, ai shihte e punonte me ndihmën e duarve dhe syve të vajzës së tij, Bardhës. Me kalimin e viteve, sytë e vajzës, u bënë sy drite edhe për babin.
Në të katër anët e fshatit, dëgjohej ushtima e krojeve. Pemët e Bardhit njiheshin e dalloheshin edhe në qytet. Pozita e fshatit i tërhiqte të gjithë, por pas epidemisë, prej aty ikën edhe shumë nga ata që shpëtuan gjallë.
Bardha u rrit e u bë për martesë, por as që e kërkonte dikush për nuse. Njerëzit kishin kuptuar si ka shpëtuar gjallë ajo, por me shumë vragë në fytyrë. Ajo kishte qenë një vashë me bukuri magjike, por, pasi Lia ia prishi fytyrën, mbeti pa fejuar deri në moshën njëzetvjeçare.
Kështjella që ndërtuan pararendësit e ordhisë së huaj tashmë dukej nga larg. Ordhitë tjera vinin njëra pas tjetrës. Ngritën çadrat përreth kështjellës. Gjithë fshati po zhurmonte nga ushtrimet e përditshme të ushtrisë. Ata fshatarë që shpëtuan nga e epidemia e lisë, për shumë kohë nuk arritën të përtërijnë jetën normale e lere më të merren me ushtrinë që shtohej përditë.
Tabori i ushtarëve që ngriti çadrat në Bardh përbehej nga nizamë të të gjitha racave e ngjyrave. Kush dinte që padishahu zgjidhte rekrutët jo nga ngjyra apo kombësia që asokohe nuk njihej fare, por djem të rinj e të shëndoshë për shërbim ushtarak. Një ushtar zeshkan me trup atleti, me gjatësinë e zhdërvjelltësinë e tij dallohej nga të tjerët, kudo që kalonte.
Afër kroit të madh të fshatit, Zekziu kishte një kasolle farkëtari. Ai ishte bërë moti i njohur për punën e tij. Ardhja e ushtrisë, atij i solli mjaft punë e fitim. Ai farkonte me sukses çdo armë të kohës. Nuk kalonte ditë që të mos ketë punë edhe me ushtarë.
Vasha fytyrëvrarë nga lia, çdo ditë vere nxirrte bagëtinë në kullosë. Kthehej me të shpejt në shtëpi dhe vazhdonte punët e zakonshme. Vasha e Bardhit as që kishte menduar se mund ‘t’ia tërhiqte vëmendjen ndonjë ushtari, për shkak të fytyrës se saj të damkosur nga Lia.
Sa kalonin ditët, ushtarët herë pas here shëtisnin krejt të lirë nëpër fshat, ku kishin mbetur fare pak zijoshë.
Ushtarit karaxhoz-zeshkan, që kishte kaluar nëpër shumë beteja, nuk i kishte shpëtuar pa parë vasha që jetonte aty afër. Shikimet e ushtarit dhe bareshës ishin gërshetuar një ditë. Ato shikime plot zjarr dhe shpresë, nuk kishte fuqi që t’i ndalonte. Asnjëri nuk mund e frenonte vetën në atë moshë që kishin. Herë pas herë, ushtarët kalonin kohën e lirë me lojëra luftarake, që ishin të njohura aso kohe. Vasha fytyrëvrarë, përherë gjente ndonjë hapësirë mes gjetheve të drunjëve për të parë lëvizjet e rrufeshme të ushtarit zeshkan, të cilin nuk e kishte përfytyruar ndonjë herë në jetën e saj. Një dashuri e zjarrtë kishte filluar të lëshonte rrënjë në zemrën e saj. Ajo shihte përditë si kishin mbetur të shkreta shumë shtëpi. Rrënojat e kasolleve i kishin mbuluar shkurret kudo. Edhe thashethemet për të cilat ishte e njohur Zeza nuk përhapeshin si më parë.
Derisa ishte përhapur lajmi për dashurinë mes zijoshes dhe ushtarit zeshkan, kishin kaluar shumë ditë të asaj vere të nxehtë. Terreni plot shkurre, vashës ia kishte mundësuar edhe ndonjë takim me ushtarin karaxhoz, vetëm para syve të malit. Në fshehtësi të plotë, ushtari dhe vasha kishin kaluar çaste të zjarrta dashurie. Asnjëri nuk ishte i ri. Vasha e prekur nga Lia kishte mbetur shtatzënë. Askush nga zijoshët nuk kishte ide se ai ushtar që kishte kaluar shumë beteja do të mund të martohej me Bardhën e Bardhit.
Strategjinë e padishahut as që e kishte paramenduar ndonjë zijosh.
Ushtari zeshkan kishte njoftuar edhe eprorin e tij për këtë rast. Pashai, për këso rastesh, kishte autorizim që aty për aty, t’i lëshonte një tapi në letër, për zotërimin e cilësdo pjese të të tokës a malit, si shpërblim. Vasha fytyrëvrarë nga lia as që kishte dashur të largohej prej aty e ta linte të atin e verbër pa kujdes. Ajo kishte pranuar të martohej me ushtarin dhe të krijonte familje aty në fshat, pas përfundimit të ushtrimeve të verës.
Këto raste i shikonte dhe vlerësonte me simpati, vet lartmadhëria. Strategjia e tillë ishte përgatitur shumë më herët. Sa i përket vendosjes së ushtarit në shtëpinë e vashës nuk doli asnjë problem. Ajo ishte e vetmja vajzë e një kryeplaku të nderuar. U bë një martesë pa bujë. Shtëpia e vashës shtatselvi e syshqiponje, ishte bërë me zot. Pashai ishte njoftuar më kohë për çdo gjë.
Urdhëroi shërbimin që ushtarit t’i ndërtonin shtëpi të madhe me mure mbrojtëse përreth oborrit. Puna filloi menjëherë. Pa kaluar shumë kohë, fushën mes fshatit e zbukuroi një shtëpi-kështjellë madhështore, që nuk ishte parë kurrë më herët. Një martesë e përgojuar, tash ishte bërë lakmi për të gjithë. Edhe shumë vasha të fshatrave tjera kishin filluar të lakmonin jetën që bënte në pallat vasha fytyrëvrarë nga lia. Qiftit të ri iu dhurua aq shumë tokë, sa kishin të gjithë bardhoshët së bashku. Mbi njëmijë hektar tokë, me pyje e kullosa, me burime uji, ishin bërë pronë e ushtarit zeshkan të cilit tash i duheshin edhe shumë argatë krahu për punë në ara e livadhe.
Bardhoshët, pa një pa dy, fshatin e tyre filluan ta quajnë, Zezë. Në lindjen e parë, vasha e Bardhit polli dy djem binjak. Qifti i ri nuk merreshin me thashetheme. Linden dhjetë fëmijë me radhë, shtatë djem e tri vajza. Të gjithë djemtë u martuan me vajza nga fshatrat për rreth. Edhe, vajzat e beut zeshkan, u martuan me djem të fshatrave nga rrethina.
Pa kaluar shumë vjet nga ajo martese e përgojuar më pak se që e kishin zakon zijoshët, më nuk flitej me përbuzje por me pietet. Sa herë që Karaxhoz Beu kërkonte nuse për ndonjërin djalë, vargu i mesitëve nuk ia lëshonte derën. Në shtëpinë-pallat, në fshatin Zezë, po shërbenin shtatë nuse të reja, të bardha si bora, ndërsa tri vajza ngjyrë kafeje ishin bëre nuse në fshatrat e afërme. Fshatin, më askush nuk e thërriste me emrin e moçëm.
Askush më nuk pyeste për ngjyrën e ndonjë vashe apo djali të familjes së Karaxhoz Beut. Ata shikonin vetëm pasurinë. Emri i fshatit ishte bërë i njohur edhe në kryeqytetin perandorak. Me historinë e emrit të fshatit më nuk merrej askush.