Adem Nimani: Hija e nënës (pjesë nga ditari i Libertë

… Me Veronikën u kthyem edhe pas tri vjetësh në fshat, në atë oborrin ku kishte nisur shkatërrimi im i tmerrshëm.
Ajo nuk më lejonte të bëja edhe një hap vetëm. Malli me tërhiqte atje të rrënojat e shtëpisë ku isha martuar dikur. Shkova për të dytën herë pa një grimë shpresë për të dëgjuar qoftë edhe një gjysmë fjale shëruese për mua.
Po bisedonim me Veronikën në oborrin e shtëpisë ku isha martuar dikur!
Qëndronim në këmbë pikërisht aty ku më kishin rrëmbyer paramilitarët serbë.
Drejt nesh pamë duke ardhur dy vajza.
Njëra ishte sa më madhe se tjetra.
Sapo u afruan, na përshëndeten të dyja.
Unë po i shikoja më ma pak interesim.
Isha akoma e fundosur në humnerën ku më kishin hedhur barbarët serbë.
Veronika, duke qenë më e kthjelltë, po i shikonte me kujdes ato vajza nga këmbët deri në maje të kokës.
As që më shkonte ndër mend t’i pyesja diçka!
Për të mos i shqetësuar ato dy vajza, Veronika mu drejtua më zë të ultë!
-Hej Liberta!
-Pa shikoje këtë vajzën e vogël sa shumë të përngjanë?
Unë nuk prita fare!
Atë vajzën që ishte sa më e vogël se tjetra, e pyeta me butësi e qetësi, sa vjet i ke?
Ajo mi kishte ngulur sytë e po më shikonte si me mallëngjim.
Pesë vjet i kam, u përgjigj ajo!
Pa dale, dale, i thash vetës!
A…?!
Pastaj e pyeta vajzën që ishte më e rritur!
E kujt je ti?
Ajo tha se ishte e Hasanit! Atij Hasanit që ka shtëpinë atje pas kodrës!
Nuk më kujtohej fare ajo shtëpi! Ishte krejt në anën tjetër të fshatit, larg nga trualli ku isha martuar unë.
Veronika vazhdonte ta shikonte vajzën e vogël.
Liberta, kjo duket si me qenë vajza e juaj?!
Nuk mund të këndellesha e të mendoja seriozisht se mund të ishte gjallë vajza ime që e kisha lënë fjete atë ditën e kobshme. Sikur nuk me bënte aq shumë përshtypje çka po thoshte Veronika. Më mungonte çdo fjalë për t’i thënë diçka. Ishte vështirë të mendoja se vajza ime mund të jetë gjallë dhe ajo gjendet para meje. Duhej të kishte tash pesë vjet e gjysmë. Kujt mund t’i them se çka po përjetoja në ato çaste me dukej krejt e pakuptimtë.
Veronika, me bindje të fortë shikonte akoma vajzën dhe me siguri krahasonte shumëçka që kishte ajo që po më përngjante mua. Mund të jetë motra e kësaj vajzës tjetër që ishte paksa më e rritur dhe dukej gati sikur të ishin motra. Si një porosi hyjnore për të mos kuptuar asgjë derisa të pyesim dikë në shtëpinë e tyre, as që iu bëmë pyetje të tjera atyre vajzave. Çdo fjali që shtonte Veronika, dukej më e vendosur për të pyetur më shumë dikën nga familja e atij farë Hasanit për vajzën që po na shikonte aty përpara nesh. Pas hamendjes time të pashpresë, e shikova edhe një herë vajzën e vogël më tepër nga kureshtja që më kishin zgjuar fjalët e Veronikës. Aty për aty, mendova se po të pyesnim në nga shtëpia e atij Hasanit, mund të trazonim edhe familjen e dikujt pa hak e pa hile apo edhe të shkaktonim huti pa asnjë qellim për të trazuar dikën tjetër për hallin tim.
Të shkojmë të pyesim dikën më të rritur në familjen e Hasanit, i thash më zë të ultë Veronikës.
Hipëm në veturë duke marr me veti edhe vajzat! Shkuam atje!
Pas kodrës, atje në atë shtëpi gjetëm një grua jo shumë plakë, me tre fëmijë të rritur!
Kishim vendosur ta pyesim pak më shumë për vajzën e vogël e cila më ngjasonte aq fort!
Gruaja nuk na njihte fare. Unë i tregova kush jam. Sa fjalë që unë nxirrja nga goja, ajo grua dukej sikur tronditej duke pritur zgjidhjen e enigmës për të cilën kishim shkuar në atë familje, ku ndoshta kishin pritur me padurim këtë çast. Mua nuk as më shkonte ndërmend se çka po përjetonte ajo, duke menduar për veti se çka të them unë. Nuk ishte lehtë të thosha diçka që do të trazonte një familje që mund të mos kishte lidhje me atë që do pyesnim ne. I tregova pak fjalë si kisha shpëtuar dhe si tash kisha mbetur e vetme nga familja ime. Gruaja para nesh, dukej sikur kishte pritur aq kohë që të kuptonte diçka për vajzën që tashmë ishte rritur nën kujdesin e saj. Më dukej se fjalët e mia kishin hequr çdo dilemë të saj. Vetëm priti se çka po them dhe ajo nisi të flas me lot në faqe.
– Mos e provo zot njeriun çka është në gjendje të përjetojë e të mbetet gjallë! Çka kemi përjetuar e si jemi kthyer pas luftës?!
-Burrin, më nuk e kam gjall! Djali i madh tash po kujdeset për do punë burrash që ka nevojë familja. Nuk i ka tre muaj që ka vdekur burri im. Këtë vajzën e gjeti ai. E solli në shtëpi i tronditur fort. Atë ditë që e ka sjellë, as nuk e ka fol një fjalë për të. Ai kishte parë çka kishin bërë paramilitarët serbë në lagjen tuaj, por nuk kishte hasur njeri të rritur për të kuptuar diçka më shumë. As ashtu, në këtë jetën që bënim, burri im nuk ka fol shumë.
Kisha dëshirë ta pyesja ku e gjeti vajzën, apo mos ia la dikush amanet?! Këso pyetjesh ai nuk duronte. E ka ndihmuar ushtrinë tonë me gjithçka që kemi pasur. E ka pasur mërzi me e pyet diçka!
Edhe kur kanë fjet ushtarët tanë në odën tonë, nuk ka fol kush ishte a pse ishte. Thosha vet me veti, kur e solli vajzën, mos ia ka lënë amanet dikush nga ushtarët?! Ku me ditë? Ditë e natë largohej e kthehej në shtëpi pa thënë edhe një fjalë. Ashtu e solli edhe vajzën. As nuk e ka përmend një emër. Nuk ka fol kurrë për vuajtjet që ndjente kur e shihte vajzën pasi mbaroi lufta. Atje në atë shtëpinë e rrënuar më nuk kthehej askush. Ai ndoshta e ka ditur që kjo vajzë është e asaj familje, por nuk e tha kurrë.
Vajza e vogël nuk as nuk dinte të tregonte asgjë.
Nuk di si tua them, por na nisëm ta thërrasim Hije.
Plaka tregoi krejt çka i kishte treguar i shoqi i saj, kur e kishte gjetur vajzën.
Hasani, që vdiq pas luftës, një ditë kishte dëgjuar se dikush i ka vizituar ato shtëpitë e djegura.
U interesua shumë për të kuptuar diçka më tepër, por sëmundja nuk i dha afat! Vdiq pa kuptuar a mbeti dikush i gjallë prej asaj familjeje!
Kur iu ka parë dikush juve, kur keni ardhur të parën herë, burri im qe tronditur tepër, por nuk fliste asgjë!
Nëna filloi të tregonte fije për pe krejt çka dinte.
Atë ditë që kanë hy policia në atë lagje, as neve nuk na ka tregua çka kishte parë me sy aty.
Nuk mund të flinte plaku pa shkuar për të parë nga afër a ka mbetur kush i gjallë, e nuk i dihet?! Shtëpinë nuk e kanë djegur atë ditë. Kishte shikuar kudo nëpër dhoma dhe nuk kishte hasur njeri të gjallë as të vdekur. Këtë vajzën e vogël, që atëherë mund t’i këtë pasur dy-tre vjet, tha se e kishte gjetur strukur në oborr. Më kurrë nuk kam guxuar as ta pyes diçka më shumë për këtë vajzë. Vetëm e di se prej kur e ka sjellë vajzën në shtëpinë tonë, më nuk i zihej vendi vend.
Vajza, akoma nuk dinte ta shqiptonte emrin e vet!
Kur fillonte të thërriste me zë mami, mami, na të gjithë qanim bashkë me të!
Pastaj qante shumë! E merrnin fëmijët e mi dhe dilnin jashtë për ta mashtruar dhe për t’ia ndalur vajin!
Sapo e kthenin, ajo serish kërkonte nanën e vet! Sa ditë që kalonte, ajo qante ma rrallë!
Pasha loken, shumë herë jam mshef me kajtë, për mos m’em pa as fëmija e mi.
Kur nuk mund e pajtonim në shtëpi, burri jem e merrte vajzën ngryk e dilte deri larg në mal për ta qetësuar. Ishalla nuk e provon zoti askënd! Mbasi ishte e vogël u mësua shpjet me këta fëmijët e mi.
Nuk dinim as çka po bahet me neve? Kur na kanë tregua se duhet me ikë të gjithë, edhe na u larguam nga shtëpia jonë.
Nga ajo ditë, kjo vajzë jetoi me neve. Na dërguan në kampin e Bllacës. Shpejt u mësuam me te. Në atë gazep, këta fëmija e mi, gati gjithë kohen e kanë mbajt në krah e në dorë.
Aty në Bllacë, mori loke edhe burrat me u nda, hupshin e nuk i gjenin, e le më një fëmijë.
Ai burri jem më duket e ka bajt në shpirt edhe kur vdiq. Më duket sikur i mbeten sytë qel a po e gjente dikën nga familja e saj.
Se ku e gjeti, si e gjeti, apo dikush ia la vajzën në besë, burri im nuk tha kurrë asnjë fjalë më shumë.
Po kujt t’ia linim në dorë këtë sabi, oj loke?!
E kam këqyrë ma shumë se fëmijët e mi. Jemi munduar të gjejmë ndonjë lidhje me familjen e saj, por kot. Plaku gjithmonë thoshte se fëmija është i asaj familjeje dhe i asaj shtëpie. Çka ka ditur plaku më shumë, nuk kuptova. Tjetër nuk më ka treguar asgjë. Ndoshta ai e ka ditur edhe e kujt ishte ajo vajzë me emër?!
Kështu është puna e luftës, loke!
Plaku shumë herë ka pyet për atë familje, por askush nuk thoshte edhe një fjalë të besueshme.
Një kohe pas luftës, kemi dëgjuar se shtëpinë e djegur e kanë vizituar dy gra, dhe kaq. Nuk di tjetër! Bile tash e mësova si duhet edhe emrin e saj.
Elira!
Po, kjo është vajza ime, kam piskatur si e çmendur!
Vajza vetëm më shikonte!
Shumë ishin tri vjet që nuk e kisha parë, duke e menduar të djegur aty ku e kisha lënë në dhomë, nga ajo ditë që filloi fatkeqësia ime.
Sa shumë ndryshon një fëmijë duke u rritur, thosha vet me veti!
Për ta bindur veten, nuk mendova gjatë!
Krejt çka kisha mbajtur mend ishte një gjurmë e gishtit të gjashtë, anash gishtit të vogël të shputës së këmbës së majtë. Elira ka pasur në këmbën e majtë pesë gishta dhe pak gjurmë të gishtit të gjashtë, anash gishtit të vogël të shputës së këmbës së majtë.
E tmerruar nga gëzimi, i thash asaj vogëlushes: A mund ta heqësh çorapen nga këmba e majtë, loçka ime? Ajo u përul dhe e hoqi çorapen!
Më nuk kishim asnjë dyshim!
Nuk e përmbaja vetën më!
Iu kam lutur Veronikës të mos me ndalonte të qaja derisa të më mbante shpirti!
Zoti ma ktheu shpresën e vogël që do rritet me mua.
Ajo Shpresa plakë që më kishte gjetur me frymë në mal, ajo që më ktheu mua në jetë, paska qenë shpresë për mua e për Elirën!
Ishte vështirë t’ iu besoja syve!
Për çka të mendoja më parë?
Harrova vetën fare!
Në gjithë atë ferr në të cilin isha fundosur, depërtoi një fije e hollë drite!
Do të kem me kënd të jetojë pjesën tjetër të jetës, i thash vetës.
Mund të vizitojmë varrin dhe përmendoren e babit Arban, e t’i vendosim lule sa herë vjen pranvera, dhe në çdo përvjetor të lirisë së Kosovës, po i thosha pa zë Elirës, e cila akoma nuk ishte kthjelluar për të kuptuar gjithë atë që po përjetoja, sikur të isha ngjallur nga varri.
Elira as që e kishte të qartë atë që po përjetoja unë!
Kush e di, ndoshta ajo kurrë nuk do të kuptojë as biografinë time as të sajën. Kur të rritët, së paku do të ketë në mendje rrëfimin tim, si një përrallë plot kthesa tragjike.
Elira, së paku nuk do të kuptojë kurrë atë që ka përjetuar e ëma e saj me trup e shpirt.
Edhe kjo është punë e mirë!
Për luftën e asaj dite dhe krimin që kishte ndodhur aty, kishin mbledhur dëshmi edhe komisionet ndërkombëtare. Dëgjoheshin zëra se për kriminelët do të ketë gjykim në Hagë. Për krimin serb mbi familjen tonë, kishin kuptuar shumë njerëz. Se kush nga të gjallët do të ftohet për të dëshmuar në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, akoma nuk dihej!
Po unë kush isha?
Asnjë fjalë nuk e kam shkruar ku kam lindur e ku jam rritur, derisa u njoha me Arbanin! Kjo pjesë e biografisë mund të jetë enigmë më e madhe dhe më tragjike se ajo e çnjerëzimit tim.
Humanizmi nuk ka kufij. Edhe po të jetoja njëqind vjet nuk do të mund t’ia shpaguaja mundin gazetares zvicerane.
Nga Veronika, çdo ditë e më shumë fitoja besim në vetvete!
Po mësoja gjuhen frënge, për të cilën kisha goxha njohuri nga shkolla.
Ishim bërë të pandashme me gazetaren zvicerane.
Ajo ishte bërë shtyllë ku gjeja mbështetje çdo herë.
Ajo udhëtonte nëpër shumë vende të botës.
Më tregonte diçka të re sa herë kthehej në Kosovë.
Kisha filluar edhe vet të shënoja rrëfimet e grave e vajzave të dhunuara. Fletoret e mia po mbusheshin një nga një. Nuk më hiqeshin nga mendja as prindërit që më kishin rritur.
Shkova edhe në fshatin tim ku kam lindur. Gjithçka dukej e shkretë. Në shtëpitë e djegura, nuk ishte kthyer askush. Oborrin ku jam rritur e ku kam lozur si fëmijë, e kishin mbuluar shkurret.
Derisa e kam njohur Veronikën, as që më kishte ra nder mend kush isha unë para se ta njihja Arbanin?!
Në një çast, krejt pa pritur, po mendoja për prindërit që më kanë rritur, dhe pse ata më kishin pasur vetëm mua? Kurrë më parë nuk kisha menduar për këtë! Nuk mbaja mend të më kishin thënë edhe një fjalë të ligë. Vendosa të hulumtoj krejt çka mundem për nënën e babin që më kishin rritur. Herë herë, më shkonte mendja, se ndoshta ata mund të mos kenë qenë prindërit e mi biologjik?!
Shumë njerëz konsiderohen të zhdukur!
Për fatin e tyre nuk dihet asgjë.
Në këtë kategori i kanë radhitur edhe prindërit e Arbanit!
Me të gjitha mundësitë e mia ndiqja çdo lajm për fatin e të zhdukurve!
As prindërit e mi as të Arbanit nuk kanë varre, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Çdo fjalë, çdo bisedë për të zhdukurit më shkakton dhembje!
Dëgjoja të thonë se gjurmimet po vazhdojnë kudo që shfaqet ndonjë dyshim për varrezë masive. Në shumë raste, kufomat janë gjysmake. Identifikimi i tyre vazhdon me muaj e vite. Jo një herë pati edhe varrime e zhvarrime të gabuara.
Në jetën time nuk kam menduar kurrë të bëhem gazetare, por pas shoqërimit me Verën, me dukej që këtë profesion e doja përditë e më tepër. Sa më shumë që shkruaja, më dukej sikur herë-herë harroja tmerrin e përjetuar.
Ditë e më tepër mendoja më shumë për gjera që japin shpresë për jetë.
Elira vrapon pas meje ngado që lëvizi!
Edhe kur ngritëm për të bërë diçka në kuzhinë, ajo më ndjek në hap.
Çdo prekje e Elirës me duket që më kthen në jetë.
E kam pyetur vetën shpeshherë; çka do të thosha për veti, po të isha rritur në strehimore jetimesh?!
Çka do të thosha po të kisha qenë edhe vet fëmijë i braktisur?
Çka do të thosha për prindërit që do të më kishin adaptuar?
Sa kohë nuk do të kisha pasur as emër!
Gjithë jetën do të kisha në shpirt një enigmë që nuk do të zbërthehej kurrë.
Edhe në ëndërr më dëftohen fëmijët e braktisur.
Një fëmijë i braktisur mund të jetë fryt i një dashurie të vrarë.
Mund të jetë fryt i dhunimit!
Mund të jetë fëmijë i padëshiruar i një qifti të ndarë padrejtësisht!
Ai fëmijë është rritur në barkun e një nëne.
Doja të kuptoja gjithçka që kishte ndodhur me mua akoma pa lindur, por tash ishte vonë.
Gjithçka lidhej me fatkeqësinë time.
Dosjet e fëmijëve të braktisur janë me shifër tepër sekret dhe ashtu mbesin sa të jemi gjallë.

Një foshnje të braktisur në udhëkryq, Bardhi e kishte marr e rritur me fëmijët e tij. Hija, e shoqja e Bardhit, e kishte ushqyer bashkë me djalin e vet që e kishte për gjini! Nëna Hije ia kishte lënë foshnjës emrin e vet!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here