Adem Nimani: KONAKU DHE KOÇAKU, TREGIM

Heshtja nuk ishte logjistikë e besueshme për Kryetrimin. Gjyshi atë natë nuk po bëhej rehat edhe pse kishte ardhur koha gati të këndonin edhe gjelat e parë për arritjen e ferkut. Nipi që flinte në odë me gjyshin u zgjua disa herë gjatë natës, por nuk mori guxim ta pyeste plakun pse nuk po behej rehat me asgjë. Nipi zgjuar, gjyshit i dukej si njëfarë ndihme për të mos u kotur rastësisht.
-Është dashur të ishin këtu në këtë kohë, foli vet me veti më zë plaku!
Kjo fjali sikur ia zgjoi kërshërinë nipit që zgjohej orë e çast pasi kishte parë brengen e gjyshit.
-Po kush vjen tash o gjysh?- e pyeti i përgjumur.
He more babëlok! Më me rëndësi është konaku se kocaku!- pëshpëriti me gjysmë zëri gjyshi. Kjo fjali iu ngjitë nipit në tru si rriqra . Sa binte e mbulohej me jorgan, sytë nuk i mbyllte dot. Donte të kuptonte me çdo kusht fjalinë që tha gjyshi, por assesi nuk po ia përthekonte mendja se ç ‘deshi të thoshte burri plak, i cili e dinte se nipi nuk po rehatohet mu për shkak të gjyshit që nuk po flinte dot.
-Do ta kuptosh edhe pak se kush do të vjen, shtoi plaku me zë.
Ishte bërë një javë që kur çeta e vogël ishte kthyer nga Shqipëria. Kryetrimi kishte muaj që nuk kishte parë shtigjet nëpër të cilat kthehej pasi çdo herë i duhej të ndryshonte drejtimin për t’iu shmangur ndonjë prite. Ngado i shkonte mendja. Si do të gjente konakët që kishte lënë kur kishte kaluar kufirin që ndante tokat shqiptare. Kryetrimi fliste tepër pak dhe rrallë! Ashtu ishin mësuar edhe shokët. Në odën e Metit, pesëshes që kthehej do t’i bashkoheshin edhe pesë trima të tjerë që kishin dimëruar nëpër konakë të sigurt.
Para se të fliste me zë, Kryetrimi mendonte gjatë. Andej nga kalonte zhdukej si fryma.
-Sa nevoja ka njeriu i gjallë more dai, kishte filluar t’i rrëfente gjyshi nipit atë natë që po priste dikë, por askush nga familja nuk dinte asgjë. Më duket sikur edhe malet ia kishin dhënë fjalën Kryetrimit se do të jenë strehë besnike e tij sa të jetë gjallë. Dhe ato male e mbajtën fjalën duke ruajtur trimin në gjirin e tyre në çdo kohë e stinë. Logjistikë për çetën e vogël ishin edhe shpellat, që as sot e kësaj dite, shumica e tyre nuk dihet ku janë. Ato mbeten sekret edhe njëqind vjet pas vdekjes së Kryetrimit. Askush asnjëherë nuk ka fol se ku i ndërronte rrobat kryetrimi, ashtu siç ka nevojë njeriu. Kryetrimi kalonte ditë e net të tëra ndër male. I dallonte mirë njerëzit që mbajnë fjalën.
-More bir, asokohe rrallë kush kishte dy palë tirq për t’ia dhënë një palë Kryetrimit. E ndihmuan njerëzit atje ku nuk depërtoi kurrë pabesia. Vashat e nënat tona ia kanë pastruar e arnuar teshat, pa pyetur kurrë të kujt janë. Pak kujt mund t’i ketë vajtur mendja se ku flinte kryetrimi. Vetëm kur zhvillohej ndonjë betejë e fortë, lajmi merrej nga krismat e armëve. Dihej se andej pari do të ketë kaluar çeta e vogël, e cila rritej edhe sipas stinëve. Kryetrimi caktonte përbërjen e nevojshme. As pas njëqind vjetësh, askush nuk e hapi gojën të thotë se e ka pasur në konak Kryetrimin. Kurrë nuk mund të ketë dëgjuar dikush se filan nëna ia ka larë teshat kryetrimit. Nuk e tha edhe një njeri se këtu në ketë odë i shtruam drekë e darkë kryetrimit që ushqente shpresat e popullit se liria do të vjen një ditë.
Armiku e ndiqte në hap! Me kalimin e kohës, po ai armik përhapi edhe fjalët se Kryetrimi fluturon me krih. Atë nuk e rrokë plumbi i pushkës. Pastaj si me magji këtë po e besonin edhe shumë njerëz.
Atë natë, derisa po ecnin pesë shokë, heshtja mbytëse gjatë rrugës po ia shtonte dyshimin. Te Meti në Shurrëpelë kishte vendosur të hante drekën e Bajramit. Ishte i bindur se ka pak gjasa të hanin bukë brenda, pasi ajo shtëpi ishte fare pranë rrugës. Ishte hera e parë që Kryetrimi nuk u qetësua për asnjë çast duke u rropatur se gjithë kjo heshtje nuk është shenjë e mirë. Sa ditë kishin ecur maleve duke u kthyer nga Shqipëria nuk e kuptoi askush. Së paku nuk ishte dëgjuar ndonjë pëshpëritje se Kryetrimi me shokë do të bënte konak në një fshat shumë afër stacionit të xhandarmërisë.
Babëloku ka shëtitur shumë kohë edhe në fshatra tjera, por nuk e gjeje dot një njeri që tregon se këtu apo aty e ka parë. As për ardhjen e çetës në konakun e Metit nuk ishte dëgjuar ndonjë fjalë. Si njëfarë mallkimi, ato ditë heshtja mbretëronte kudo.
Çeta me pesë veta kishte arritur në Mirushë. Nuk kishin pushuar mirë deri në udhëkryqin e maleve të Mirushës. Aty ku pak vite më parë kishin gropuar istikamet, u ulen për të pushuar më mirë, pasi i priste udhëtim më i gjatë natën deri në Shurrëpelë.
Në ketë histori dallohej akoma emri i Shaquas. Po të tregonte plaku historinë e Shaquas, nipi do mbetej pa gjumë edhe për shumë net. Mendonte plaku se për nipin është tepër e pakëndshme t’ia tregonte krejt historinë e Shaquas dhe si doli në mal ai, e si ju bashkua luftëtarëve të lirisë deri në vdekje.
Shaqua iu kishte bashkuar rezistencës akoma nën pushtimin osman dhe ashtu i erdhi puna që vendi i tij të pushtohej nga serbet në vitin 1912. Pushtuesi i ri, Shaquan si kryengritës të njohur e arrestua befas në shtëpi dhe e patën dërguar asokohe në burgun e Shkupit. Me hyrjen e pushtuesit bullgar në Shkup, qytetarët e rebeluar thyen burgun dhe ai bashkë me shumë të burgosur të tjerë shqiptarë, doli prej aty dhe u kthye në Zezë. Emri i Shaquas ishte i shënuar edhe në defterët e pushtuesit të ri. Xhandarmëria serbe e arrestoi së dyti herë në shtëpi duke e dërguar në burgun e Deviçit. Pas disa muajsh në burg , një natë dimri, Shaqua ia kishte dal të arratisët edhe nga ai burg. Prej aty kishte arritur natën në fshatin Bardhëzë, në shtëpinë e Fejziut, të cilin e kishte dhëndër. Zbathë nëpër borë dhe vetëm me këmishë e done veshur, pas mesnate ia kishte behur në konakun e mikut.
Shaqua qe vrarë shumë shpejt në përballje me pushtuesin. Shokët nuk kishin arritur ta nxjerrin nga kulla ku u vra. Në këtë udhëtim të gjatë askush nuk fliste me emër për Shaquan që po mungonte për herë të parë. Mirusha ishte akoma tepër larg. Pesëshja ishin ulur thellë një bungaje për pushim. Kryetrimi dukej sikur i numëronte shokët me shikim. I dukej sikur shtegu që kishte lënë Shaqua ishte aq i madh sa nuk e plotësonin dot as dy luftëtarë të tjerë. Kryetrimi nuk e harroi për asnjë çast si nuk ia morën as pushkën atë ditë që ra Shaqua. Nuk ia morën pasi nuk patën as afat nga sulmi me top i armikut i cili shembi kullën të cilën pastaj e kishte kapluar flakë e madhe. Se çka mendonte Kryetrimi as që mund të imagjinonte ndonjëri nga trimat e çetës.
-A je lodhë bacë, e pyeti kryetrimi Nanin, që ishte goxha më i vjetër?
-Mos me detyro me rrejt, ia priti ai? Besa jam lodhë fort! – por akoma jemi larg për t’u dorëzuar. Po më vjen rëndë ta ngushtojmë serish Rrapaçukun plak, që në atë kasolle të ngrohë ujë për ne që të pastrohemi pak, sesa që do t’ia hamë edhe atë bukë që e ka gatuar vet për veti. Mendoj se edhe një konak udhë larg mund të qëndrojmë dhe pastaj të kërkojmë bukë tek Lata? Ai ka bukë boll, por flet goxha shumë e nuk ia pret mendja fort çka po thotë, vazhdoi fjalën Rushiti.
-Nuk e di a na njeh nëpër terr, por do ia mësyjmë bash të Lata, tha Kryetrimi, që zakonisht nuk fliste kurrë, përveç kur duhej vendosur hapin e duhur.
-O Bal, pa shko e trokit në atë derën e drurit, dhe dëgjo mirë se çka po thotë Cari, foli Hysi që ishte bukur më i ri se të tjerët.
Bali shikoi në drejtim të Kryetrimit, ndërsa ai vetëm pohoi me kokë që të trokasin në atë derë që dukej sikur mund të binte përtokë para se ta godiste me dorë.
Nga kasollja doli një burrë me herrkë mbërthyer deri mbi kokë. Burri i botës ishte mësuar me tonin e zërit të trimave të çetës. Cari vetëm bëri me dorë andej kah ishte mësuar të vinte kryetrimi. E diktoi menjëherë lëvizjen dhe hyri para Balit në odën e Carit.
Gjithçka ishte gati. Bali as që e dinte, se kryetrimi aty e kishte derën hapur moti. Kryetrimi asnjëherë nuk shkonte i pari, e as i fundit. Çdo herë dërgonte një vëzhgues në atë shtëpi ku do ta kalonte natën, por të cilin nuk duhej ta njihte i zoti i asaj familje. E shikonte nga afër çdo veprim të tij. E dinte mirë lëvizjen që duhej të bënte i zoti i shtëpisë për çdo rrezik. Atë natë, tre nga pesë burrat e lëvizjes një nga një u pastruan dhe i ndërruan teshat. Shumë ditë përpara rrobat i kishin pritur të pastra e të gatshme për t’i veshur. Puna e ndërrimit të rrobave ishte po aq sekret sa vet lëvizja e çetës. Mund të paramendoni pse nuk u pastruan të gjithë?!
Ato pak orë që iu kishin mbetur për të fjetur, i mbyllen sytë shumë pak. Ikën si era para se të zbardhte dita. Serish udhëtuan malit, pa prekur e pa trupuar kurrë rrugët e zakonshme.
Te udhëkryqi i Mirushës çdo herë ndalonin për pushim të mirë. Aty njihnin çdo shkurre e lis. Edhe symbyllas, njihnin çdo gëmushë e gropë. Secili kishte akoma ndopak mish të tharë për ta përtypur. Caka fliste ndonjëherë, sikur me leje të kryetrimit. Do na shtoj etjen ky mish mendoi vet me veti , para se t’u thoshte edhe shokëve. Pushimi iu dha pak forcë, por etja deri të burimi i parë i ujit do t’i mundonte ndopak. Shokët ishin mësuar edhe me lëvizjen më të vogël të Kryetrimit. Derisa ngritkëshin luftëtarët, kai zhdukej shtigjeve të padukshme që i njihte sikur në pëllëmbë të dorës.
Natën e Bajramit e kishin caktuar ta kalojnë të Meti, dhe të nesërmen pasdreke të largohen.
Kryetrimi e dinte kush mban fjalën, por kësaj radhe, aty do të ketë edhe bashkëluftëtarë që nuk po bënin udhëtimin e njëjtë. Ata do të bashkohen në konakun ku çeta do ta kalonte natën. Këtë herë, kryetrimin e kishte kapluar dyshim i fortë.
-Gjithçka mund të ndodhë aty! Përreth ka shumë kolonë, po mendonte në heshtje. Ka kohë që nuk jemi parë me shokët tjerë. Mund të jetë përhapur ndonjë fjalë e pamatur. Nuk e veçonte edhe një shok i cili mund të ishte më pak besnik. Askush nga pesë shokët e përhershëm, nuk e kishte vërejtur brengen e tij të madhe gjatë udhëtimit shumëditor. Ishte nata e parë kur ai kishte menduar më gjatë për mundësinë e sulmit të xhandarmërisë, bash në ditën e Bajramit. As nuk i tha edhe njërit nga shokët së dyshimi nuk po e linte të qetë. Kësaj radhe po e brente dyshimi edhe në të zotin e konakut. Nuk kishte dëgjuar as edhe një fjalë për ndonjë lëvizje përreth fshatit ku do ta kalonte natën. Bash kjo heshtje po e brengoste në shpirt dhe pak pa arritur në Rrugën e Dëllinjave gati sa nuk kishte dhënë urdhër për ta thyer rrugën.
Ai fliste tepër rrallë dhe shkurt. Dëgjonte të tjerët dhe bënte hapin e duhur në çastin e duhur. As qenët nuk i kanë lëshuar nga zinxhirët në këto orë të vona. Kjo nuk është shenjë e mirë po i thoshte veti pa zë. Ai e dinte mirë se në të katër fshatrat përreth ka plot kolonë, por këta hafijet tanë janë më të zinj.
Intuita nuk e tradhtoi kurrë kryetrimin. Pa ua thënë edhe një fjalë shokëve, atij ju kujtua fill e për pe djegia e Bardhëzës nga xhandarmeria e ushtria serbe. Iu kujtua si takoi në rrugë atë kukudhin me plis i cili edhe e pyeti se ku do ta bëjnë konakun sonte?! Iu kujtua mirë sesi çeta menjëherë pat lakuar rrugën prej aty drejt Dardhëzës, dhjetë kilometra më larg. E çfarë e zeze doli nga ai takim rasti me kukudhin? Fill pas atyre dy tre fjalëve në rrugë, kukudhi kishte shkuar drejt në stacionin e xhandarmërisë serbe në Deviç dhe i kishte njoftuar se ku mund ta gjejnë çetën bashkë me Kryetrimin. I kishte shkuar mendja gjithkah edhe në ketë natë, por nuk kishte folur edhe një fjalë.
Kryetrimi, përkrah me të shoqen kishin bërë edhe ata pak hapa që iu kishin mbetur deri të dyert e Metit. Çdo mendim dhe dyshim për dekonspirim i mbeti peng. Askush nga shokët nuk e diktoi ndonjë ndryshim në tonin e atyre pak fjalëve që fliste zakonisht.
Në Shtrojerë gjithë natën kishte pasur lëvizje të pushtuesit. Paramilitarët kishin bërë edhe krimin e menduar për këtë rast dhe si ta fusin në kurth kryetrimin me shokë.
Pesë luftëtarët e çetës ecën njëri pas tjetrit drejt dyerve të Metit. Askush nuk i priti të dera e cila ishte hapur. Para pesëshes kryengritëse në odë kishin arritur edhe tre luftëtarë të tjerë nga pesë që pritej të vinin nga fshatrat e afërme. Djali që ishte caktuar t’i priste më larg dyerve dhe të njoftonte të tjerët në odë, ishte hutuar duke dëgjuar bisedat e burrave në odë, kur pa të hynin brenda pesë veta të armatosur. Zjarri ishte ndezur mirë. Natën e kaluan pa rropatje. Mëngjesin e priti me dyshim, por për ndonjë mundësi të një kurthi nuk foli askush. Athua dikush dinte diçka, edhe kjo mbeti enigmë për njëqind vjet. Asnjë fjalë nuk nxori kush nga goja as në fshat as diku tjetër.
Derisa po kalonte afër Zezës, të vendi Ura e Vogël, halla që kishte mësyrë të vëllain për ditë të Bajramit, pa një thes miell në tokë. U afrua edhe pak dhe pa gjak. I shkoi mendja të shikonte nën urë. Aty mbeti e stepur kur pa një trup njeriu pa kokë. E prekur dhe e frikësuar shpejtoi hapat drejt shtëpisë ku e kishte cakun. Sapo hyri në sokakun që gjarpëronte mes shtëpive të fshatit, takoi disa djem që po qëndronin ashtu sikur të ishin rojë. Lokja nuk e la pa treguar për të vrarin që kishte parë nën urë, jo shumë larg nga oda ku po prisnin drekën e Bajramit shokët e çetës. Derisa silla e Bajramit po bëhej gati, heshtja depërtoi edhe brenda në odë. Kryetrimi u njoftua për një shqiptarë të vrarë shumë afër shtëpisë ku ai kishte bërë konakun. Largoi nga oda gjithë njerëzit tjerë duke mbetur vetëm me bashkëluftëtarë. Pas një bisede të shkurtër, dikush tha të sulmojnë fshatin e kolonëve që gjendej tre kilometra larg. Dikush shfaqi dyshim, por kryetrimi ua preu shkurt. Jemi dekonspiruar më herët. Ka rrezik të hakmerremi. Ashtu siç ishin morën armët dhe mësynë fshatin e kolonëve.
Por, në fshatin Zezë, Buçi e Dika moti kishin kuptuar që Kryetrimi do ta kalonte natën në odën e Metit, megjithëse kjo punë mbeti enigmë për njëqind vjet. Ato ditë kishte më shumë lëvizje para festës së Bajramit.
Buçi e Dika nga Zeza nuk kishin fjetur gjithë natën. Ata kishin kuptuar edhe për vrasjen e fshatarit dhe për konakun ku do bënte gjumin Kryetrimi. Ishin zgjuar pa aguar dhe kishin shaluar kuajt duke ditur edhe nga mund të lëvizte çeta. Për të sulmuar fshatin e kolonëve çeta duhej të truponte ligatinën që shtrihej tejpërtej fshatit prej nga mund të arrinin më shpejt, por kjo lëvizje kishte pak gjasa. Anash ligatinës dukej kaluar rrugën më të gjatë. Pikërisht aty ku kishte më shumë gjasa të truponte çeta, aty e pritën Buçi e Dika hipur në kuaj.
Që larg, vëzhguesi kishte vendosë kontakt me dy tri fjalë me Buçin dhe Dikën. Ishte kthyer dhe i kishte treguar Kryetrimit, i cili pa një pa dy shkoi drejt në takim. Buçi dhe Dika, njëri shqiptar e tjetri kolon, pa zgjatur bisedën, në fjalën e parë, Kryetrimit i thanë shkurt se sulmi në fshatin e kolonëve nuk është gjë e mirë. E njoftuan se në Shtrojerë ka arritur një tog ushtarësh nga Mitrovica. Kryetrimi dha urdhër që çeta të kalonte nga ana e epërme e Shtrojerës, duke shmangur kështu fshatin e kolonëve.
Duke ditur gjithçka, togu ushtarak i përforcuar edhe me xhandarët e stacionit të xhandarmërisë së Shtrojerës u lëshuan pas çetës duke goditur në nga pas me top e mitraloz. Të shtënat nuk kishin pushuar gjithë ditën derisa ishte ngrysur. Çeta kaloi pa përballje, por shumë shtëpi u dogjën dhe po aq familje dimrin që ishte në prag do ta kalonin nëpër shtëpi të huaja në fshatrat tjera nëpër miq e shokë.
Kjo është puna e konakut i tha babagjyshi nipit, që sa duket prapë nuk kuptoi mirë se çka ishte vërtetë ajo prapavija, që tash e quajnë logjistikë.
Po biro, asnjë trim nuk mund të jetojë pa bukë e pa fjetur. I duhet konak i sigurt. Duhet të pastrohet, të ushqehet e të ndërrojë teshat. I duhet edhe furnizim me municion sepse harxhohet sado që të kenë rezervë. Secila nga këto punë që i kryen prapavija bart me vete rrezik për jetën e cilitdo koçak.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here